Polici pa biçikletë.

0
185
David Boseta- tregim
Mu desh të shkoja deri në plazhin e Velipojës dhe i hipa furgonit te Teater Migjeni. Zura vend në ndenjësen e parë, afër shoferit, vendet mrapa u mbushën sa hap e mbyll sytë.
Pak para se të nisej furgoni i them shoferit:
– Merre edhe at policin që po vjen me vrap.
– Pse mor polic asht ai?
Pohova me buzëqeshje dhe i hapa derën udhëtarit të vonuar. Polici na falenderoi dhe u rras në ndenjësen dyshe, ngjitur me mua. Pasi udhëtuam disa kilometra shoferi kthehet nga polici dhe e pyet:
– Pash Zoten, ça asht ikjo uniformë që ke veshë? Polici kishte veshur bluzë të bardhë me logot e policisë dhe pantallona të shkurtra ngjyrë blu të errët.
– Asht uniformë e re, – ia ktheu tjetri. – Un jam polic turizmit, prej atyne që patrullojnë në plazh me biçikleta, si polict amerikan.
– Jo për Zoten ti dukesh n’kry se s’je amerikan, – kundërshtoi i fyer shoferi.
– Jo mor vlla, nuk thashë jam amerikan por thashë jam si polict amerikan që dalin në plazh me biçikleta.
– Aaa tesh t’kam kuptu, – tundi kokën shoferi.
– Po biçikletën ku e ke?
– Ma kanë vjedhë, dje, – tha lehtë polici.
– Si mor ta kanë vjedhë?
– Po për zoten. Dje në plazhë takova nji kojshi temin që kishte ardhë prej Angliet e m’kapi për krahësh o me pi birrë o s’ka.
Mbasi pimë dy-tri birra, dal jashtë, ma kishin marrë biçikleten.
Plasi gazi në furgon.
– Ma vodhen pasha kryt e fmijve.
Diku ka fundi ja pret i burrë i moshuar: – O ty t’ruejt Shejti Shna Ndua, po kur s’je i zoti me ruejt biçikleten tande, si i ruen plazhistat? Polici i zënë ngusht u përgjigj me një të ngritur të supeve.
Në mes të të qeshurave që s’kishin të ndalur arritëm në kthesën e Velipojës e po i afroheshim hyrjes së plazhit kur unë i thashë shoferit:
– Mbaje pak te rruga 5, të lutem.
Shoferi miratoi me kokë.
– Kurse mu më ndal te rruga 1, – tha polici.
– Rrugen 1 e kena kalu, – ia priti shoferi mes gazit që nuk kishte Zot me e ndalë.
Përfundimisht polici zbriti prej furgonit bashkë me mua, në rrugën 5.
– Po tesh, – tha polici. – Me ça shkoj unë deri te rruga 1?
– Me këmbë, – i thashë, – meqë s’ke biçikletë.
David Boseta