NË PËRKUJTIM TË 134 VJETORIT TË LINDJES TË AT ANTON HARAPIT

0
465

PAK NGA CURRICULUMI I AT ANTON HARAPIT(5 JANAR 1888-5 JANAR 2022):
Nga Ndue BACAJ
At Anton Harapi lindi në Shirokë-Shkodër, me 5 janar 1888, me babë Loron dhe nënë Çile Koliqin. Pasi lindi u pagëa me emrin Gaspër. Në moshë të re bashkë me të vëllanë, Markun hynë në kolegjin e jezuitëve ku kreu mësimet fillore. Gaspri shekullar (apo Antoni i më vonshëm famulltar), vijoj klasët e gjimnazit të ulët në kolegjin e françeskanëve. Rezultatet e larta në shkollë i mundësuan të vijojë klasët e epërta në Salzburg, e mandej Schwaz e Villach të Tirolit të Austrisë, si dhe studimet teologjike në Romë. Në vitin 1910 kthehet në atdhe dhe shugurohet meshtar duke përmbushur kushtet e mbrame të Urdhrit Françeskan. Gjatë tetorit të vitit 1912 deri në prill 1913 kur Shkodra ishte e rrethuar nga trupat malaziase e serbe, i përkushtohet shërbesave fetare dhe njerëzore në kishën “Zoja Rruzare” në Arrën e Madhe në Shkodër, ku ishte edhe Kuvendi Françeskan. Më 1916 në Dukagjin ra kolera, At Anton Harapi shkoi të sherbej në Dukagjin. Ndersa në dy vitet e fundit të Luftës së Parë Botërore At Antoni ishte famullitar në Grudë të Malsísë së Madhe,(ku atje kishte shperthye gripi spanjol). At Antoni si nacionalist në nëntor 1918, ndihmon organizimin e krerëve e prijësve të Hotit, Grudës e Trieshit dhe ulet me ta në Shkodër, ku dorëzojnë memorandumin, që kerkonte ribashkimin e këtyre trojeve shqitare të ketyre trevave me nanën Shqipni, të ndarë padrejtësisht nga Eurpoa plakë. Memorandumin ia dorzuan në Shkodër me 14 nëntor 1918, komandantit francez në Shkodër, në bashkëpunim edhe me Gurakuqin dhe Fishtën… Memorandumi u drejtohej; Konferencës së Paqes në Paris, ministrave të Jashtëm të SHBA-së, Anglisë, Francës dhe Italisë. Në mars-prill të 1923 merr pjesë si përfaqësues i françeskanëve me të rinjët Ernest Koliqi dhe Zef Harapi të shoqërisë “Rozafa” dhe “Bogdani” gjegjësisht, në takimin që formoi grupimin “Ora e Maleve”, qe bashkëpunëtor dhe nismëtar i botimit të fletores me të njëjtin emër, që rregullisht filloi të nxirrte grupi në fjalë. Emërohet drejtor i kolegjit françeskan më 1923. Mbasi përkrahte Gurakuqin në pjesëmarrjen e tij tek Lëvizja e qershorit, me fitoren e Legalitetit më dt. 24 dhjetor 1924 arrestohet dhe burgoset për disa kohë. I tërhequr nga politika, vazhdoi të japë mësim në liceun “Illyricum” (ku më vonë u emërua drejtor) dhe mësimdhënës në Shkollën Normale Femrore të Motrave Stigmatine po në Shkodër. Në harkun kohor të viteve 1930-1936 është drejtor i “Hyllit të Dritës. Ai kishte qënë bashkëpuntor me shkrime e drejtues në “Posta e Shqypnisë” dhe më tej tek “Zani i Shna Ndout” ku për shtatë vite mbuloi rubrikën me mendime filozofike popullore “Thana e thasha”. Gjatë vitit 1936 do të dërgohej në Korçë i kërkuar nga intelektualët, ku edhe do të shquhej në bisedat filozofike me ta..Më1937 kreu shërbimin e fundit famullitar në Bajzë të Kastratit. (https://sq.wikipedia.org/wiki/Anton_Harapi)
“TAKIMET” E MIA ME AT ANTON HARAPIN DHE VEPREN E TIJ”!
