Revolta e Spaçit, siç ka ndodhur

0
745

Kujtimet e ish të burgosurit politik Xhemal Bali: Si filloi revolta e të burgosurve dhe emrat që mbetën në histori

Xhemal Bali, i quajtur edhe Mandela shqiptar, është nga fshati Vërvë i Çamërisë së Konispolit. Ka vuajtur nëpër burgjet e ferrit komunist si i dënuar i ndërgjegjes 27 vite e 26 ditë. Bashkë na lidh një miqësi dhe bashkëpunim. Një intervistë e tij e gjatë e zhvilluar me mua mbi burgjet komuniste është botuar në shtypin e përditshëm, gazeta”Telegraf”, gazetë që e preferon për publikimin e shkrimeve dhe kujtimeve të tij. Ai ka shkruar edhe kujtimet e tij, të cilat i ka në dorëshkrim dhe unë kam pasur fatin t’i lexoj. Sot ai sjell këtë shkrim reflektiv e memorativ me rastin e Revoltës së Spaçit, Revoltë që për çudi përkujtimi i saj u anashkalua nga media shqiptare duke iu kushtuar më shumë vend kronikave rozë. Megjithëse në një shkrim dhe intervistë të botuar e ka treguar gjithë kalvarin e vuajtjeve të tij nëpër burgjet dhe kampet e punës së komunizmit, sot sjell me detaje kujtimet e tij mbi Revoltën e Spaçit, Revoltë antikomuniste që komunistët në pushtet e shtypën me gjak dhe dhunë të pashoqe. Xhemali e sjell shkrimin si memorie, refleksion të shoqërisë dhe thirrje për mos të harruar krimet e diktaturës.

Agron Mema

Spaçi është një vend i rrethuar dhe i mbyllur nga të gjitha anët në krahinën e Mirditës. Një vend gati i panjohur, si nga njerëzit e thjeshtë, ashtu edhe nga gazetarët, analistët e politikanët. Ky vend u bë i njohur dhe me emër në Shqipëri dhe jashtë kufijve të vendit, sepse komunizmi këtu ndërtoi burgun e tmerrshëm për të burgosurit politikë, vend ku u burgosën njerëzit që kërkonin dritë dhe liri, kërkonin që Shqipëria të ishte pjesë përbërëse e Evropës (jo gjeografikisht, po politikisht dhe ekonomikisht -shën. A.M.). Pikërisht këtu shpërtheu për herë të parë zëri i qindra të burgosurve politikë: “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa!”. Ja si e mbaj mend unë këtë ngjarje si pjesëmarrës i saj: -Ishte 28 Prill i vitit 1968. Kishim tre muaj që kishim mbaruar së ndërtuari fabrikën e çimentos në Elbasan. Atë mbrëmje, në oborrin e kampit, na rreshtuan për dy dhe dy të burgosur politikë që punonin në zyrën teknike, Loli Dhiamandi dhe Tefik Tarrelli, na regjistruan emrin një për një. Mbaroi regjistrimi. Na dhanë urdhër të ishim të gatshëm për marshim të gjatë. Atë natë nuk na zuri gjumi fare. Mendonim e merakoseshim se ku mund të na çonin. Mendonim me njëri-tjetrin në shumë vende të Shqipërisë, por Spaçit nuk ia dinim emrin dhe s’na shkonte ndërmend kurrë. Të nesërmen erdhi ushtria, policia, karvani i makinave, hierarkët e degës së punëve të brendshme me në krye Nevzat Hasnedarin. Na lidhën dy e nga dy me hekura gjermane dhe na hipën në makina. U bë një autokolonë shumë e gjatë. Përpara ushtria e armatosur gjer në dhëmbë me të gjitha llojet e armëve dhe me qentë e policisë. Më kujtohet si sot kur kalonim rrugëve dhe fshatrave, njerëzit shikonin të habitur dhe shumë kureshtarë. Kur kaluam Peqinin, një grup fëmijësh që loznin, kur panë makinat autokolonë të gjatë, u habitën e brohoritën “Ushtria-Garancia!”