Kraje/Sait Gjonoviq, shembull i gjallë se si mund të jetohet mirë dhe me nder nga puna

0
261

Portret i një kultivuesi të njohur të duhanit nga  Kraja

Gjekë Gjonaj

Zona e Krajës kaherë është  e njohur për kultivimin e duhanit nga i cili pothuaj çdo familje   me  shumë  punë e  vështirësi  kanë  siguruar jetesën e tyre. Kultivimi i duhanit këtu   ka një traditë  të gjatë ,  madje shekullore, për shkak të tipologjisë së tokës dhe  kushteve klimatike .   Gjethet e  arta të thara në diell  të kësaj bime fitimprurëse  dikur në Krajë mbulonin  pothuaj çdo cep të  secilës shtëpi. Fermerë atëherë kishte shumë, sepse Kraja ishte e populluar, me më shumë banorë. Sot,  kjo krahinë shqiptare, buzë  Liqenit të Shkodrës, nën malin Rumi, lëngon nga mungesa e banorëve të saj, të cilët   për arsye të ndryshme janë larguar nga ajo, duke   kërkuar jetë më të rehatshme  brenda dhe jashtë shtetit.  Megjithëse  Kraja për çdo  vit po zbrazet, ata pak banorë  që ende  ruajnë tokën dhe shtëpitë e të parëve të vet,  nuk kanë hequr dorë nga ky lloj biznesi familjar. Në mesin e tyre është edhe  fermeri ,  Sait Gjonoviqi ( 64 vjeç)  nga fshati Blacë  i Krajës , të cilin çdo ditë pazari mund ta takoni dhe të blini duhan tek ai në tregun e gjelbër në Ulqin.

Tradita më e fortë se ligjet

Ai  edhe në këtë moshë vazhdon traditën e  familjes, për të cilën thotë se ajo është më e fortë se ligjet dhe marrëveshjet.  “  Kultivimin e duhanit e kemi traditë të lashtë, të cilën  nuk e kemi ndërprerë deri  më  sot. Edhe unë  këtë veprimtari e kam trashëguar nga të parët e mi. Si fëmijë  i kam ndihmuar babait dhe gjyshit në  kultivimin e duhanit dhe asnjëherë nuk kam hequr dorë nga  prodhimi i këtij produkti shumë të kërkuar  në treg. Më intensivisht merrem me kultivimin e duhanit qysh se  mbeta pa punë  në  ndërmarrjen “ Primorka” të Tivarit. Asokohe nuk kisha asnjë të ardhur tjetër, prandaj vendosa të shtoj sipërfaqet e mbjella me duhan. Tokat  i kam shumë pjellore . Ato nuk  kanë nevojë  për ujitje, sepse  e mbajnë shumë lagështinë.  Aq janë të mrekullueshme saqë  gjetelinën  ( tërfojën)  e kam kositur  deri në  pesë herë në vit pa rënë pika e shiut.  Nga viti në vit e kam shtuar prodhimin e duhanit. Krahas kësaj veprimtari jam marrë pak edhe me peshkim e  prodhimtari të tjera bujqësore e blegtorale.

Kultivimi i duhanit  është punë e vështirë

Ky prodhues i duhanit  thotë se ky produkt   kërkon shumë punë, që nga  procesi i prodhimit e deri tek procesi i tregtimit – shitjes. “Në kohët e hershme    tokën e kemi  punuar në mënyrë primitive, me vegla të vjetra bujqësore , me  parmendë,   kurse mbjelljen  dhe  prashitjen   e duhanit e kemi bërë me shatë. Tokën e kemi plehëruar vetëm me plehra organike  të prodhuara  në stalla të bagëtive.   Në ato kohra  fidanin e duhanit e kemi mbjellë  70-80 centimetër larg njëri- tjetrit.  Rreth punëve të duhanit kanë qenë të angazhuar pothuaj të gjithë anëtarët e familjes. Nuk kemi pasur nevojë për punëtorë.  Ka pasur edh raste bashkarie, ose si punëtorë falë.  Gjethet e duhanit i kemi vendosur në një fill  të quajtur  varg, një sasi duhani e një “ dore vjeljeje”. Më pastaj kemi bërë   ndarjen e duhanit në klasa, ndarjen e gjetheve të duhanit sipas karakteristikave  të caktuara, madhësisë së gjetheve, ngjyrës dhe “ dorës së vjeljes” me qëllim kategorizimin  cilësor të gjetheve të duhanit.  Duhanin e kemi tharë në mure të shtëpive. Pas tharjes   gjethet e duhanit i kemi   bërë gati për tregtim. Në kohën  sa  ka ekzistuar  Kombinati i Duhanit në Podgoricë shumica e  kultivuesve të duhanit në Krajë    këtë produkt  ia ka dhënë  këtij grumbulluesi me të cilin kemi  lidhur  kontratë shit-blerjeje. Sezoni i grumbullimit të duhanit të tharë, kryesisht fillon  jo më vonë se data  1 nëntor dhe përfundon  jo më vonë se deri në fund të muajit  mars të vitit pasardhës”, thotë Gjonoviqi. Shton se me kalimin e viteve  është lehtësuar puna në kultivimin e kësaj kulturë. “Toka     sot punohet me mjete bashkëkohore bujqësore. Kjo është gjë e mirë, por   shqetëson fakti se  numri i  prodhuesve të duhanit në Krajë   po zvogëlohet , si pasojë e migrimit dhe emigrimit  të popullatës”, shprehet me keqardhje Gjonoviqi.

