Modeli i njeriut që po krijojmë, rrezik për të ardhmen e kombit

0
414

Nga Marash Gilaj      

Në kohën e sundimtarit tonë diktator, Enver Hoxhës, për gati gjysëm shekulli, partia krenohej se një nder arritjet më të mëdha të asaj kohe ishte formimi i “Njeriut të ri”, ndersa luftohej për të siguruar bukën në vend me forcat tona, sepse ishim të vetëizoluar, rrethuar me telea me gjëmba dhe se kishim shumë armiq të liq. Megjithatë, “në gojë të ujkut hidhnim valle” sepse Partinë e kishim “të forte”. Populli jetonte i lumtur në mizerje duke ndertuar socializmin imagjinar. Burgjet, internimet dhe pushkatimet i kishim si pasuri kryesore për të ndaluar fjalën e lirë, arratisjet dhe çdo gjë tjetër që nuk i pëlqente sundimtarit. Pas një izolimi total e të stërzgjatur, varfërie të tejskajshme, rrethuar nga revizionistë e imperialistë, era e demokracisë po frynte edhe nga viset tona. Që nga ajo kohë kanë kaluar 30 vjet, por ende jetojmë në një demokraci hibride me tendenca kthimi pas në diktaturë, falë sundimit rilindas.

Gjëra të tmerrshme deklarohen herëpashere në parlament me krenari e pa pikë turpi, duke u munduar të na mbushin mendjen se veprimet e sundimtarit të asaj kohe ishin të drejta. Të drejta ishin edhe qëndrimet e atyre që i serviloseshin të parit të katundit ose e kishin frikë. Ky qëndrim vërteton më së miri atë që duam të themi më poshtë.

Por le të kthehemi tek tema. “Bota ndryshon me shémbullin tend, jo me opinionin tend”, thoshte Paulo Coelho.

Cili ishte dhe mbetet shembulli dhe qellimi i partisë – shtet në 8 vitet e fundit? Llafet pa kokrra janë dokrra hini. Opinionet dhe protagonizmi i çmendur, pa vepra, mbeten vetëm fjalë pa vlerë. Për të ardhur në pushtet, socialistëve iu deshën protesta të dhunshme e shkatrrimtare, ku të sakrifikoheshin edhe jetë njerzish. Në anën tjetër për të garantuar marrjen e pushtetit duhej bashkëpunimi me horrat, kriminelët e çdo lloj bastardi që jepte një dorë në këtë drejtim. Vërtetë u vranë edhe katër persona, por u vranë më shumë në Shtëpinë e Bardhë në fillim të këtij viti, në të njëjtat kushte, për tejkalim ligji nga ana e protestuesve. Dikush që lëpin të pështyrat tha atëherë, kur ndodhi ngjarja e 21 Janarit se edhe po të vriteshin 13 000 njerëz, nuk janë asgjë. Rëndësi ka të merret pushteti. Sipas tij dhe atyre që derdhin lotë krokodili për të vrarët, çdo vit bëjnë homazhe siç dinë të bëjnë ata që të vrasin natën dhe të qajnë ditën. Gjoja ndjejnë keqardhje, por fajin, sipas tyre, e kishte pozita e asaj kohe. Thjeshtë, hipokrizi e pashëmbëllt. Me këtë mentalitet ecin çdo ditë duke fajsuar të pafajshmit, sepse, ata mendojnë se fajin e kanë gjithmonë të tjerët, por pa dashur ta pranojnë se kjo është psikopati e pashërueshme. Vetëm karantina i vë frè kësaj sëmundje.

Kur u fitua pushteti, doli në dritë se disa nga këta horrat ishin bërë deputet, ministra e kryebashkiakë, përveç shumë zyrëtarëve të tjerë që gëlonin kudo si qatipë. Shembulli dhe mësimi që mori populli e sidomos rinia ishte se këta ishin të preferuarit, se këta i duheshin partisë për të ardhur në pushtet dhe për ta mbajtur atë. Dekriminalizimi e bëri njëfarë pune, por edhe sot, pas tetë vitesh, kemi bashki pa kryetarë për këtë arsye. Rilindjes i duheshin ca banditë që kishin emigruar, ishin detyruar të ndrronin emrat për të fshehur krimet, identitetin. Vërtetë nuk kishin  diploma, por ato mund të bliheshin edhe kur s’ke mbaruar të mesmen. Mjafton të kesh paranë dhe mund të disponosh tre-katër diploma në fusha të ndryshme të dijes si analfabet funksional. Partisë i duheshin njerëz pa karakter, pa moral, lajkatarë e trushplarë që mund t’i përdornin si të donin. Duheshin ata që votojnë, që pranojnë të shiten, të blihen,që gënjejnë në interes të partisë dhe të vetvetes. Duhej “njeriu i ri” që i shkon avazit të partisë. Ata që bëjnë të kundërtën, duhet të nënshtrohen ose të degdisen në mëgrim. Për “rilindasit” nuk ka rëndësi sa të aftë janë. Të aftit mendojnë me kokën e tyre, i kemi si ferra nepër këmbë dhe janë rivalët tonë. Të ndershmit, të diturit, të përgjegjshmit s’na duhen kurrsesi. Na duhen vetëm të ngjashmit tonë. Kujtojmë se edhe Hitleri i urrente të diturit, sidomos mësuesit, të cilët i quante majmunë e hajvanë. Dhe vjen një ditë, që i ndershmi e ka të vështirë të jetë i tillë në një mjedis kaq të pandershëm, siç e kemi krijuar ne si rilindas, mendojnë ata. I paafti na shërben, ai është i komandueshëm dhe i shantazhueshëm. Sidomos ata që kanë bërë krime e jetojnë me frikën dhe panikun se mund t’i detyrojmë të japin dorëheqje. Ndaj, na duhet ky model. Kur të mbisundojë kjo klimë, i ndershmi ndihet i vetmuar, i braktisur e pa shpresë. Këtu duan të arrijnë dhe e vërtetojnë çdo ditë me veprimet e mosveprimet e tyre skandaloze, në shkelje të çdo ligji e Kushtetute. Për ta mjafton të jesh i pasur dhe i famshëm.

