Nikë Micakaj, trieshjani 32 – vjeçar, viktimë e regjimit komunist

0
652

Krimet e komunizmit

Gjekë Gjonaj

Komunistët shqiptarë  nuk  kursyen  nga pushkatimi  as   Nikë Marash  Micakaj, nga fshati Bëkaj i malit të Trieshit.  Mëkati i tij i vetëm , për të cilin u vra ,   ishte se e deshi  me gjithë shpirt shtetin amë –  Shqipërinë Etnike.

Këtë martir të demokracisë dhe lirisë, e vranë   forcat ushtarake komuniste shqiptare   pa  gjyq dhe pa faj në  moshën 32 – vjeçare në  muajin maj të vitit 1946,  diku rrënxë malit të  Deçiqit. Atij paraprakisht    ushtria komuniste i rrethon shtëpinë  dhe në befasi e arreston  në  Bardhaj,  vend  në brigjet e lumit Cem, në mes të Grabomit dhe Tamarës.   Familja  u vesh me të zeza  pasi u vra, para togës së pushkatimit   nga xhelatët komunistë të udhëhequr nga  famëkeqi  toger Baba,  ky  luftëtar trim i pamposhtur, i cili asnjëherë nuk u dorëzua  në rrugën e tij.  Ajo ditë mizore e 76 vjetëve më parë ,  ditë e zezë   e  majit 1946, do të mbetet plagë e rëndë e pashëruar përgjithmonë për familjarët, farefisin, Trieshin dhe krejt  Malësinë.

Trieshjani, Nikë Micakaj, i njohur në Kelmend  si Nikë Marash Ujka, ndërsa në vende tjera si Nikë dajaku,    i dashuruar     me Shqipërinë, ishte  ndër ata nacionalistë malësorë ( shqiptarë)  të angazhuar maksimalisht për bashkimin e trojeve  etnike.  Ishte   njëri prej atyre  burrave malësorë  që ishin betuar për të mos e lënë komunizmin të instalohej në Shqipëri, i bindur se   përfundimisht  kjo ideologji  do të ndrydhë  dhe do të shkatërrojë  personalitetin e njeriut.

Ky djalë i ri , e  patriot, për asnjë çast dhe asnjëherë nuk iu tremb kërcënimeve as të komunistëve  shqiptarë të  Enver Hoxhës, as atyre serbo-malazez të Josip Broz Titos, të cilët në atë kohë bashkëpunonin ngushtë  njëri me tjetrin  në    ushtrimin e dhunës, torturës   dhe ekzekutimit   pa gjyqe, të nacionalistëve  shqiptarë dhe familjeve të tyre të cilat nuk mbështesnin  regjimin  ( shtetin )  komunist.

Historia e këtij antikomunisti  nuk u mbyll me vrasjen e tij.  Eshtrat  i janë zhdukur ndoshta përgjithmonë.  Varri i këtij luftëtari trim   të  “ harruar”  nuk dihet as sot e kësaj dite, sikur i shumë malësorëve   të tjerë  të cilët derdhën  gjakun e tyre nga kriminelët e kuq, sepse e donin  Malësinë dhe Shqipërinë Etnike   të lirë dhe të çliruar  nga pushtuesit  komunist, të cilët interesoheshin vetëm për interesat dhe pozitat e tyre e jo për lirinë e tokave shqiptare.

 

Bazuar në  fakte dhe në dosjen familjare  Nikë Micakaj u lind në vitin   1914, në fshatin Bëkaj të Trieshit.  Ishte djali i dytë i prindërve,  Marash dhe  Katrinës( e lindur  Bojaj).  U rrit dhe u edukua  në një familje me ndjenja te larta kombëtare dhe burrërore.  Që në fëmijëri u brumos dhe  u formua, duke dëgjuar  rrëfime nga babai, gjyshi dhe axhët,  për trimërinë dhe bujarinë e  njohur në trojet shqiptare  të   vëllazërisë  së   Bëkajve të  Trieshit.  Qysh në rini  u shqua  nga  moshatarët  për trimëri  dhe zgjuarsi, por  edhe për talentin  që kishte për   qitje me armë zjarri.   Pikësynim kishte të arrijë  suksesin  e gjyshit, Ujkë Gjonit, i cili  e  bëri   popin e kishës serbe t’i mallkoj kuçasit pas disfatës që pësuan ata disa herë   në sulmet e tyre hakmarrëse  ndaj  fisit Micakaj. Arsyeja e këtij mallkimi ishte  frika e  secilit kuças që  nisej për t’u hakmarrë ndaj Micakajve se  do  të vritej.  Këtë  e dëshmon më së miri rapsodi popullor përmes këtyre vargjeve:

“…Ujk Gjon Cuku djal i ri

  • gjaqe la në shkijeni…”

Nikë Micakajn  në  vitin 1935 e mobilizojnë në ushtri. Si ushtar e  çojnë në Kotorr. Atje, gjatë kryerjes së shërbimit ushtarak,  takohet me një ushtar jugosllav,  të cilin e kishin transferuar (larguar)  nga  Kazerma  Ushtarake në fshatin  Poprat ( Triesh) , ku ai kishte vrarë  kushëririn e Nikës, Zef Purin Micakaj, në prag të derës së shtëpisë së tij.   Pas  një kohe ushtari vrasës,  fillon t’i  lavdërohet Nikës  se e ka vrarë një shqiptar, Zef Purin,  në vendlindjen e tij . Nika  me zemërim  të  thellë e mllef të madh i përgjigjet  rrëmbyeshëm: “ O katil  i pashpirt e mizor,   ti  paske vrarë vëllain tim.” Me shpejtësi nxori armën dhe e la ushtarin gjakatar të vdekur  në vend.  Me shkathtësinë dhe zhdërvjelltësinë që kishte  arriti    të ik dhe t’u shpëtoj  breshërive të plumbave të ushtarëve jugosllavë .    Së pari ndalet në Ulqin, prej ku shkon në Shkodër. Atje u bashkëngjitet çetave vullnetare  kryengritëse nacionaliste e antikomuniste të Malësisë së Madhe.

Ky pishtar i lirisë merr pjesë aktive me pushkë në dorë  në  kryengritjet   që u zhvilluan në Kelmend e  krahina tjera të Malësisë së Madhe  kundër forcave  të ndjekjes partizane jugosllave – shqiptare. Luftoi  me trimëri deri në vdekje për çlirimin e trojeve shqiptare nga kthetra komuniste, bashkë me  prijësin popullor të Kelmendit  dhe mbrojtësin e   kufijve  të Vermoshit  nga aspiratat serbo-malazeze, Prekë Calin dhe bashkëluftëtarët e tjerë trima e të paluhatshëm  në kryengritje,  në të cilën  u  dënuan me vdekje ( pushkatim), u vranë mizorisht , u burgosën dhe u shpërngulën në kampet e internimit  të Kavajës, të  Tepelenës, të Volçishtit, në burgjet e kampet e punës, më çnjerëzore që ka njohur historia.

Ky trim sypatrembur  dhe viktimë e regjimit komunist  duhet të mos harrohet kurrë nga populli  fisnik  i Malësisë së Madhe, e  as nga  historia e cila  do të duhej ta njohë si dëshmor e atdhedashës.