Për herë të parë unë me At Anton Harapin jam “takuar” në Shkodër, në Muzeun e shpërfytyrimit shpirtëror të shqiptarëve që komunizma e quante Muzeu Ateist. Unë atëherë isha ende adoleshent për të kuptuar këtë “takim” timin me përfaqësuesin më sinjifikativ të klerit katolik që për shekuj ishte bërë simboli jetëdhënës i shqiptarizmës nëpërmjet binomit Fe e Atdhe. Atëherë nga ky “takim” “mora” me vete fotografinë e At Anton Harapit, fotografi që e paraqiste para gjyqit komunist, madje si sukses të organeve të diktaturës që e kishin kapur, dënuar e pushkatuar. Dhe motivacioni i këtij “suksesi” ishte mjaft drithërues, pasi Ati ishte akuzuar si tradhëtar i Atdheut dhe bashkëpunëtor i fashizmit. Për në atë moshë që unë isha atëhere (nga ky takim i organizuar nga shkolla e “kuqe”) ishte disi e natyrshme që ky takim t’i drejtohej harresës, duke u mbytur nga propaganda komunisto-ateiste që kishte pushtuar çdo cep të jetës shqiptare. Por për kundër kësaj me mua duket se nuk ndodhi kështu, pasi sytë e lodhur, por jo të përulur të At Antonit m’u fiksuan në mendjen e shpirtin tim, për të mos u larguar kurrë, madje ata sy më dukej se duke u rritur fizikisht e shpirtërisht unë, rriteshin e më shoqëronin në heshtje në tërë aktivitetin e ndërgjegjes sime. Se sa mësova për At Antonin para viteve 1990 një Zot e di, por gjithnjë si burim të parë kisha disa rrëfenjëza që m’i tregonte babai im me zë të ulët, por edhe ndonjë copëz e shkrimeve të ruajtura me fanatizëm nga besimtarë të heshtur, por besnikë të besimit e qytetërimit që predikonte At A.Harapi. “Takimi” im i dytë me At Antonin erdhi pas viteve 1990, kur komunizma antifetare e antiatdhetare u rrëzua nga pushteti, e në vend të saj “erdhi” pluralizmi e demokracia që duhej t’a vlerësonin këta atdhetar e fetar shqiptar që u martirizuan për të mbijetuar Shqipëria Europerendimore.. Gjithsesi në mes vlerësimeve maksimale nga autoritetet shtetërore e qeveritare, lokale e qëndrore, për At Anton Harapin thuajse mungon gjithçka, edhe për këtë “harresë” që vjen erë e reminishencave të kaluara ka edhe një heshtje jo shumë të kuptueshme edhe nga Autoritetet e Kishës Katolike, të cilët mjerisht At Antonin nuk e përfshinin në procedurat e Kanonizimit të 38 martirëve të Kishës Katolike, (tashma të lumnuar e shpallur shenjëtor nga Selia e Shenjte, që me 5 nëntor 2016)… Pa dyshim pas viteve 1990 At Anton Harapi dhe vepra e tij për Fe e Atdhe është e lirë të njihet nga të gjithë shqiptarët. Në pergjithësi vepra e At Antonit permbidhet në librat “Valë mbi Valë” ,”Andrra e Pretashit” (libra që u kushtohen viseve të malesisë Madhe dhe banoreve të saj me në “krye” Gruden) ,si dhe “Kulla e Babelit” në të cilën është memorizua një filozofi e vërtetë shpirtërore që lëvrohet nëpërmjet kritikave, polemikave, ligjëratave dhe fjalimeve të ndryshme kur ishte deputet, dhe në auditoret e ndryshme në Shqipëri (deri në Korçë) e jashtë saj. Kurdo fjala e At Antonit të ngazëllen e mbush me krenari fetare e kombëtare për zhvillimin e qytetërimit eurokristian të cilit i përkasim. Kushdo që ti lexojë këto mund të thotë pa