Mbreti Zog/ 1895– 8 Tetor– 2022.

0
295

Më 8 tetor të vitit 1895, lindi në Burgajet të Matit, Mbreti i Shqiptarëve, Ahmet bej Zogu.

Mësimet e para i mori në vendlindje nga mësues privatë për gjuhën shqipe dhe turke, më pas u zhvendos në Stamboll ku ndoqi studimet në “Numenu Tereki”, në shkollën e oficerëve dhe më tej ndoqi edhe liceun francez Gallatasaraj. U kthye në atdhe në vitin 1912 dhe u caktua si delegat i Matit për në Kuvendin e Vlorës edhe pse ishte në moshë shumë të re. Ishte mbështetës i qeverisë së Vidit dhe ndihmoi me vullnetarët e tij për shtypjen e kryengritjes së Shqipërisë së Mesme. Ahmet Zogu ishte sërish delegat në Kongresin e Lushnjës, ku me njerëzit e tij u mor me sigurinë e zhvillimit të kongresit.

Karriera e tij politike në strukturat e shtetit shqiptar zë fill pas Kongresit të Lushnjës ku ai u zgjodh si Ministër i Brendshëm, ku gjatë kësaj periudhe u angazhua me shtypjen e Kryengritjes së Mirditës. Në dhjetor 1922 zgjidhet Kryeministër dhe mban sërish edhe postin e Ministrit të Brendshëm, ku gjatë kësaj periudhe u shtua siguria publike dhe u ndërmorën masa të rëndësishme në çarmatimin e popullatës. Pas trazirave të qershorit 1924 largohet në mërgim, në Jugosllavi dhe rikthehet në dhjetor të po atij viti. Në janar 1925 shpallet Republika dhe Zogu, zgjidhet President, gjatë kësaj periudhe u miratua Kodi Penal që ishte një arritje e madhe e kohës.

Më 1 shtator 1928, Asambleja Kushtetuese e shpalli Shqipërinë Mbretëri, Ahmet Zogun Mbret dhe ai u betua si Mbret i Shqiptarëve. Gjatë kësaj periudhe, u hartua Kodi Civil dhe Kodi Tregtar, si një rregullator i funksionalitetit të shtetit në baza moderne dhe larg ligjeve të vjetra të trashëguara edhe nga tradita e administratës osmane. Më 7 prill 1939, me pushtimin e Shqipërisë nga Italia, largohet nga vendi bashkë me familjen, ku bëri shpesh përpjekje për organizimin e diasporës shqiptare dhe për krijimin e një qeverie në mërgim. U nda nga jeta më 9 prill 1961 në një spital pranë Parisit.NEUTRALE.AL