Nga Ndue BACAJ
Hyrje
Malësia e Madhe, simbol i shqiptarisë ndër shekuj, ku trojet dhe banorët janë sinonim i njëri-tjetrit. Të mëdha janë malet në Malësi, po më të mëdha janë vlerat e banorëve për atdhedashuri e civilizim Evropian. Vlerat jetësore e njerëzore të Malësisë si besa, bujaria, mikpritja , nderi, trimëria e patriotizmi janë te njohura e vlersuara jo vetëm kombëtarisht, por edhe ndërkombëtarisht… Emrat e atyre burrave e burrneshave që i dhanë “mbiemrin” e Madhe- Malësisë me veprat e tyre patriotike ndër mote e shekuj janë të shumtë, sa vetë historia e këtyre trojeve nga më shqiptaret dhe europianet e Shqipërisë Etnike. Nga kjo plejadë malësorësh patriot, që u lanë nderë e lavdi trojeve shqiptare e shqiptarisë, mendova të portretizoj Pretash Zeken Ulaj, Flamurtarin (Bjaraktain) famëmadh të Kojës së “vogël” me shqiptari të madhe.
Një curriculum i vogël për Flamurtarin e Madh Pretash Zeka Ulaj
Pretash Zeka lindi në në Kojen e “vogël” me shqiptari të madhe në vitin 1882, Ishte djali i Zekë Nikë Ulaj-t, shtepisë së njohur e me famë për besë, burrëri, bujari, urti, trimëri e mbi të gjitha për atdhedashuri. Ndër mote kjo shtepi ka qenë shtepi prijësish e vojvode të Kojës e trashiguar kjo nga njëri brez në tjetrin. Kjo shtëpi e fisit Ulaj të Kojës ka qënë shtëpi piramidë e kufirit shqiptaro- malazez. Pretash Zeka kishte lindur vetëm katër vite mbasi Europa plakë kishte “ligjërue” me kongresin e Berlinit 1878, dhënien e trojeve etnike shqiptare të Malësisë Madhe – Malit të Zi, ku këtë “fat” të zi e kishte pasur edhe Koja, edhe pse kjo trevë e Malësisë ishte ajo çfarë kishte “tepruar” nga treva e madhe etnike shqiptare -Kuqi-Kuçi, që edhe ky i ishte dhënë më heret Malit të Zi. Pretash Zeka Ulaj, do të rritej e burrërohej me traditat më të mira patriotike të shtëpisë dhe fisit Ulaj të Kojës, si dhe me traditat fisnike të Malësisë së Madhe me themel besen e atdhetarinë.. Pretash Zeka Ulaj do të burrërohej si patriot trim e i urtë me shkollen e votres familjare dhe në kuvendet e burrave të Kojës e Malësisë. Pretash Zeka do të trashigonte patriotizmin e shquar të burrave më atdhetar të fisit Ulaj, burra të cilët ndër mote kishin qënë pushkë e ngrehur në mbrojtje të trojeve shqiptare, të lirisë, të drejtave njerzore, shoqërore e zakonore , të gjuhës dhe traditave më të mira të Malësisë e Shqiptarisë, në përballje diplomatike e luftarake me lakmues e pushtuese të trojeve shqiptare, si turqit , serbo-malazezët e tjerë. Ai që në moshë të re do të dallohej për urti e trimëri , por edhe pë fjalen e matur e me vend. Për këto cilësi e virtyte burrash malësor e shqiptar, do të terhiqte vemendjen e kojasve e më gjërë, të cilet nuk do të vononin t’i besonin detyren fisnike e patriotike, por edhe të vështirë të Flamurtarit (Bajraktarit) të Kojës. Pretash Zeka në detyren e flamurtarit nuk i zhgënjeu asnjëherë kojasit , perkundrazi me veprimtarinë e tij shoqerore, “shtetrore” e patriotike i nderoi, u shtoi famën dhe lavdinë kojasve, Kojës e Malësisë, derisa Prertash Zeka këtë detyrë ja dorzoi djalit tij Gjokë Pretash Ulaj…
Pak retrospektivë nga institucioni i Flamurtarit (Bajraktarit) të Kojës , deri te Pretash Zeka:
Për trashigimin e Flamurtarit (Bajraktarit) të Kojës, në librin “Koja ndër Shekuj” të autorit Fran Gjeloshaj cilësohen edhe disa informata të shkruara nga historiani Stevan Duçiq në vitin 1931, nga i cili mësojmë se : “Preçot Gjeloshin e trashigoi Nikë Preçota i cili u vra…Niken e trashigoi vellai i tij Vatë Preçota , pas tij bajraktar u bë Preç Vata të cilin e vranë…. Preç Vaten e trashigoi nipi i tij Mirash Luca ….”, Ndersa pas Mirash Luces bajraktar u bë Pretash Zeka Ulaj…1.
