Gazetarët shqiptarë nën regjimin monist

0
667

Ardita REÇI Gazetarët janë një kategori e veçantë profesionale, të cilët e ushtrojnë profesionin e tyre nën trysni dhe ndikime të ndyshme të faktorëve socialë, ekonomikë, politikë, shoqërorë, etj. Siç thonë e studiuesit shqiptarë Hamit Boriçi, Bashkim Gjergji, Genc Tirana dhe Sadri Ramabaja në librin e tyre “Gazetaria1”: “Profesioni “gazetar” ka ngjyra e ngarkesë politike, ideologjike e shoqërore; ai përmban angazhim me përgjegjësi të lartë. Ai nuk është as nuk mund të jetë vetëm një “instancë transmetimi”, një përcjellës i thjeshtë në publik i lajmeve, i ngjarjeve apo i ndodhive të jetës përmes gazetës, radios apo televizionitGazetari profesionist vlerëson politikisht çdo fakt, gjykon për vlerat e tij dhe e interpreton atë, duke u shprehur edhe qendrimin vetjak[1]. Sado që kërkohet objektivitet dhe paanshmëri në transmetimin e informatave tek publiku, në shkollat e gazetarisë pranohet se vetë ndërmjetësimi që bën gazetari në transmetimin e realitetit është subjektivizëm. Duke qenë kështu, brenda gazetarit formohen praktika të ndryshme të ushtrimit të këtij “zanati”, të cilat janë shumë të ndjeshme prej luhatjeve të elementeve politike të ambientit që e rrethon, të tilla si vetëcensura. E për më tepër kur bëhet fjalë për ushtrimin e gazetarisë në kushte të veçanta siç janë regjimet totalitare, ku ky profesion merr një rëndësi të madhe për vetë sistemin.

Konsiderata mbi gazetarët

Sociologu i mediave Michael Schudson thotë se gazetaria nuk qëndron dot larg politikës dhe është një element i saj, por “për ta kuptuar gazetarinë si një pjesë të politikës, duhet të tregohemi mëndjehapur, duke pranuar që kultura të ndryshme politike dhe institucione të ndryshme politike i japin formë dhe strukturë lajmeve[2]. Ndërsa Max Weber, edhe pse e ka të vështirë të bëjë një përcaktim të saktë shoqëror, gazetarin e rendit si një nga figurat politike të një shoqërie të caktuar: “Ajo që gazetari ka të përbashkët me demagogun dhe me avokatin (dhe artistin), sipas Weber, është mungesa e një klasifikimi të caktuar shoqëror[3], – më tej shton: “Natyrisht çdo politikan e ka ndjerë nevojën për të ndikuar në shtyp dhe si rrjedhim ka ndjerë nevojën edhe për lidhje me të.”[4] Në këtë marrëdhënie, që Weber e shpjegon se hallka lidhëse me më shumë ndikim janë gazetarët, të cilët përveç aftësive dhe formimit të tyre (të nevojshme për ta ushtruar këtë lloj profesioni), kanë edhe mundësi reale për t’u përfshirë në jetën politike të një vendi. Ai mendon se karriera e gazetarit mbetet një nga rrugët më të suksesshme të veprimtarisë profesionale politike, pasi: “Ajo nuk është një rrugë që mund ta ndjekin të gjithë, dhe për më tepër, për karakteret e dobët, veçanërisht për njerëz që mund të ruajnë ekuilibrin e tyre të brendshëm vetëm me një pozitë të sigurtëstatusi[5].

