KUR LUFTONIN KUNDËR TURKUT GJELOSH NIKA E BACA GJEKA E FALTE GJAKUN E VËLLAUT NIKË LEKA.

0
616

NGA  NDUE  BACAJ

Që kur isha i vogël dëgjoja babën tim që “këndonte” vargjet  popullore kushtuar trimave të Hotit Gjelosh Nika e Baca Gjeka. Babi im ishte Kastratas , por  duke qënë nip Hotit (nip i vojvodës së njohur Nikollë Mirash Hasanajt, firmetarit të dhjetra memorandumeve , peticioneve  e kërkesave, por  dhe luftëtarit me pushkë kundër pushtuesve truko-osman e shovenve serbo-malazez), i konsdideronte këta trima  si dajat e tij. Njëkohësisht së bashku me këngën dhe trimninë e këtyre dy hotjaneve  luaj malesh më tregonte edhe për  besën e burrnin e pashoqe  të  kastratasit  Nikë Leka , që i kishte falë gjakun e vëllaut trimit  Gjelosh Nika  Dedvukajt, pasi i kishte ra  në derë e në besë një natë pa  ditur gja se ku kishte trokitur , pasi  kishte thyer hapsanën  e turkut në Shkodër. Kur unë i kisha dëgjuar këto prej babet , unë isha i ri , e siç thonë “i riu si veriu”, dhe pas kaq viteve thuajse kisha harruar edhe këngën dhe ngjarjen, por ja që vjen një ditë dhe kujtesa zgjohet… Kur unë për të plotesuar një studim të filluar prej kohësh, për kalanë  e Samaborrit dhe Qytezen e Hotit , vizitova këto troje historike e heroike me një  mikun tim, ai ndalet e më tregon: “Këtu afër rreth vitit “1905”  kanë  fillua pushken me asqer të turkut trimat e Hotit, Gjelosh Nika e Baca Gjeka. Afër kronit të Helmit  në  atë kohë kishte qënë një postë  turke, ku ushtarët dhe oficerët e kësaj poste silleshin shpesh herë keq me hotjanët e malsorët, që në të vertet nuk donin me i pa me sy këta turq , siç  u thonin atëherë”. Mua sapo dëgjova emrat e trimave mu kujtua disi historia  që më kishte treguar babai ime para shumë vitesh. Por mu kujtua se para disa viteve kisha lexuar diçka edhe te “Ditari i një Zemres së Lendueme.. ” të intelektualit e patriotit  Prekë Gruda për këta trima , ndaj duke u “konsultuar” me këtë ditar mendova të kujtoj këtë histori e trimat shqiptar që e shkruan me gjakun e besen e tyre…

“HISTORIA”:

Ishte diku viti “1905” , ku kishte filluar të rindizet zjarri i luftrave  per liri kundër Turkut , këtij pushtuesi mbi katër shekullor.. Hotjanët kanë qënë gjithmonë pushkë e ngrehur kundër turkut e shkjaut.   Në një ditë të vështirë Gjelosh  Nika e Baca Gjeka  kishin ngritë  pushkën kundër asqerve të  postës  afër Kronit të Helmit. si trima të njohur kishin bërë kerdinë mbi turqit , sa që hyqameti turk i kishte ndjekur këta dy trima , ku për disa kohë  ishin strehua në Rranza të Vulajve. Por duket se hafijet kishin bërë “punen” e vet, dhe një natë  Gjeloshin e Bacin i rrethojnë me tre taborre  nizam. Në nadje tuj dalë drita u bajnë thirrje me u dorzua..  Por siç e kanë pasur zakon malësorët shqiptar  Gjelosh Nika e Baca Gjeka, thirrjes së turqeve  për dorzim ju përgjigjen me pushkë, ku me këtë raste lufta ishte e rreptë dhe zgjati disa orë. Turqit thuhet se kishin lanë të vdekur  rreth  gjashtëdhjetë ushtarë e officer , ndërsa  Gjeloshi e Baci plagosen rëndë dhe u mbarohen edhe fishekët , ku pas kësaj  turqit i kapin e i çojnë  në burgun e kalasë së Shkodrës. Baca  Gjeka vdes atje nga plagët e marruna, ndërsa Gjeloshi  shërohet , por ishte i dënuar për jetë. Pasi disa viteve Gjelosh  Nika  arrinë të thejnë burgun e rëndë të kalasë (thonë e ka thye me një daltë çeliku që ja kanë shti të afermit e tij në një bukë kollomoqi të gatueme trashë). Gjelosh Nika  ikën natën rrugë e pa rrugë dhe kur mbërrinë në Kastrat  troket pa ditur gja  në një derë  duke  thirrë: “O i  zoti i shtëpisë  n’dorë të Zotit e tanden , çilma derën se kam ikë prej burgut”. Nikë Leka i  Kastratit si burr fisnik çohet e hapë derën dhe e merrë n’ndore (në besë) , por  sa hynë në shëpi në dritë të  konilit, Nika  e shikon se në besë kishte marrë gjaksin, atë që i kishte pas vra vëllan para disa viteve për do ngaterresa të vjetra  që kishin pasur me Dedvukajt e Traboinit. Në këto kushte Gjelosh Nika e kupton ku kishte ra dhe “ligëshgtohet”,  por Nikë Leka, burri i Kastratit e djal oxhaku e malesh kreshnike me besë e kanun e qetëson Gjeloshin me veprime  vëllazerore e miqësore duke i dhanë  me  hangër e me pi , duke e veshë e mbathë, dhe kur niset me e percjellë i jep edhe një armë  dhe  strajcen me bukë.. Nike Leka  duke e percjellë Gjeloshin naten deri sa e çon në  kufi të Kastratit me Hot, gjatë gjithë rrugës kishte mendua me vedin (por pa u tundur asnjëherë), se gjaksi i vëllaut që më ra në derë pa dijtë gja as ai , as unë, e ka çua vet Zoti  te unë per ta falur  këtë trim dhe gjakun e vëllaut tim , se  ne jemi vëllazen malësor e shqiptar dhe kemi një  gjakës e armik të perbashkët që na ka zapua  trojet tona , lirinë tonë, dhe  për të luftuar  këtë armik të perbashkët duhet të  falim njeri tjetrin , e të mos falim kurrë armikun turk dhe anmiqët e tjerë. Nikë  Leka pasi e kishte  peshuar mirë këtë mendim , ai sapo desht të ndahet me Gjelosh Nikën , e merr grykë e perqafon dhe i thotë: “ Gjelosh  Nika të kjoftë falë gjaku i vëlluat tem”. Ata perqafohen përsëri dhe jo shumë kohë më vonë ata së bashku  do të  luftonin e merrnin  një gjakë të perbashkët , duke  luftuar  kundër gjakësit të vertetë  , armikut  të shqiptareve  pushtuesit turko-osman… Duke i ardhur fundi kësaj   kujtese sado të vogël , për trimat e mëdhenjë hotjanë, kastratas e malësorë, mendova ta mbylli me vargjet e këngës që u kushtohet  Gjelosh  Nikës e Baca Gjekës:

”Kush  Lufton  n’ata  shkrepa ?

Gjelosh Nika e Baca Gjeka ,

Me gajret po vinte deka.

Ma gajret tue u hallaktë ,

More turq na paçi  n’qafë ,

Se na desim për erz e besë ,

Se na shkrihemi për jetesë ,

Se na desim per token e t’parëve ,

Si gjithmonë  kombi i shqiptarëve ,

Që nuk u shtrohet anadollakëve ,

Shqipnin prej kthetrave tueja ,

Na vetë do ta shlirojmë ,

Edhe atdheun e  t’parëve ,

Na bijt  e tij do  t’a gëzojmë ,

Dhe djal mbas djalit  në lumni ,

Do ta trashigojmë ket’Shqipni .”

(Kënga është citim i imi nga Ditari i një Zemrës së Lendueme-1- ,fq.214 të Prekë Grudës).

Nderim të pakufishem për këta burra  trima, të besës dhe atdhetarisë,  shembull i trashigimisë e virtyteve më të vlefshme të Malësisë e Shqiptarisë dje, sot dhe nesër…