Shqiptarët në Ballkan dhe Sali Berisha

0
360

Kur baballarët e kombit themeluan shtetin shqiptar, shumë pak qytetarë të viseve tona dinin shkrim e këndim. Perandoria në të cilën mbijetuam për pesë shekuj ra, ndërkohë, vendi ynë i vogël arriti të mbijetojë – dhe me ndihmën e vyer të Shteteve të Bashkuara – e ruajti bërthamën shtet-formuese dhe identitare. Ishte koha e Luftës së Parë Botërore, ku Mbretëria e Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve, (Jugosllavia) dhe Çekosllovakia u shfaqën si shtete kombëtare, të dala nga rrënojat e Perandorisë Habsburgëve. Elitat e këtyre vendeve kishin bindur Fuqitë e Mëdha se ato duhet të pranoheshin si aleate në Konferencën e Paqes në Paris (1919-1920), dhe kështu u njohën edhe ndërkombëtarisht. Kështu lindi i ashtuquajturi Çekosllovakizëm dhe Jugosllavizëm, një lloj ideologjie sintetike që synonte homogjenizimin, mbi larminë etnike dhe kombësitë e ndryshme brenda shteteve.

Ne shqiptarët mbetëm sakatë dhe të pambrojtur nga dallgët e dy luftrave botërore, por edhe nën një agresion permanent nga jugosllavizmi, që kësaj rradhe vinte përmes komunizmit. Terroristi Enver Hoxha kreu vrasje sistemike përgjatë 45 viteve kundër elitës shqiptare, një plojë që tejkalon edhe masakrat e rusëve ndaj polakëve (Masakra e Katyn – Maj, Qershor 1940). Lufta e Dytë e ndau botën më dysh, ndërsa shqiptarët këndej e andej kufirit u zhytën në një epokë dhune dhe propagande shfrenuese.
Ne shqiptarët përjetuam një dramë dhe dy tragjedi – drama ishte komunizmi – ndërsa tragjeditë ishin jugosllavizmi dhe enverizmi. Si rrallë ndonjë popull tjetër në Europë dhe botë, ne përjetuam dhunën dhe terrorin shtetëror – në Shqipëri nga Enver Hoxha dhe në Kosovë nga Serbia, në kuadër të Jugosllavisë.
Rënia e komunizmit ishte edhe fillimi i zgjidhjes së çështjes shqiptare, por edhe kthimi përfundimtar tek vlerat universale të drejtave të njeriut. Qytetarët shqiptarë në Shqipëri nuk do të vriteshin më për arsye kulturore, etnike, fetare ose bindjesh politike, ndërsa shqiptarët e Kosovës po shkonin drejt lirisë kombëtare.
Sali Berisha në Shqipëri dhe Ibrahim Rugova në Kosovë ishin dy liderat shqiptar që u prinë këtyre zhvillimeve – padyshim më të rëndësishmet që prej Luftës së Dytë Botërore. Nëse Rugova në Kosovë po sendërtonte rezistencën kombëtare kundër një shteti armik si Serbia, në Tiranë Sali Berisha po themelonte Partinë Demokratike të Shqipërisë në shtetin më diktatorial në Europë.
Betejat në thyerje të epokave janë të ashpra, ato mbartin në vetvete dhimbjen e popullit nën diktaturë, por gjithashtu ato lehtësisht mund të shndërrohen në tragjedi të reja, që mund të prishin përfundimisht drejtëpeshimin e shoqërisë. Prandaj Sali Berisha mund të vlerësohet si njeriu i duhur, që arriti të menaxhojë dhimbjen drejt shpresës dhe Shqipërinë drejtë perëndimit. Sigurimi i Shtetit – arma famëkeqe e diktaturës enveriane ishte aty – e mirëtrajnuar dhe e përgatitur vetëm për punë të zeza. Sot është naive të mendosh se kjo organizatë terrori papritur do të pushonte së ekzistuari – vetëm pse ndryshoi pushteti politik. Rrebelimi i vitit 1997 është prova se vendi është shumë larg stabilitetit politik dhe demokratik.
Sali Berisha mbijetoi politikisht falë karakterit të tij, vizionit për të mbajtur gjallë Partinë Demokratike, si të vetmen forcë politike që shprehë vokacionin perëndimor të shqiptarëve. Qeveria e tij përgjatë viteve 2005 – 2013 hodhi themelet afatgjata të zhvillimit ekonomik, politik dhe social të vendit. Shqipëria u anëtarësua në NATO – aleanca më e madhe ushtarake e botës demokratike, ndërsa Shpallja e Pavarësisë së Kosovës u bë në Tiranë, gjatë vizitës se Presidentit amerikan George W. Bush.