Me të drejtë, deputetët e opozitës bertasin e çirren në parlament: “Droga-droga, krimi- krimi!” Le të ulërasin sa të duan, përgjigjet kori i antivlerava. Ne na intereson droga sepse e konsumojmë vetë, sidomos atë cilësoren, prandaj e lejuam dhe se me të sigurojmë para. Një ditë do ta legalizojmë. Paratë na duhen për votime, se zgjedhje nuk ka. Policia kujdeset për drogën, e ruan, e shpërndan, ndihmon çunat, u siguron transportin me çdo lloj mjeti nga toka, ajri dhe deti. Po të jetë nevoja fikim edhe radarët. Policia hedh kapelet dhe mbledh vota për partinë, kur thërret ajo. Droga konsumohet që nga fëmijët e shkollës fillore e deri në universitet. Ajo i bën aq të lumtur sa nga kënaqësia, kur kalojnë në ekstazë, vrasin njëri – tjetrin. Kush nuk na jep haraçin e drogës, e gjejmë dhe e burgosim. Ne nuk na bëhet vonë. Ndaj, shpeshherë themi me plot gojën: “Hëngshin kokat e njëri – tjetrit!”

Ne na duhen njerëz me sjellje matrapazi, spekulues, mashtrues ,pa parime, që u mungon kurajua civile, që s’kanë burrëri. Na duhet polici partiak, që bashkëpunon me kriminelin. Na duhen pështyrës që dinë të lëpijnë gëlbazën e hedhur. Na duhen mjeshtra në abuzime, indiferentë ndaj asaj që ndodh rreth e rrotull.

Për të justifikuar veset e këqija secili thotë se” kështu bëjnë të gjithë.” Nder këto mund të pëmendim korrupsionin, vjedhjet me e pa tendera, ryshfetin, duke ngulitur fort në mendje se vetëm paraja të zgjidh hallin. Kjo mënyrë veprimi, sipas tyre, nuk të turpëron përderisa ligji, që nuk zbatohet, nuk e dënon. Nëse të duket se nuk po thua të vërtetën, shiko modelin e njeriut të suksesshëm të ditëve tona. Na duhet patronazhisti (spiuni), njeriu i paditur, hipokriti, servili, i nënshtruari, ai që shikon interesin e vet afatshkurtër, që për të na ngjarë ne, le mjekër, rruan kokën, pi alkol, duhan e thith drogë.

E harruat kur ju tha kryeqeveriu, gjatë fushatës së fundit elektorale, se “edhe në vrimë të miut do t’ju gjejmë”, me anë të patronazhistëve?

Varfëria e 51% të shqipëtarëve nuk ju thotë asgjë. Qeveritarët jetojnë në luks: blejnë shtëpi e makina të shtrënjta, shetisin botën, drekojnë e darkojnë me njerëz të botës së krimit, bëjnë fotografi me ta, udhëtojnë jashtë shtetit bashkë, u japin tendera, marrin borxhe për të larë borxhet, për të bërë qejf etj. Por “nuk mbahet shtëpia me miell hua”, thotë një fjalë e urtë popullore. Borxhi të vjedh të ardhmen.

Shikoni zvarritjet e reformës në drejtësi dhe nxirrni konkluzionet se pse ndodh kështu. Cili është shembulli që duan të na japin? Vetëm shkatrrimi dhe mosveprimi i saj. Asgjë më shumë. Një qeveri antidemokratike nuk mund të bëjë asnjë reformë të mirëfilltë. Me këto veprime dhe qëndrime shkatrrohet demokracia dhe opozita. Ka vite që kjo duket sheshit, por sot e shohim edhe më qartë se kurrë.

Si ju duket miqësia e kryeqeveriut me Vuçiçin në dëm të Kosovës dhe me Erdoganin në karshillëk me BE-në? Apo Ballkani i hapur në vend të BE-së? Kush dreqi na e paska fajin që s’integrohemi dot? Gjithmonë vetëm ata që s’na pranojnë.

Nuk duhet harruar se urtësia na mëson që “shembulli është leksioni që të gjithë mund ta lexojnë.” Jemi nën pushtetin e shembullit të keq. Është koha “për të turbulluar diçka që të kthjellohet.” 

9 Nëntor 2021