NJË KUJTESË E VOGËL PËR 103 VJETORIN E NJË MASAKRE TË MADHE…

0
278

NGA NDUE  BACAJ  

26 Dhjetori i vitit 1919 na kujton masakren serbo-malazeze mbi banorët e Hotit. Rrënojat e Qytezës janë të vetmet dëshmitare okulare të “mbijetuara” tash 103 vite… Po ti vizitosh edhe sot rrënojat e Qytezës, edhe pse nuk kanë gojë me folë, sapo të ulësh në mes tyre, të mbyllësh sytë dhe ta imagjinosh këtë krim apo masakër të mbi një shekulli më parë, të duket se çdo gur i këtyre rrenojave të lëshon një za, një za të thekshëm, që vjen nga thellësia e kujtesës të lame me gjakë e lotë, të tregon një histori trimërie, qëndrese e papërkulshmerie, të atyre hotjanëve që u vranë  trupin, por kurr zemren e shpirtin e patriotizmit të këtyre trojeve nga më shqiptaret e Shqiperisë Etnike… Për realizimin e synimeve të tyre shovene, serbo-malazezët kishin si piksynim të nënshtronin Hotin, me anën e një ekspedite ndëshkimore ushtarake, me qellim masakrimin e të gjithë atyre burrave (mashkujve të aftë për pushkë)… Realizimi i këtij qellimi ogurzi nuk ishte i lehtë pasi pjesa më e madhe e hotjanëve (trojeve nën Malin e Zi)  të aftë për armë ishin larguar nga shtepiat e tyre dhe ishin strehuar në trojet e Hotit në Shqipëri… Ushtria serbo-malazeze nuk kishte tager ta kalojnë kufirin, prandaj vendosën t’i  çojnë njerzit e vetë për të bisedua me hotën, dhe për t’i  bindin të kthehen në shtëpitë e veta duke u thënë: “Kthehuni në shtepiat tuaja në besë të Zotit e Savo Pjetrit.”. (Gjon Toma Berishaj,Deçiqi Krenaria e Malësisë, Tua 2009, fq.254). Por kjo “besë” siç dihet kishte qënë fatale, ndaj edhe sot thuhet për besëprerit, si “besa” e Savo Pjetrit…Ushtria serbo-malazez duke “shfrytëzuar” edhe ditën e festës të Krishtlindjes me “armën” e tyre “diplomatike”, pabesinë, mashtrimin e tradhtinë arritën që me daten 25 dhjetor 1919 të hynte në Hot, dhe nga familjet hotjane që i konsideronin si pengesat kryesore në arritjen e qellimeve të tyre shovene, të marrin peng qindra hotjanë. Dhjetra nga këta do ti ekzekutonin me 26 dhjetor 1919 në Qytezen e Hotit (në Drume të Borës), ndërsa qindra të tjerët, të lidhur duarsh do t’i dergonte në hapsanën e Podgoricës, ku shkjau u kishte “menduar” një vdekje më të ngadaltë, por më të mundimshme. Kam dëgjuar nga trashigimia gojore (por edhe e shkruar…) se numri i të vrarëve hotjanë në këtë masakër serbo-malazeze “varion” nga 64 deri në 74 hotjanë, (në mesin e tyre nga ndonjë trashigimi gojore thuhet se ishin edhe dy kastratas që kishin ndodhur në Hot si miq), ndërsa mendohet se u burgosen rreth 200 vetë… Hotjanët e ekzekutuar “akuzoheshin” për të vetmin “faj” pa faj se ishin shqiptar autokton që donin pa hile trojet e veta etnike, të cilat i kishin banuar të parët, që me krijimin e jetës njerzore në këtë cep të Europës e Ballkanit, kur siç shkruan në “Iliaden shqiptare” (Lahuten e Malcisë fq.105), patrioti i madh i pendë-artë i kombit shqiptar, At Gjergj Fishta, shkjetë serbo-malazezë në ato kohë endeshin:

“… Atje larg, po kah Urali ,  

nëpër ato breshta  t’larta,

sillej shkjau si shkerbe mali ,

tuj kerkue per molla t’tharta ,

kur  n’këto  vise të Ballkanit ,

të parë tonë Pellazgët  motit,

 ………………………………

Kishin ligje e frone të  mbara,

 e gjatë shtegut  t’qytetnimit ,

ishin shty ata larg përpara …

 

Në perkujtim e nderim të të vrarëve nga ushtria serbo-malazeze në Kushe Hot është ngritur një memorial me këta 31 emra:

Zef  Vuji  Junçaj, 

Zef  Vaseli  Junçaj, 

Gjeto  Luka  Junçaj, 

Bac  Elezi  Junçaj,   

Maç  Çuni Junçaj,

Tomë  Kola Junçaj,

Zog Alia  Junçaj, 

Zef  Marku Lajçaj,   

Gjon  Preka Lakaj,   

 Gjeto  Preka Lakaj,   

 Zef  Gjetja  Lakaj,   

Nikollë Gjetja  Lakaj,  

Gjon Mark Bori,  

Mark Haxhija, 

Lukë  Nikë  Anaj,   

Pretash Preka  Deçkaj,   

Gjon  Lulashi Deçkaj,   

Zef  Marku Deçkaj,   

Zef Mark Drekaj,   

Gjon  Preçi  Gjonaj,   

Pjetër Preçi Gjonaj,   

Lulash Zefi  Gjonaj, 

Gjeto Zefi Gjonaj, 

Martin  Keqi  Gjonaj,   

Gjon Nika  Pepaj,    

Prekë Gjoni Pepaj,   

Nikë  Gjoni Pepaj,   

Nikollë  Gjoni  Pepaj, 

Pjetër Gjekë Ujkvukaj,

Marash  Gjekë Ujkvukaj,   

Dodë  Prekë  Drekaj.  

Por në memorial ka mundësi  për t’u shënuar  edhe emra të tjerë të vertetuar si të rënë në këtë masaker.

Ngritja e memorialit në Kushe-Hot, me 31 emra të pushkatuarve nga serbo-malazezët me 26 dhjetor 1919, (edhe pse jo e plotë me emra), na kujton atë çfarë thoshte mbi një shekull më parë patrioti i madh Luigj  Gurakuqi: “Një popull që nderon burrat e vet, një popull që pavdekson kujtimin e tyre, jo vetëm ndër faqet e historisë, por edhe mbi rrasa e monumete, ai popull tregon se ka ndergjegje, ka ndjesi të holla, se e njeh mirësjelljen e ka dëshirë me u sjellë simbas shembullit të të mëdhenjëve dhe heronjëve të vet”.(Histori e Popullit Shqiptar, fq.343, Prishtinë 1969).. Duke dashur t’a mbyllë këtë kujtesë m’u kujtuan disa vargje nga “Lahuta e Malcisë”, vargje të cilët nuk po mundem pa i cituar:

“…E njaj gjak që kanë dikue,

bane Zot që t’jesë tue vlue
per m’i nxe zemren shqiptarit,

për kah vendi e gjuha e t’parit…”. ( At jergj Fishta, Lahuta e Malcisë, fq.60, Romë 1991)..

V00: Më hollësisht, madje edhe me disa emra të tjerë të vrarësh përveç 31 emrave të memorialit gjindet në librin tim me titull: “LUFTA E KOPLIKUT” 1920 DHE NGJARJET QË I PARAPRIJNË”, fq.51-61, botim i vitit 2020, nga ku “mora” me shkurtime këtë shkrim-kujtesë…

Në foto: Memoriali i ngritur në Kushe Hot në përkujtim të të vrarëve  nga ushtria serbo-malazeze…