Nga MARASH GILAJ, redaktor i librit.
“Veprat flasim me zë më të lartë se fjalët, prandaj, beso më shumë veprat se sa fjalët që dëgjon”, na këshillon urtësia në shekuj. Libri i dalur nga botimi këto ditë me titullin domethënës: “15 shekuj kristianizëm në mes dy kryeqyteteve të Ilirisë (Shkoder – Medun)”, i autorit Ndue Bacaj, është i shtatti në radhë. Dhe nuk janë vetëm librat që ka shkruar, por edhe qindra kumtesa të shkruara e të mbajtura nga Malësia e Madhe deri në Miçigan apo New York të SHBA – së gjatë tre dekadave të fundit. Shkrimet e tij i gjeni, përveçse në libra, edhe tek gazeta “Shqipëria Etnike” Malësia (sot Zani i Malësisë), Revista “Fjala”, portali “Albdreams” apo gazeta “Dielli” në Amerikë e media të tjera kombëtare e më gjërë. Ai na kujton vazhdimisht nepërmjet FB –ut ngjarje e data që lidhen me jetën e kombit në shekuj, por sidomos me ato që kanë të bëjnë me historinë e Malësisë së Madhe, vendlindjen e tij dhe tonën. Historinë, publicistikën dhe studimin i ka pasion dhe ecën gjithmonë me moton e vjetër latine : “Nulla dies sine linea”, që në shqip do të thotë “Asnjë ditë pa shkruar.” Këtë e tregon më së miri prodhimtaria e tij e begatë në fushat që përmendëm më sipër.
Libri i titulluar “15 shekuj kristianizëm në mes dy kryeqyteteve të Ilirisë (Shkoder – Medun)”, vjen pas atij me titull “ At Gjergj Fishta patrioti i madh pendartë i kombit shqiptar.” Libri që kemi në dorë tani flet për historinë e kishave e ndërtimeve të tjera të zbuluara, që siç shkruan z.Bacaj Kristianizmi si besim e civilizim është dëshmuar ndër mote e shekuj edhe me ndërtimin e objekteve (të saja) si kisha, qela, famulli, abaci, manastire, katedrale, si dhe veprave të tjera civilizuese në sherbim të binomit jetdhënës FE e ATDHE… Këto ndërtime nga më të bukurat e atyre kohëve dëshmonin (e dëshmojnë), besim, civilizim, identitet Europerendimor, por edhe autoktoni Iliro-Arbënore-Shqiptare në trojet tona etnike, në hapsiren ballkanike… Këto ndërtime dëshmuese të historisë 15 shekullore të Kristianizmit në trojet tona janë shumica rrënoja, ndersa disa të trashiguara vetëm në toponime që lidhen me vendin ku ndodheshin, por edhe toponimitë hedhin dritë për mbi to. Shumë prej tyre, tashmë janë të rindertuara apo të ndertuara në afërsi, ku kryhen të gjitha shërbesat e kultit. Në libër mësojmë (shkurtimisht, por mjeshtrisht), se përndjekja e klerit katolik, i ka fillesat e hershme, siç e tregon vetë titulli i librit, por ajo më e ashpra duket në kohën e pushtimit turk. Ky qëndrim vazhdoi edhe në diktaturë, mbase edhe më egër, sepse kulmoi me mbylljen e kishave dhe xhamive në vitin 1967. U deshën plot 24 vite të tjera që të fillonte ringjallja e tyre, pas përmbysjes së diktaturës, më 1991. Autori i këtij libri ka gëmuar thellë në historinë e kishave, ka shfrytëzuar shumë dokumente prej ku rreth dhjetra vendndodhje të kishave, një pjesë e të cilave nuk funksionojnë, por dihet që kanë ekzistuar dhe ka gjurmë e dokumente për to. Shumica e tyre ndodhen në Shkodër (e rrethina), Drisht, Pult (Dukagjin) dhe Malësinë e Madhe (në rep. e Shqipërisë) që shtrihen nga Shkodra deri në Vermosh, por edhe nga Podgorica, Dioklea, Meduni, Tivari, Shasi, Kraja , Ulqini, Trieshi, Koja, Gruda e Traboini