Herojtë e “Ballkanit të hapur” serb, që do na sjellin paqen

0
513

Nga Shaban Murati

Në 23 shtator 2021 Ministria e Mbrojtjes e Serbisë organizoi ceremoninë zyrtare të shfaqjes së filmit kushtuar Brigadës së Motorrizuar 125 të Ushtrisë Serbe, e cila mori pjesë në agresionin e Serbisë në Kosovë në vitin 1998-1999. Ja çfarë shkruan me këtë rast komunikata e Ministrisë së Mbrojtjes e Serbisë për filmin kushtuar “lavdisë” së kësaj brigade ushtarake serbe: “Brigada e motorrizuar 125, shpirti i saj i gatuar nga virtutet, bashkë me njësitë e tjera heroike dhe gjithë pjesëmarrësit e mbrojtjes së atdheut gjatë agresionit të NATO-s në vitin 1999, përbëjnë themelin e vlerave mbi të cilat qendron sot Ushtria e Serbisë”.
Ministria e sotme e Mbrojtjes e Serbisë i cilëson sot si vlera të saj krimet e kryera nga Brigada e motorrizuar serbe 125 në Kosovë gjatë agresionit serb kundër popullit shqiptar të Kosovës. Kaq flagrante janë krimet e kësaj brigade ushtarake serbe, sa që formalisht prokuroria serbe e krimeve të luftës nën presion ndërkombëtar u detyrua në vitin 2014 të hapte një hetim lidhur me akuzat e kryerjes së krimeve nga ajo brigadë. Komandanti i saj gjenerali Dragan Zhivanoviç në 24 prill 1999 urdhëroi vendosjen e regjimit ushtarak në fshatrat Qyshk, Zahaq dhe disa fshatra të tjera shqiptare në Kosovë, ku sipas prokurorisë serbe ai e dinte se pasojat këtij urdhëri do të ishin vrasja e civilëve, vjedhja e pronave dhe dëbimi i fshatarëve shqiptarë nga shtëpiat e tyre. Në 2017 prokuroria serbe e mbylli hetimin “për mungesë provash”.
Tani në vitin 2021 Ministria e Mbrojtjes e Serbisë i dedikon një film “lavdie” heroizmit kriminal të Brigadës së motorrizuar 125, që kreu masakra në Kosovë. Kjo është Ministria e Mbrojtjes e qeverisë së presidentit serb Vuçiç, i cili ka shpallur nismën e tij “Ballkan i hapur”, që sipas disa fantazistëve të sponsorizuar në Tiranë do t’i sjellë paqen popullit dhe kombit shqiptar.
Është paqja serbe e viteve 1998-1999 në Kosovë.