Luftëtarët e lirisë
Gjekë Gjonaj
Fshati Muzheçk i malit të Trieshit është vendlindja dhe djepi i disa patriotëve të shquar, të cilët luftuan, u ekzekutuan dhe u përkushtuan denjësisht për çlirimin e trojeve etnike shqiptare nga armiq të ndryshëm, për pavarësinë e Shqipërisë, për gjuhën dhe flamurin tonë kombëtar. Njëri nga trimat atdhetar, luftëtar i dalluar dhe i dashur nga trieshjanët dhe banorët e tjerë të Malësisë së Madhe në fund të shekullit XIX – të ishte edhe Dedë Prëli Nikollaj. Familja e tij është e nderuar dhe e respektuar ndër breza. Kjo derë atdhetare ka qenë model për trimëri, bujari e fisnikëri, për punëtorë e të dashur për shokun dhe mikun, por shumë të rreptë për armikun e atdheut ( vatanit). Bijtë e kësaj shtëpi kanë vuajtur gjatë regjimeve antipopullore të kohës, por kurrë nuk janë gjunjëzuar para armiqve shekullorë dhe mbetën shembull frymëzimi për gjeneratat e reja. Në këtë frymë atdhetarie e dinjiteti njerëzor, u lind , u edukua dhe u frymëzua personazhi i këtij shkrimi, Dedë Nikollaj. Ai ishte fëmija i parë dhe i vetëm i prindërve të tij dinjitarë.
(Ne foto:Gërmadhat e Kullës në Qafë të Bokrrinës afër fshatit Selisht -Grudë)
Erdhi në jetë në gjysmën e dytë shekullit 19-të , në vitin 1864. Ishte kjo periudha kur Perandoria Osmane, e udhëhequr nga sulltani Abdyl Hamiti II ( 1848-1918) vendosi një nga regjimet më të egra , i cili zbatoi ndaj shqiptarëve politikën e mohimit të të drejtave kombëtare dhe të shkombëtarizimit.
Dedë Prëli Nikollaj, bashkë me shumë patriotë të tjerë malësorë ( shqiptarë) , nuk u pajtua me këtë regjim zaptues e pushtues.(Në foto:Shtëpia familjare e Dedë Prelë Nikollaj) Ai vullnetarisht u bë pjesëtar i kryengritjeve të armatosura kundër regjimit turk ( osman) fillimisht në Luftën e Lemajës në Triesh , në vitin 1907 dhe pastaj në sulmin për dëbimin ( largimin) e ushtrisë turke nga kulla ( karakolli) në Qafë të Bokrrinës, në afërsi të fshatit Selisht ( Grudë). Sulmi i malësorëve nga Hoti, Gruda, Trieshi, Koja , e Kelmendi, i frymëzuar nga zjarri i çlirimit nga pushtuesi turk, në Qafë të Bokrrinës, ishte i përgjakshëm dhe i suksesshëm. Kryengritësit malësorë arritën të çlirojnë këtë karakoll, kurse Dedë Prëli Nikollaj nuk u shpëtoi breshërive të plumbave të ushtarëve turq dhe u vra trimërisht, më 26 mars 1911, në moshën 47 vjeçare bashkë me disa kryengritës të tjerë malësorë. Bashkëluftëtarët trieshjanë , pas rënies së tij heroike , e marrin trupin e pa jetë dhe e çojnë në shtëpinë e tij në Muzheçk. Ky dëshmor i popullit u varros në varrezat familjare me nderimet e duhura nga familja dhe mbarë banorët e Trieshit.
Ai pas vetes la pas bashkëshorten Luke Gjeken e lindur (Ivanaj ) dhe 3 fëmijë të vegjël, djalin Kolë dhe dy vajzat Pashkën dhe Lenën. Djali i tij Kola ishte 9-vjeç kur mbeti pa baba. Ai bashkë me motrat rritet jetimë pa njërin prindër në kushte shumë të vështira ekonomike. Martohet me Drane Ujkaj, bijë e dëshmorit Gjel Çakut, nga Bëkajt e Trieshit i cili u vra nga turqit në Përrua të Thatë në vitin 1911. Ky çift bashkëshortor i ndershëm, i cili gëzoi autoritet dhe respekt në këtë krahinë, kaluan një jetë të lumtur e në harmoni bashkë me pesë fëmijë, tre djem ( Gergji, Marku dhe Gjoni) dhe dy vajza ( Pashka e Lena) . Lumturinë ua prishi , siç pohon nipi i tyre në Amerikë, Nua Gjergji, pushkatimi i vëllait të Dranes, Kolë Gjel Çakut nga UDB-a e Jugosllavisë në vitin 1948.
Familja e Dedë Prëlë Nikollaj u shqua për luftëtarë të pashoq, trima e atdhetarë të cilët para jetës së tyre kishin çlirimin e tokave shqiptare nga pushtuesit e kohës, lirinë e popullit të shtypur dhe Shqipërinë.
Këtë rrugë atdhetarie po e ndjekin edhe pasardhësit ( pinjollët) e kësaj derë të njohur në Malësi , në Shtete të Bashkuara të Amerikës. Anton Kolë Nikollaj, stërnipi i Dedë Prëlit . Ai edhe pse i lindur dhe i rritur në Detroit, duke respektuar amanetin e të parëve që gjithmonë ia kemi borxh t’i vijmë në ndihmë vendit kur është në rrezik, rreshtohet vullnetarisht në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës në vitin 1999. Jetën e tij ia kushtoi Kosovës. E la Amerikën dhe me nder e krenari u bashkëngjitet luftëtarëve trima fitimtarë të UÇK-së, respektivisht Batalonit “ Atlantiku”, të cilët në përballje me forcat ushtarake të Sllobodan Millosheviqit bënë sakrificën më sublime për çlirimin e Kosovës dhe dhënien fund të gjenocidit të spastrimit etnik në trojet shqiptare. Anton Gjoni, para se të nisej për në Kosovë, u kishte lënë prindërve një letër, në të cilën ndër të tjera thuhet: “ Të dashur prind. Unë sot po marr rrugën drejt maleve të Kosovës, sepse vendi ka nevojë për luftëtarë. Edhe nëse nuk kthehem ma bëni hallall. Dhe, nuk dua të derdhni asnjë pikë loti për mua. Sepse ju ishit ata që më mësuat se për atdheun nuk kursehet as gjaku”. Ai për fat u kthye shëndosh e mirë nga fronti i parë i luftës , duke e lënë Kosovën e lirë. Ndërsa në malin e Koshares ka mbetur i shënuar me shkronja ari emri i këtij luftëtari të lirisë bashkë me shumë bashkëluftëtarë dhe bashkëluftëtare të tjerë trima e trimëresha , të cilët i dolën zot Kosovës dhe i vendosën themelet e pavarësisë së saj.
Po ashtu duhet përmendur edhe një figurë tjetër patriotike që e donte Shqipërinë nga kjo familje, Hasan Nikën , për të cilin thuhet se ka rënë dëshmor në luftë kundër pushtuesve sllavo-bullgarë në Prilep të Maqedonisë së Veriut.
Emri dhe vepra e tyre i bëjnë ata të pavdekshëm nëpër breza që të kujtohen vetëm për të mirë. Veprat e tyre heroike forcojnë bindjen dhe mendimin filozofik se nuk ka gjë më humane se të luftosh e të përpiqesh për lirinë e popullit dhe vendit tënd. Këtë e vlerëson mbarë bota liridashëse dhe demokratike.