Gjekë Gjonaj
Fillimi i këtij viti të ri shkollor në Shkollën e Mesme “ 25 Maji” në Tuz nuk ishte i gëzuar, sikur do të duhej të ishte, as për mësimdhënësit, as për nxënësit e as për prindërit. Bukurinë dhe kënaqësinë e një fillim viti të mbarë e të suksesshëm shkollor e shëmtoi një video ( incizim) shokuese e publikuar në rrjete sociale. Supozohet se videoja në fjalë është krijuar në fund të vitit të kaluar. Në video shfaqen dhjetëra nxënës të ulur në klasë dhe disa prej tyre sillen në mënyrë të papërshtatshme. Hedhin karrige, stola, bërtasin… Në një të shtënë, njëri prej nxënësve hedh një objekt ndaj mësueses, e cila qëndron pranë karriges dhe mban një ditar në dorë. Objekti fluturon pranë saj. Videoja tregon gjithashtu sesi një nxënës hidhet drejt murit dhe e godet me atlete…
Këto pamje trishtuese sjellin një imazh të keq jo vetëm për shkollën e Tuzit, shkollën shqipe në përgjithësi, por edhe për mbarë shoqërinë dhe shtetin. Ato pasqyrojnë realitetin e sotëm të edukimit dhe arsimimit të nxënësve tanë , të cilin nuk duam ose nuk kemi guxim ta pranojmë. Këtë e dëshmon edhe heshtja e këtij incidenti për të cilin, siç deklaruan për media drejtuesit e shkollës, nuk është raportuar në administratën e shkollës dhe se administrata ka qenë në dijeni të rastit vetëm dhjetë ditë më parë. Ndërkohë edhe Ministria e Arsimit ka njoftuar se nuk di asgjë për këtë.
Njohësit e mirë të fushës së arsimit, të cilët dëshiruan të mbeten anonim, thonë se raste e tilla nuk duhet të mësohen nga mediat, por shkollat duhet të jenë të parat që reagojnë në mënyrë më adekuate, dhe duhet të jenë të vetëdijshme se po përballen me një problem të madh, shumë më të thellë. Pavarësisht se vërehet se shkollat po përpiqen të mbulojnë dhunën që ndodh në institucionet e tyre, nuk duhet të jetë praktikë , sepse nëse nuk raportohen rastet e dhunës, atëherë ato mbeten të pazgjidhura. Raportimi i sjelljes së papërshtatshme të nxënësve është hapi i parë i detyrueshëm për të shtypur këtë lloj dhune. Nxënësit nuk duhet të gjuajnë e as të godasin mësuesin ( mësimdhënësin) me karrige edhe sikur larg qoftë t’i fyej apo t’i godasë mësuesi. Sikurse edhe mësuesi , i cili duhet të jetë model për nxënësit, e di se nuk mund të përgjigjet me të njëjtën monedhë.
Kjo ngjarje shqetësuese është një kambanë e alarmit për edukimin e nxënësve jo vetëm në Malësi, por edhe në Mal të Zi, pasi ky nuk është rasti i vetëm i izoluar i dhunës. Raste të tilla janë raportuar edhe në disa shkolla të tjera. Rasti i dhunës në këtë shkollë po ashtu është problem shqetësues që duhet të punohet më shumë në edukimin e fëmijëve dhe prindërve të tyre, stafit mësimor dhe profesional, por edhe publikut të gjerë dhe se duhet të intensifikohen masat parandaluese. Kjo i vë përpara të gjithë ata që punojnë në sektorin e mbrojtjes së fëmijëve dhe sociale, sistemin arsimor, detyrën që puna e tyre duhet të jetë më intensive dhe që si sisteme të jenë shumë më të lidhura. Aty ku ka një lidhje të sistemit, do të ketë një reagim në kohë.
Në këtë shkollë, e në të gjitha shkollat e tjera, duhet ndërhyrë menjëherë. Duhet ndërhyrë me profesionistë dhe duhet marrë shumë seriozisht, nëse me ose pa vetëdije nuk duam ta shkatërrojmë krejtësisht misionin e shenjtë që ka shkolla dhe mësuesi, që është e papranueshme për çdo shoqëri normale.
Drejtori i ri ka një sfidë të madhe për të organizuar, rregulluar dhe zbatuar drejt kurrikulën e Shkollës së Mesme të Tuzit për faktin se mësimdhënia dhe notimi në këtë shkollë është vlerësuar nga Shërbimi Mbikëqyrës i Entit për Arsim nga viti 2022 si problematike – “i kënaqshëm”. Ky është vlerësimi më pak pozitiv për një shkollë në Mal të Zi, dhe si i tillë në vetvete tregon se është shqetësim i madh përpara një rreziku të papritur.