ILIRË ISHIM, ARBËR U QUAJTËM, ALBANË NA THËRRASIN, SHQIPTAR PËRGJIGJEMI !

0
580

“NË NGJASIM TË NJË ESSEJE HISTORIKE”

NGA  NDUE  BACAJ
Si pak popuj në botë, ne shqiptarët në trojet tona etnike, pavarësisht se ku banojmë, në shtetin “mëmë”, Shqipërinë “Londineze”, në Kosovën e martirizuar dhe sot të lirë e të pavarur, në trojet shqiptare të Maqedonisë së sotme perëndimore (Ilirida), në trojet etnike shqiptare nën Malin e Zi, Serbi apo në trojet tona etnike të grabitura ndër shekuj e që sot “quhet” Greqia veriore e veriperëndimore, (Çamëria),  por edhe kudo që ndodhemi ne shqiptarët në dhena të huaja e ngulmime të ndryshme, bota vazhdon të na thërrasë Alban (Albanez) dhe ne me “Kryeneçësi” vazhdojmë t’i përgjigjemi Shqiptarë. Përjashtim bëjnë vetëm emigrimet e para shekullit 17-të ose asimilimi i para këtij shekulli i pjesëve të bekuara të Ilirisë nga shtete të ndryshme që u krijuan realisht apo “artificialisht”, të cilët vazhdojnë të përgjigjen me emrin e lashtë Arbër. Ku rreth këtij emri sillen shqiptarët e hershëm ku vlen të shënohen ngulmimet në Itali që quhen Arbëresh, në Turqi që thirren Arnaut, në Greqi Arvanitas dhe në Kroaci (Dalmaci) Arbnesh (Arberesh), etj. Ndërsa për shqiptarët në përgjithësi në historinë e gjatë të shekujve gjenë emërtimet e ndryshme që fillojnë me Ilir, Arbër, Albanoi, Alban, “Arnaut” e së “fundi” (para disa shkeujsh e këtej) Shqiptarë. Për të gjitha këto emërtime, që në pamje të parë të duken si mospërputhje me një emër të përbashkët që ne e quajmë shqiptarë, janë dhënë shumë mendime shkencore e amatore, dashamirëse e dashakeqe, por që të gjitha “bashkë” tregojnë pa asnjë mëdyshje se bëhet fjalë për të njëjtin popull që banon e jeton në trojet e veta autoktone prej mijëra e mijëra vitesh. Gjithsesi, rrjedhojat e kohëve, pushtimet e ndryshme, por edhe evolucioni i gjuhës sonë e gjuhëve që ne ishim në kontakt të vazhdueshëm me to, kanë lënë gjurmët e veta, herë me pasoja të pranueshme e herë me pasoja të papranueshme, por që sot realiteti që jetojmë ka filluar t’i dallojë pa mëdyshje se bëhet fjalët për njërin nga popujt më të vjetër e të qytetëruar në krejt Europës, që Zoti e fali në këto troje të bekuara e të keqlakmuar nga popujt “primitive”, që zbritën shekuj më vonë në këto vise që i ngjanin parajsës së vërtetë. Natyrisht “kalvari” i emërtimeve të popujve të ndryshëm në përgjithësi ka qenë më i lehtë se i popullit tonë, por edhe sot ka “diskordancë” në mes asaj që bota i thërret e ata përgjigjen, e për “Çudi” të paktën në Europë janë ata popuj që dikur në lashtësi ishin me shqiptarët degë të të njëjtit trung, për shembull Gjermanët (Arianët) thërriten Tedesk, Dojç e tjerë, ndërsa Hungarezët thirren Maxhar e përgjigjen Hungarezë , greket thirren grek e mundohen te pergjigjen helen e tjerë e tjerë…

Natyrisht siç e thashë më siper, bota e “pabindur”, gjithnjë na thërret Alban e vendin Albania, ndërsa ne privatisht e zyrtarisht me “kryeneçësi” i përgjigjemi vetëm Shqiptarë e Shqipëri. Po si kështu… Natyrisht pa pretenduar të vendos ndonjë “gur” të palëvizshëm do të mundohem të sjell kronologjikisht “historinë” e rrjedhojës së emërtimeve të kombit tonë ndër shekuj, duke plotësuar kështu pak nga shumë shkrime të miat në të cilat edhe unë kam përdorur emërtime të ndryshme në kohëra të ndryshme, për popullin tim të cilit i përkas… Hyrjen do ta bëj me një poezi të Eskilit, Hiketides, (ku mbreti Aragon i drejtohet korit të Danaidëve):

“M’u përgjegj e me guxim më trego:

Se jam Pellazg i pari i kësaj toke

Krijues i Palehtonisë nga toka i lindur…”

Pra këtu bëhet fjalë për Pellazgët, paraardhësit e të parëve tanë Ilirë, që historiani e studiuesi francez Robert D’Anxheli në librin e tij “Enigma” shpjegon shkencërisht lidhjet Pellazgo-Ilire, si dhe “Racën” Pellazge të lindur nga “toka” me “Ymrin” e Zotit, e ku Pellazgë do të thotë i Lindur i bardhë nga ngjyra e jeta…Ndërsa për stërgjyshërit tanë Ilirët, ja çfarë shkruan historiani dhe albanologu Karl Patsch në veprën e tij Ilirët: “Ilirët banonin prej bregut të djathtë të Danubit… deri në Adriatik… dhe shtriheshin nga jugu në krejt pjesën perëndimore të gadishullit Ballkanik, tuj përfshi ishujt e Dalmacisë deri në Tesali, në Epir e në Veriperëndim të Greqisë…”. Ndërsa studiuesi e historiani (nga Boga e Malesise se Madhe) At Marin Sirdani shkruan se Maqedonia ishte pjesë e përbame prej vëllezërish Iliro-Trakë të ndamë në 15 fise të një gjaku e të një gjuhe, banorët ishin një degë e familjes Ilire… Ndërsa autori i disa veprave klasike mbi historinë e Romës së vjetër, Theodor Mommsen, në veprën e tij “Provincat e Perandorisë Romake”, ndër të tjera shruan: “Tokat e Ballkanit dhe të Europës së Mesme që njiheshin në kohën e Romakëve si Iliri, morën këtë emër mbasi ishin të banuara nga raca Ilire, që ishte fort e përhapur në atë kohë. Pasardhësit e kësaj race jetojnë edhe sot në skajin jugor të tokave të gjana që okupojshin në fillim. Ky popull i vogël që sot e quan veten Shqiptarë dhe të huajt e njohin si Albanez ose Arnaut, dhe ka ruajtur deri më sot kombësinë dhe gjuhën e tij të lashtë… Shqiptarët janë pjesë e familjes së popujve Indo-Gjerman dhe megjithëse janë më afër degës greke, ato dallohen prej grekëve aq shumë sa dhe Latinët ose Keltët. Në agimin e epokës historike kombi Ilirjan okuponte brigjet e Adriatikut, prej grykës së lumit Po, përmes Istrias, Dalmacisë dhe Epirit, deri në Arkani dhe Etoli (sot të Greqisë, shënim i autorit). Në drejtimin lindor tokat e Ilirëve shtriheshin mbi Maqedoninë e Epërme, Serbinë e Jugut, Bosnjen dhe pjesën e Hungarisë që është në jug të Danubit. Në lindje Ilirët ishin në kufi me fiset Thrakase dhe në perëndim me Keltët, prej të cilëve Taciti i shquan në mënyrë fare të qartë…”Ndërsa në poemën e lashtë “Iliada” e Homerit, tregohet për dy fise Ilire si aleate në luftën e Trojës e këto fise ishin Paionët dhe Dardanët. Eneu, trimi legjendar që pati dyluftim me Akilin dhe prijës të tjerë Greko-Helenë sipas Iliadës së Homerit, tregoi trimëri të rrallë dhe ishte bir i fisit Dardan (Kosova e sotme). Ku pas shkatërrimit të Trojës, Eneu u kthye në trevën e vet, Dardani… Ndërsa një autor tjetër i lashtësisë Virgjili, në veprën e tij “Eneida” n’a paraqet madhështor momentin që luftëtarët Dardanë po u afroheshin mureve të Trojës, por që rruga e largët dhe vështirësitë e udhëtimit (në dete) arrijnë pak më vonë se duhej e ku Virgjili  e paraqet thënien e Eneut me këto vargje:

“O dritë e Dardanisë, ti shpresa

më e madhe e Trojanëve, pse u vonove…?”