frikë se meshtari i pashoq At A. Harapi është predikuesi më i shkëlqyer i binomit të pavdekshëm të shqiptarizmës Fe e Atdhe… Ku pjesa më e madhe e kësaj vepre është publikuar nga revistat e kohës, kryesisht nga “Hylli i Dritës”. Mejithë këtë martirizimi i At Antoni u bë nga komunistët e pa Fe e Atdhe, sepse At Antoni ishte vet shpirti e filozofia e binomit nacionalist Fe e Atdhe… At Antonit me kapitullimin e Italisë fashiste Mehdi bej Frashëri i kishte paraqitur propozimin për t’u bërë përfaqësues i katolikëve në Këshillin e Naltë të Regjencës që do mbushte boshllëkun qeverisës të lënë. Fillimisht At Antoni nuk pranon duke qenë e papërputhshme me të qënit e tij klerik, ngase një post e tillë mund ta çonte në firmosjen e dënimeve me vdekje, dhe se nuk mund të pranonte pa lejen e eprorëve. Për këtë arsye Asamblea i bëri një telegram Selisë së Shenjtë duke i kërkuar që t’i jepte leje Át Anton Harapit që të marrë pjesë në këtë Këshill të përkohshëm. Selia e Shenjtë ia dha lejen Patër Antonit që të merrte pjesë dhe të ishte anëtar i Këshillit të Regjencës, por me kushtin e paravendosur nga frati që mos të nënshkruante asnjë vendim me vdekje. (https://sq.wikipedia.org/wiki/Anton_Harapi). Pas kësaj e 13 shtator 1943 At Anton Harapi emërohet anëtar i Këshillit të Regjencës, ku ka qëndruar deri në fund të vitit 1944. Patër Anton Harapi në fjalimin e tij me rastin e betimit si anëtar i Këshillit të Naltë, u shpreh: “Më rrenë mendja se nuk ka zog shqiptari, qi të mendojë se unë e mora ketë barrë për kulltuk, për interesë a për ndonji intrigë. Mundet veç me drashtë ndokush mos qe ndonji maní e emja qi më shtyni deri këtu. Edhe un po u a vërtetoj fjalën dhe po u thom se po: manija e Shqipnís, po, qe ajo qi më vuni dilemën: a me anarkista për të ba gjak, ase me hjekun dorë prej çashtjes kombtare. Dhe mbassi shpirti nuk m’a tha të baj as njenën, as tjetrën, qeshë i shtërnguem të zgjedhi njenën dysh: a të baj nji marrí tue e pranue ketë zyrë, ase të tregoj nji dobsí tue u largue. Vendova ma mirë të baj nji marrí: ase sikurse thonë ata shqiptarë qi duen të ruhen të pastër – desha të komprometohem”. (Fjalimi i Shkruar i Anton Harapit O.F.M., publikohet në “Hylli i Dritës”, 1944 (XX), nr 1, fq. 6). At Antoni shkoi në regjencë me mendimin e mirë për t’i shërbyer mbarëvajtjes së kombit. Ai këtë e bëri se ishte shumë atdhetar dhe i përkushtuar në të gjitha veprimet e tij në të mirën e kombit. Ai me veprimet e tij nuk ka pasur asnjë mendim karrierizmi, apo përfitimi personal… është fakt se më shumë e kanë kërkuar të tjerët me u marrë me këtë punë, se ka dashur vetë atë detyrë…” (Konrad Gjolajt me titull “Çinarët” në faqen 62). At Antoni nuk ka qenë kurrë anëtar i Partive Nazi-fashiste. Madje bërja realitet e bashkimit të shumë trevave të Shqipërisë Etnike ishte mjaft joshës për çdo nacionalist të vërtetë. (Ndëkohë të mos harrojmë se anëtarë të Partisë Fashiste në fillim kanë qenë edhe shumë “personalitete” të vetë komunistëve duke përfshirë edhe Nexhmije Xhunglinin (Hoxhen), Ramiz Alinë, etj.. Gjatë regjencës At Anton Harapi ka influencuar që