SHËNIME PËR 145 VJETORIN E TRAKTATIT TË SHËN STEFANIT

0
287
(3 mars 1878-3 mars 2023)

Nga NDUE  BACAJ –  145 Vite më parë, me 3 mars të vitit 1878 do të nënshkruhej Traktati i  Shën-Stefanit. Madje ky traktat si për ironi do të quhej traktati i paqes, pasi thuhej se i jepte fund Luftës Ruso-Turke që pat shpërthyer më 24 Prill 1877. Ku  pas luftimeve të ashpra, që zgjatën për pothuajse një vit, trupat ruse kishin arritur (fitimtare) në fshatin Shën Stefan, rreth 17 km në afërsi të Stambollit. Në këto kushte humbëse perandoria turko-osmane  (për të shpëtuar diçka nga vehtja) ishte e gatshem të linte hali teritore shqiptare për të zbutur perseri shpirtin e zuçitur dhe  grykësinë e pafashitur  të klysheve të Moskovit në Ballkan… “Sinjalet” ishin dhënë që mbas kongresit pansllavist që u mbajt në Moskë (1867), me protokollin e Londres (1877), me marrëveshjen e Budapestit (1877), e veçanarisht me nënshkrimin e armëpushimit në Edrene me 31 janar (1878), per të “kulmuar” me Traktatin e Shën Stefanit të dates 3 mars 1878..1.  Për këtë traktat historiani anglez William Miller do të cilësonte se : ”Traktati i Shën  Stefanit synonte me rregullua simbas interesave ekskluzive të popujve sllav,  fatin e një zone të Europes ku kanë interesa edhe kombe të tjerë”.2Pas bisedimeve ndërmjet përfaqësuesve rusë, kontit Nikolla Ignatiev e Aleksandër Nelidov dhe atyre osmanë Safet Pasha, Ministër i Punëve të Jashtme dhe Sadullah Beu, Ambasador në Oborrin Perandorak të Gjermanisë, u nënshkrua ky traktat. Për shkak të epërsisë ushtarake, Rusia abuzoi shumë me Traktatin e Shën-Stefanit, duke thelluar mosmarrëveshjet ndërmjet popujve të Ballkanit. Traktati i Shën Stefanit, perveç autonomisë që parashikonte për disa shtete sllave, traktati  parashikonte që këto “shtete” të zgjeroheshin edhe më shumë trojeve, kryesisht shqiptare.. Sipas Traktatit, u krijua shteti bullgar me kufij shumë të gjerë, ndërsa Rumania, Serbia dhe Mali i Zi deri atëherë principata autonome nën vasalitetin e sulltanit osman, fituan pavarësinë e plotë. Serbia do të zgjerohej nga jugu në drejtim të viseve shqiptare të Kosovës. Sipërfaqja e saj rritej nga 37,7 mijë km2 në 52,7 mijë km2. Edhe Mali i Zi rritej nga 4,7 mijë km2 në 15,7 mijë km2. Territoret e Bullgarisë do të zgjeroheshin deri në brigjet e liqenit të Ohrit).3.  Sipas nenit një të këtij traktati Mali i Zi do të merrte trojet etnike shqiptare të banuara prej shqiptarëve: Ulqinin, Tivarin, Krajen, Anen e Malit, pjesën e sipërme të bregut të lumit të Bunës, gati krejt liqenin e Shkodrës, Hotin, Grudën, Plavën e Gucinë, Rugoven, Kelmendin… Ndërsa sipas nenit tre Serbia do  të aneksonte troje etnike shqiptare të Kosovës, deri në krahinen e Prishtinës. Neni gjashtë i këtij traktati i jepte Bullgarisë jo vetëm portin e lakmueshëm të Selanikut, por edhe krahinat etnike shqiptare të Korçës, Voskopojës, Pogradecit , Strugës , Dibrës , Kërçovës , Gostivarit , Tetovës , Shkupit , Manastirit, Kumanovës etj. Siç duket shumica e trojeve etnike shqiptare do të viheshin nën dominimin e sllavëve dhe të kishës ortodokse. Gjithashtu ëndërra e vjetër ruse e pansllavizmit dhe dalja në detin Mesdhe, më në fund do të bëhej realitet.4(Ndërkohë Greqia nuk arriti të përfitonte asgjë nga ky traktat).  Turqia si humbëse e luftës me Rusinë , kishte pranuar diktatin e Rusisë per  të  shkëputur  shumë teritore nga perandoria e vet. Megjithse shumë nga  keto teritore ishin safi shqiptare, emri i Shqiperisë as nuk zihej me gojë..5.  Pra siç shihet shumica e trojeve Shqiptare do të  ishte nën dominimin sllav… Ndërsa “Grimca” e mbetur Shqipëri momentalisht do ti lihej perandorisë osmane që pritej nga dita në ditë të shembej , dhe ajo çfarë po “tepronte” nga Shqiperia Etnike “shpresohej” se do të mbetej nën këto rrënoja në perjetsi.6. Historiani Ferdinand Schevill në librin e tij kushtuar historisë dhe qytetrimit të  Ballkanit për Traktatin e Shën Stefanit do të shkruante: “Paqja” e  Shën Stefanit ishte një nga më të ashprat që ishte arritur ndonjëherë në historinë e lindjes”.7.  Pradaj kur ishin shpallur kushtet e Traktatit të Shën Stefanit u dha kushtrimi në kancelaritë e Europës. Filluan menjëherë perçapjet për rivizimin e këtij traktati , me qellim që me kufizue lakmitë toksore të Rusisë dhe satelitëve të saj në Ballkan. Mbas një vargu shkëmbimesh diplomatike në mes të kryeqyteteve kryesore të Europës u vendos të mblidhej nji kongres në Berlin “ku do të mund të bisedoheshin themelisht të  gjitha çeshtjet që kishin lidhje me traktatin e Shën Stefanit.  Kongresi i Berlinit do të hapej më 13 qershor 1878, me rend dite rishikimin e Traktatit të Shën-Stefanit. Në të morën pjesë 6 Fuqitë e Mëdha të Europës: GjermaniaAngliaFrancaRusiaAustro-Hungaria dhe Italia. Sipas procedurës së vendosur paraprakisht, vendimet do të merreshin njëzëri. Punimet e Kongresit të Berlinit i drejtoi kancelari gjerman: Otto Bismark.9. Vlen të cilësohet se zemërimin e thellë që shkaktoi në Shqipëri Traktati i Shën-Stefanit e rriti më tej terrori i ushtrive serbo-malazeze mbi shqiptarët e viseve të pushtuara prej tyre dhe shpërngulja me dhunë nga këto krahina e dhjetëra mijë familjeve shqiptare, të cilat vërshuan si muhaxhirë në krahinat e papushtuara nga ushtritë ballkanike. Vetëm në vilajetin e Kosovës endeshin rreth 100 mijë burra, gra e fëmijë, të shpërngulur nga zona e pushtimit serb. Gati 38 mijë veta të dëbuar nga ushtritë ruse e bullgare qenë shpërndarë, sipas konsullit anglez Blunt, në viset e vilajetit të Manastirit. Sipas të dhënave të konsullit austro-hungarez Lipih (Lipich), mbi 26 mijë shqiptarë, të dëbuar nga zona e pushtimit malazez, ishin vendosur në vilajetin e Shkodrës. Por numri i shqiptarëve të shpërngulur ishte më i madh, po të kemi parasysh se jo pak prej tyre mërguan në vilajetet e Selanikut, të Stambollit, të Izmirit, të Adanasë e të Sirisë…10.  Edhe në këto kushte të pafavorshme shqiptarët, Traktatit të Shën Stefanit dhe “pasuesit” të tij Kongresit të Berlinit do ti përgjigjeshin “flakë për flakë” me pendë e pushkë të udhëhequr na  patriotët shqiptar të të gjitha trevave shqiptare me organizimin më të lartë mbarkombëtar: Lidhjen Shqiptare të Prizrenit , që do ti fillonte punimet me 10 qershor 1878, duke sensibilizua Europen dhe organizua shqiptarët në mbrojtje të trojeve të tyre etnike… Mjerisht edhe sot cari i “ri” i Rusisë, Vladimir  Putin, por edhe putinët  e tjerë më të vegjël në Ballkan po kërkojnë që të ringjallin Traktatin famkeq të Shën Stefanit të 145 viteve më parë. Por tani kohrat kanë ndryshuar dhe Europa e re me BE-n, në bashkëpunim të  plotë me SHBA-n dhe NATO-n, janë sfiduesit potencial të carit të ri dhe dhe mbështetësve të tij sllav në Ballkan e më gjërë… Por me gjithë këtë, veçanarisht ne shqiptarët duhet të jemi vigjilent e të mos harrojnë historinë e “helmuar” të së shkuares, se  po të harrohet ka rrezik të na “helmojnë”edhe të sotmen…  

