Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ka reaguar menjëherë pas shortit të Ligës së Kombeve, ku Shqipëria do të jetë pjesë e grupit B2 së bashku me Izraelin, Rusinë dhe Islandën. Në një prononcim për fshf.org, Presidenti Duka u shpreh se shorti është i kënaqshëm, përveç distancës gjeografike dhe diferencës në kohë kur do të zhvillohen ndeshjet që është shumë e shkurtër. E megjithatë, kreu i qeverisë së futbollit shqiptar thekson se skuadra jonë është rritur dhe është rinovuar me lojtarë të rinj, ndërsa foli edhe për objektivin real të Shqipërisë në këtë edicion të Ligës së Kombeve.
Koment mbi shortin – Shorti mund të them që ishte i kënaqshëm, nuk u tregua negativ me ekipin tonë. Mendoj që nga skuadrat që kishim në grupin B, pak a shumë të dëshiruara, skuadra me të cilat mund të bëjmë rezultat pozitiv dhe kemi bërë rezultat pozitiv në të shkuarën. E vetmja e keqe që ka ky short është se janë vende në distancë gjeografike të largët, duke pasur parasysh që luajmë katër ndeshje në qershor, në diferencë tre ditë nga njëra-tjetra ndërsa për të tjerat mbetet që gjërat të bëhen në fushë dhe jo në letër. Skuadra duhet të përgatitet për një kompeticion shumë më të vështirë se sa ai i kaluari në grupin C. Tani jemi në një shkallë tjetër vështirësie, në një nivel tjetër dhe kërkon akoma më shumë kualitet dhe impenjim. d
Objektivi i skuadrës – “I shikoj të gjitha rezultatet e mundshme kundër të tre kundërshtarëve, qoftë në shtëpi, qoftë edhe jashtë saj. Uroj që të jemi me spektatorë në qershor, uroj që gjërat të jenë stabilizuar dhe të mos kemi më këto probleme të kufizimit nga covid, duke pasur parasysh edhe diferencën në ditë që ka mes ndeshjeve, kështu që uroj të jemi në normalitet. Uroj që lojtarët tanë të jenë mirë sepse është fund edicioni dhe kur ke një skuadër relativisht të mirë si ne që luajnë pothuajse në të gjithë ndeshjet e vitit, fundi i kompeticionit i gjen në një farë mënyre të lodhur, kështu që ky është një disavantazh për ne dhe një avantazh për ata lojtarë që luajnë më pak ndeshje gjatë vitit. Por gjithsesi, ne i kemi mundësitë të arrijmë çdo rezultat. Objektivi real i Shqipërisë në këtë kompeticion është vendi i dytë, por nuk është i pamundur edhe vendi i pare”.
“Ky mbetet një kompeticion i ndërmjetëm, që i jep mundësinë stafeve që të provojnë akoma më shumë, të guxojnë dhe të provojnë akoma edhe më shumë futbollistë të rinj. Vërtetë skuadra jonë është rinovuar, vërtetë kemi edhe dy ndeshje miqësore në mars, në të cilat besoj se trajneri do guxojë dhe do eksperimentojë me lojtarë të rinj, por mendoj që gjatë këtij kompeticioni, ekipi A duhet të marrë të paktën 3 futbollistë nga ekipi U-21, të cilët mendoj që janë gati për të filluar karrierën e tyre në ekipin A dhe mendoj që do të na ndihmojnë dhe kryesisht në ato reparte që ne kemi nevojë, siç është mesfusha. Ne kemi kualitete në U-21 që unë besoj se mund të na ndihmojnë – përfundoi fjalën e tij për fshf.org Presidenti Duka.