Nëpër veprimtarinë patriotike të Pretash Zekës ndër vite…
Gjatë viteve që trojet shqiptare ishin në zgrip të mbijeteses Pretash Zeka do të ishte njeri ndër atdhetaret më të flaktë e të kulluar të shqiptarisë, si në luftën me pushkë dhe në atë me pendë për të drejtat e shqiptarëve në trojet e veta etnike. Veçojmë nga kjo veprimtari atdhetare , pjesmarrjen aktive e heroike të Pretash Zekës në kryengritjen kundër turke-osmane të vitit 1911 të udhëhequr nga trimi i urtë i shqiptarisë, heroi i popullit Dedë Gjon Luli me shokët e tij të atdhetarisë. Pretash Zeka Ulaj do të ishte një ndër “pushkët” e para të trimërisë që do të rrjeshtohej në frontin e parë të malësorëve trima në kryengritjen kundër turke-osmane , duke qënë edhe udheheqësi i çetës heroike të Kojes e cila me 6 prill 1911 rrezoi per tokë bajrakun (flamurin) e turkut në Deçiq , per ti leshuar vendin flamurit autokton kombetar shqiptar të Gjergj Kastriotit –Skenderbe. Ngritja e flamurit të Gjergj Kastriotit Skenderbe në Bratile të Deçiqit me 6 prill 1911, do të bënte që ky flamur të valvitej i lirë në driten e diellit, për herë të parë pas 432 vitesh errësirë turke-osmane.. Pretash Zeka gëzonte autoritet ne Kojë, Triesh, Luhar, Fundna, Hot, Grudë e pjese tjera të Malësisë. Vlenë të shënohet se nga kryengitësit trima të Kojës të udhëhequar nga flamurtari Pretash Zeka Ulaj, me 6 prill 1911, dhanë jetë si me lindë shtatë dëshmorët të flamurit, që nuk po mundem pa i ua cilësuar emrat: Dokë Preç Kërcaj, Tomë Ucë Ivanaj, Marash Lucë Gjokaj, Cak Ucë Ivanaj, Gjeto Tomë Kolçaj, Kolë Dokë Marashaj dhe Gjeto Gjekë Ivanaj , gjaku i të cilëve i shtoi ngjyren e kuqe flamurit kombëtar të ngritur në Deçiq…2. Interesant është edhe “historia” e Flamurit të ruajtuar nga Pretash Zeka (bajraktari i Kojës), flamur të cilin Pretashi ja kishte nxjerrë e tregua prej arkët në vitin 1942 Prekë Grudës, duke i thënë se këtë flamur të shejtë ja ka dhanë Leandro Kastrioti në Kotorr dikur babës tij Zekë Nikës, dhe me këtë flamur gjak shqiptarësh e pati mësye Koja Majën e Deçiqit (me 1911). 3. Pretash Zeka edhe pas kryegritjes kundër turkeosmane 1911 me jehonë kombëtare e ndërkombëtare , kryengritje që i parapriu shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë nga Vlora (28 nëntor 1912), nuk qendroi i “qetë” , por tinzash shtetit malazez ku Koja bënte pjesë dhunshëm që nga kongresi i Berlinit, u mundua të ndihmonte mbrojtësit shqiptar të Shkodres nga ushtria pushtuese malazeze 1912-1913. Pretash Zeka Ulaj ishte nga ata burra flamurtarë malësor , (mjersisht të paktë në atë kohë), që nuk u gënjyen aspak nga propaganda apo dhuratat e Kral Nikolles së Malit të Zi, me pretekstin se gjoja rrethimi i Shkodres nga ushtaria Malazeze nuk kishte për qellim pushtimin e Shkodrës, por çlirimin e saj nga ushtria turke, gjë që nuk ishte e vertet, dhe