Në këtë kuptim, Sali Berisha mbetet shqiptari me kontributin më të madh politik në atë çfarë është sot Shqipëria dhe Kosova. Historia është e re, e provuar me fakte, akte politike dhe vepra fizike. Rruga që lidhë kombin është aty, që do mbijetojë në shekuj. Çdo intepretim tjetër është i pasaktë, i pavërtetë, dhe që fyen trashgiminë politike të shqiptarëve.
***
Shpallja non-grata e Sali Berishës nga Antony Blinken, Sekretari i Departamentit të Shtetit është një ndër aktet më të çuditshme politike – dhe kjo për të përdorur një term të butë. Shock-u është i fuqishëm, dispropocional dhe ngjanë i paarsyetuar. Që këtu shumë pyetje nuk marrin përgjigje adekuate, për më tepër Deklerata e Sekretarit Blinken është e mbushur me njëlloj retorike standarte, që rëndomë përdoret për gangsterët dhe armiqtë e Shteteve të Bashkuara.
Po çfarë kanë SHBA-të me Sali Berishën, politikanin më me karakter dhe konseguent në gjithë Ballkanin, ndoshta më gjerë? Çfarë dhe kë pengonte, apo ishte një lis i madh, që nuk përthyhej në ekuacionin e ndarjes së Kosovës? Kush është gjallë, në liri dhe në politikë, dhe lavdi Zotit, me shëndet të plotë, përpos Sali Berishës?
Burri tjetër i madh, Ibrahim Rugova ka vdekur, ndërsa krerët e UÇK-së gjenden në Hagë, të akuzuar për krime lufte. Kështu Kosova po shkon drejt një plani të çuditshëm, bizarr dhe të lobuar fuqishëm nga Presidenti Aleksandër Vuçiç. Po çuditërisht, djali që qeverisë Kosovën (Albin Kurti) deri më sot nuk ka një akt prej vërteti në dobi të vendit, përjashtuar retorikën. Por retorika mbetet e tillë, ashtu si në kohën e komunizmit, këndej e andej kufirit.
Serbia është një shtet i rëndësishëm në Ballkan, me një shkollë të vjetër diplomacie, por tashmë edhe një fuqi ushtarake rajonale. Presidenti serb ia doli të faktorizojë interesat e forta të vendit të tij, madje të tejkalojë edhe veten, sidomos me promovimin e planit të Minishengenit Ballkanik. Plani i tij ka marrë miratimin e Washingtonit që në administratën e Presidentit Trump, dhe që qartësisht, edhe administrata e re e ka pranuar. Me sa duket, plani serb për momentin ngjanë si favorit, prandaj lobuesit në Departamentin e Shtetit po largojnë pengesat. Dhe padyshim Sali Berisha është një pengesë serioze.
Por pasojat e akteve të burokratëve të Departamentit të Shtetit me siguri që do të kenë kosto për shqiptarët këndej e andej kufirit. Dyshimet i konfirmoi edhe Janusz Bugajski, ndër njohësit më të mirë të rajonit. Partia Demokratike është partia me vokacionin më pro-perëndimor në Ballkan dhe Europë, ndërsa Sali Berisha është lideri më pro frymës euro-atlantike në Shqipëri. Antikomunizmi është një ndër vlerat e njerëzimit, dhe shqiptarët kanë paguar për lirinë çmim të lartë në jetë njerëzore. Mbi 6000 burra e gra të këtij vendi u masakruan nga komunistët shqiptarë, ndërsa një komb u mbajt peng për 45 vjet nga komunizmi sllav i Enver Hoxhës.
Për ne shqiptarët, nuk ka më të shtrenjtë se Shtetet e Bashkuara, vendi që i dha jetë ëndrrës tonë për shtet të pavarur, dhe i dha Kosovës lirinë. Megjithatë, akti i Sekretarit Blinken kërcet fort, aq shumë sa ngjanë si një padrejtësi historike. Çdo komb disa gjëra i ka të paprekshme, ta zëmë – lufta për liri dhe të drejta njerëzore. Goditja e Sali Berishës nuk e vret vetëm Sali Berishën, por i jep goditje vdekjeprurëse Partisë Demokratike, të djathtës shqiptare dhe trashgimisë antikomuniste të saj. Merreni mend se çfarë mbetet në skenën politike – në Shqipëri një gringo elchapist si Edi Rama, ndërsa në Kosovë një cheguevarist i vllazërim-bashkimit si Albin Kurti. Nga ERL KODRA