Rendimentet e kënaqshme

Sipas  fjalëve të   Saitit   rendimentet janë të kënaqshme.  “ Unë   këtë vit kam mbjell  rreth 20.000 fidanë duhan. Vjeljen e duhanit e kam përfunduar  në muajin qershor, sikurse edhe prodhuesit tjerë të kësaj zonë. Të gjithë sasinë e duhanit  tash disa vjet e thaj në afro 10 sera, e jo si dikur nëpër mure të shtëpisë. Pas kësaj fushatë mund të them se    rendimentet janë të kënaqshme dhe se ky vit për mua ka qenë i bereqetshëm, sepse  vera  ka qenë e thatë  dhe shumë  e nxehtë, çka  ka ndikuar në  rritjen e sasisë së  duhanit.  Saiti uron që  të gjithë prodhuesit e tjerë  duhanit në  Krajë të  jenë të kënaqur me rendimentet në mënyrë që edhe ata, sikur ai, të kenë    sadopak  fitim (të ardhura)  për jetesë në këtë vendbanim  të lashtë afër boshatisjes së plotë.

Cilësia e mirë, aroma e këndshme,  tregu i siguruar

Duhani i Krajës   kahmoti  është i njohur për nga cilësia,  jo vetëm në Mal të Zi, por edhe  në ish- republikat e Jugosllavisë dhe në shtete tjera evropiane, deri edhe në Amerikën e largët ,   ku është tregtuar me vite të tëra. Këtë fakt e dinë të gjithë duhanxhinjtë e vjetër, sidomos ata që kanë përdorur për pirje  “ duhanin e dredhur”   të   grirë   me fije të imta , “ duhanin për llullë” të  grirë trashë , për pirje me llullë,  duhanin   “ puro”,  i grirë , i mbështjellë  me gjethe duhani  ose mbështjellëse letre me ngjyrë të bardhë.  Ky duhan, siç pohojnë  konsumuesit e tij,   përveç cilësisë ka  një aromë të veçantë, specifike tepër të këndshme. Këto  karakteristika kanë ndikuar  në shit-blerjen e tij. Se sa kualitet  ( në zë)  ka qenë duhani i  Krajës bashkëbiseduesi ynë  na tregon  një  rrëfim të bashkëfshatarëve të tij  të vjetër  që i mbeti  në kujtesë. “ Kur isha  fëmijë  mbaj mend një pako  të duhanit të quajtur “ Zodijak”.  Këto cigare , siç bisedonin   kranjanët e vjetër,   kanë  pasur  një aromë tepër të mirë dhe  nën emrin “ Zodijak”   në pako shkruante : “ Duhani nën Rumi të Krajës”.   Ky rrëfim prej atëherë më bëri shumë përshtypje dhe  si duhanpirës i kahmotshëm  dhe si kultivues  i duhanit  mund të them  atë që e thonë shumë duhanxhinj se  duhani i kësaj trevë në atë kohë  ka qenë duhani më i mirë dhe  më i shtrenjti në ish-Jugosllavi. Duhani i Krajës edhe sot  është i cilësisë së mirë, aromatik, ndërsa prodhuesit  e kanë të siguruar tregun për shitjen e tij.

Një kilogram duhan kushton   30 -50 euro

Rritjet e konsiderueshme të  shpenzimeve  të jetesës   kanë ndikuar edhe në rritjen e çmimit të duhanit. “ Çmimet po rriten shumë shpejt.  Pothuaj   çdo ditë blej në  dyqane e markete të    mëdha. Ditëve të pazarit tregtoj në tregun e gjelbër në Ulqin  dhe zakonisht çmimet po ndryshojnë nga dita në ditë.  Ky inflacion i ka detyruar edhe prodhuesit e  duhanit të Krajës të rrisin çmimin. “ Unë  e shes duhanin  në bazë të cilësisë. Një kilogram kushton   30- 50 euro. Ky çmim për dikë mund të jetë i shtrenjtë,  megjithatë  tregun e kam të siguruar. Madje , kërkesa  është më e madhe se sa prodhimi. Edhe pse duhani e dëmton shëndetin e njeriut, duhani i Krajës është mi i mirë se të gjithë të tjerët.  Duhani  që e blihet  në pako është artificial,  jo i pastër, kurse duhani i Krajës është  organik, sepse rritet pa insekticide artificiale, plehra kimikë dhe hebricide .  Përveç kësaj ai  është më i leverdishëm për duhanpirësit. Ja matematika ime.  Me 1 kilogram duhan  të grirë  prodhohen  afro 60 pako  cigare.  Mesatarisht një  pako  cigare  e cilësisë së mirë  të duhanit   kushton     3-4 euro, që do të thotë   180—240 euro shpenzime për një muaj, ndërsa  ata që e  konsumojnë duhanin e grirë të Krajës  shpenzojnë   tri deri në katër herë   më pak para , se të tjerët. Dhe, çka është më e rëndësishme ata dinë se çka pinë”, thotë Saiti.

Derisa të ketë shëndet do të kultivojë duhanin

Ky kultivues i   njohur  i duhanit një pjesë të vitit jeton në Krajë, kurse pjesën tjetër në lagjen Kodra të Ulqinit bashkë me bashkëshorten dhe babain. Kur mërzitet në Ulqin   shkon  në Krajë, e kur e merr malli për qytet  kthehet në  Ulqin. Kështu, thotë ai do të veprojë deri sa të ketë shëndet. Do të vazhdojë gjithnjë me mbjelljen e duhanit, por në sasi më të vogla.  Nuk mund të ndahet lehtë nga  prodhimi i duhanit, sepse, siç pohon ai, nga duhani, peshkimi e prodhimet tjera bujqësore e blegtorale  ka  shkolluar tre fëmijë, një djalë e dy vajza,  të gjithë me arsimim të lartë  e të martuar, ka blerë truallin  dhe ka ndërtuar shtëpinë në Ulqin. Shembull  i gjallë se si mund të  jetohet mirë dhe   me nder nga puna.