këtë propogandë mashtruese e kishte denoncuar që në fillim Pretash Zeka , si dhe trimi i urtë i shqiptarisë Dedë Gjon Luli etj… Gjithashtu Pretash Zeka priti me indinjatë , por edhe i gatshëm të rrokë armët në mbrojtje të trojeve shqiptare nga vendimet famëkëqia të konferencës së Londres 1913 dhe veçanarisht të konferencës së fshehtë të Londrës 1915, që do të coptonin akoma më shumë trojet etnike shqiptare në favor të fqinjëve shoven e hileqarë.4. Pretash Zeka do të shquhej për organizimin e malësorëve (nën kufirin politik të Malit të Zi) edhe në luftën mbrojtëse nga invazionet serbo- malazeze , të njohur në histori si Lufta e Koplikut 1920. Në historinë e kësaj lufte mbrojtëse kundër shovenëve fqinjë, përkrahë organizatorëve dhe udhëheqësve të forcave vullnetare mbrojtëse të Malësisë Madhe si : Deli Meta, Lucë Nishi, Zef Prel Martini, Palok Traboini, Tomë Nikollë Hasanaj, Kolë Maçi–Hot, Gjokë Dodë Preçi, Gjelosh Gjoka, Gjeto Daka , Dedush Marashi –Kastrat, Zef Martin Ivezaj dhe Prekë Dedë Gjolaj-Grud do të shquhej edhe Pretash Zeka Ulaj-Kojë.5. Sipas trashigimive gojore të asajë kohe, për marrjen e informatave të fshehta e të nevojshme nga brenda armikut (Malit të Zi) , kishin deportuar forca zbuluese shqiptare në prapavijen e ushtrisë serbo-malazeze. Për arritjen e këtij “objektivi” një ndihmë të madhe jepinin malësorët shqipatarë që kishin mbetur e banonin (në trojet e veta etnike) andej kufirit të 1913, si grudasit, trieshjanët e veçanarisht kojasit të primun nga flamurtari i njohur i tyre Pretash Zeka Ulaj e tjerë.6. U dalluan gjatë luftimeve në luftën e Koplikut shumë trima , prijes e flamurtarë të Malësisë , ndër keta edhe Pretash Zeka Ulaj…7. Edhe pas perfundimit të Luftës së Koplikut (14 shkurt 1921), Pretash Zeka me malësorët e Kojës e më gjërë edhe pse në Malin e Zi e Jugosllavinë , ato nuk hoqen dorë kurr nga të drejtat e tyre kombetare e jetësore. Edhe pse per këtë qëndresë , Pretash Zeka , Kojasit e tjerë u përballën me një persekutim të egër sllavë, ata ruajten e trashiguan me “fanatizem” , identitetin, gjuhën, doket, etnografinë, historinë e zakonet fisnike malësore e kombëtare shqiptare. Shembull i kësaj rezistence me permasa heroike ishte flamurtari i Kojës Pretash Zekë Ulaj, i cili shtepinë e tij e kishte kthyer në një “vatër kulture” e traditash shqiptare , ku dyert e kësaj shtepie ishin të hapura në çdo kohë, e veçanarsiht në raste festash fetare e kombëtare shqiptare, ku pritej, gostitej, festohej e përcillej vetëm shqiptarisht , madje në këso rastesh perveç tjerave dhe veshjeve kombëtare , në ketë shtepi valvitej flamuri kombëtar shqiptar i ruajtur në arkat e traditës malësore… sigurisht jo lehtësisht nga syri vigjilent i spiunëve serbo-malazez… Me 6 prill vitin 1941 pushtuesit fashist Italian pushtojnë edhe Malin e Zi dhe Jugosllavinë, ku