Dhe siç shkruan studiuesi malësor Preloc Margilaj te libri i tij “Ilirët flasin Shqip – Shqiptarët flasin Ilirisht”, “O dritë e Dardanisë” – është dritë që ndriçon në histori 30 shekuj. Kjo dritë nuk shuhet kurrë. Kot mundohen këta ardhacakë të stepave të lindur e mësuar me një jetë askete, duke fjetur në shpinë të kalit, në karvane shpella e pyje, duke u ushqyer më shumë me misër të pazier me bimë e me rrënjë…” Ndërsa të parët tanë kishin emrin domethënës që në shqipen e “vjetër” e të Re shpjegohet qartë e saktë se Ilir e kishin se ishin të lirë në trojet e tyre që i kishte falë vetë Zoti, duke i bërë zot të tyre e tokës së tyre. Duke qenë se Ilirët ishin fiset dominante jo vetëm në Ballkan por edhe në një pjesë të madhe të territorit të vetë Europës të organizuar në format “shtetërore” të kohës, ata që banonin në territorin Etnik Ilir, ndonëse të ogranizuar sipas provincash të ndryshme, kishin një emër të dalluehsëm nga fiset e tjera Ilire e këta sic thoshte Sami Frashëri u quanin Arban e ku i shpejgon me bashkimin e dy fjalëve Ilire (shqipe) Ar(ë) dhe Ban, domethënë që bën, punon, lëron arat (tokën), pra bëhet fjalë për një popull punëtor e me ekonomi të zhvilluar për kohën. Këtë emër e përforcon gjeografi Aleksandrin, Claudius Ptolemeus, i cili në shekullin e dytë (pas lindjes së Krishtit) ai e quan “Ilirinë” Albanon, kur ai në atë kohë e shkruan greqisht, pra duke zëvendësuar R me L. Ndërsa për kryeqendër të “Albanonit” ai thotë se ishte “Albanopolis”, e ky qytet sipas Georg Hahnit (albanolog i shquar) ishte në afërsi të Krujës së sotme. Ka shumë autorë të tjerë që emrin e këtij fisi të madh Ilir e quajnë Albanoi dhe e lidhin me emrin e zogut mesdhetar Albatos i cili banon me shumicë në këto pellgje me klimë të mrekullueshme, ka të tjerë që e lidhin me emrin e bimës Albatrosi që rritet me shumicë në bregdetin Adriatik. Por ka autorë që e lidhin emërtimin e kësaj treve të begatshme me drurët dhe bimët e mrekullueshme që pëshkonin tërë vendin e Ilirisë së moçme (Shqipërisë Etnike), ku pyje të mrekullueshme përshkonin zona të tëra, e për këtë autorët thonë se emërtimi vjen nga fjala Latine albero-druri, pema. Por ka edhe studiues të tjerë të cilët mbrojnë teorinë se vendi kryesor i Ilirëve u quajt Albanoi, Albania, Arbëria e tjerë, për arsye se banorët e gadishullit Apenin (Italian) e shihnin se dielli (drita) lindte nga bregdeti lindor Adriatik, ku ishin të vendosur të parët tanë e si të tillë vendin e quanin sipas gjuhës së tyre Alba (agon, lind), ndërsa prapashtesat e tjera i konsiderojnë rrjedhoja të evolimit të gjuhëve të ndryshme që kaluan mbi trevat Ilire, ndërsa tërë vendi u quajt Albania. Ndërsa Preloc Margilaj në librin qe sipercituem “Ilirët flasin Shqip – Shqiptarët flasin Ilirisht”, thotë se në favor të këtij pohimi shërben edhe një fakt historik, se territoret Italiane në pjesën e madhe të tyre kanë qenë të banuara me fise Ilire që janë shpërngulur nga ana lindore e Adriatikut, nga lindja, atje ku lind dielli që sjell agimi, Albën dhe abrogjenët kanë filluar të quajnë Albanë, Albanezët nga Alba…”. Këtë fakt e “mbështet” edhe poeti Romak, Virgjili i cili trimin Dardan te luftës së Trojës, Eneut i kushton poemën epike “Eneida”, ku sipas Virgjilit pas shembjes së Trojës, Eneu shtegtoi në shumë vise Ilire, ku zbriti gjithashtu në Butrint dhe më në fund shkoi në ishullin Italik ku edhe themeloi qytetein Laviniium, kurse i biri i tij Askani ngriti qytetin Albano, ku këto qytete ishin në afërsi të Romës së sotme. Në fillimet e shekullit XI (mbas Krishtit), autorët bizantinë i quajnë shqiptarët me emrat Arbanitai, Albanitai, Albanoi dhe vendin Albanon, ndër autorët kryesorë mund të përmendet e bija e perandorit të Bizantit, Anna