. Përpara ishte ushtria… Kur fëmijët panë të burgosur të lidhur në makina, e ndryshuan brohoritjen dhe thanë: “Hajdutë-Hajdutë!” se ashtu i kishin mësuar në shkolla dhe ideologjia komuniste. Me shumë dhimbje dhe lodhje rraskapitëse kaloi rruga atë ditë që s’harrohet kurrë. Në mbrëmjen e datës 28 Prill 1968 arritëm në Spaç. Zbritëm nga makinat të lodhur e të dërmuar. Morëm rrobat e burgut. Kur hymë në oborrin e kampit pamë një terren shumë të pjerrët me shkallë –shkallë që na kujtonin përnjëherë shkallët e antikitetit që zbritnin në amfiteatrot e arenat e cirkut të gladiatorëve. Na treguan fjetoret- disa kazerma të murosura me tallash të përziera me çimento dhe të mbuluara me letër –katrama të zezë. Ato ishin të radhitura njëra mbi tjetrën si arkivole të zinj që na prisnin për të na varrosur. E gdhimë atë natë. Të nesërmen na mblodhi komisari politik, Niko Kolitari, të cilin të burgosurit e kishin pagëzuar me nofkën “Zilali”. Kjo nofkë i kish mbetur që kur e pyetën njëherë disa të burgosur për një shpjegim në një temë politike dhe ai u përgjigj “E dinë Zilali se sa lakra don kali”. Të burgosurit qeshën me vete , por nofka i mbeti “Zilali”. Komisar Zilali na tha këto fjalë: -Këtu i thonë Spaç! Ka bakër dhe pirit. Bakri çan bllokadën dhe ju do punoni në minierë për të realizuar planin. O planin, o xhanin, tjetër rrugë nuk ka!.. Dhe me kaq e mbylli fjalimin komisar Zilali. Nuk përdorte më shumë se katër apo pesë fjalë në fjalorin e tij. Filluam punë në minierë…e ku kishim parë neve punë në minierë?! Minierat e llojet e mineraleve i kishim mësuar në shkolla, po ja ku na erdhi fati të punonim të dënuar në to. Puna ishte tepër e vështirë me vuajtje të tejskajshme për të përballuar mbijetesën. Kështu i kalonim ditët në punë në minierë dhe nga miniera në kapanone. Monotoni e plotë…Konferenca e Helsinkit dhe ndryshimet e mëdha që po ndodhnin në Evropë

Kush ka qenë në këtë gropë të zezë në datën 21-22-23 maj 1973 e ka të regjistruar në imazhin e kujtesës ngjarjen, si një film dokumentar pa regjisor. Urrejtja e mllefi i të burgosurve politikë kishte kohë që ishte grumbulluar në mendjet e zemrat e tyre dhe nuk mbahej përbrenda. e nëpër botë, premtonin zhvillime të reja edhe në kampin socialist. Në konferencën e Helsinkit morën pjesë të gjitha shtetet e Evropës, Amerikës e Kanadasë përtej oqeanit. Vetëm Shqipëria nuk mori pjesë duke e lënë bosh vendin e saj në atë Konferencë që hodhi themelet e një rendi e sjelljeje të re në botë. Me mospjesëmarrjen e saj në këtë Konferencë, regjimi komunist tregoi injorancën dhe izolimin nga bota.

Në kamp plasi revolta!