Gazetaria dhe totalitarizmat

Colin Sparks vëren në librin e tij “Komunizmi, kapitalizmi dhe mass-media”, se në vendet totalitare: “Puna e gazetarëve ishte që të shpjegonin, të edukonin e të ndihmonin me shkrimet e tyre për të fituar mbështetje për ndërtimin e botës socialiste.[6]. I njëjti aktor i komunikimit masiv, ndryshe konsiderohej në Lindjen komuniste e ndryshe në vendet perëndimore të asaj periudhe. Ndërsa në Perëndim: “…detyra e gazetarit ka të bëjë më tepër me regjistrimin e ngjarjeve se sa me përzgjedhjen dhe interpretimin e tyre”,[7] të tjera konsiderata ka në Bllokun Lindor për të njëjtin personazh të jetës publike, aty: “Prirja e ndërgjegjshme, me të cilën kuptohet përzgjedhja e njohur dhe ndërtimi i materialit për të provuar një pikëpamje të veçantë mbi botën, ishte parimi organizues i shtypit komunist.”[8] Një ndër detyrat e medias së modelit perëndimor siç pohon studiuesi Claude-Jean Bertrand, është edhe lufta kundër krimeve, abuzimeve me pushtetin, dhe korrupsionin. “Lufta kundër korrupsionit dhe krimeve të tjera bën të nevojshme një media të pavarur dhe të lirë.”[9] Për këtë qëllim, edhe media, sipas parimeve perëndimore profesionale, duhet të jetë e pakorruptuar dhe zbatuese e rregullave të etikës, në mënyrë që të gëzojë besimin e publikut dhe të ketë ndikimin tek ai. Cluade-Jean Bertrandt, thotë tek libri Deontologjia e mediave, se “regjimet komuniste zhdukin lirinë e sipërmarrjes duke pretenduar se e lejojnë lirinë e të shprehurit. Rezultati është se: Shtypi i gjymtuar shndërrohet në një instrument budallallepsjeje dhe indoktrinimi.”[10]

Gazetarët gjatë regjimit komunist shqiptar

Siç e theksojnë edhe studiuesit Hamit Boriçi dhe Mark Marku: “Regjimi i ri e filloi sundimin e tij të gjatë në Shqipëri, duke ndaluar botimin e çdo organi alternativ të shtypit… Gjithashtu gazetat e revistat që botoheshin jashtë vendit, siç qe p.sh., gazeta “Dielli” e Bostonit, nuk u lejuan të hynin në Shqipëri. Qeveria komuniste ndërkohë ndaloi edhe botimin e organeve të reja të shtypit, që nuk kontrolloheshin nga qeveria. De facto, që prej nëntorit të vitit 1944 në Shqipëri nuk ekzistonte e drejta e pronësisë private mbi shtypin[11] Sipas një raporti të mbajtur në emër të Qeverisë Demokratike,  në sesionin e tretë të Këshillit  Antifashist Nacionalçlirimtar – 26 shtator 1945 , “Në Sektorin e shtypit dhe të propagandës” , del se ishte krijuar organizmi “Sektori i shtypit dhe i propagandës”.[12]  Rrjeti i shtypit të shkruar, tashmë krejtësisht nën kontrollin e shtetit edhe nëpërmjet këtij sektori, shtrihet shumë shpejt në të gjithë vendin.

Një pjesë e mirë e ngjarjeve të historisë së gazetarisë shqiptare të periudhës komuniste, duket se janë përsëritje pa hequr as pikë e as presje nga ndikimet e gazetarisë së modelit leninist, të ushtruar në Bashkimit Sovjetik. Duke filluar që nga konceptimi i shtypit në shërbim të Partisë, si i vetmi përfaqësues i proletariatit, shtetëzimi i të gjitha pronave të shtypit: “Marrja e kontrollit kalon së pari nga shtetëzimi i të gjitha pronave të shtypit dhe zbatimi i një censure parandaluese për të siguruar që vetëm e vërteta – ajo e Partisë – të bëhet publike. “E vërteta” është për më tepër emri në rusisht i gazetës së vetme të autorizuar që në 1917 me ardhjen në pushtetit të Sovjetikëve, Pravda”[13]; e deri tek konsideratat për gazetarët, të cilët “kanë një mision të vet, të përsërisin me terma lavdërues direktivat e Partisë”; si dhe përcaktimi i misionit të shtypit. Pas rëndësisë që Lenini i dha shtypit për dy arsyet kryesore: “shtypi duhet të jetë një instrument agjitacioni dhe propagande për të mbajtur lart pa pushim vrullin revolucionar, ai duhet të jetë gjithashtu rrip transmetimi ndërmjet përfaqësuesve të Partisë dhe popullit[14], – të njëjtën rrugë ndoqën të gjitha politikat drejtuese të vendeve të bllokut të Lindjes. Ata jo vetëm propagandonin me mediat e tyre “arritjet” e vendit përkatës dhe të mirat e kursit politik të ndjekur prej tyre, por edhe trasmetonin mesazhet nga Partia tek populli, duke u dhënë kështu rolin e komunikatorit, jo gazetarëve, por vetë përfaqësuesve të Partisë, siç thonë studiuesit edhe për rastin shqiptar, ku shkrimet direktiva, synonin të orientonin vëmendjen e popullit për nga drejtimi korrekt me vijën e partisë, ishin të hartuara në zyrat më të larta të nomenklaturës së Partisë.

