Protesta e 8 janarit, a do të marrë një zgjidhje edhe situata në PD?

0
322

E shtuna e ardhshme, 8 janar, shënon edhe përballjen e parë politike për vitin 2022, ndërsa duket se protagonist kryesor edhe në këtë fillimviti do të jetë ish-Kryeministri Sali Berisha.

Lideri historik i PD ka thirrur një protestë kundër Qeverisë Rama, e cila pritet të mbahet rreth orës 16:00 të së shtunës së ardhshme, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para godinës së Kryeministrisë.

Por jo vetëm kaq! Ish-Kryeministri ka paralajmëruar se në të njëjtën datë demokratët do të marrin në dorë edhe selinë e PD, nëse Lulzim Basha, nuk do të bindet për të dorëzuar zyrën, në zbatim të vendimeve të Kuvendit Kombëtar të 11 dhjetorit, dhe më pas të referendumit të anëtarësisë që u mbajt më 18 dhjetor. Ende nuk ka një përcaktim të qartë, nëse protestuesit që do të mblidhen në Tiranë nga i gjithë vendi, do të hyjnë në selinë e PD fillimisht, për të vijuar më pas protestën para Kryeministrisë, apo e kundërta.

Ajo që dihet është se 8 janari duket se do të jetë dita kur demokratët do të tregojnë se sa seriozisht e kanë zbatimin e vendimeve të Kuvendit të tyre, dhe në anën tjetër sa seriozisht e ka Basha për t´i qëndruar deklaratave se “janë të përgatitur për çdo skenar”.

Basha në ditët e fundit të 2021 ka përjashtuar opsionet për të zbatuar vendimet e Kuvendit, të cilin as e njeh dhe as e konsideron si të tillë. Në anën tjetër, Berisha u shpreh se anëtarët e PD do të nxjerrin jashtë zyrës shumë paqësisht dhe butësisht kreun demokrat, ndërsa sendet e tij do të paketohen dhe do ti dërgohen në adresën që ai dëshiron.Si Basha ashtu edhe Berisha janë në pozicione krejt të kundërta lidhur me gjetjen e një zgjidhjeje për situatën që po kalon PD, por ish-Kryeministri ka mbështetjen e rreth 4900 delegatëve që ishin prezent në Kuvendin e 11 dhjetorit dhe 44 mijë anëtarëve që morën pjesë në referendumin e 18 dhjetorit 2021.

Në anën tjetër Lulzim Basha, në ditët e fundit të dhjetorit, vendosi të zhvillojë një takim në Dibër, për të cilin u ngritën shumë pikëpyetje, pasi asnjë nga mediat nuk u lejua që të filmojë apo transmetojë direkt takimin, ashtu sikundër kanë ndodhur me takimet e ish-Kryeministrit Berisha në kuadrin e turit të Foltores.

Berisha akuzon Bashën si peng të Ramës, ndërsa ky i fundit ka deklaruar se nuk ka ndërmend të bëhet pjesë e përplasjes në PD, madje në jo pak raste ka ironizuar zhvillimet në partinë më të madhe të opozitës.

Basha në anën tjetër e ka konsideruar Berishën një tub oksigjeni për Qeverinë Rama, por kur është pyetur për thirrjen e protestave kundër qeverisë, ai nuk ka dhënë asnjë datë të saktë. Basha apo mbështetës të tij në PD kanë deklaruar se ata që pretendojnë se mund të rrëzojnë Qeverinë me protesta gënjejnë.

Dhe në të gjitha përplasjet e deritanishme, duket se java e ardhshme do të jetë vendimtare për të përcaktuar të ardhmen e drejtimit të PD-së, ku në njërën anë qëndron Lulzim Basha si kryetar i shkarkuar, dhe në anën tjetër një Komision Rithemelimi me 29 anëtarë, mes të cilëve edhe ish-Kryeministri Sali Berisha. boldnews.al