Nga çarteri të duken të gjithë shpifarakë

0
288

Nga Andi Bushati

Të gjithë ata që kanë dashur të dinë të vërtetën e Edi Ramës për 137 bredhjet e tij me avion taksi nëpër botë edhe nëse kanë tentuar të kuptojnë kanë mbetur më të pasqaruar pasi kanë lexuar alibitë e kryeministrit. Unë isha njëri prej tyre. I mbytur nga kakofonia e shifrave shpesh të fryra dhe shpesh qëllimkeqe, u kuriozova të shoh se ç’thoshte vetë i zoti i punës.

E pashë me durim deri në fund fjalën e tij para militantëve socialistë të Bulqizës, vërejta se si nxori nga xhepi i pasëm i pantallonave, një letër si të grisur nga defteri i një qoftexhiu dhe lexoi prej saj dy tre shifra, pa publikuar asnjë faturë, pa bërë transparent asnjë bilanc zyrtar dhe pa detajuar asnjë udhtim. Pastaj me të njëjtën lehtësi e rifuti atë kartë të zhubrosur në xhepin prej nga e kishte marrë dhe filloi të shajë Berishën “non grata” dhe “shpifarak”, opozitën e rublave, Metën që përpos gënjeshtar është dhe spinun, gazetarët gjobaxhinj që flasin për çarterin e tij në banaqet e mbrëmjes dhe prokurorët e Tiranës që nuk i rasin në burg të gjithë këta së bashku.

Duke e dëgjuar mendimi i parë që të shkonte në mendje qe: ore ç’ka në këtë rast me Berishën, Metën apo ndonjë media kritike? Të kishte qenë për ta dhe jo për hakerat iranianë, 137 fluturimet e tij do të kishin mbetur ende pa zbuluar. Ata mund të kenë abuzuar me shifrat, mund edhe ti kenë fryrë ato, por problemi nuk është ky. Pikërisht për ta zhbërë këtë abuzim edhe nëse ka një të tillë, politikanët seriozë në vendet me demokraci të konsoliduar sillen krejt ndryshe.
Kështu mund të kishte vepruar dhe Rama. Ai fillimisht mund të shpjegonte se si qeverisjes së tij dixhitale i kanë dalë në pazar të gjitha ndërresat e palara të shtëpisë. Se deri në ç’pikë piratët informatikë kanë vjedhur të dhënat dhe sekretet tona. Dhe pasi të zhvishej nga kjo përgjegjësi, pa fjalime, pa sharje, pa romuze, le të publikonte ato 137 fatura me çmimet dhe aeroportet përkatëse, në mënyrë që të shfrynte përmes transparencës, të gjithë thashethemnajën.

Por, në vend të kësaj sjelljeje normale, prej njeriu të përgjegjshëm që është i bindur në pastërtinë e tij, Rama e shiti veten për një star, të cilit i kishte rënë mbi supe edhe bara e vështire e promovimit të linjës së re ajrore kombëtare. Pra ai i paskësh hipur “Ismailit”, jo për komoditetin e vet, por për ti bërë reklamë “Air Albania”.

Nërkohë që ai këpuste këto broçkulla salla e bulqizakëve socislistë brohoriste.

Por e keqja qe se me të njëjtën emfazë prej tifozi i kishin përshkruar alibitë e Ramës edhe pjesa më e madhe e mediave. Në shumicën e titujve të tyre nuk gjendej asnjë factcheck për vërtetësinë e pretendimeve të kryeministrit, por ato ishin të mbushura me epitetet “hjenë”, “shpifarak” “spiun”, “rublaxhi”, “gjobaxhi”.

Pra edhe për ato, ashtu si për Ramën, i rëndësishëm ishte dizenjimi i armikut të radhës, qoftë ky politikan, gazetar apo prokuror dhe jo zbulimi i së vërtetës.

Vetëm po të vëzhgosh mënyrën se si u pasqyrua nga shtypi dhe TV-të mbrojtja, në dukje fëmijënore e Ramës, arrin të kuptosh se përse kryeministri i ka dhënë fund detyrimit për llogaridhënie, shpjegimit me fakte, përgjigjes me prova ndaj akuzave. Sepse kjo lloj sjelljeje ekziston vetëm në sistemet demokratike. Ndërsa në ato si ky yni, boll të prodhosh sharje e shpifje, ti shumfishosh ato përmes makinersisë të stërmadhe të propgandës dhe askush nuk do të kujtohet më për të vërtetën.

Edi Rama nuk është as i pa ditur dhe as i pazoti, që nuk tenton të bindë me prova, ai e di se ka ngritur një fabrikë manipulimi të aftë për të mbjellë urrejtje dhe për të ndarë shoqërinë në “ne” dhe “ata”.

Prandaj, për skandalin e 137 fluturimeve me çarter, ai nuk ndjeu as përgjegjësinë më të vogël për të bërë transparencë.

Prandaj ai nuk pati preokupimin e llogaridhënies për ata taksapaguees që nuk janë as me të, as me opozitën, por thjeshtë duan të dinë se si qeverisen.

Në vend të këtij normaliteti ai ofroi cirkun e përhershëm, me fjalor të shfrenuar dhe armik të përcaktuar.

Kjo shpërfillje ndaj së vërtetës është linja me të cilën ka zgjedhur të sundojë.

Dhe për sa kohë që do ti funksionojë, ai do vazhdojë të fluturojë në ajër me paratë tona, duke i pështyrë si “shpifarakë” dhe “hjena”, ata që e bezdisin poshtë në tokë./Lapsi.al/