Të gjitha komunikimet publike kontrolloheshin nga partia – shtet, që në mënyrë paradoksale deklaronte formalisht lirinë e shtypit, madje kjo sanksionohej edhe në “Ligjin për shtypin”, i botuar në vitin 1947, ku në nenin 1 thuhej; ‘Shtypi në Republikën e Shqipërisë është i lirë. Me përjashtim të rasteve të parashikuara nga ligji, çdo njeri është i lirë të shprehë mendimet e veta nëpërmjet shtypit’.

Kontradikta brenda këtij përcaktimi, lidhet me idenë e mësipërme se i gjithë sistemi i mediave të kohës konsiderohej si “pronë” e udhëheqjes komuniste.  Për këtë, studiuesi Artan Fuga në botimin Monolog, thotë se: ‘Shtypi i shkruar dhe mediat zyrtare të vetmet që ekzistojnë, përbëjnë elemente të sistemit politik autoritar. Mediat transmetojnë ato mesazhe informative që ofron vetë pushteti dhe, pasi ia kalojnë publikut, vetë pushteti prej të cilit varet i kthen jehonën që ky kërkon të dëgjojë. Asnjë lajm, koment a korrespondencë nuk duhet të jetë kaotike, spontane dhe aq më pak të vijë në kundërshtim me ideologjinë dhe me vijën politike sunduese[15].  Fuqia propagandistike e medias e kuptuar që herët nga drejtimi komunist i vendit (që me lëvrimin e shtypit ilegal gjatë Luftës), vlerësohet shumë herët. Në “Raportin mbi aktivitetin dhe detyrat e reja të Frontit, mbajtur në mbledhjen e dytë të Këshillit të Përgjithshëm të Frontit Demokratik[16]”, të datës 7 tetor 1946, thuhet: “…Shtypi të shpërndahet dhe të lexohet nga të katër anët dhe ky të jetë një shtyp jo vetëm informativ, por sidomos edukativ dhe të pasqyrojë jetën dhe frymën e re…” [17].

Karakteristikat e punës në shtypin e kohës

Në vitet e komunizmit shqiptar 1944-1990, me termin shtyp, përcaktohej i tërë sistemi i komunikimeve masive përmes mediave. Cilësimi që i bëhej në atë kohë këtij shtypi, nga organizuesit dhe studiuesit e tij, ishte se ky qe një “shtyp i tipit të ri, revolucionar”.  Enver Hoxha shkruante: “shtypi ynë revolucionar u bë, ashtu siç thoshte Lenini i madh, pjesë e çështjes së përgjithshme të Partisë, pjesë e çështjes së përgjithshme të proletariatit. Traktet dhe gazetat tona shpunë në popull fjalën e zjarrtë të Partisë dhe ngritën njerëzit peshë në luftën kundër pushtuesve fashistë e tradhëtarë të vendit. Jo më pak se nga armët partizane armiku tmerrohej nga shtypi ilegal[18]. Pra shtypi,  duhej konsideruar si armë e fuqishme kundër armikut. Sipas leksioneve mbi komunikimin bindës dhe propagandën të Mark Markut[19]Çdo propagandë e ka nevojën e një armiku dhe në momendin që nuk e ka, e shpik atë. Denigrimi i “armikut”, është dy llojesh: 1) Diskretitimi i personit. 2) Sulmi ndaj vlerave që përfaqëson individi apo aktiviteti i tij”. Ideja për t’i dhënë sa më shumë fuqi shtypit që drejtonte e për ta riorientuar audiencën e tij që ta lexonte e besonte atë, Hoxha tenton të shpikë armiq të dobët e frikacakë, që tmerrohen nga media e kontrolluar dhe orientuar prej tij. Duke patur në mendje gjithnjë “armiqtë”, e në shërbim të mbajtjes në këmbë të këtij rregjimi, shtypi i kohës organizohej në atë mënyrë që përmbajtja dhe brendia ideopolitike e tij të ndiqnin vazhdimisht këtë vijë logjike. “Ai është shtyp i masave dhe për masat, tipar thelbësor që e dallon atë nga shtypi i mëparshëm shqiptar. Prandaj detyra e tij ishte, që në ditët e para të jetës së tij, propagandimi i ideve luftarake të Partisë për çlirimin kombëtar e shoqëror nga zaptuesit e huaj e tradhëtarët e vendit[20].

