Shqiptarët e Malit të Zi drejt asimilimit, Tirana zyrtare hesht

0
571

Nga: Faik Nika

Shqiptarët e Malit të Zi drejt asimilimit! Tirana bën fushatë për Dritan Abazoviç dhe Milo Gjukanoviç’

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Malin e Zi, Faik Nika ngre alarmin se shqiptarët etnikë atje po shkojnë drejt asimilimit.

Ai u shpreh se mungesa e vëmendjes nga Tirana zyrtare dhe Prishtina, do të bëjë që shqiptarët e Malit të Zi të tjetërsohen. Ai i konsideroi të çuditshme deklaratët e përfaqësuesve qeveritarë të Tiranës për të votuar Dritan Abazoviç dhe partinë e tij qytetare apo dhe partinë e presidentit, Milo Gjukanoviç, ndërkohë që shqiptarët përfaqësohen nga spektri i tyre politik atje.

“Ne përpiqemi edhe me kontaktet që kemi me faktorin politik në Shqipëri dhe Kosovë, por në veçanti në Shqipëri, të sqarojmë disa herë që shqiptarët në Mal të Zi janë në pozitë të pafavorshme. Dhe kemi nevojë për mbështetjen e Tiranës zyrtare që të mbrojmë identitetin tonë këtu sepse po rrezikohemi nga asimilimi. Kemi disa mesazhe të çuditshme nga Tirana zyrtare në prag të zgjedhjeve. Më parë kemi patur thirrje për të mbështetur partinë e Gjukanoviç në zgjedhjet e gushtit, që në për ne është absurditet.

Së fundmi, kryebashkiaku i Tiranës është përfshirë në fushatën e Abazoviç në Ulqin, që për ne është e çuditshme.

Kjo për shkak se nëse Tirana zyrtare, apo Prishtina zyrtare, konstatojnë që në Malin e Zi partitë nacionale janë të tepërta apo se nuk duhet të jenë, pasi mjaftojnë partitë qytetare si ajo e Abazoviç apo Gjukanoviç, atëherë duhet të deklarojnë që s’kemi nevojë dhe ne shqiptarët duhet ripozicionohemi në këto subjekte qytetare. Por ne mendojmë se subjektet nacionale kanë misionin e tyre për të mbrojtur identitetin.

Kemi shumë probleme në fushën e arsimit. Në tekstet shkollore që nga shkolla fillore e deri në të mesme ku zhvillohet mësimi në gjuhën shqipe në Malin e Zi, nga aspekti i lëndës së historisë kemi shumë pak për historinë e shqiptarëve në programe shkollore, ose fare pak programe të shkurtra. Dhe nga aty mund të jenë pasojat që shqiptarët në Malin e Zi të mos kenë interes për historinë kombëtare, për identitetin kombëtar dhe formimi më pas më tutje vjen te asimilimi i shqiptarëve, braktisja e gjuhës që ka shumë raste, pastaj prapashtesat me ‘viç’, dhe kështu gradualisht nëse humbin gjuhën shqipe deklarohen një komunitet tjetër qoftë boshnjak, mysliman, malazez, kroat. Në momentin që shqiptarët në Malin e Zi humbin identitetin, gjuhën, ata më nuk quhen si të tillë, prandaj janë themeluar subjekte shqiptare, edhe Këshilli Kombëtar e të gjitha, për të mbrojtur identitetin.Nëse Tirana zyrtare mbështet partitë qytetare sa herë këtu ka zgjedhje, atëherë është një pikëpyetje e madhe dhe ne shqiptarët çfarë qëndrimi duhet të mbajmë, a ia vlen, a duhet të ketë subjekte nacionale apo jo? Nëse ato deklarojnë që janë ‘demode’, apo janë e kaluar subjektet nacionale, mund të biem dakord në një tryezë të rrumbullakët, ta diskutojmë, por unë nuk jam për atë, pasi kushtet në të cilat jetojnë dhe veprojnë shqiptarët në Malin e Zi, presioni për një asimilim dhe emigrim, numri sa vjen e bie nga censusi në census. Unë mendoj se Tirana dhe Prishtina duhet të kenë një koordinim se si t’i mbrojnë shqiptarët në Malin e Zi që të mos asimilohen. Mendoj se kjo është më esenciale se sa mbështetja me pompozitet qoftë e kreyebashkiakut apo Tiranës zyrtare si në rastin e fundit ndaj subjektit qytetar siç e ka Abazoviç”. GAZETA TELEGRAF