Pergjigje Edi Rames per statusin e tij kunder kritikave per qendrimin ndaj Kosoven

0
845

Nga Indrit Vokshi

Edi Rama ka postuar sot një shënim në facebook, ku përpiqet të justifikohet e të lajë fytyrën, duke i paraqitur të gjithë kritikuesit e veprimeve të tij si njerëz të cilët ose nuk kuptojnë ose janë patriotë fallso.

Le t’i komentojmë me radhë paragrafet e tij.

Edi Rama, shkruan: “Mirëpo, siç e prisja, ushtria digjitale e kinse patriotëve matanë kufirit, që të sharat e mallkimet i kanë armët e tyre të luftës qorre të shqiptarit me shqiptarin dhe që s’po dinë hiç çka t’i bëjnë gomarit e po i bien samarit, u lëshua uturishëm në lumin e komenteve të postimit tim. Fali Zot se s’dinë se ç’bëjnë, është më e mira që duhet thënë në këto raste. Dhe falur i kam, ata e kë ata i frymëzon e i ushqen me helmin verbues të urrejtjes, dasisë, frikës nga e ardhmja…”

Përgjigjja: E para nuk mund të thuash “kinse patriotët”, sepse patriotizmin e atyre që të kritikojnë nuk e mat ti. Zemrën e tyre dhe ndjenjat e tyre, nuk i njeh ti. Botëkuptimi i tyre për patriotizmin, nuk ka pse të jetë e njejtë me tëndin. Emancipohu paksa, dmth çlirohu nga kjo mendësi mediokre. E dyta, ti thua fali Zot se sdinë çfarë bëjnë? I ke falur ti ata që të kritikojnë? Përpjekja për ta portretizuar veten si Jezus të cilin po e kryqëzojnë me kritika, tregon se ti synon t’i shpëtosh furisë së zemërimin kundër teje, duke u viktimizuar. Mirëpo kjo strategji propagande nuk ka sukses. Pse? Sepse ti nuk je viktima. Ti je agresiori. Viktima është tjetërkush. Viktima (të tuat) janë mijëra shqiptarë në Shqipëri, viktimë e jotja është Kosova, interesat e saj i flijove në altarin e politikës së Beogradit, duke u bashkuar atje e duke e denoncuar Kosovën si shtet i cili nuk na dëshiroka paqen dhe prosperitetin ballkanik. Paqe të cilën po na e sillni ti me Aleksandër Vuçiqin.

Edi Rama shkruan: “Koha nuk ndalet dhe paqja nuk fitohet me mjetet e luftës. Kosova e fitoi luftën falë aleancës së pathyeshme të Shteteve të Bashkuara me fuqitë më të mëdha europiane, në mbështetje të ushtrisë së saj çlirimtare. Pa atë aleancë as liria, as shtetësia, as paqja për popullin e Kosovës nuk do të kishte ardhur dot sot e gjithë ditën. ”

Përgjigjje: Është e vërtet se paqja nuk fitohet me mjetet e luftës. Por na thuaj, ku janë mjetet e paqes? Sipas teje i bie që Serbia paska mjetet e paqes, paska projektin e paqes, ndërsa Kosova dhe ata që të kritikojnë ty, mbakan ende mjetet e luftës? A e kupton se sa e ulët dhe shnjerëzuese është ajo çfarë ti shkruan? Ti po na e paraqet Serbinë dhe Vuçiqin si promovues të paqes dhe mjeteve të paqes? A na ka dhënë Serbia ndonjë shenjë deri tani se ajo dëshiron paqe? Nëse po, na thuaj cila qenka kjo shenjë.

Edi Rama shkruan: “Po a mund ta fitojë Kosova paqen përfundimtare dhe a mund të prosperojë kombi shqiptar, duke u ftohur e siç i themi ne, duke “i treguar babait arat”, kur flet me Amerikën, Gjermaninë, Francën a me vetë Bashkimin Europian? E bëj këtë pyetje, sepse e kam jetuar në vetë të parë “tregimin e arave”, deri në pikën që një lider kosovar i’a futi në sy të Merkelit e Macronit, “mu nuk më han luli për kta!” dhe mu aty e humbi rastin historik t’ia hiqte vizat Kosovës, të cilën e bëri lolo në sytë e aleatëve të saj të pazëvendësueshëm strategjikë me marrëzira kinse patriotike. ”