bënte pjesë pa emër që nga nentori i vitit 1918 Mali i Zi. Në keto kohë gjysma e Malesisë së Madhe lengonte nën pushtimin e Malit të Zi, që kishte filluar të pakten që nga kongresi i Berlinit e “finalizuar” me konferencen e Londres (1913).. Në keto kushte paria e kësaj gjysme të Malesisë Madhe (nën Malin e Zi) per të shpetuar çfarë mundë të shpetonte ( edhe pse perkohesisht), kishte vendosur të “therrasë” në ndihmë të keqen e përkohëshme, pushtuesit fashist… Pikirsht per ketë me daten 12 maj 1941; Hoti, Gruda,Trieshi, Koja, Tuzi,Vllana, Vrana dhe Matagushi u dergojnë autoriteteve qeveritare fashiste në Tiranë një Memorandum ku u kerkojnë bashkimin me Shqiperinë nënë të trojeve shqiptare të lëna padrejtesisht nën Malin e Zi. Memorandumi fillonte me disa levdata (të pa merituara) per fashistet, por ske çi bënë pasi ky është haraçi që duhet të paguash kur kerkon ndihmë nga një pushtues… Pastaj memorandumi vijonte..: “ Jemi shqiptar dhe duam Shqipninë. Me Malazezet kemi kenë dhe jemi armiq të perhershem, na ndanë kombesia, gjuha, traditat, doket, ligjet, pra na ndanë jeta… Piramidat e kufijëve të vume padrejtësisht mbi vorret tona qysh me 1878 e mbrapa lypim që të zhduken fare, tue kenë se viset e syperthanuna janë kenë edhe duhet të jenë pergjithmonë, në prehen të Nanes së vet Shqipnisë Natyrale… Rrnoftë Shqipnia… Këtë memorandum e nënshkruajnë perfaqesuesit e popullit të Hotit, Grudës, Trieshit, Tuzit, Vllanës, , Vranës , Matagushit e Kojës. Në mes ketyre nënshkruesve patriot që u ishte zhuritur zemra për bashkimin me nanën Shqipni ishte edhe patrioti i njohur Pretash Zeka Ulaj… 8. Pushtuesit fashist italian edhe per qellimet e veta propogandistike me dekretin e 7 gushtit të vitit 1941 shpallin ribashkimin e trojeve shqiptare që i mbanin të pushtuara Serbo-Malazezet…9. U bashkuan me Shqiperinë shumica e trojeve të Kosoves, Dibres ,Tetoves,Gostivarit e më gjërë, u rikthye Malesia e Madhe Etnike, ku qendra e Nenprefektures kaloi nga Kopliku në Tuz… Në keto kushte per të ruajtur trojet e Malesisë së Madhe (Etnike apo natyrale) të ribashkuar, nacionalistët malësor i kishin venë vehtes per detyrë të mbronin kufijet etnik të rifituar.. Per të realizuar këtë detyrë atdhetare në Malësi u formuan 13 çeta vullnetare të armatosura..: Në Hot kishte tre çeta që komandoheshin; nga Smajl Haxhia ato të Drumes e Nënhelmit, nga Prekë Gjeto Marku çeta e Rapshes, kurse ajo e Traboinit nga Tomë Nika…Gruda kishte dy çeta që i komandonte Nikollë Zefi e tjer.. Shkreli kishte një çetë që komandohej nga Pjeter Gjoka. Kastratit një çetë që komandohej nga Pjeter Doda, Boga një çetë e cila komandohej nga Tomë Gjeri, ndersa çeta e Trieshit ishte nën komandë të kapidan Nikë Zekes, Fundnat i komandonte Selman Beqiri, Kojen e komandonte Flamurtari Pretash Zeka Ulaj, Tuzin Sherif Hyseni , ndersa