Ja përse duhet lënë duhani

0
828

Nga Marash Gilaj

( Më shumë se një kuriozitet)

Sëmundjet që shkaktohen nga pirja e duhanit do të bëjnë që një e dhjetta e banorëve të tokës, ku jetojmë, të vdesin, nëse niveli i konsumimit mbetet ky që është sot.
Në këtë perfundim ka arritur profesori Richard Peto nga universiteti i Oksfordit. Duke folur në një konferencë nderkombëtare, ai deklaroi se si shkak i pirjes së duhanit, jeta e miliona njerëzve do të shkurtohet me 20 vjet. Është shqetësues fakti se nga 2.3 miliard djem e vajza në botë, të moshës deri në 20 vjeç, 800 000 000 do të bëhen pirës të rregullt të duhanit. Vetëm në SHBA, çdo vit vdesin rreth 307 000 njerëz nga pasojat që shkakton duhani.
Një tjetër doktor, Donald Hensurd, drejtor i Programit Ekzekutiv shëndetësor të klinikës “MAY” në SHBA, thotë se të gjithë e dinë se sa e dëmshme është pirja e duhanit dhe sa e vështirë është ta lësh atë, por jo e pamundur. Doktori përmend shumë arsye për lënien e duhanit, disa prej të cilave janë të bazuara shkencërisht në mjeksinë e sotme moderne e disa të tjera si opinion i doktorit.
Duke lënë duhanin do të jeni më i mbrojtur nga sëmundjet e zemrës, hemorragjia në tru( Pika) dhe sëmundjet e mushkërive, ku hyn edhe kanceri në mushkëri.
Ja edhe disa përfitime të tjera nga lënia e duhanit:
⦁ Do të keni më pak rrudha në fytyrë.
⦁ Pas një viti keni kursyer aq para sa për të kaluar një pesëmbëdhjetditësh në plazh ose diku tjetër.
⦁ Nuk do të keni nevojë të dilni jashtë një restoranti , ndersa jeni duke ngrënë.
⦁ Nuk do ta ndieni veten si të gërbulur, pasi shumë të tjerë nuk mund të qëndrojnë pranë jush.
⦁ Do të kolliteni më pak.
⦁ Do t’i shijoni më mirë ushqimet.
⦁ Që puthja me ju të mos ngjajë me puthjen e një tavlle duhani, lereni duhanin.
⦁ Fëmijët tuaj do të sëmuren më pak nga infeksionet e frymëmarrjes.
⦁ Frymëmarrja juaj nuk do t’i bezdis të tjerët, që keni pranë.
⦁ Shtëpia, makina dhe rrobat tuaja nuk do të mbajnë erë duhani.
⦁ Do të keni më shumë energji dhe kohë.

Përkthyer nga anglishtja

2 Qershor 2021