Komnena, si dhe perandori Kantakuzen. Por më vonë në shekujt XII e XIII, në dokumentet latine, shqiptarët quhen Arbanensen, e toka e tyre Arbanum e Albania, prej nga rrjedhin emrat e mëvonshëm deri në ditët e sotme, Albanais, Albanese, Albania, Albanien… Ka mendime të ndryshme për hershmërinë e përdorimit të emërtimeve Arbër e Alban, disa autorë thonë se emri Arbër është përdorur më parë, por me kalimin e kohës e sipas gjuhëve të pushtuesit agresor e “miqësor”, ndryshoi germa R në L, duke u bërë nga Arb në Alb e të tjerat janë rrjedhojë e kësaj, ka të tjerë autorë që thonë se Alb e Albanon e Albania e Albanez është më e hershme se Arbër, Arbëri dhe gradualisht si më sipër ka ndodhur zëvendësimi i L me R, pra nga Alb është bërë Arb e rrjedhojat vijnë si më sipër në rastin analog. Natyrisht kjo është një çështje e shkencëtarëve dhe akademikëve që merren me këto fusha, por edhe mendimi im personal është se sipas shumë studimeve e autorëve që janë të shumtë dhe argumenteve paraqesin “Alb është para Arb”, gjithsesi kjo nuk ka shumë rëndësi, pasi rëndësi ka që të gjitha këto emërtime bashkohen në pikën kryesore se populli ynë me prejardhje Ilire është një dhe vetëm një si dhe autokton në trojet e veta… Në historinë e paspushtimit Osman në Shqipëri del emri Arnaut, ku kështu thirrej populli jonë nga pushtuesi Turk, për këtë emërtim të ri i referohem Vojvodës malazez Mark Milani, i cili në librin e tij “Jeta dhe zakonet shqiptare” shkruan: “…Kur pa sulltani se ushtria e tij filloi të dezertonte dhe vetëm Taborri i shqiptarëve vazhdonte të luftonte e të mos jepej, ai pyeti: Po ata pse nuk ikin? E dikush u përgjigj, shkëlqesi ata e kanë për turp të ikin, të kthehen prapa, ndërsa sulltani paska thirrur, Ah qenkan Arnaut”. Emërtimi Arnaut, rrjedh prej gjuhës Persiane, e cila së bashku me gjuhën Arabe dhe atë Turke është pjesë përbërëse e gjuhës letrare Turke, e diçka e ngjashme është emërtimi që shpjegohet ar-kthehu, e na-me, ut-mbrapshtë.”.   Por pas këtyre emërtimeve, si ndryshuan kaq “magjishëm” të gjithë këto emrtime (toponime) në emrin që kemi sot Shqiperi e Shqiptarë ??. Në një shkrim të Pashko Vasës, shkruhet se emri shqiptarë është shumë i hershëm e për këtë ai jep si argument se kur mbreti Ilir me famë Pirroja i Epirit po luftonte me Romakët (para rreth 2500 vjetëve) si dhe korri një fitore të bujshme, ushtarët e tij i thanë se ke luftuar si Shqipe mali (shqiponja ishte simbol i flamurit të Provincës Ilire, Epirit, ku drejtonte Pirroja, shënim i autorit), dhe ai iu kthye ushtarëve: “Jeni ju or shqiptarë që më bëtë kështu mu si një shqipe…”. Gjithsesi kjo është një dëshirë e pavërtetuar e Partiotit Pashko Vasa, e dëshira mbetet dëshirë, pasi u deshën mbi 2000 vjetë që të “rizbulohet” ky emër. Robert D’Anxheli, autori i librit  “Enigma”, në faqen 290 shkruan: “…Fjala shqiptarë nuk datohet në realitet më përpara vitit 1375 në Shqipëri, por ajo bëhet e njohur dhe e famshme për shkak të qëndresës të një ushtrie të vogël shqiptare (d.m.th. mbartës e shqiponjës, e shqipes) të princit legjendar shqiptar Gjergj Kastrioti, Skënderbeu (1444-1468)… Më 1380 fjala shqiptarë ishte shumë e zakonshme në Shqipëri”. Albanologu i shquar Gustav Majeri shkruan se shqiptar (Shkiptar) do të thotë njeri, që kupton (gjuhën) është më i pranueshëm, e kjo tezë mbështetet mjaft ku fjala shqiptar do të thotë që flet shqip, gjuhën e truallit ku lind e u rrit, gjuhën e nënës së tyre. Ka autorë të tjerë që thonë se emri shqiptar rrjedh nga emërtimi i një familje që paska jetuar në Drisht (Shkodër) dhe në dokumentet e shekullit XIV gjindet mbiemri Shkipëtar (Schapuder, Schepudar), por kjo tezë është e papranueshme që emri i një familje që më vonë i humbi shenja e nishani