Vrana dhe Vllana kishin komandant Ali Zekun.., ndersa Kelmedi komandohej nga Prekë Cali etj…10. Në vijim të ruajtjes të ribashkimit të trojeve shqiptare të Malësisë së Madhe, si dhe rendit e qetsisë për në kohë lufte , prijës, flamurtarë e burra patriot të urtë e trima malësorë do mblidheshin në kuvende e do të ndermerrnin beslidhje për të ruajtur sa më shumë nga Malësia , nga ajo që mund të ruhej në kohë luftrash me pushkë e ideologji… Me 23 mars 1943, Malsia e Madhe do të dergonte në Tiranë perfaqesuesit e vet me në krye Mul Bajraktarin per të paraqitur nevojat më të nguteshme të popullit … Kjenë mbledhe ne qytetin e Tuzit rreth dymijë vetë, ku kishin ardhur edhe të derguemit e qeverisë. … Ketu u mbajten fjalime të bukura nga burrat e urtë të Malsisë. Ndër folsat u shquen e do të mbeten të permendur Tomë Nika i Trabionit me shprehje aq burrnore, Prekë Cali i Kelmendit me aq flakë atdhedashunije, Nikollë Gali i Trieshit me baza historike, Mark Toma i Selces folës kreshnik, Pater Leonard Tagaj (pater Zefi) me thirrje të zjarrta shqiptareve per bashkim, Ndue Gjon Rapuka i Kelmendit tue i porositë vllaznisht njerzit e papunë,që të mos fusin hundet me prishë qetësinë e Malsisë, Marash Ujka i Grudes tue theksue detyren e shqiptareve me u bashkua per shpetimin e kombit. Folen shumë bukur edhe Ali Zeku i Vranjes, Pretash Zeka Ulaj i Kojes, Lucë Maxhi i Luharit, Dokë Martini i Tuzit, Mehmet Murati i Mileshit, Selman Juku i Dinoshes, Nikë Gjeloshi i Kastratit, Llesh Marashi i Shkrelit, Prekë Gruda dhe Pjeter Pretashi të Grudes. Pjetri në fjalim e siper u drejtua kah Deçiqi dhe i parashtroi bukur e me hollesi luftnat e Malsisë Madhe per liri të atdheut,tue thirrë Deçiqin Vlonë e Vlonen Deçiq, e tue vertetue çdo thanje me fakte historike mbasi Deçiqi me burra fatosë të Malsisë, në prill 1911 i hapi rrugen me guxim martiresh Vlones per lavdinë e Flamurit të Kastriotit në nandor 1912…”11. Në Malësi të Madhe , në Tuz , do të mbaheshin disa kuvende e beslidhje si ato të 30 majit 1943, 19 qershorit 1943…12. Per të vijuar me kuvendin e 26 korrikut (1943) në Çesme të Koplikut që në histori njihet me emrin “Lidhja e Çesmes”.13. Vlenë të kujtohet se Malesia e Madhe gjatë pushtimit fashist nuk kishte qenë një “Ishull” i izoluar nga trojet e tjera shqiptare , pasi Malësia kishte pasur edhe perfaqesuesin e vetë, Pater Lekë Luli nga Kastrati…14. Ndersa Beslidhja tjeter e më të gjerë, e cila u realizua me daten 12 nentor (1943) , ku pjesmarrësit u betuan: “Betohem në emën të Perendisë, mbi nderin tem dhe mbi flamurin kombëtar, se do të zbatoj me perpikmeri të gjitha pikat e beslidhjes dhe të program-veprimit të Malcisë Madhe, Rranxave e të Postribës, per mbarvajtjen e vendit, per nderimin e gjakut derdhur prej të parëve tanë, per liri dhe per të mirën dhe të mbaren e atdheut. Në