Kam lindur në kohë të liga,

0
546
Nga Bislim AHMETAJ
Një poemth i trishtë për jetën.
    * * *
(Kam lindur në kohë të liga,
Kam jetuar në kohë të vrullshme,
Po jetoj në kohë të turbullta
Do të vdes një ditë dhe do ta jetoj kohën time të pajetuar)
Unë kam lindur shekullin e kaluar
Mijëvjeçarin e shkuar kam lindur unë
Kam lindur në kohë të errta
Në kohë hijenash dhe korbash linda unë
Kam lindur në kohë kur hijenat çdo ditë prodhonin ushqim për korbat
Dhe korbat gjithmonë ishin të uritur
Kam lindur në kohë që po ti besoje Zotit shkoje drejt ferrit
Po ti besoje partisë -shtet dhe komandantit të saj të jepnin “Fletë-nderit”
Kam lindur në ato kohë kur sigurimi i bukës së gojës
Dhe mbrojtja e Atëdheut prej askujt
ishin detyrë mbi detyrat
Kam lindur në kohë kur togëfjalëshi “ liri – demokraci” ndalohej me ligj
Dhe ligjin e bënin injorantët, horat, batakxhinjtë dhe lëtyrat.
Kam lindur në kohë kur na ndalohej të shihnim më larg se majat e këpucëve tona
Shumica në majat e këpucëve shihte gishtin e madh të këmbës
Se këpucët qenë gjithmonë të grisura
Kam lindur në kohë kur përtej detit jetonin armiqtë tanë kapitalistë
Përtej kufijve tokësorë jetonin vellezërit tanë të gjakut por që ishin titistë, revizionistë e shovinistë
Kam lindur në kohë kur ishim të rrethuar vetëm nga armiq.
Por jo vetëm të rrethuar se ata,
Armiqtë kishin depërtuar kudo deri në kërvat.
Miq kishim dreqin dhe të birin e tij.
Dhe prisheshim me ta çdo pesëvjeçar.
Kam lindur në kohë kur fjala bënte mort dhe në mort s’të vinin as kushërinjtë e parë
Kam lindur në kohë kur flisnim me gojë në grusht të frikësuar se po na dëgjojnë
Dhëmbët dhe dhëmballet tona gjithmonë të prishura.
Kam lindur në kohë kur mbanim rradhë për bukë, për qumësht dhe për vajguri
Kam lindur në kohë kur në nevojtore edhe gatuanim edhe dhjesnim
Kam lindur në kohë kur ishte e natyrshme pyetja ;
A ke pas lugë kosi për ata fëmijë?
Kam lindur në kohë kur prinderit tanë jargaviteshin për të marrë një autorizim
Që të mund të blinin me paratë e tyre një televizor i cili merrte vetëm një stacion
që e hapte programin ne oren 6.00 të pasdites dhe e mbyllte në orën 10.00 të darkës.
Ditën e djelë qe festë e madhe sidomos për ne fëmijët
se programi niste në orën 10 të paradites
dhe zgjaste deri në oren dy të drekës .
Lajmet dhe koha ishin të përditshme, të njëjta, nuk ndryshonin kurrë,
Nuk mund të bënte kohë e keqe në shtetin komunist
Sukseset dhe arritjet I shihnim vetëm në televizorin që prindërit tanë e blinin me shumë mund,
duke u jargavitur para zyrtarëve të partisë shtet që ta siguronin atë autorizimin e frikshëm.
Kam lindur në ato kohë kur kacavireshim taracave dhe pemëve
për të varur antena të sajuara me tasa konservash që ti kapnim sinjalet e stacioneve
të armiqve që të kushtonin në rastin më të mirë debim- internimin .
Kam lindur në kohë kur ishte luks të kishe një frigorifer edhe pse s’kishe çka të fusje në të
Nënat tona të ngrata e përdornin si “dollap” e fusnin në të pakot e sheqerit, orizit dhe makaronave.
Kam lindur në kohë kur raftet e librarive të qyteteve tona të mjera
Ishin dëng me vepra të qoftë largut
edhe pse ai vet kurrë se shkroj qoftë edhe një rrjeshtë të vetëm
Poshtë banakut shiteshin ato pak libra të klasikëve të letërsisë botërore që botoheshin me tirazh të ulët.
Kam lindur në kohë kur fjala “parti” ishte e njëjtësuar me fjalën “nanë” dhe emri I diktatorit identifikohej me emrin e babës.
Në rastë se e doje jashtë derës së shpisë
më shumë nanën e babën se partinë dhe burrin e saj.
Siguroje një leje-qëndrimi për 8 deri në 25 vite në Spac, Burrel, Bulzqizë , Qafë Bari a gjetkë.
Kam lindur në kohë kur partia shtet farkëtoj “njëriun e ri” që fatkeqësisht
I mbijetoj Shekullit të XX-të
Dhe po mbretëron edhe në mijëvjecarin e ri.
“Njëriu I ri” është ai që e shohim përditë
Në ekranet e televizioneve që kanë mbirë si shtogu pas nevojtoreve.
Është ai që si ushujza “pinë” gjakun e të sëmurëve talasemikë
Është ai që vretë, pretë dhe bërtet në emër të togëfjalëshit “Liri Demokraci”
Kam lindur në kohë të liga,
Kam jetuar në kohë të vrullshme,
Po jetoj në kohë të turbullta
Do të vdes një ditë dhe do ta jetoj kohën time të pajetuar.
Ps:Fotoja është shkrepur në burgun e Spaçit para disa vitesh, poezia është shkruar gjithashtu para pese vitesh ateherë kur mbusha një gjysëm shekulli.