që ndodhen nën Malin e Zi etj. Libri ka 344 faqe. Për të qënë sa më i saktë, autori na sjell referencat që arrijnë numrin rreth 400. Kjo tregon se i është dashur një punë voluminoze kërkimore (disa vjeçare), hulumtuese për të nxjerrë në dritë këtë liber me vlera historike e njohëse. Si besimtar i devotshëm dhe në nderim dhe përkushtim të trungut familjar, duke filluar nga gjyshi e gjyshja e deri tek nipërit e mbesat e veta, autori në faqet e fundit të librit na jep një histori të shkurtër familjare… Librin z.Bacaj ua kushton prindërve të tij me dedikimin : “Në vend të një meshe përshpitëje”. Nepërmjet librit mësojmë se klerikët katolikë gjithmonë i kanë konsideruar të pandara Fenë dhe Atdheun, Ata luftuan për të dyja me të njëjtin zell e përkushtim. Gjatë leximit do të mësoni emra klerikësh, që shërbyen në vende e kohë të ndryshme me shumë devocion, pavarësisht nga persekutimi i vazhdueshëm. E kaluara ndriçon të ardhmen, është e mbarsur prej saj, prandaj duhet mësuar, sepse errësira nuk nuk të çon askund. Kjo është arsyeja që duhet ky informacion kaq i bollshëm për të ndertuar të nesërmen me ngjyra ylberi. Çdo libër që lexojmë na hap një dritare të re për të parë më mirë botën dhe jetën. Kështu bëhemi më të aftë, nëse duam, të ndryshojmë veten dhe të tjerët. Autori na njeh me figura të rëndësishme që lidhen me klerin, me kishat dhe ngjarjet që kanë ndodhur, në kohë e vende të ndryshme. Diku lexojmë se te kisha e Shën Gjergjit (Ballezë) pat ardhur Gjergj Kastrioti, Skenderbeu apo në një vend tjetër mori pjesë i madhi, i papërsëritshmi, At Gjergj Fishta. Bashkë me të dhënat historike për kishat mësojmë edhe për festat që festoheshin sipas krahinave, për numrin e shtëpive e të banorëve, për kumonat e kishave deri te pesha e tyre. Bile jepen edhe përmasat e kishave. Diçka tjetër që më bëri përshtypje gjatë leximit dhe redaktimit të librit ishte vënia në dukje e numrit të mullinjve që ekzistonin në atë kohë gjatë Lumit të Rrjollit. Gjithashtu përmenden edhe shpella si ajo e Bogdanit apo, më interesantja, vendi , ku priteshin paratë, që kishte marrë emrin “ Rrasa e parave.” Me gjithë punen voluminoze dhe cilësore në këtë monografi për identifikimin dhe historinë 15 shekullore të Kristianizmit në trojet Etnike Iliro-Shqiptare në mes dy kryeqyteteve të Ilirisë (Shkodër-Medun) e më gjërë, ai tregohet modest pë punen e tij disa vjeçare… Nuk po hyj në hollësi të tjera për këtë pjesë, që të mos e largoj lexuesin nga interesi për ta lexuar librin nga fillimi deri në fund. Duke shkruar këto radhë, m’u kujtua një thënje e shkencëtarit me famë botërore, Albert Ajnshtajn, i cili thoshte: “ Vlera e njeriut duhet të matet me atë që jep dhe jo me ato që merr.” Ndaj, edhe vlera e z. Ndue Bacaj duhet matur me veprat që ka dhënë, pasi ai nuk u pasurua asnjëherë ekonomikisht me shkrimet e librat që ka botuar. E megjithatë, ai vazhdon të shkruajë pa reshtur. Kjo tregon shumë për karakterin e tij, për sinqeritetin, ndershmërinë, të qënit si demokrat i paepur, 24 karatsh. Ndaj, s’na mbetet gjë tjetër veçse t’i urojmë shëndet e jetë të gjatë për të na dhënë vepra të tjera gjithnjë e më me vlerë. Unë e di se autori ka libra të tjera që presin radhën e botimit. Punë të mbarë dhe suksese!