Krijues e shkrimtarë nga Mali i Zi dhe Shqipëria bëhen bashkë në një takim letrar

0
637

Gjekë Gjonaj

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Poezisë e cila të përkujton  rolin e poezisë dhe fuqinë e saj në mbijetesën e gjuhëve,    në Anë të Malit, Ulqin u mbajtën  dy takime letrare të cilat u organizuan  nga  Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “ Art Club”  në bashkëpunim me ,,Shtëpinë e Trashëgimisë”, gjegjësisht, Muzeun Etnografik në Draginë.

Takimi i parë letrar u zhvillua  në Shkollën Fillore “Bedri Elezaga në Katërkollë, ku  ishin të pranishëm  poetët, Ali Gjeçbritaj dhe Dimitrov Popoviq. Ata në praninë e nxënësve dhe mësimdhënësve mbajtën një orë letrare dhe recituan vargje nga opusi i tyre krijues. Më pastaj   recituan vargjet e tyre  edhe nxënësit e kësaj shkollë.  Meqë Dita Botërore e Poezisë përkon me Ditën Botërore  të Sindriomit Daun (Down) të  gjithë së bashku, mësimdhënësit, nxënësit dhe poetët   përcollën edhe një mesazh  për personat  e prekur me  këtë sindrom.

Aktiviteti i dytë u mbajt  në Muzeun Etnografik, të pronarit  Hajredin Kovaçi  në Draginë, duke ndërthurur artin  poetik  me trashëgiminë kulturore.  Në këtë takim letrar,  i cili kishte si temë  edhe përkthimin e poezisë, morën pjesë poetë, prozatorë, përkthyes e studiues nga   Mali i Zi dhe Shqipëria, Viktor Gjikolaj , Hekurana Koka, Salvator Gjeçaj, Ernest Marku , Zija Vukaj, Mimoza Rexhvelaj, Dimitrov Popoviq, Ali Gjeçbritaj dhe   Hajredin Kovaçi.  Pas dy viteve pauzë, për shkak të pandemisë me Covid 19, ishte kjo hera e tretë që u shënua Dita Botërore e Poezisë në Ulqin. Ky aktivitet letrar  u mbështet  nga Fondi për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të  Pakicave i  Malit  të  Zi.