Shkak për shpërthimin e revoltës u bë qëndrimi i komandës së burgut ndaj të burgosurit Pal Zefi. Ky mbasi mbaroi masën e dënimit në birucë prej një muaji, nuk arriti të vinte në kapanon kur deshën ta marrin përsëri pa asnjë shkak. Njerëzit e komandës me në krye operativin Fejzi Liçaj, donin ta merrnin përsëri në qeli me forcë, por të burgosurit politikë kur panë se një grup policësh po torturonin një njeri, nuk u përmbajtën më… U përleshën të burgosurit me policët…Ngjarja mori karakter politik…U izoluam tre ditë pa bukë dhe pa ujë…Kur pas 29 vitesh rresht, hapësira e tokës shqiptare kumbonte nga parullat, thirrjet dhe brohoritjet patetike të krijuara artificialisht për Enverin dhe partinë, këto ditë, për herë të parë buçitën edhe thirrjet: -Poshtë komunizmi! Poshtë diktatura! Poshtë Enver Hoxha! U mblodhën të gjitha stendat për tokë me mbishkrimet komuniste dhe u zëvendësuan me parulla të tjera si: -Rroftë sigurimi europian! Të ecim edhe ne pas Evropës! Të jemi anëtar të NATO-s. U shkrua një thirrje drejtuar SHBA-ve, Anglisë, Francës, OKB-së që ta shikojnë Shqipërinë martire dhe të përgjakur, ta shpëtojnë nga komunizmi-ideologji boshe dhe utopike. U mor beze e kuqe në qendrën e kulturës të kampit dhe Mersin Vlashi pikturoi shqiponjën në flamur, e cila u vendos në tarracën e pallatit burgut. Për herë të parë pas 29 viteve, flamuri shqiptar valëvitej pa yllin e kuq të komunistëve. Ashtu siç u hoqën sëpatat e simbolit fashist, tani i kishte ardhur radha yllit -simbolit komunist. Flamurin e ruanin Gjet Kardeli, Neim Pashaj, Ndec Çoku etj. I gjithë kampi u elektrizua duke hedhur parulla kundër komunizmit. Buçiste vendi nga thirrjet e të burgosurve. Dëgjohej zëri i vëllezërve Bedri dhe Çaush Çoku, Adem Pojanit, Xhelal Malecit, Hisen Xhanit, Luan Burimit, Rexhep Lazrit dhe qindra e qindra të burgosurve që të bashkoheshin me njëri-tjetrin dhe përhapeshin prej gropës së zezë të Spaçit drejt gjithë Shqipërisë. Për të shtypur revoltën kishin ardhur drejtues të lartë të MPB të drejtuar nga Feçor Shehu, Kasëm Kaçi, Bako Dervishi, me makinat e blinduara ushtarake, Xhorxhi Robo sekretar partie në Mirditë. Lukunia e ujqërve ose panterat e zeza si Kapllan Sako, Dilaver Bengasi, Lirim Pullumbi, Llambi Gegeni, Irfan Shaqiri, Koço Josifi, Rustem Çipi, Florjan Kolaneci e dhjetra të tjerë…Në kamp, pas një rezistence të fortë që bënë të burgosurit politikë, më në fund hyri brenda i rrethuar nga një kompani policësh Feçor Shehu. Ai, kokosh pa bisht dhe i tredhur, dridhej dhe përdridhej, shprehte një urrejtje të madhe për të burgosurit politikë, sepse kishin poshtëruar komunizmin, partinë, Enver Hoxhën, kishin ulur moralin e autoritetin e PPSH-së. Po ky gjerarark i kuq nuk e dinte se një ditë do ta pësonte për vete nga diktatura. Nuk e njihte mirë komunizmin, që herë pas here kthehej e hante bijtë e vet, ata që i kishin shërbyer e i shërbenin. Ishte i pa thelluar në teorinë dhe praktikën e komunizmit i cili e ndante shoqërinë në dy klasa armike në kontradiktë të përjetshme me njëra-tjetrën. Kishin sjellë disa tonelata hekura, zinxhirë, dryna, bishta kazmash. Na arrestuan të gjithëve dhe një pjesë të madhe na çuan në Tiranë ku iu nënshtruam një hetuesie të tmerrshme, pastaj na sollën në