“Rilindasit”e duan fitoren në votime me çdo çmim, sado kriminale dhe e turpshme të jetë ajo

0
125

Marash Gilaj

Nuk dua të bëj profecinë e Kasandrës, por siç duken gjasat, edhe këtë herë, nuk do të kemi zgjedhje të ndershme, as të ligjshme dhe aq më pak të lira. Ato, që tani mund të quhen, thjeshtë, votime pa zgjedhje dhe plotësisht kriminale. Një pjesë do të votojnë me këmbë, duke braktisur vendin. Që në krye të herës,   qeveria dhe gjykatat nuk kanë përmbushur porositë e lëna nga vëzhguesit nderkombëtarë për zgjedhjet e fundit. Ato nuk kanë dënuar blerësit e votave. Janë 16 procedime të papërfunduara nga kasaphana e të ashtuquajturave zgjedhje. Disa të tjerë, të akuzuar në dosjet e famshme: 184 dhe 339 mbeten të paprekur ose u graduan në rang ministri. Kam parasysh pyetjen e një gazetari drejtuar kryeqeveriut për deputetin e akuzuar dhe që për këtë krim u shpërblye me postin e lartë të ministrit. Vërtetë është mbushur kupa, por i gjithpushtetshmi bën sikur ka lindur nga koka e Zeusit. Ka tentenca nga PS -ja për të pasur kandidatë për krybashkiakë me të kaluar kriminale, që do të thotë se historia e 10 viteve po përsëritet në çdo rast votimesh vendore apo politike. Përsëri kandidatë me të kaluar kriminale. Bëhet fjalë për kandidatin si kryebashkiak të Kuçovës dhe të Hasit. Që këtu fillon shkelja e ligjit të famshëm të dekriminalizimit. Edhe nderkombëtarët po porosisin, duke na e kujtuar që të kemi kujdes integritetin e kandidatëve, shitblerjen e votave, por, këto bien në vesh të shurdhër dhe asgjë nuk ndryshon. Këtë e dinë dhe gurët e sokakakut. Ambasadorët janë të bindur se kjo ka ndodhur edhe më parë e duket se do të përsëritet. Të gjitha veprimet dhe mosveprimet e qeverisë aty të çojnë. Kryeqeveriu do t’i fitojë zgjedhjet me çdo kusht, mënyrë e çmim, sado kriminale e të turpshme qofshin ato. Duke mos pyetur për asnjë ligj e kod zgjedhor, prej kohësh ka punuar që të instalojë monizmin e dytë, të shkatërrojë pluralizmin dhe dëmtojë demokracinë, në veçanti, opozitën. Siç duket, McGonigal u korruptua dhe u përdor si “vrasës me pagesë” kundër opozitës. Tashmë, opozita e vulës është e emruar nga qeveria. Është thënë e stërthënë se me ndihmën e bandave erdhi në pushtet dhe me ndihmën e tyre e mban atë prej 10 vitesh. Një qeveri e dorëzuar para krimit. Kjo duket sheshit dhe duhet konsideruar kambanë alarmi. Ai dhe sejmenët e tij na thonë se 45 bashki do t’i fitojnë, nga 61 që kemi gjithësejt. Por si dhe pse mund të ndodh kjo? Janë marrë të gjitha masat, na thonë “rilindasit e mëdhenj”, janë ndezë motorët elektoralë. Më saktë, thuhet se këta motorë janë të ndezur gjithë kohën. Por, le të shohim cilët janë këta motorë.

Shikoni dhe analizoni veprimet dhe mosveprimet e gjykatave në lidhje me vendimet për vulën apo simbolet e PD – së, për regjistrimin në zgjedhje ose jo dhe cila palë do të marrin vulën, se si zvarriten, se kush na qënka shumica, e shumë probleme të tjera. Çdo vonesë është e qëllimshme dhe e paligjshme. Ato bëhen për të kënaqur rilindjen e zezë. Sa të shkurtër e kanë kujtesën! Harrojnë se kishim një parlament me 122 deputet, krejt jashtë ligjit. Harrojnë se ai parlament i shitur e i blerë donte të largonte nga detyra presidentin e republikës padrejtësisht, por që nuk ia doli. Pastaj sajoi dhe e akuzoi se kishte qënë spiun, por edhe këtu dështoi. Mbushi vendin me kanabis e lloj – lloj drogërash, duke e “luftuar” deri sa tha se duhet ta legalizojmë. Duheshin paratë për të blerë votat e një populli të nënshtruar, të grabitur e “të lumtur” në varfërinë e vet.