Beslidhje u muaren disa vendime që duheshin zbatuar nga të gjithë dhe në marrveshje. Per ndjekur e zbatur vendimet e Beslidhjes u miratua Keshilli i Pergjithshem i perberë nga: Smajl Haxhia (Hot), Kolë Zefi (Grudë), Gjokë Doda (Kastrat), Prekë Cali (Kelmend),Pjeter Gjoka ( Shkrel), Nik Zeka (Triesh ), Pretash Zeka Ulaj (Kojë), Jonuz Sokoli (Reç),Osman Haxhia (Postribe)… Ky keshill mbeshtetej edhe nga disa forca vullnetare…15. Kjo Beslidhje në Pranveren e vitit 1944 ishte perkrahur edhe nga Trevat e Dukagjinit, Gurit Zi, Anes Malit, Malit të Kolajve dhe thuajse nga e gjithë Nenshkodra me në krye Berdicen e Trushin.. Shkodra me 13 maj 1944 shpallë Beslidhjen e vet, që në histori shkruhet “Lidhja e Shkodrës” të drejtuar nga patrioti i klasit parë Ndoc Çoba (ish kryetarin e konferences se Pezes)..16. Data 28 nentor 1944 shenon Beslidhjen e fundit më të madhe per nga shtrirja teritoriale, e cila parashikonte edhe organizimin e luftes në mbrojtje te trojeve etnike shqiptare të Malësisë së Madhe nga rikthimi nën Malin e Zi e Jugosllavi…17. Vlen të kujtohet se Beslidhjeve të trevave të Shqiperisë veriore e më gjerë u ishte bashkuar edhe Kosova martire që me kuvendin e saj historik të 16 shtatorit 1943, që u quajt “Lidhja e dytë e Prizrenit”, me në krye nacionalistet Rexhep Mitrovica, Bedri Pejani, Xhafer Deva e tjer…18.
Malësorët në luftë me Çetnikët dhe partizanet Jugosllav:
Kuvendet e beslidhjet e Malësorëve të Malesisë së Madhe, viheshin në zbatim duke mbrojtur kufijët etnik shqiptar , si nga çetnikët dhe nga partizanët malazezo-jugosllav të Titos, të cilët herë pas here sulmonin befasisht trojet shqiptare që ishin bashkuar me Shqëpërinë nanë. Veprimeve represive të çetnikëve dhe partizanëve komunist malazez-jugosllav (që nuk dallonin në antishqiptarizmin e tyre), u pergjigjeshin flakë për flakë trimat atdhetar malësorë të udhëhequr trimërisht e mençurisht nga prijësit e flamurtarët e tyre, ku veç të tjerëve do të dallohej flamurtari i Kojës Pretsh Zeka Ulaj. Nga këto beteja mbrojtëse mendova të “veçoj” vetëm dy, atë të datës 3 Nentor 1944, kur partizanet e Titos tue shkelë premtimet e bame, i kishin pas rrethue me tri brigade naten tinzisht, Kojen e Luharin tue mendue se në këso netesh të veshtira dorzohen pa kushte. Mirpo burrat e ketyne dy krahinave të vogla shqiptare të prime nga Pretash Zeka Ulaj nuk kanë ndigjue për të gjallë me u nënshtrue. E kanë fillue luften e qitë kushtrimin per ndihmë maleve te tjera… Partizanet e Titos u thyen e u vunë në ikje, pa e pritë i pari të mbramin. Përsëri me 4 nentorit 1944, çetnikët, por edhe partizanët e Titos sulmojnë trojet shqiptare. Darsem pa mish nuk ka, humbje kemi pasur edhe ne, porse jo sa malazezet. Kah ana jonë u gjeten të vramë edhe Gjekë Preçi i Kojes dhe i riu guximtar Marash Ujkë Lulgjuraj…”.19.
Në vend të epilogut !