Rrëshen dhe na dënuan në grupe. Grupe me prokuror Zef Dedën dhe kryetar Filip Lakon, persona që nuk është çudi që edhe sistemi i sotëm pluralist do t’u ketë rezervuar ndonjë post të rëndësishëm, ashtu siç iu ka rezervuar lukunisë të Fehmi Abdiut, Njazi Jahos, Xhevat Hanës (vdekur tani), Spiro Peçit etj. Lukunia e kuqe mbronte komunizmin. Luftonte deri në vdekje çdo tendencë për demokraci. Tani një pjesë e tyre janë ulur prapë në tryezën e pluralizmit shqiptar e drejtojnë shtetin shqiptar, shtet që nuk bën para se mbahet peng nga këto mostra të diktaturës dhe të së kaluarës komuniste. Ju nënshtruam një represioni e torture të tmerrshme. Na bën gjyq të ri. Na dënuan nga 15-20 vjet burgim tjetër në gjyqin e Rrëshenit. I tmerrshëm ishte gjyqi që u zhvillua ndaj katër të burgosurve politikë: -Dervish Bejko, Hajri Pashaj, Pal Zefit, Skënder Dajës, më datën 23 maj 1973, ku prokuror qe Dhori Panariti. Katër djem në lule të rinisë, të pamartuar, pa krijuar familje, i dënuan me vdekje dhe i pushkatuan në orët e vona të mesnatës në malet e thepisura dhe pyjet e Mirditës. Më vonë pushkatuan tre persona, tre intelektualë, të vlefshëm për familjet e tyre, por edhe për vendin dhe demokracinë si: -Vangjel Lezho, Fadil Kokomani, Xhelal Koprenca…me dhjetëra të tjerë u vranë nga rojet e burgut dhe shumë të tjerë vdiqën në galeritë e minierës me aksidente që i provokonin vet drejtuesit e kampit me porosi të marra nga lart si Shefki Keçi, Refik Beqo, Rexhep Ceroi, Agim Karaj, Beqir Mehmeti, Ahmet Hoxha, Asqeri Gorica, Murat Marta, Hysni Palla, Fejzullah Shehu etj. Një djalë i ri me mbiemrin Ksera nga Goranxia e Gjirokastrës, Mustafa Bajraktari e çmendi dhe vdiq në Burrel. Kjo është fytyra e vërtetë e komunizmit, që vranë mijëra burra trima, intelektualë të përmasave evropiane, i dënuan me qindra vjet burg, që kanë punuar e ndërtuar veprat më të mëdha të vendit tonë në tërë Shqipërinë, për të ndërtuar “parajsën” komuniste siç i thoshin komunistët. Ne që ndjemë thellë shtypjen, u ngritëm në atë ferr të vërtetë kundër thundrës së hekurt duke e paguar me gjak, jetë e mijëra vite burg. Këta pluralistët e sotëm, ku kanë qenë në ato kohëra, kur populli shqiptar shtypej, gjymtohej, përdorej si vegla pune me zë në inventar të imët, e NE nuk kishim as të drejtën më elementare? Jua tregoj unë! -Militonin në radhët e partisë së punës ose ishin zyrtarë të saj në poste të rëndësishëm e i thurnin ditirambe asaj kuçedre komuniste, ose thurnin apologji teorisë dhe praktikës komuniste e disa kuadro të devotshëm e vinin atë në zbatim. Rrëzimi i komunizmit nuk qe forca dhe vullneti i pluralistëve, por qe lufta e ftohtë gati shekullore e sidomos mbas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, ishte amortizimi i komunizmit përballë kapitalizmit botëror. U rrëzua totalisht perandoria e kuqe dhe iu hapën rrugët proceseve demokratike drejt demokracive të mëdha perëndimore. Për fat të keq shqiptarët ishin të fundit që u shkëputën nga pushteti i diktaturës së kuqe deri në fund të vitit 1990. Me gjithë rrëzimin e diktaturës komuniste, komunistët shqiptarë ndërtuan taktika e strategji të reja dhe ia arritën qëllimit të tyre: -Ata gjoja e shkrinë PPSH-në duke formuar partira me emërtime të ndryshme, por