shumë hebrenjve tu jepej shtetësia dhe pasaporta shqiptare. Madje kur nazistët ishin të fuqishëm dhe filluan të vrisnin komunistët ishte vetë At Antoni që shkoi tek Xhafer Deva dhe I tha: “Mjaft mos vrisni ma, se janë vëllaznit tanë e s’duhet me veprue kështu…” (Konrad Gjolaj, “Çinarët” fq. 63). Dhe komunistët ia “shpërblejnë” me gjyqin special , ku At Antonin e dënojnë me pushkatim së bashku me Lef Nosin e Maliq Bushatin , denim që e zbatojnë me 20 shkurt 1946 , në një fshatë të Tiranes ,ku e pushkatojnë dhe e lënë pa varr sot e asaj dite..Pa dyshim moslargimi i At Antonit nga Shqipëria (këtë mundësi e kishte për të ikë me gjermanët si ikën disa të tjerë) tregon pastërtinë e figurës së tij, në të cilën kishte besim se çfarëdo të bëhej ai nuk i kishte bërë keq as atdheut dhe askujt. Ndonëse përkohësisht shkon në Pult (Dukagjin), ku edhe arrestohet pabesisht nga forcat e ndjekjes. Sipas dokumenteve të kohës të shënuar në librin e sipërcituar të At Konrrad Gjolajt, del se gjykata që dënoi At Antonin përbëhej nga Kryetari, Major Irakli Bozo; anëtarë Major Tonin Jakova dhe Major Gjon Bushati; Prokuror Major Misto Treska. Qëndresa burrërore e At Antonit befasoi disi egërsirat komuniste, kur nga salla e gjyqit deklaroi: “Shqipnia u fitua me gjak, me gjak edhe po mbahet e robnueme. Do të vijë dita me paqe e drejtësi do të fitohet”. Por edhe para kësaj At Antoni kishte paralajmëruar gjëmën komuniste që po vinte nga lindja sllave, madje krahasimin e bënte me ditët e luftës civile në Spanjë (1937), ku ndër të tjera thoshte: “… Në Spanjë për sa u qe e mundur komunistëve, rrënuan çdo gjë të artit, kulturës e shkencës njerëzore. Çdo çast mbytën tufa-tufa shekullarësh, vetëm pse janë të krishterë të mirë. Prandaj asnjë shtet që e kupton përgjegjësinë e vet, nuk duhet me ndejë, pse çka sot në Spanjë po ndodh, do të ndodhë nesër në kombet e tjera…”. Ndërsa “filozofisë” përçarëse të komunistëve gjatë luftës (civile) të “çlirimit” u kishte vënë ligjëratën e tij që në korrik 1944, që thoshte: “Nuk shpëton, jo sot as xhamija pa kishën, as kisha pa xhaminë, por as njëra as tjetra pa Shqipërinë…”. Natyrisht Enver Hoxha si produkt i armiqve shekullorë të shqiptarëve (sllavëve të Jugut fqinj e të tjerë) e kishte mësuar nga padronët e tij se një ndër pengesat e instalimit të ideologjisë komuniste në Shqipëri ishte Kleri në përgjithësi e ai katolik në veçanti, ku për këtë E.Hoxha shkruan: “… Meqenëse Katoliçizmi shqiptar, dhe në veçanti kleri, ishin pengesa të mëdha për triumfin e Komunizmit në Shqipëri, qeveria nuk do të kursente asnjë përpjekje për t’i shpartalluar ata…”. Pasojat e kësaj politike të komunistëve dihen, që nga pushkatimi e burgosja e klerit katolik e tjerë si dhe mbyllja e shkatërrimi i të gjitha objekteve të kultit e institucioneve përkatëse edhe pse monumente me histori qytetrimi e autoktonie. Pra shqip, tek ne duhej me çdo kusht të bjerrej besimi tek Zoti, ose siç thoshte At Antoni: “… Kur besimi në Zotin nisë e dobësohet te një popull, atëherë përgatitu të shikosh rënien e tij…”. Por për At Anton Harapin kishte edhe një arsye më