Kush është Altin Dumani, kreu i ri i SPAK-ut

0
355

Altin Dumani është zgjedhur kreu i ri i SPAK-ut dhe do e drejtojë atë për tre vitet e ardhshme.

Në një garë të fortë ai mori 5 vota, një më shumë se Edvin Kondili, kurse prokurori i tretë në garë Adnan Xholi mori vetëm një votë.

Zgjedhja e re e kreut të SPAK-ut është kthyer në mollë sherri mes ambasadores amerikane Kim e kryeministrit Rama.

Po kush është Altin Dumani që zëvendëson Arben Krajën  në krye të prokurorisë speciale?

Altin Dumani vjen nga radhët e Prokurorisë së Apelit. Ai ka lindur në Shupenzë të Dibrës e ka një karrierë prej 20 vitesh si prokuror.

Ai është emëruar fillimisht prokuror në Sarandë në mars 1999 e më pas ka mbajtur pozicione të ndryshme.

Dumani u bë drejtues prokurorie për herë të parë në Tropojë, në vitin 2000, një post sipas tij që u kundërshtua nga shumë prokurorë të tjerë për shkak të çështjeve problematike atje. Ai ka hetuar dosjen e tragjedisë së Gërdecit.

Dumani ka drejtuar gjithashtu operacionin që çoi në pranga 13 persona në vitin 2021, mes të cilëve edhe gjyqtaren e Gjykatës së Krujës Enkeleda Hoxha.

Zgjedhja e kreut të ri të SPAK-ut u parapri nga ‘përplasje’ mes ambasadores amerikane Kim e kryeministrit Rama.

Në një njoftim krejt të pazakontë para pak ditësh Ministria e Jashtme e Shqipërisë njoftonte se kishte nisur zyrtarisht procedura për zëvendësimin e ambasadores amerikane në Tiranë, së cilës i përfundon mandati në janar 2023.

Megjithatë në një deklaratë pak ditë më pas, Kim deklaronte se do qëndronte në Tiranë edhe për ca kohë më shumë. Ajo theksonte se kreu i i SPAK-ut duhet të zgjidhej jashtë ndikimit politik.

E menjëhershme ishte përgjigjia e Ramës i cili deklaronte se kreu i ri i SPAK-ut nuk zgjidhej as nga kryeministri e as nga ambasada. Ditën e sotme ambasadorja amerikane ishte e pranishme në SPAK, pak para votimit të Altin Dumanit si kreu i ri.