si partitë e majta ashtu edhe ato të djathta një gjë të bie në sy, Të gjithë kryetarët e tyre ishin e janë ish-komunistë; klasat e përmbysura, të dënuarit politikë që kishin 50 vjet që luftonin me komunizmin për demokraci perëndimore, nën presionin politik, nuk arritën të organizoheshin në parti politike dhe i detyruan të krijonin shoqata. Si ka mundësi që i burgosuri politik të bënte vetëm shoqata, ndërsa prokurorët që i kishin dënuar, gjyqtarët e drejtorët e burgjeve që në veshët e tyre kumbon ende zëri i hetuesive, i sallave të gjyqeve që u drejtoheshin të burgosurve politikë me fjalët: -Ti je armik i partisë, i pushtetit popullor, i popullit dhe i atdheut, do të shkatërrosh fitoret e socializmit dhe do të sjellësh në Shqipëri imperializmin amerikan dhe atë botëror!, Si ka mundësi që këta kanë parti e drejtojnë shtetin sot?! Këta bërtisnin me sa zë në që kishin në kokë:-Do të sjellësh dekadencën perëndimore kur atë e kanë fshirë nga faqja e dheut revolucionet proletare me dhunë!…Dhe shpejt e shpejt jepeshin dënimet me pushkatime, ose me burg jo më pak se 25 vjet heqje lirie. Kush ishim ne që dënoheshim? -Zanatçinj, berberë, samarxhinj, këpucar, saldator, kovaç, njerëz ordiner? JO! Ne ishim njerëz të ndershëm, të ditur, të arsimuar e disa edhe jashtë vendit në universitetet më të dëgjuara të botës e me grada shkencore, që e kuptonim mirë murtajën komuniste, ishim kundërshtarë politik, kundërshtar të komunizmit qysh më 1945 kur ai erdhi në pushtet. Ne dhe klasa jonë luftuam dhe u vramë që Shqipëria të ishte pjesë e Evropës, anëtare e NATO-s dhe e të gjitha organizmave Evropiane e ndërkombëtare. Ne e kuptonim që komunizmi është demagogji, utopi… Megjithëse kanë kaluar vite, 25 vjet, Shqipëria mbetet ende larg Evropës. Kjo sepse komunistët e PPSH-së që kanë ndërruar vetëm emër por jo praktikat e të menduarit e të vepruarit, nuk e duan Evropën se ajo ka ligje, ka norma demokratike, të cilat u rrëzojnë privilegjet me të cilat janë mësuar si pashallarët e kuq. Këta duan gjithmonë tranzicion dhe anarki të pafundme, ndaj i nxisin e i organizojnë ato. Po të ishte e vërtetë që në Shqipëri ka demokraci, prona duhet të kishte kaluar që në fillim tek i zoti dhe i burgosuri politik, i cili nëpërmjet punës së rëndë e të papaguar duhej të ishte në nivelet më të larta të shoqërisë. Ne vërtetë që nuk kërkuam hakmarrje e revanshe, por edhe qëndrimin e mbajtur deri tani nga forcat politike e qeveritarët nuk e meritojmë. Meritojmë më shumë. Të mos spekulohet me qëndrimin tonë dinjitoz e fisnik. Si ka mundësi që qeveritarët që s’kanë pasur asnjë lloj pasurie, u bënë pasanikët më të mëdhenj të tokave dhe pronave të ndryshme dhe shpërndarja e tokës bujqësore me ligjin 7501, a nuk është i ngjashëm me atë të Reformës agrare të 1946-ës dhe shtetëzimi i bagëtive dhe i pasurive të tjera më 1948-ën? Që në vitin 1991, kur u përmbys komunizmi e socializmi, pasuria të kthehej tek i zoti, tek origjina. Këto janë parimet bazë të demokracisë. Pra në Shqipëri, që në themel, nuk ka demokraci, por revizionizëm teorik…Atë revizonizëm që bëri Hrushovi më 1956-ën, komunistët shqiptarë e bënë më 1991, se nuk shkonin më format e vjetruara. Ata nuk mund të dalin nga kornizat e tyre…Ne të përndjekurit politikë