NË VEND TË NJË BUQETE ME LULE, (TE VORRI I MUNGUAR), PËR DILINDJEN E AT GJERGJ FISHTES.

0
329

Nga Ndue  BACAJ

Si sot 150 vite më parë, me 23 tetor te vitin 1871 në Fishtë  të Zadrimes ose në Sapen e Shenjt historike , në shtëpinë plot atdhedashuri e filiza të njomë, (femijë), të Ndokë Simon Ndocit  dhe bashkeshortes së tij Prenda Lazri u dëgjua e qara e një fëmije që po vinte në jetë. Ai fëmijë që i shtohej “grigjës” katolike në zgrip të mbijetesës, do të pagëzohej nga famulltari i njohur arbëresh  Leonard de Martini me emrin  Zef. Zefi i sapo lindur nuk ishte i pari mashkull në trollin e njohun , por si çdo pinjoll i ri në rrajë të vjetra  mban e përtrinë trungun e degët e tij dhe u jep rranjëve sigurinë e jetës , e cila  vijon deri sa  ato të kenë kujt me ia dikue  limfen e tokës nanë…. Pas shkollimit e edukimit Zefi “shekullar” do të merrte emrin fetar, Gjergj.  At Gjergj Fishta , emër i cili do të bëhej simboli i binomit jetdhënes të shqiptarisë FE dhe ATDHE. At Gjergji me punën,  perkushtimin e vepren e tij do të shquhej si kolos i mendimit e veprimit. Poet , publicist , diplomat, filozof, psikolog, dijetar, fetar  e mbi  të gjitha Patriot i  madh pendartë i kombit shqiptar,  patriotizmin  e të cilit e gjejmë të memorizuar në çdo hap të jetes , në çdo varg të rreth  50.000 vargjeve të tij poetike dhe në mbi  700 faqe në prozë , në mediat  e shkruara  ,  në parlament , në poltikën shqiptare të kohes , në konfernca  e  perfaqësime dinjitoze zyrtare e jozyrtare , kombëtare e nderkombëtare  të Shqipërisë etj… “Homeri” shqiptar, poeti kombëtar At Gjergj Fishta, vepren e tij madhore , “Iliaden” shqiptare, “Lahuta e Malcisë” e “vendosi” në djepin ku lindi, u rrit e vijon të “mbijetojë” vegla muzikore me të njëjtin emër (Lahuta), që shoqëroi jetën e malësorëve në ditë të mira e të vështira. At Gjergji në vepren e tij “Lahuta së Malcisë”, perjetësoi e memorizoi historinë patriotike, legjendare , trimërore, shpesh edhe tragjike por krenare  të Malësorëve e  shqiptarëve. Histori, të cilën malësorët e shqiptarët e shkruan me pendë e pushkë … Kjo histori e trojeve shqiptare të Malësisë së Madhe tregon se nuk ka gur, shkëmb, mal, kodër apo fushë  që të mos jenë larë me gjakun e malësorëve e shqiptarëve ndër mote e shekuj, në mbrojtje te lirisë e trojeve tona. Në vargjet e “Iliadës” shqiptare, “Lahuta së Malcisë” , perveç  memorizimit të trimërisë, urtësisë, heroizmit dhe protagonistëve me emra të kësaj historie , ajo  “ruan” të freskët gjakun e derdhur për këto troje, gjak që siç thonë malësorët , rrinë tuj vlue duke mos lejuar kurrë që ky gjak të bëhet ujë…

Unë si malësor që “fati”më ka mundësuar të shkruaj…, jam përpjekur që me rastin e 150 vjetorit të lindjes të At Gjergj Fishtës  të botoi një monografi me titull: “At Gjergj Fishta, patriot i madh, pendarti i kombit shqiptar” (Në vend të një memorial inga një malësor). Sponsorizimin e botimit të kësaj monografie e ka bërë Shoqata Atdhetare “Malësia e Madhe” Michigan-SHBA, të cilën i falnderoj përzemersisht, Ndersa në këtë pervjetor Këshilli i Bashkisë Malësi e Madhe me propozim të kryetarit të kësaj Bashkie z.Tonin Marinaj i ka dhënë At Gjergj Fishtës titullin: QYTETAR NDERI I BASHKISË MALËSI E MADHE, titull që shpresoj të jenë fillimi i nderimit e memorizimit të emrit e vepres të Gjergj Fishtës, në trojet e Lahutëes…

Ndersa unë ditlindjen e 150 të At Fishtës (23 tetorin 2021), mendova t’a  “përshendes” me poezinë brilante plot afsh atdhedashurie, të  At Gjergj Fishtes me titull Atdheu, poezi e “shkëputur” nga libri me poezi Mrizi i Zanave.

 

 ATDHEUT

N’ty mendoj kur agon drita,

Kur bylbyli madhshem këndon,

N’ty mendoj kur soset dita,

Terri botë kur e mblon.

Veç se ty të shoh un n’anderr,

Veç se ty, çuet, t’kam n’mendin:

 Ndër t’vështira ti m’je qanderr,

Per ty i lehtë m’vjen çdo ndeshkim.

Tjera brigje, fusha e zalle

Un kam pa, larg tue ba shtek,

E pergjova tjera valle,

N’tjera lule syni m’u rrek;

Por nji fushë ma e blerët nuk shtrohet,

Por nji mal ma bukur s’rri,

Ma i kulluet nji lum s’dikohet,

Moj Shqipni , porsi i ke ti.

N’ty ma i bukur lulzon Prilli ,

Janë ma t’kandshme  stinë e mot;

N’ty bylbyli pa lê dielli

Këndon ma ambël t’Madhit Zot.

Pa ty lules s’mi vjen era ,

Pa ty pema frut nuk m’bjen;

Mue pa ty nuk m’del prandvera ,

Pa ty dielli nuk m’shkelxen.

Dersa t’mundem me ligjërue ,

E sa gjallë me frymë unë jam,

Kurr Shqipni skam me t’harrue ,

Edhe n’vorr me t’permend kam.

At Gjergj Fishta ditlindja dhe vepra jote u kujtoftë e nderoftë sa të kenë kambë shqiptari në trojet etnike shqiptare e kudo ku ka shqiptar nëpër botë.

Malësi e Madhe me 23 tetor 2021