Ilir Meta votohet në krye të Partisë së Lirisë, sa votuan kundër tij

0
206

Ilir Meta është votuar sot në krye të Partisë së Lirisë, duke marrë 719 vota nga delegatët të cilët morën pjesë në Konventën e Partisë së Lirisë si dhe 3 votues votuan kundër tij.

Meta u zgjodh pa një kandidat rival ndërsa Partia e Lirisë zgjodhi dhe strukturat drejtuese të partisë.

Silva Caka, sekretarja e mardhënieve me publikun e PL-së publikoi rezultatet e votimit.“Votimet për Kryetarin e Partisë së Lirisë dhe anëtarët e Komitetit Drejtues Kombëtar, u hapën në orën 12:55 dhe u mbyllën në orën 18:15. Votimet u kryen në përputhje të plotë me normat e Statutit dhe me vendimet e Komisionit të Zgjedhjeve të Partisë së Lirisë. Gjatë procesit të votimit nuk u konstatua asnjë parregullsi dhe procesi u mbyll pasi votoi edhe delegati më i fundit. Komisioni i Zgjedhjeve të Partisë së Lirisë ka përfunduar edhe verifikimin e respektimit të barazisë gjinore dhe përfaqësimit të të rinjve, sipas proporcioneve të parashikuara në Statut.
Në votim kanë marrë pjesë 722 delegatë.
Në votimin për Kryetarin e Partisë së Lirisë, morën pjesë 722 delegatë, nga të cilët 719 votuan pro kandidatit për Kryetar të Partisë së Lirisë, Z. Ilir Meta dhe 3 delegatë votuan kundër.
Nga rezultati, Komisioni i Zgjedhjeve të Partisë së Lirisë, shpall fitues për postin e Kryetarit të Partisë, Z. Ilir Meta.
Në votimin për anëtarë të Komitetit Drejtues Kombëtar, morën pjesë 722 delegatë dhe pas verifikimit dhe llogaritjes së rezultateve, në përputhje me vendimin e Konventës, u zgjodhën 236 anëtarë të Komitetit Drejtues Kombëtar, numër të cilit i shtohen edhe 5 anëtarë, të cilët janë pa votim (ex-officio), ku përfshihen 4 deputetët e Partisë së Lirisë dhe Kryetarja e Lëvizjes Rinore për Integrim”, tha Caka