Përgjigjje: Në Ballkanin e Hapur nuk u përfshinë Mali i Zi dhe Bosnja. Pse nuk u përfshinë? Sot Sonia Biserko, deklaroi se Ballkani i Hapur nuk ka lidhje me Procesin e Berlinit. Deklaroi se Ballkani i Hapur është Rikrijim i Botës Serbe dhe i shërben vetëm Aleksandër Vuçiqit. Pra ti po kritikon Kosovën se pse nuk u bë pjesë e Botës Serbe, siç e përkufizon vetë serbja Biserko. Nuk ka lidhje pra me të treguarit e arave aleatëve sepse ky nuk na qenka projekt i kërkuar nga aleatët. Apo ke harruar që në Novi Sad, ti dhe Vuçiqi, deklaruat se kjo është iniciativë e shteteve tona sovrane dhe nuk kemi pse pyesim Bashkimin Europian? E sa për vizat të cilat nuk u liberalizuan prej sjelljes së një lideri të Kosovës, kjo është fëmijnore. Sepse po thua se Bashkimi Europian nuk paska strategji për vizat, nuk paska kritere por, vendimet e merrkan në bazë të një sharjeje të një lideri të Kosovës. Bashkimi Europian ia premtoi vizat Kosovës nëse nënshkruante demarkacionin me Malin e Zi. Demarkacioni u nënshkrua. Vizat nuk u dhanë. A lobon Vuciqi yt paqësor për mosdhënie vizash?

Edi Rama shkruan: “A mund ta fitojë Kosova paqen dhe a mund të lulëzojë shteti i saj i ri, po edhe shqiptaria si e tërë, duke e kthyer Dialogun me Serbinë në një monolog që nuk i prish asnjë punë Serbisë (përkundrazi acaron prej vitesh tanimë nervat e aleatëve tanë të pazëvendësueshëm strategjikë, të cilëve për krejt fajin e monologuesve të Kosovës, Serbia u duket gjithnjë e më e pafajshme, ndërsa Kosova gjithnjë e më pak e arsyeshme)?”

Përgjigjje: Serbia u dukka e pafajshme në sytë e aleatëve sepse Kosova paska pretendime në dialog? A je i sigurt që fjalinë e mësipërme nuk ta ka shkruar Vuçiqi? Kujt po i duket e pafajshme Serbia? Serbinë të pafajshme na e ke paraqitur ti kur në televizion ke deklaruar se Serbia është vend europian dhe demokratik.

Edi Rama shkruan: “E bëj këtë pyetje, sepse prej 8 vjetësh tanimë e dëshmoj në vetë të parë, trajektoren gjithnjë e më në rënie të respektit e të durimit të tyre me Prishtinën zyrtare dhe më dhembin gjithnjë e më shumë shtrembërimet e buzëve të tyre, kur flitet për Kosovën.”

Përgjigjje: Nëse ti bën lobim të përbashkët me Vuçiqin, pa dyshim se do takoni njerëz të cilët rrudhin buzët kur flitet për Kosovën dhe pretendimet e saj.

Edi Rama shkruan: “A mundet të zgjidhet çështja e madhe e njohjes së Kosovës nga Serbia, duke e thelluar më tutje deformimin e madh disavjeçar tashmë në Kosovë, të bërjes së politikës së brendshme të Prishtinës politikë të jashtme të Kosovës dhe anasjelltas, si edhe duke e futur në shabllonin vulgar të tradhëtisë dhe vetë politikën e re rajonale të Tiranës zyrtare?”

Përgjigjje: Politika e re rajonale e Tiranës zyrtare, është tashmë në shabllonin vulgar të tradhëtisë. E ke futur ti vetë. Si u zgjidhka çështja e njohjes së Kosovës nga Serbia? Kjo e fundit, Serbia, ka deklaruar se nuk mund që shqiptarët të marrin diçka e ne asgjë. Pra Serbia kërkon diçka në këmbim. Ti je i mendimit që Kosova t’i japë Serbisë ato çfarë Serbia kërkon?

Edi Rama shkruan: “E bëj këtë pyetje këtu, për t’iu thënë të gjithë atyre në Kosovë që e kanë gjetur tradhëtarin tek unë, se së pari, unë jam po ai që në mes të Beogradit fola me zë të lartë për njohjen e Kosovës nga Serbia dhe sikur të tërë ta mbronin njohjen e Kosovës në gjuhë të huaj të paktën siç e mbroj unë, kudo e kurdoherë, sot Kosova do të ishte shumë më e respektuar ndërkombëtarisht.”

