Kryeministri Rama “shkrin” pushtetin vendor, u merr kompetencat 61 bashkive

0
456

Paralajmërimin që u kishte bërë në qershor Bashkive, kryeministri Edi Rama tashmë e ka vënë në zbatim.

Përmes një udhëzimi të publikuar në Fletoren Zyrtare, qeveria ka marrë përsipër “rolin e përmbaruesit” për vjeljen e taksave dhe tarifave vendore.

Udhëzimi mban firmën e ministres së Financave, Ibrahimaj dhe ministrit të Brendshëm, Çuçi, qeveria u dikton bashkive mënyrën sesi duhet të sillën ndaj tatimpaguesve kur këta të fundit janë debitorë apo kanë fatura të pashlyera.

Bashkitë do të jenë të detyruara t’i përmbahen zbatimit pikë për pikë të udhëzimit, duke raportuar në mënyrë periodike pranë Ministrisë së Financave, e cila do të ketë akses edhe në llogaritë bankare.

Fillimisht, qytetarët do të njoftohen për detyrimet që kanë. Qytetarët do të kenë vetëm 10 ditë kohë nga marrja e njoftimit për të likuiduar pagesat e prapambetura apo ato të krijuara rishtazi, më pas do të vijohet me sanksionet që shkojnë deri në konfiskim të pasurisë dhe ndjekje penale, për ata të cilët do të shpallin falimentin apo do të tentojnë të largohen nga vendi.

Udhëzimi përcakton që nëse pagesa nuk kryhet brenda 10 ditëve pas marrjes së njoftimit, tatimpaguesit do t’i konfiskohet 50 për qind e xhiros ditore. Inspektorët po ashtu do të kenë tagrin që të bllokojnë llogaritë bankare. Struktura e taksave dhe e tarifave vendore, nga marrja dijeni për bllokimin, përgatit dhe i dërgon bankës urdhrin e ekzekutimit, pra, shumën që duhet të transferohet për llogari të taksave vendore.

Nëse tatimpaguesi sërish do të përpiqet të shmangë detyrimet tatimore që vijnë nga taksat dhe tarifat vendore, atëherë do të vendoset masa e sekuestros dhe konfiskimit të pasurisë.

“Me kalimin e afatit 15-ditor, nga dita e marrjes së njoftimit të sekuestrimit nga ana e taksapaguesit, sendet e paluajtshme ose të luajtshme të sekuestruara nga administrata tatimore, prej taksapaguesit, konfiskohen dhe i nënshtrohen procesit të shitjes së tyre, me qëllim arkëtimin e detyrimit tatimor”, theksohet në udhëzim.

Nga penalitetet nuk do të kursehen as palët e treta, që mund të jenë aksionerët apo administratorët, ndërsa të vetmet mundësi që kanë qytetarët janë shlyerja e detyrimeve përmes skemës me këste. rdnews.al