LAMTUMIRA E FUNDIT MJEKUT TË RI, DR. KOLË SHTJEFËN NIKPRELAJ

0
824

Shkruan, Gjokë Dukaj
Ngjarjet dhe lajmet e padëshiruara, fatkeqësisht, nuk janë të rralla dhe ndodhjet e
tilla, prekin zemrat e njerëzve kudo, por në traditën tonë është të bashkëndiejmë
me njerëzit tanë në dhimbje e në pikëllim. Në kohën e sotme të internetit, lajmet
e tilla përhapen shumë shpejtë nga njëra anë e botës në tjetrën dhe, sidomos ato
tragjike të cilat shkaktojnë dhimbje e pikëllim në mesin e bashkëvendësve kudo.
Njëri ndër rastet e tilla, i dhimbshëm e tragjik, ndodhi kohë më parë në familjen
Nikprelaj, nga vdekja aksidentale e mjekut të ri, dr. Kolë Shtjefën Nikprelaj ( 25.
08. 1998 – 30. 07. 2023), në Nju Jork, të SHBA, për ç’gjë njoftuan media të shumta
nga ky vend dhe më gjerë.
Bashkëkombës të shumtë, i dhanë lamtumirën e fundit djaloshit 25 vjeçar, nxënës
dhe student shembull mes gjeneratës së vet dhe i cili humbi jetën në lulen e
rinisë, me të përfunduar të studimeve në mjekësi ku premtonte shumë në
profesionin më human për njerëzimin.
Të gjithë ata që patën rastin ta njohin, të mësojnë ose të shoqërojnë me të, flasin
me admirim për virtytet e tija njerëzore, edukatën dhe sjelljen e tij me modesti, i
dashur dhe i thjeshtë me çdo kënd. Edhe ata që nuk e njihnin por kishin dëgjuar
për suksesin e tij që nga fazat e hershme të shkollimit, fillor dhe të mesëm e që,
falë suksesit shembullor, të gjitha ato i kishte përfunduar për ndonjë vit më parë
se gjenerata e tij. Ashtu vazhdoi edhe në shkollimin superior në Universitete
prestigjoze, në Njujork dhe qendra tjera, për tu specializuar në fushën e
mjekësisë. Suksesi i arritur në studime e dallonte Kolën, nga gjenerata e vet pasi
gjithnjë, ishte në grupin e studentëve të dalluar, i vlerësuar dhe i shpërblyer për
arritjet e tija në shkollim. Ai, i etur për dije që i ofronte shkollimi dhe rezultatet e
shkëlqyera, mori pjesë në ligjërata dhe simpoziume shkencore në qendra të
ndryshme duke u prezantuar me punimet e veta mjaft premtuese nga fusha e
interesimit të tij profesional e shkencor. Duke rrjedhur nga një familje trieshjane,
intelektuale dhe me traditë të njohur në këto treva dhe më gjerë, Kola, iu kushtua
këtij profesionit human duke vazhduar kështu traditën familjare në këtë fushë.
Virtytet e trashëguara njerëzore, suksesin e arritur në shkollim dhe sjelljen e tij
shembullore, i kishte trashëguar nga familja e tij, e respektuar dhe e përkushtuar
vlerave më të larta njerëzore e kombëtare.

I brumosur me ndjenja të këtilla, Kola, muajt e parë të këtij viti, vizitoi vendin e
origjinës, tokën e të parëve në vendlindjen e tyre shekullore në Trieshin e
Malësisë së Madhe dhe, sikur parandiente diçka, gjithë kohën e pushimeve e
kaloi me të afërmit dhe të dashurit e vet në këto treva. Me sjellje modeste,
hijeshinë e dhuruar nga natyra dhe kulturën e gjerë që kishte, fitoi respektin e të
gjithë bashkëvendësve që patën rastin ta takojnë dhe ta njohin për së afërmi. Të
gjithë ata i ka tronditur vdekja e tij tragjike, këtij biri të Malësisë, këtij djaloshi të ri
i cili i shtyrë nga ndjenjat humane të kultivuara në familjen e tij, ishte përcaktuar
për profesionin më human, për të ndihmuar njerëzit kudo. Këtë e thoshte edhe ai
kurdo që i jepej rasti në paraqitjet e tija para kolegëve të vet në takime të rastit,
falënderime, dhurata e shpërblime të shpeshta si mirënjohje për sukseset e
arritura.
Janë këto raste të dhimbshme për bashkëvendësit tonë kudo, pasi brezi i ri janë
shpresa jonë për të ardhmen, përparimi dhe të arriturat e tyre janë nevoja jonë
më e madhe. Kola, vërtet, ëndërronte që në një të afërme jo të largët, të
kontribuoj edhe në trevat tona, në Malësi, të ndihmoj përmes profesionit të tij
human, pasi solidaritetin ndaj njerëzve në nevojë e kishte orientim shpirtëror të
tij; që përmes aktiviteteve të ndryshme, të kontribuojë për nevoja të ndryshme.
Për të gjitha ato që kishte arritur në jetën e tij të shkurtër por aq të suksesshme
dhe për gjithçka që ëndërronte në të ardhmen e vet, i përjetshëm qoftë kujtimi në
mjekun e ri, dr. Kolë Shtjefën Nikprelaj.
Pushoftë në paqe!