përqafuam atë forcë politike që emërtoi veten si forca lëvizëse demokratike drejt botës perëndimore. Një pjesë nga ne u ngjitëm në tribunat e PD-së për fitore dhe pas nesh vinte e gjithë klasa jonë. Ne ishim njerëz politikë dhe i kishim studiuar kohët dhe rrethanat se çfarë kishte ndodhur nëpër vendet e tjera të botës në kohë luftërash, revolucionesh, ose përmbysje të mëdha politike. Ne të burgosurit politikë zgjodhëm rrugën e bashkëpunimit me të gjitha ato forca që aspironin për demokraci që vendi të mos bëhej Hungaria e 1956-ës, Indonezia e 1965-ës, Revolucioni kulturor kinez, Kili i Pinoçetit më 1973-shin, Kamboxhia e Pol Potit dhe as Rumania e Çausheskut. Dhe për këtë nuk jemi pishman. Parimin që problemet t’i zgjidhte arsyeja, toleranca dhe jo forca, se atëherë nuk do të kishte dallim demokracia nga diktatura, ishte më i gjeturi e më njerëzori. Nëpërmjet memories që po shkruaj për Spaçin, ju drejtohem të gjithë ish-të burgosurve politikë që janë gjallë dhe të afërmve të atyre që nuk janë gjallë: -Ju drejtohem si bashkëvuajtës, si vëlla, si prind, si mik dhe shok që kemi qenë nëpër burgje, që dhembja e njërit në ato kohëra kur jetonim në kushte të vështira, ishte dhembja e të gjithëve. Ju drejtohem me mendimin tim që të gjithë ne, siç jemi, si brenda dhe jashtë vendit, sipas fuqisë ekonomiko-financiare, të ngremë një stacion televiziv bashkëkohor në një vend sa më të përshtatshëm, për të nxjerrë në dritë vuajtjet tona, përse vuajtëm dhe kush na i shkaktoi këto vuajtje, atë persekutim, diskriminim dhe gjenocid, sepse donim Shqipërinë evropiane. Të nxjerrim nga dheu ato kafka që kanë folur në hetuesi dhe salla gjyqi, që donin Shqipërinë demokratike, nuk donin diktator dhe diktaturë. Vendimet gjyqësore, i dënuan me vdekje, duke i hedhur nëpër varre të përbashkëta, në zalle lumi apo shpate malesh…Ato kafka të vihen nëpër tavolina ku ato të akuzojnë dhe të flasin vet. Shqipërisë gjatë sundimit komunist i është bërë edhe një zbulim tjetër minerali; ai i skeleteve të njerëzve të pushkatuar nga skuadrat e pushkatimeve në orët e vona të mesnatave. Mos t’i lemë ato kafka dhe skelete në sensacionet e çudirave kalimtare shqiptare, por ne vetë t’i marrim e t’i vendosim në vendin e duhur. Ne kemi sot potenciale njerëzore e kuadro që të kryejnë detyra të mëdha, prandaj duhet ngritur një stacion televiziv që të shfaqet para publikut shqiptar, që përse e humbën dhe sakrifikuan jetën ata njerëz në mbretërinë e komunizmit. Unë për veten time nuk do të kursehem për asnjë lloj ndihme dhe kontributi financiar, do të kontribuoj më tepër se kushdo pa pasur asnjë lloj interesi personal dhe familjar, vetëm të dalin në shesh haptazi se kush e deshi Shqipërinë dhe shqiptarët dhe cila politikë ishte ajo që i vrau ata. Kjo është thirrja ime që u drejtohet gjithë bashkëvuajtësve të mi, me qëllim që të mos e lënë punën e veprën tonë të gjakosur të denigrojë e të keqpërdoret nga apologjetë të politikës së vjetër. Duke vlerësuar e lartësuar punën e veprën e atyre që dhanë edhe jetën për ardhjen e demokracisë në Shqipëri, ne do t’u çjerrim maskën dhe do të shpëtojmë vendin nga disa pseudo demokratë ish-komunistë që e mbajnë Shqipërinë peng dhe nuk e lënë të ecë me hapin e integrimit evropian.