Përgjigjje: Ti je ai që kërkove njohje në mes të Beogradit? Po pse u bë skenari i atij show? Tashmë të gjithë e dinë se ai show në Beograd u bë për të zbutur sadopak atë çfarë do të ndodhte më pas: vallzimin tënd tango me Vuçiqin në skenën e politikës ballkanike. The një fjali në Beograd dhe pas fjalisë bërë 100 veprime kundër Kosovës. Sot të gjithë e kanë kuptuar se ishte sitisje për të rritur gjoja legjitimitetin patriotik si gjoja mbrojtës i shqiptarëve. Ti po e mbron Kosovën në gjuhë të huaj, duke u thënë të huajve se Kosova është shtet i cili nuk e do paqen dhe prosperitetin ballkanik, duke mos pranuar të bëhet pjesë e Ballkanit të Hapur ose Rikrijimit të Botës Serbe (siç e quajti zonja Biserko).

Edi Rama shkruan: “Së dyti, Ballkani i Hapur është jo vetëm rruga e të ardhmes për prosperitetin e kombit shqiptar, si komb europian që përkatësinë e vet e ka në Europën e Bashkuar, por është edhe një mundësi e re dhe e madhe më shumë, në rrugën drejt njohjes së Kosovës nga Serbia; sa për një nga shumë shembuj të dobisë së madhe të Ballkanit të Hapur, kush nuk do që ta kuptojë pse Ballkani i Hapur e heq më në fund kufirin mes Shqipërisë e Kosovës, le të më thotë pse nuk e kanë hequr dot deri më sot, ata që e kanë premtuar me bujë dhe pse nuk e heq dot pa Ballkanin e Hapur atë kufi, asnjë prej atyre të cilëve “nuk u han luli” për aleatët e pazëvendësueshëm strategjikë të Kosovës e të Shqipërisë bashkë, që e mbështesin plotësisht nismën Open Balkan.”

Përgjigje: Që ti mendon se Ballkani i Hapur ose Rikrijimi i Botës Serbe është e ardhmja e kombit shqiptar, ketë tashmë e dimë. E se pse nuk është hequr deri sot kufiri Kosovës-Shqipëria, ta them unë: Nuk është hequr sepse po të hiqej, menjëherë Vuçiqi yt, do ngrinte alarm në kancelaritë europiane e amerikane, duke thënë e duke denoncuar se shqiptarët po krijojnë Shqipërinëve Madhe e po krijojnë destabilitet. Ja pse nuk është hequr. Vetëm nëse të gjitha këto shtete in bashkohen nismës së Vuçiqit për Rikrijimin e Botës Serbe, ia hapin atij tregun dhe gjithçka, atëherë nuk ka rrezik për destabilitet. Pra ti na propozon që kufinjt me njëri-tjetrin mund të hiqen vetëm me miratimin e Serbisë.

Edi Rama shkruan: “Dhe së fundi, kush në Kosovë mendon se duke më sharë e mallkuar mua e bën Kosovën më të fortë në luftën diplomatike për njohjen nga Serbia, pushka top le t’i bëhet, e ka të gjithë bekimin tim të nxjerrë krejt gjuhën jashtë. Por ama askush në Kosovë a në Shqipëri qoftë, të mos presë assesi që unë dhe shumica e re qeverisëse e Shqipërisë, të heqim dorë nga lufta diplomatike për paqe e prosperitet ekonomik e social në Ballkanin e Hapur – përfshirë edhe njohjen e Kosovës nga Serbia. E cila bëhet me mend, krah për krah me aleatët e pazëvendësueshëm strategjikë të Shqipërisë e të Kosovës, e jo me “lulin” e kinse patriotizmin digjital.
Koha do të flasë më shumë e më mirë..”

Përgjigjje: Pra ti edhe qenke aleat i Aleksandër Vuciqit, po njëkohësisht po zhvilloke një luftë të tmerrshme që Serbia ta njohë Kosovën! Na thuaj, si e zhvillon luftën? E zhvillon duke i thënë Vuçiqit se liderët e Kosovës janë të trashë, obstruksionistë (pengues e bllokues), se të ishte për mua të jepja gjithçka që kërkon? Në emër të paqes e prosperitetit ballkanik, sigurisht. Vetëm për diçka jemi kureshtarë të gjithë: si është e mundur që Serbinë agresive e energjike për interesat e veta, Serbinë që nuk pranon genocidin, Serbinë që nuk ka lënë veprim pa kryer kundër Kosovës, kundër njohjeve të reja, kundër anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, Sebinë e cila ka qenë problematikja e Ballkanit, ti e ktheve, e zbute dhe e bërë promotore të paqes ballkanike dhe gati për ta njohur Kosovën?! Si e arrite ketë?! Haram ajri që thith prej ajrit shqiptar o mashtrues dhe tradhëtar i vendit. O thikë pas shpine.