Akademiku Artan Fuga, thotë se sistemi i informimit masiv në shoqëritë totalitare është ndërtuar në mënyrë hierarkike.  “I ndodhur mes kulmit të piramidës së pushtetit dhe lexuesit, gazetari lëkundet mes të dyve, anon edhe nga pushteti por edhe nga masa e qytetarëve nga individët anonimë, vështirësisht të kontrollueshëm në idetë, bindjet, pakënaqësitë, lidhjet e tyre shoqërore”. Sipas Fugës, gazetari i asaj periudhe ishte edhe njëfarë nëpunësi i mesëm, por edhe një individ i thjeshtë si gjithë të tjerët, i cili, sa më lart që të vështrohej, aq më tepër ai do të trajtohej si një individ anonim, si një vegël e thjeshtë në përdorim, si një njeri të cilit pushteti nuk i beson tërësisht, por ushqen edhe dyshime ndaj tij, e mban edhe nën njëfarë kontrolli të përditshëm[21]. Ndërsa në pozicionin e tij si një njeri i thjeshtë apo nga një kuadër i ulët apo i mesëm i administratës së partisë apo shtetit, shfaqet si instrument i pushtetit dhe njësohet me të. Nga ky këndvështrim i fundit, gazetari ka mbrojtjen e të fuqishmëve të kohës, është i njehsuar me pushtetin dhe shihet me mosbesim nga grupe të ndryshme shoqërore, nga masat e gjera popullore dhe nga nëpunësit.”[22]. Me një fjalë, gazetari është një person që merr goditje nga pushteti, por edhe jep goditje në emër të pushtetit, ideologjisë dhe politikës në fuqi. Edhe është i dobët, pra mbahet nën kontroll, por edhe është i fuqishëm dhe ushtron kontroll e trysni mbi të tjerët.

Konsideratat për gazetarin e kohës që vinin nga brenda sistemit mediatik të kohës, e vinin të parën si karakterstikën më të rëndësishme të kësaj figure partishmërinë, e cila renditej si e para në tipizimet profesionale. Atëherë ku thuhej se gazetari është së pari:“… Njeri me partishmëri të lartë, besnik i çështjes së popullit dhe të Atdheut…”[23]

Siç ka konkluduar në studimet mbi këtë periudhë kohore edhe Godole:“… Sistemi mediatik ishte tërësisht në shërbim të pushtetit duke ndihmuar me anë të propagandës në ruajtjen e status-quo-së dhe në ndërtimin e një realiteti që nuk përputhej me aktualitetin”[24]

E rëndësishmë është të theksohet një tjetër aspekt i propagandimit në mediat shqiptare të kohës: Propagandimi i Shqipërisë së suksesshme në sytë e botës dhe informimi i të huajve se modeli i rrokur prej saj ishte më rezultativi.

Krijimi i këtyre imazheve në sytë e botës, bëhej nëpërmjet përdorimit të të gjitha teknikave propadandistike, duke krijuar kështu një botë imagjinare, siç mendonte Arendt. “… Me përgjithësime të tilla, propaganda totalitare krijon një botë të përshtatshme për të konkuruar me botën reale, pengesa kryesore e së cilës është se ajo nuk është logjike, e qendrueshme dhe e organizuar. Qëndrueshmëria e trillit dhe pikëpamja e organizimit e bëjnë atë të mundshme për përgjithësim, eventualisht që të mbijetojë shpërthimin e gënjeshtrave më të veçanta… Sapo këto parulla propagandistike integrohen në një “organizëm të gjallë”, ata sigurisht s’mund të eleminohen pa prishur të tërë strukturën”[25]. Ideja e Arendt ishte se në sistemet totalitare përçimi i propagandës bëhet në mënyrë të organizuar dhe transmetimet e saj ndikojnë në krijimin e një strukture që mbahet tek ideologjia e sistemit dhe lëvizjeve totalitare. Edhe në shtypin shqiptar të kohës, kishte organizim, si brenda edhe jashtë sistemit mediatik. Orientimet dhe këshillat e vazhdueshme të Partisë dhe organeve në varësi të saj, ndikonin në punët e këtij sistemi.. Përveç komunikimeve të përditshme, i kushtohej kujdes i veçantë aktiviteteve kolektive, gjithnjë nën kujdesin e Komitetit Qendror, të Byrosë Politike, etj.

