Largimi pa lezet i një amerikaneje

0
258

Nga Armir Shkurti

Lexova një editorial të Juri Kim. Ambasadore e SHBA në Shqipëri. Titulli: “Korrupsioni gërryen potencialin e Shqipërisë”

Uuuaau! Çfarë zbulimi! Nëse këtë “editorial” do ta kish bërë në fillim të vitit 2020, kur erdhi për herë të parë, edhe hahej. Vinte nga seftja, e patrazuar me zhulin e Shqipërisë dhe ka kuptim “editoriali”.

E fus për të dytën herë në thonjëza “editorialin” sepse ky është karagjozllëk më vete, pjesë e atij korrupsioni ku bën pjesë edhe vetë zonja Kim. Është pjesë e korrupsionit politik.

Editorialet i bën kryeredaktori, ose personi që ndërton politikën e një institucioni mediatik. Jo një i huaj. “I huaj” në kuptimin “jashtë kësaj media”. O ai që drejton median në fjalë nuk drejton dot kurrizin dhe ndjehet i përkëdhelur që ambasadorja e SHBA boton tek ai, ose kot që e drejton, se nuk njeh termat dhe gjinitë e gazetarisë.

Më lart kam thënë “pjesë e atij korrupsioni ku bën pjesë edhe vetë zonja Kim”, gjë të cilën kam detyrë ta shpjegoj.

Nëse i referohemi Tranparency international, vitin e kaluar vendi ynë humbi 35 vende në renditjen botërore të korrupsionit. Sot ne ndodhemi gjithnjë e më në fund , me më të korruptuarit e globit, tregues që është përkeqësuar gjatë mandatit të Juri Kim.

Reforma në drejtësi, e iniciuar dhe sponzorizuar nga SHBA kritikohet nga gjithë palët, sidomos nga publiku.

Në raportin e TI flitet për shfrytëzimin e pandemisë për të rritur autoritarizmin, abuzimin me të drejtat e njeriut dhe rritjen e korrupsionit. Specifikisht për Shqipërinë! Dhe kjo ka ndodhur kur ambasadore ishte Juri Kim!

Autori i shfrytëzimit të pandemisë për rritjen e autoritarizmit , abuzimit me të drejtat e njeriut dhe i korruptuar mori mbështetjen për një mandat të tretë qeverisës edhe nga zonja Kim, si përfaqësuese e SHBA. Ndërkohë që kurrë nuk u vërejt nga përfaqësuesja e vendit kampion të demokracisë që në një dorë ishin mbledhur gjithë pushtetet, përfshi atë vendor, gjyqësor madje edhe …opozita!

Ishte ky persona, me tagrin e përfaqësimit të shtetit më të dashur për Shqiptarët, që nga shkallët e PD –së u kërkoi demokratëve të mos ndjekin Sali Berishën, duke përdorur slloganin e diktatorit Hoxha “edhe bar do të hamë e parimet nuk i shkelim”.

Duke “mos parë” totalitarizmin e Ramës me kompani dhe revoltën e mbledhur në popull prej një regjimi që ka asgjësuar demokracinë dhe kufizuar liritë, kjo zonjë ishte kumbara e njëfarë “Alibeaj”, bedel kryetar të PD–së, një njeri që rri pa asnjë votë a mandat në një vend të caktuar saktë se si merret.

Ju po e lini Shqipërinë një vend më të keq seç e gjetët , zonja ambasadore. Po ashtu , ju po I lini shqiptarët me më pak besim se ç’kishin në vendin tuaj para se ju të vinit.

Keni qenë e përfshirë në gjithë këto momente, ndaj guxoj t’ju akuzoj. Ose më saktë, të them hapur atë që e thonë me zë të ulët shumë prej atyre që ju mbajtën me… kimet.

Lamtumirë, pas asnjë mall a dëshirë për t’ju parë sërish.