shumë që të dënohej e pushkatohej nga komunistët shqiptarë, pasi ishte edhe porosi e emisarëve jugosllavë, ku si dëshmi vjen ajo e sekretares pesonale të Enver Hoxhës, që kryente edhe punën e përkthyeses në lidhje me Ambasadën Jugosllave në Tiranë. Një ditë kur kishte ardhur tek Enveri ambasadori jugosllav, Enveri me gëzim e kreni i tregon atij: “E mbytëm Padër Anton Harapin, e me këtë kemi plagosur për vdekje klerin katolik!” Diplomati serb i është përgjigjur: “Po, po! Por keni ende gjallë Pader Gjon Shllakun i cili peshon shumë. Duhet simbas porosisë që kam prej qeverisë sime të zhdukni Shllakun dhe të shkatërroni kulm e themel çerdhen e Klerit Katolik në Shkodër, me në krye Françeskanët.” (Konrad Gjolaj, “Çinarët” fq. 87-88). Gjithsesi për të përkujtuar disi At Anton Harapin unë po i drejtohem disa fragmenteve të ligjëratave të tij, të cilat jo vetëm kishin vlera të papërsëritëshme për ato kohë, por këto vlera ruajnë rëndësinë e tyre sot dhe mot, madje duke i lexuar të duken sikur i ka thënë e shkruar një shqiptar e fetar i madh që jeton pikërisht në shekullin XXI. Po e filloj me ligjëratën e parë me titull “Ideali i Krishterë”, ku ndër të tjera thuhet: “… Kanë kaluar 1900 vjet që kurse një njeri tha: Unë jam udha, unë jam e vërteta, e vetmja metodë për të gjetur të vërtetën, i vetmi sistem për të siguruar këtë thesar, e vetmja mënyrë e zbatimit të dashurisë. Këtë dua t’ua provoj unë në këto konferenca. Me besimin dhe zbatimin e parimeve kristiane ngadhnjen: Ideali njerëzor për idealin Kristian. E vërteta nëpër besimin Kristian. Kuptimi i jetës nëpër filozofinë kristiane. Vlerat me të vërtetë njerëzore nëpër kulturën kristiane. Dashuria e vërtetë nëpër moralin Kristian. Jeta e vërtetë shoqërore me atdhetarizmin kristian… Dhe vazhdon po këtu… Skënderbeu është shqiptari i madh, që me gjeninë e forcës dhe të burrërisë, shprehu me të vërtetë një ideal njerëzor, por në të njëjtën kohë edhe idealin shqiptar; po ashtu Pellazgu i madh Homeri, Greku është Eskili, Hebreu është Isai, Taciti është Romani, Danteja është Italiani, Shekspiri është Anglezi, Gëteja e Kanti janë Gjermanë, Bosyeja është Francezi. Po Krishti kush është? Ai nuk është Gjenia e grekëve, as e Hebrenjve, ai nuk është as i vjetër e as modern. Kush është Krishti, pra? Ai nuk është një njeri i kohës vetë. Ai është i vetmi njeri që përfaqëson tërë njerëzimin, është vetë Njeriu. Ndërsa në Ligjëratën e Atdhetarizmi i Krishterë (Anton Harapi, Kulla e Babelit, fq. 316-317), thotë: “… Jam fetar, por dua dhe çmoj krejt natyrën njerëzore, jam fetar, por kam tagre dhe detyra shoqërore, jam fetar, e nuk rroj as në erë, as në re, por në këtë tokë që quhet Shqipëri, midis këtyre njerëzve që janë shqiptarë, jam fetar, e dua të mbaj mardhënie të ngushta me Zotin, por gjakun shqiptar që më vlon ndër dej, shpirti shqiptar që më frymëzon mendimin dhe fjalën, rrethi shqiptar dhe traditat shqiptare, duke ma përshkuar anembanë jetën mendore e morale, shpërthejnë ndër hove të shpirtit, ndër ndjenja e zakone, mund të zhduken prej meje me sa mund të zhduket natyra; jam fetar, e ky