REFERENCAT:

1.Histori e popullit shqiptar; fq.97-99, Hartuar nën drejtimin e Institutit të Historisë të Akademisë së shkencave  të Rep.Shqipërisë, sh.b. “Eurprilindja”, Tiranë 1994.

2..William Miller; Perandoria otomane dhe trashigimtarët e saj , fq.384, London 1913.

3.https://www.facebook.com/MuzeuHistorikKombetar/posts/3197272090335542/ 

4.Edwin Jacques; Shqiptarët-historia e popullit shqiptar nga lashtësia deri në ditët e sotme, fq.286, sh.b. Kartë e Pendë, Tiranë 1995, + Serge Metais; Histori e shqiptarëve  nga Ilirët deri te pavaresia e Kosovës, fq.265-266, sh.b. “55” Tiranë 2006.

5.Edwin Jacques, po aty fq.286.

6.Ndue Bacaj ; Nga Lidhja e Prizrenit në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit: Albdreams.net dhe https://gazetadielli.com/nga-lidhja-e-prizrenit-ne-lidhjen-shqiptare-te-prizrenit/17 qershor 2022.

  1. Ferdinand Schevill; BALLKANI-historia dhe qytetrimi, fq.327, sh.b. Eugen, Tiranë 2002.

8.Tajar Zavalani; Histori e Shqipnisë, fq.172, Botim i dytë: Phoenix , 1998.

9.https://sq.wikipedia.org/wiki/Kongresi_i_Berlinit.

10.https://fjala.al/2022/03/03/formimi-i-lidhjes-se-prizrenit-shen-stefani-traktati-famekeq-ku-rusia-coptoi-tokat-e-shqiptareve/, + Libri : Spastrimi Etnik, dokumente  historike mbi një ideologji serbe , mbledhur, përkthyer dhe komentuar nga Mirko Grmek, Mark Gjidara dhe Neven Simac me parathenie nga Ismail Kadare,sh.b.”55”Tiranë 2002.