Pretash Zeka i Kojes, ndonse një prijës i madh, i fjalës dhe i veprës , ai kurr sukseset dhe meritat si në kuvende burrash apo në luftë nuk ja dedikonte vehtes , por trimave të Kojës që i besonin , e donin , e dëgjonin dhe e respektonin. Ka mbetur proverbiale nga një kuvend burrash në Kojë fjala e Pretash Zekes , kur atë e pyeten Bajraktar (Flamurtar) prej ka vjen gjithë kjo fuqi e jotja ? –“Shumë lehtë , me që jetoj në mesin atyre burrave , sepse secila shtepi kojase mund të japë nga një bajraktar (flamurtar)”- u pergjigj Pretashi me buzqeshje”.20. Edhe mbas luftës së dytë botërore dhe rikthimit të kufirit të viteve 1878-1913 , Pretash Zeka Ulaj ka qënë shembull e simbol i një burri patriot , i një burri të vertet të urtë e trim , që ruajti me fanatizem virtytet , vlerat , zakonet , doket e jetën fisnike të malësorve shqiptarë. Këtë ai e demostroi sa ishte gjallë në raste , festash , dasmash, fejesash, gëzimesh , hillërimesh dhe në jetën e perditshme. Ai runate me « fanatizën» në shtëpinë e tij flamurin kombëtar shqiptar, si dhe veshjen kombëtare të malësorëve , veshje me të cilën edhe u varros kur vdiq në vitin 1962…. Në perkujtim e nderim të vepres patriotike të flamurtarit të Kojës Pretash Zekës Ulaj , në Kojë, që nga viti 2004 i është ngritur një shtatore madhështore , ku aty pranë janë të perjetsuar edhe shtatë dëshmorët kojas të Flamurit të Deçiqit-1911…
REFERENCAT :
1.Fran Gjeloshaj , “Koja ndër Shekuj” ,fq.149.
2.Ndue Bacaj ,Kryekryengritja e Malësisë së madhe kundër perandorisë Turkeosmane 1911, ,fq.35, botim i dytë, Fiorentia-Shkodër 2019.
3.Prekë Gruda, sa kam shpresë kam shpirt, Ditari i një Zemre të Lendueme -1-, fq.205, Tirane 1995.
4.Ndue Bacaj, Rrethimi i Shkodrës 1912-1913 dhe Malësorët, i pamë në rrethanat e atyre kohëve, Fiorentia-Shkodër 2019.
5.Ndue Bacaj ,Lufta e Koplikut 1920 dhe ngjarjet që i paraprijnë…fq.96, Fiorentia- Shkodër 2020.
6.Ndue Bacaj, Lfta e Koplikut 1920 dhe ngjarjet që i paraprijnë, fq.103-104.
7.Ndue Bacaj , Lufta e Koplikut 1920 dhe ngjarjet që i paraprijnë, fq.107-108.
8.Më hollësisht me emrat e plotë të nënshkruesve shih : At Marin Sirdani “Ndricime te historise,kultures dhe artit shqiptare,fq.61-62. Prishtinë 2002.
9.Fletore zyrtare 7 gusht 1941.
10.Mul Deli Bajraktari,Beslidhjet e Malësisë, kujtime 1939-1945, fq. 32.Shkodër 2004.
11.Prek Gruda “Ditari i nje zemre te lendueme…(1937-1975), pjesa e parë,fq.232-233.
12.Prek Gruda “Ditari i nje zemre te lendueme…(1937-1975), pjesa e parë,fq.238-243.
12.Prek Gruda “Ditari i nje zemre te lendueme…(1937-1975), pjesa e parë,fq.238-243.
13.Mul Delia “Beslidhja e Malesise Madhe”,(kujtime 1935-1945)fq.45-54.
14.Uran Butka “Mukja shans i bashkimit,peng i tradhtise”,fq.25-29.Tiranë 1998.
15.Mul Delia,po aty…fq.79-81, plus edhe deshmi gojoretë mbledhura nga N.B.
16.Uran Butka “Ringjallja “,fq.116-117. Tetovë 1996.
17.Lazer Zadeja “Dom Ndre Zadeja”,vepra.2.,Shkoder 1996,fq.137.
18.Serge Metais “Historia e Shqiperise, nga Iliret deri tek pavaresia e Kosoves”,fq.319-320. Tiranë 2006.
19.Prekë Gruda,Ditari i nje Zemres se Lendueme -1- 1937-1975,fq.329-330.
20.Gjekë Gjonaj ,Gujrmëve të kohës, fq.102-103 ,botim i vitit 2008 –Lezhë.