të jetë bërë shkak për emërtimin e një populli të tërë. Ka edhe një hipotezë tjetër që thuhet se emri vjen nga fjala latine scopulus që do të thotë shkrep, e vend i shkrepave, por në Shqipëri ka shkrepa, por edhe shumë pllaja e fusha që ia ka zili krejt kontinenti, e si rezultat nuk është argument i konsiderueshëm. Ndërsa autori i librit “Antologjia e Historisë”, Mustafa Kruja shkruan: “Për mua s’ka asnjë pikë dyshimi që emri shqiptar është formuar prej rrënjës shqipe dhe mbrapashtesës tar… në kuptimin që flet shqip… ku don me thanë qartë kuptueshëm…” Më poshtë po ky autor vazhdon, “…Por kur vallë ku e si lindi ky emër (shqiptar), si u përhap e hyri në gojën e çdo arbneshi, siç duket me një shpejtësi të jashtëzakonshme e forcë aq të mrekullueshme… Proçesi i këtij ndërrimi emri mund të ketë filluar që në fillim të shekullit 18-të e më parë (1680-1701) (shënim i autorit), shkaku kryesor ka qenë feja. Muslimanizmi hyri vonë në Shqipëri, ishin ende të krishterë 90% në Shqipëri në vitin 1650…Një pjesë e Arbëneshëve te bërë muhamedanë nuk mohuan vetëm fenë, por edhe kombësinë dhe e quajtën veten Turq, në emrin e zotëruesve që u kishin sjellë fenë e re… e në botën e atëhershme ndarja në përgjithësi bëhej sipas fesë e jo kombësisë, kështu edhe populli shqiptar u nda në gjysmën e dytë të shekullit 17-të në dy “rryma” të kundërta, “Turqit” në njërën anë dhe “Arbëneshët” në anën tjetër, se në atë kohë Arbnesh donte me thanë edhe i krishterë… Një hendek i tmerrshëm filloi të hapet midis popullit. Turma ishte e padijshme e shkonte nga ta shpinte zemra e mbushur me mni e interesat vetjake. Por në Shqipëri kishte në atë kohë edhe një klasë të zgjedhur që mendonte e ndjente për popullin e ajo ishte kisha Katolike. Kjo përvnerej ka shihte “dhente” e veta tuj u arratisë ndër sy e tuj u përzie me grigjen armike, por dridhej më tepër tuj pamun hendekun që përditë e ma fort ishte tuj u thellue e zgjanue nëpërmjet dy pjesëve të popullit, tuj i bërë vëllazrit armiq të papajtueshëm. Përmbi këtë gërrone të zezë duhej medoemos të krijohej një urë. Një shkëndijë gjenie e patriotizmi shkrepi në mendjen e në zemrën e një Prelati, ndoshta edhe të një prifti të thjeshtë. Ishte me kërkue gurin filosofal, ç’mund ta ftohë e largojë Arbneshin “Turk”, prej turkut të gjakut, d.m.th., prej turkut të vërtetë e ta afronte kah Arbneshi i krishterë, vëllau i gjakut të tij. Çfarë mund të ishte tjetër përveç gjuhës, gjë më e dukshme e më e kuptueshme për të padijshmin për t’ia treguar se turku ishte i huaj e Arbneshi i veti. Një urdhër një kryefjalë u shpërnda, si nën dhê nëpër të gjitha dioqezat, nëpër gjithë kuvendet, nëpër gjithë famullitë e Arbrit. Kisha katolike u vu më mish e me shpirt me predikue, ndër kisha e ndër familje, ndër mbledhje kuvendesh, dasmash e mortesh, ndër të Krishterë e ndër Musliman. Meshtari i brengosur, i mësuem e i udhëzuem prej të parit të vet do t’u thoshte gjindes: “Arbnesh e “turq” që flasin një gjuhëm që flasin shqip, na jemi vëllazen, kjo gjuhë është trashëgim i gjyshërve e stërgjyshërve tanë “turq” a “arbnesh”, musliman apo t krishterë, ne jemi të gjithë shqiptarë se flasim shqip…”. Kështu po krijohej një emër i ri, emri Shqiptar që i hynte në mendje lehtas Arbneshit e “neoturkut” se ishte emri i gjuhës që flitnin. Për “turkun” Arbnesh emri i vjetër ishte bërë i urryeshëm se i dukej se sundonin të krishterët, por gjuhës së folur nuk i binte mohit. Prandaj pranoi e përvetësoi pa vështirësi emrin Shqiptar dhe u mburr me të gjithmonë e gjithkund, siç e kanë vu re edhe studiues të huaj të Albanologjisë (Shqiptarisë)…”. Gjithsesi bota vazhdon të na thërrasë Alban (Albanez) dhe ne me “kryeneçësi” (me të drejtë) vazhdojmë t’i përgjigjemi Shqiptarë…