NË VEND TË NJË URIMI, HISTORI “RRUGËTIMI” E VITIT TË RI.

0
509

NGA NDUE BACAJ
Festa e vitit të ri, që festojmë sot, së bashku me dokumentin që shënon kohën, (kalendarin) që prej mijëra vitesh kanë kaluar nëpër rrugët e një evolucioni të gjatë ndryshimesh, sipas popujve, vendeve e sundimtarëve të ndryshëm. Para mijëra vitesh në shumë vende të botës, viti i ri konsiderohej i lidhur me fenomenet e natyrës, si me vërshimin e lumenjve në Egjiptin e lashtë, etj., me pjekjen e arrave te aztekët e Amerikës, në bazë të lëvizjes hënore tek hebrenjtë e disa popuj aziatikë si kinezët e më gjërë. Por dita (më interesante) e fillimit të vitit të ri paraqitej tek romakët të cilët e festonin ditën e ekuinoksit, më 25 mars. E ndërsa në disa popuj të kohës (në Europë) fillimi i vitit të ri konsiderohej edhe 1 marsi, pra fillimi i pranverës etj. Të gjitha këto ndryshime për fillimin e vitit të ri u shoqëruan me “kalendarët” e kohëve, ku më interesanti mbetet ai i zbuluari në një tempull të vjetër në Meksikë në vitin 1790, që njihet si kalendari aztek, dhe është i gdhendur si një cilindër graniti me diametër 4 metër dhe peshë 250 kv. Në këtë kalendar një shekull shënohej me 52 vjet, ndërsa dy “shekuj” shënoheshin një epokë. Në vitet 715-672 para lindjes së Krishtit, mbreti romak Numa Pompili përpiloi kalendarin e parë romak që shënonte kohën, madje edhe vetë fjala kalendar e ka prejardhjen nga latinishtja kalendarum, që do të thotë të mbledhësh, të thërrasësh… Gjithsesi, viti 153 para Krishtit shënon festimin e parë të fillimit të vitit. Duke qenë se vitet e brishta atëhere konsideroheshin në çdo tre vjetë e jo si sot në çdo katër vjet, u bënë gabime të cilat u mundua t’i korrigjonte perandori romak Jul Qezari, i cili i vuri muajit korrik emrin e tij Juli, dhe ndërtoi kalendarin e njohur me emrin e tij, kalendarin Julian, i cili kishte një jetë mjaft të gjatë ndër popuj e vende… Për shumë shekuj pas lindjes së Krishtit festimet e vitit të ri dhe festave të tjera u bënë sipas kalendarit Julian, i cili mbështetej në lëvizjet hënore, duke pasur spostime ditësh e datash. E ndërsa kalendarët ndryshonin, u desh të vinte viti 1582, kur Papa Gregori XIII nga Selia e Shenjtë në Romë vuri në funksion kalendarin e saktë që përdorim sot, dhe ky kalendar që atëherë njihet me emrin kalendari Gregorian. Besimtarët katolikë dhe shtetet me dominancë të tillë menjëherë filluan të zbatojnë këtë kalendar që kemi sot, ndërsa disa shtete me popullsi kristiane, por me besim ortodoks apo protestan e pranuan shumë më vonë kalendarin e ri Gregorian… Për shembull Gjermania e pranoi në vitin 1700, Britania e Madhe në vitin 1752, vendet nordike (Suedia) në vitin 1753, Japonia në vitin 1873, Kina në vitin 1912, ndërsa Rusia ortodokse mori vendim ta njohë këtë kalendar në vitin 1918, por që nën presonin e kishës u tërhoq, duke bërë që ta rikthejë zyrtarisht në vitin 1924, por që kisha e saj edhe sot vazhdon të “punojë” me kalendarin e vjetër Julian… Gjithsesi viti 1924 shënon zyrtarisht njohjen dhe zbatimin e kalendarit Gregorian që kemi sot nga thuajse e gjithë bota e civilizuar, duke përfshirë edhe atë Islame, e cila fillimisht kishte njëfarë stepjeje pasi paragjykohej një janari si dita e regjistrimit zyrtarisht të Jezus Krishtit, dhe kalendari ishte mbi motive kristiane, por që sot është sqaruar gjithçka dhe kemi siç thamë një kalendar të përbashkët. Është interesant të thuhet se në Shqipëri kalendari i sotëm u përhap së pari në zonat katolike të Veriut të Shqipërisë nga Kisha Katolike, që në vitin 1590, por mbetet “enigma” kundërshtimi i popullsisë së Mirditës për kalendarin Gregorian në vitin 1610. Shqipëria si shtet e njohu zyrtarisht kalendarin që kemi sot, pas çlirimit nga pushtuesit shumëshekullorë turko-osman, konkretisht në vitin 1914… GJITHSESI GËZUAR VITIN E RI 2022…