Kjo politikë pa parime e në shkelje të çdo ligji ka shkaktuar edhe shpopullimin e qëllimshëm të vendit. Korrupsioni kapilar e galopant, varfëria, mungesa e meritokracisë, e perspektivës, pasiguria dhe shumë arsye të tjera kanë qënë doza shtesë për të arritur në këtë derexhe. Kështu ndodh kur vritet shpresa e rinisë, e profesionistëve dhe e çdo shqiptari. Shqipëria u kthye në një burg të madh, prej të cilit, shumica duan të ikin, duke vënë edhe jetën në rrezik.

Shtesa e punonjësve të administrates në çdo prag votimesh, siç thuhet, ka arritur në rreth 200 000 nga 85 000 të gjetur, kur morën pushtetin, tregon se janë aty për të shtuar votat. Thua se këta paguhen nga rrogat e pushtetarëve të mëdhenj dhe jo nga taksat e popullit. Ushtria e patronazhistëve dhe aktivistëve është krijuar për të njëjtin qëllim dhe në shkelje të ligjit. Dhënia si bonus e 5000 lekëve për pensionistët i shërben të njëjtit qëllim dhe nuk besoj se u bë që të gostiteshin më mirë për Ramazan as për Pashkë. Kjo u bë për nevoja elektor – hale si tallje, por duhej rritje pensionesh ose më e pakta , të bëhej indeksim sipas inflacionit, siç ka ndodhur në çdo prill të viteve të kaluara. Premtimet për rritje pagash, tenderat elektoralë, asfaltimet, bastet online, dekorimet, nafta për fermerët dhe keqpërdorimi i fondeve shtetërore në fushatë apo zhvendosja e adresave ku duhet të votojë një pjesë e mirë e popullates tregon parregullsinë me të cilën do të fitohen zgjedhjet. Kjo u heq mundësinë një pjese të mirë të votuesve të mos gjejnë qëndrën e votimit dhe të mbeten pa votuar. Besoj se patronazhistët dhe aktivistët do të kenë bërë përzgjedhjen e duhur në sherbim të partisë – shtet.

Milionat e parave që u vihen gjobë bizneseve dhe sjellja ndaj gazetarëve e bëjnë më të vështirë dhe të pasigurtë jetesën në Shqipëri. Kjo ka si qëllim t’u mbyllet goja, të vihen në shërbim të qeverisë dhe të nënshtrohen. Është sulm ndaj fjalës së lirë. Nëse kjo nuk ndodh, tritoli dhe kallashi do të përdoren pa kursim, siç i kemi parë. Vandalizëm dhe terrorizëm qeveritar. Amnistia fiskale, që sjell paratë e krimit dhe pastrimin e tyre, nuk i shërbejnë mirëqënies së popullit, por krimit. Prandaj është kritikuar fuqishëm edhe nga nderkombëtarët. Në një vend, ku nuk ka zgjedhje të lira, s’ka pluralizëm, s’ka demokraci as gjykata të pavarura e media të lira, por kemi kthim në monizëm. A nuk e tregon këtë edhe gjoba prej 110 milion euro që duhet të paguajmë për Becchett – in? Kudo arrogance, hakmarrje, harbutëri e verbëri. Kemi të bëjmë me sulme tinzare. Jetojmë në totalitarizëm. Kjo qeveri vuan edhe nga dy sindroma: siç janë ajo e Pinokut dhe Hubris, që shoqërojnë rilindjen e së keqes. Frymëzimin dhe mbështetjen e kanë marrë dhe e marrin nga Sorosi dhe nderkombëtarët që i bëjnë “marshalla” së keqes. Pasi mbarojnë votimet e turpshme nguten të urojnë “fituesin e merituar.” Kjo lloj sjellje e vlerësimi të zhgënjen pa masë. Gojët e liga po thonë se ka filluar blerja e votave me një milion lek për familje që ka 3 – 4 votues. Sa poshtë ka rënë katundi!

Pra, që të ndryshojë kjo gjëndje, duhet mposhtur frika dhe duhen bërë sakrifica, duhen këputur zinxhirët. Të gjitha këto e kanë një çmim. Zgjedhje si ato që kemi parë në dekadën e fundit, nuk duhen pranuar në asnjë mënyrë. Duhet prishur kontrata me qeverinë. Kemi humbur shumë kohë. Mjaft jemi nënshtruar e qëndruar në apati. Të gatshëm vetëm për arrati. Ashtu siç kanë rrjedhur ngjarjet, mund ta quajmë fatkeqësi kombëtare. Zgjohu, o popull!

11 prill 2023