fakt, sikurse nuk më ndalon aspak që të jem një njeri i përkryer, të kem dituri dhe kulturë, ashtu nuk më pengon që të jem atdhetar. Kush i ndan apo mendon se nuk mund të pajtohen Fe dhe Atdhe, ai ka një kuptim të gabuar për atdhetarizmin. Edhe atdhetarizmi është një ndër idealet e krishtërimit; jeta qytetare dhe shoqërore për të krishterin janë gjëra të nevojshme, të cilat jo vetëm si njeri dhe si nënshtetas, por edhe si fetar e ka për detyrë që t’i studiojë, t’i njohë dhe t’i mbajë. Nuk jemi të krishterë të mirë pa qenë njerëz të mirë, po të jemi nënshtetas dhe atdhetarë të dobët. Atdhetarizmi në kuptimin e krishterë është një virtyt i shenjtë, si drejtësia dhe dashuria…”. Në këtë shkrim të shkurtër timin nuk po mundem pa shkruar diçka nga fjala e At Anton Harapit që e titullon “Dy lot e nji Betim”. Fjalë që e mban me rastin e përcjelljes së eshtrave të dëshmorëve Çerçiz Topulli e Mustafa Qulli për në vendlindjen e tyre, e këtë fjalim brilant për një atdhetar të klasit të parë historiografia komuniste jo vetëm e “fshehu”, por bëri montime monstruoze të fotografive dhe fjalimeve të paqena të Enver Hoxhës. E këta dy dëshmorë siç dihet u vranë nga dora e armiqve historikë të shqiptarëve, serbo-malazezët. Ja një pjesë të kësaj fjale: “… Çerçiz e Muço, dy fjalë ka me ju Shkodra kreshnike, këtu në log të kuvendit, para se të ndaheni. Doni ta lini Shkodrën, të shkoni e të pushoni atje, ku së pari patë t’amblat rreze të diellit, ku si filiza të shëndosht gëzueshëm e rritët shtatin, atje prej kah Shqipëria u qiti dhe u ndriti. Le të lavdrohen, po për ju Gjirokastra e Leskoviku, vendet ku ju u lindët për jetë, por grim më pak do t’gëzohet në ju Shkodra, vendi ku ju vdiqët, por u lindët për atdhe. Njimend se ato u dhanë tamblin e gjiut dhe ju janë nanë të natyrshme, por ju tashma nuk jeni njerëz të zakonshëm, nuk jeni çfarëdo shqiptarësh, ju jeni heroj, jeni burrat shqiptarë, e si të tillë u priti e u mbajti, si të tillë sot me gëzim u përcjell Shkodra, lama e nana e heroizmit tuaj. Jo, nuk ju lëshon ju Shkodër lokja, e ambel pa ju puthë në të dyja faqet, thekshëm pa u lëmue të dy krahët, përmallshëm pa derdhë dy pika lotësh, lotë gëzimi e pikllimi mbi eshtnat tuaj. Eshtna të pamort, u falem! Të pavdekshëm, po, pse ndër veme tueja ruani nji visar të çmueshëm, njatë ide, e cila e pa tronditur do të jesë ndër ne Shqipnia. E udha e mbarë ju kjoftë! Veç, o burra, që vdekun flitni, të metun njalleni, të hupun sot ndritni, kah rreth e rrotull t’i bini Shqipnisë, deh lëshojeni një za, atë zanin tuej kumbues si të luajve, diftoni djelmnisë shqiptare çka u ushqei idealin, çka u mbajti karakterin, çka u bani të pavdekshëm… Zotni të ndritshëm! Nuk dua t’u ndali ma. Keni udhë të gjatë. Merrni këto visare të çmueshme e shkoni. Por para se të niseni eni këtu, e mbi këta eshtna, simbol ideali, force e bashkim, t’ia shtrijm doren shoqi-shoqit, Toskë e Gegë, muhamedan e kristian, e me besën e burrave, me besën shqiptare të lidhemi për t’ia mbajtur shqiptarit nji Zot të vërtetë, një atdhe të lum, për ta ba Shqipninë e re, të fortë e të madhnueshme, të