Mark Gjonaj i dhuroi donacion Bibliotekës së Shkollës Fillore “Bedri Elezaga”

0
687

Gjekë Gjonaj – Ulqin

Biblioteka e  Shkollës Fillore “Bedri Elezaga” në Katërkollë, Ulqin  nuk kishte objekte adekuate për punë deri më tani dhe një koleksion modest librash në gjuhën malazeze dhe shqipe. Për këtë arsye drejtoria  e shkollës dhe këshilli i mësimdhënësve  nisën një projekt për restaurimin e bibliotekës. Falë donacionit të mërgimtarit , humanistit, atdhetarit, veprimtarit të shquar dhe këshilltarit të parë shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mark Gjonaj, ata arritën të realizojnë ëndrrën e tyre të kamotshme për modernizimin dhe pasurimin e bibliotekës së shkollës.

“Aktivisti i shquar i komunitetit shqiptar në SHBA Mark Gjonaj, ishte gjithmonë me ne dhe ndihmoi të gjitha aktivitetet e shkollës sonë në interes të përmirësimit të kushteve të punës së nxënësve tanë.  Të njëjtën gjë bëri edhe gjatë vizitës së fundit në shkollën tonë, kur dorëzoi një donacion të vlefshëm që do të na mundësojë që së shpejti të kemi një bibliotekë funksionale me një fond të shtuar librash, e cila do të plotësojë nevojat e nxënësve dhe mësuesve tanë. Mark Gjonaj, edhe pse ka lindur në Nju – Jork, është ndër të paktët mërgimtarë që me veprimtarinë e deritanishme dhe me këtë shembull ka dëshmuar përkushtimin dhe dashurinë e tij për librin, gjuhën shqipe dhe ruajtjen e identitetit të bashkatdhetarëve të tij jo vetëm në vendlindje, por edhe për ruajtjen e gjuhës dhe identitetit të shqiptarëve në diasporë”, thotë drejtori i shkollës Mustafë Bardhi, i cili në emër të shkollës i dorëzoi mirënjohje  donatorit Gjonaj. Drejtori Bardhi shprehet se qëllimi i tyre përfundimtar është pasurimi i bibliotekës me tituj të rinj librash dhe   krijimi i një biblioteke dixhitale shkollore.

Mark Gjonaj pohon  se është shumë i lumtur që mund të ndihmojë nxënësit shqiptarë  që janë e ardhmja jonë, sepse ata si dhe stafi dashamirës që kujdeset për mësimin dhe edukimin e tyre me shumë dashuri dhe përkushtim, kanë shumë nevojë për këtë ndihmë.  Porosia e tij është të ndihmojmë  të rinjtë shqiptarë të kenë arsim cilësor në gjuhën e vet amtare dhe të aftësohen  më shumë për  jetën.  Të kujtojmë gjithmonë se  një dorë e majtë ka përherë nevojë  për një dorë të djathtë.

Ky donacion i bamirësit tashmë të dëshmuar në hapësirën mbarëshqiptare  Mark Gjonaj tregon se vërtet ende ekzistojnë njerëz  dashamirë që me vullnetarizmin e tyre  mendojnë për nevojat e nxënësve shqiptarë  dhe për mënyrën se si ata  me kontributin e vet t’u krijojnë nxënësve kushte në ngritjen e cilësisë së zhvillimit të mësimit  në gjuhën amtare në shkolla, që është baza  themelore për ruajtjen e identitetit tonë kombëtar.

Donacionet e këtilla  në momente të duhura  jo vetëm se janë   të mirëpritura për mësimdhënësit, drejtuesit dhe   nxënësit e  gjitha shkollave  me mësim në gjuhën shqipe në Mal të Zi , por janë edhe  më se të nevojshme  për kryerjen e misionit human   të shkollave shqipe , që është edukimi dhe arsimimi cilësor i fëmijëve  të moshave të ndryshme në këtë shtet.

Duke investuar në cilësinë e arsimit shqip  brezat e ardhshëm do të ruajnë  gjuhën, kulturën dhe trashëgiminë tonë   dhe   ne do jemi në gjendje të krijojmë një botë më të mirë. Sa më shumë shqiptarë të arsimuar të kemi, aq më e mirë do të jetë  shoqëria jonë.