NEW YORK/UN : Përfaqësuesi i ri i Përhershëm i Shqipërisë dorëzon letrat kredenciale

0
454
Nga Beqir SINA Nju Jork
UN: Pas pesë vitesh shërbim, si Shefe e misionit të Shqipërisë në Kombet e Bashkuara, Ambasadorja Besiana Kadare, Përfaqësuesja e Përhershme e Republikës së Shqipërisë në Kombet e Bashkuara, bën një takim lamtumire me Sekretarin e Përgjithshëm António Guterres.
Ambasadoria Besiana Kadare, shkroi javën e kaluar në Twitter, para se të largohej për të marrë postin e Ambasadores në UNESCO : ” Sot pata nderin t’i jap lamtumirën Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së zotit Antonio Guterres.
” E falënderova për bashkëpunimin tonë të shkëlqyer dhe shpreha mbështetjen e Shqipërisë për raportin e tij ambicioz dhe vizionar mbi “axhendën tonë të përbashkët” dhe të ardhmen e bashkëpunimit global.” shkroi në Twitter, Kadare duke thënë “Multilateralizmi ka rëndësi dhe Imazhi Shqipërisë në OKB.”
Kurse, Përfaqësuesi i ri i Përhershëm i Shqipërisë në Kombet e Bashkuara, Ferit Hoxha, i dorëzoi dje letrat kredenciale Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, António Guterres.
Përpara emërimit të tij të fundit, z. Hoxha ishte ambasador dhe delegat i përhershëm i vendit të tij në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO) në Paris që nga marsi 2018 deri në tetor 2021.
Ambasadori i karjeres Ekselenca e tij, Hoxha, më parë shërbeu si Drejtor i Përgjithshëm për Çështjet Politike dhe Strategjike në Ministrinë e Evropës dhe Punëve të Jashtme të Shqipërisë nga nëntori 2015 deri në mars 2018.
Ai ishte Përfaqësues i Përhershëm në Kombet e Bashkuara në Nju Jork dhe ambasador jorezident në Kubë nga viti 2009 deri në vitin 2015.
Z. Hoxha ka shërbyer edhe si Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme nga viti 2006 deri në vitin 2009, kohë gjatë së cilës ai përfaqësoi Shqipërinë në Bordin e Guvernatorëve të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) nga viti 2007 deri në 2008.
Ai ishte ambasador në Francë dhe ambasador jorezident në Portugali, Algjeri dhe Monako nga 2001 deri në 2006; Ambasador në Bashkimin Evropian dhe Belgjikë, si dhe ambasador jorezident në Luksemburg nga viti 1998 deri në 2001; dhe Drejtor për Marrëdhënie Shumëpalëshe në Ministrinë e Jashtme nga viti 1996 deri në vitin 1998.
Në vitin 1995, z. Hoxha ishte këshilltar në Misionin e Përhershëm të vendit të tij në Kombet e Bashkuara në Nju Jork.
I diplomuar në Universitetin e Tiranës në Shqipëri, ai studioi gjithashtu në Institutin Holandez të Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Hagë, si dhe në Qendrën për Studime Ndërkombëtare dhe të Sigurisë në Universitetin e Maryland, Universitetin Georgetown dhe Universitetin e Kalifornisë në Shtetet e Bashkuara.