denjë për Skënderbeun. T’i diftojmë po botës, se shqiptarët njimen burra, se mund të jemi Toskë e Gegë, muhamedan e kristian, e njiherit shqiptarë të vërtetë. Zoti i vërtetë e atdheu le t’na bashkojnë, Zoti e atdheu të na mbajnë: Me Zot e atdhe të lumnojmë. (Anton Harapi, “Kulla e Babelit”, fq. 251-253). Kur At Anton Harapi ishte drejtor i gjimnazit Françeskan në Shkodër dhe i vjen për kontroll ministri dhe pasi e përgëzojnë për punën e bërë, i thotë në konfidencë: “Aman more At Anton, si bëheni edhe ju medievist pa nevojë.” E këtë ia thotë ministri se mbi tryezë të drejtorisë kishte një kryq, dhe At Antoni i përgjigjet menjëherë: “…Jo, zoti ministër, nuk e heq dot, sepse po ta heq, nuk rri dot as unë këtu… Hiqni nga bota e qytetëruar kontributin që ka dhënë kristianizmi në ide, në ligje e zakone, në shkencë dhe art, në sistemin e familjes, në rendin shoqëror dhe vetiak, në përmirësimin moral dhe material, hiqni të gjitha këto dhe kultura moderne nuk mbetet më ajo, por një skelet i zbehtë, një mozaik pa unitet, një send pa kuptim”. Tamam ashtu siç kërkoi ta bëjë sistemi komunist për rreth gjysëm shekulli. Gjithsesi aktiviteti i At Antonit është i larmishëm e i rëndësishëm edhe në mjaft konferenca e simpoziume kombëtare e ndërkombëtare me karakter historik e politik, por të gjitha në shërbim të atdheut, që ka emrin Shqipëri, madje për At Antonin ka kuptim të plotë Shqipëria Etnike, së cilës i fali shpirtin e mishin duke u bërë ashtu siç edhe dikur kishte deklaruar: “Çdo ndërtese i vihen themelet në dhé, edhe në vorre, prandaj ne hijshëm duhet të jemi gurët e themelit të njasaj binaje të cilën sot e quajmë Shqipëri”. Por ama këtë gur të fuqishëm e jo dosido të themelit të Shqipërisë europerëndimore duhet ta vlerësojmë e nderojmë, se ia kemi borxh atdheut dhe atyre që “u tretën” për atdheun. Mjerisht nuk po mundem ta mbyll këtë shkrim me kaq pa thënë se At Antoni nuk duhej lënë në harresë as nga Kisha Katolike e as të paktën nga pushteti lokal i Shkodrës… E përkundër kësaj, nga pushteti qendror e lokal shpesh janë vlerësuar e nderuar edhe figura që karrierën e tyre (që “ndriti” në kohën e komunizmit) e filluan e siguruan duke spiunuar, duke i dalë edhe dëshmitar (në rrenë) dhe duke denigruar figurën simbol të binomit Fe e Atdhe të At Anton Harapit, por edhe të besimit e qytetërimit, të cilit i falemi sot. (Kushdo që dëshiron të vërtetojë këtë i mjafton të lexojë faqet e librit “Çinarët” të At Konrrad Gjolajt). Gjithsesi, At Antoni prej vorrit të cilit shtroje i asht dheu i zi e mbuloje djerri me gram , prej vorrit ku hjenat njerzore me qimen e shqiptarit e lëkuren e Moskës mshehën eshtënt e tij , mbasi me gjak shuen etjen , Harapi na flet. Na flet perherë i gjallë prej jetës që nisë me dekë, perherë i gjallë në kujtim që trashigohet me vepra. (At Daniel Gjeçaj , Paraqitje te Andrra e Pretashit fq.XI). Ndërsa unë po e mbyll këtë shkrim duke besuar për një “takim” të tretë (timin) me At Antonton Harapin, por këtë herë në një veprimtari që vlerëson e nderon martirin e papërsëritshëm të binomit Fe e Atdhe , At Anton Harapin…