Kur flet për dallimet mes dy blloqeve të Luftës së Ftohtë, Gabriel Partos thotë se:“Shpejtësia e njoftimit përbënte një tjetër cilësi që zyrtarizmi sovjetik nuk e çmonte”[26]. Duke folur për mangësitë në korrektesën kohore të transmetimit të informacioneve në bllokun lindor, Partos e trajton si të mirënjohur tiparin zyrtar të shtypit të modelit sovjetik. Ndërsa Qamil Buxheli (në një si qarkore) kritikon fjalitë urdhërore me “duhet”….”Jam i mendimit se si “shkrimet relacione” dhe shkrimet “qarkore”, ku jepen “udhëzime” e “receta”, “porosi” për gjithçka dhe për të gjithë njësoj nuk duhet të kenë vend në shtypin tonë dhe duhen parë si miell nga thesi i praktikës burokratike, nga thesi i zyrtarizmit”. [27] Ky fenomen në fakt, në dukje goditej jo pak herë, edhe pse e shoqëroi deri në fund atë sistem mediatik, për vetë faktin se duke mos arritur ta kritikojë burokratizimin e vendit, gazetari binte në pozita konformizmi, siç thotë Fuga (Fuga, 2010). Në librin Gazetaria shqiptare në tranzicion,  studiuesja Jonila Godole, kur paraqet trashëgiminë e sistetimit mediatik të formësuar gjatë periudhës së komunizmit, pasi thotë se: “Të gjitha aktivitetet partiake, kongreset, plenumet e rëndësishme, dhe sidomos fjalimet e Enver Hoxhës, botoheshin të plota në shtyp dhe transmetoheshin në radio dhe televizion, – citon (Coman 1994: 82), – Në këtë aspekt, gazetarët nuk dallonin shumë nga burokratët partiakë, madje Coman, për të vënë në pah ngjashmërinë mes tyre, përdor termin “burokratët e të vërtetës”.

Në redaksitë e mediave shqipare të periudhës komuniste, bëheshin mbledhje të cilat paracaktonin detyrat e secilit prej gazetarëve dhe korrespondentëve të terrenit, se çfarë teme do të trajtonin, duke planifikuar kështu paraprakisht punën dhe materialet që do të sillnin ata me vete për botim. Rastësia nuk ishte rutinë e punës. Siç pohon Fuga, për gazetarët nuk ishte jeta që e shtynte gazetarin të bënte punën e tij, “por janë temat e përcaktuara nga vetë gazetari ato që përcaktojnë, sipas kësaj ideje, agjendën e mediave. Pra gazetari ndodhet në terren jo për të vëzhguar dhe analizuar faktet dhe ngjarjet e aktualitetit, por thjeshtë për të vërtetuar një mendim paraprakisht të strukturuar, për të përmbushur një lëndë empirike një temë tashmë të strukturuar në mendjen e tij”[28]..

Rëndësinë që merrte shtypi në përçimin e mesazheve politike, drejtuesit komunistë të shtetit e kishin kuptuar që me lëvrimin e formave ilegale të shtypit që do të drejtonin më vonë, kur Lufta e Dytë Botërore nuk kishte mbaruar ende. Në një letër, drejtuar “Zërit të Popullit” në dhjetëvjetorin e themelimit të këtij organi, më 24 gusht 1942, riformulohet mendimi: “Gazeta duhet të bëhet gjithmonë një agjitator më i fuqishëm, një propagandist i flaktë dhe një organizator kolektiv më i mirë i masave tona punonjëse…”. [29] Vite më vonë, ky mendim nuk ndryshoi, përveç se u përforcua ashtu siç u shtri edhe rrjeti i mediave, tashmë të ligjshme dhe nën drejtimin e njohur të politikës shtetërore. Në vendimin e Vendimi i Pleniumit të Komitetit Qendror të PPSh “Mbi punën ideologjike të Partisë dhe masat për përmirësimin e saj”, të datës 27 prill 1955, pasi deklarohet se: “Shtypi, radioja dhe botimet si armë të fuqishme të agjitacionit e të propagandës dhe të organizimit të masave për ndërtimin e socializmit, janë zgjeruar dhe forcuar mjaft. Ato kanë luftuar me sukses për edukimin dhe mobilizimin e masave për zbatimin e detyrave të ndërtimit ekonomik dhe kulturor të vendit, për mbrojtjen e lirisë e të pavarësisë kombëtare… Por me gjithë këto përmirësime, niveli ideologjik i shtypit është i ulës, ai nuk tërheq vëmendjen në çështjet kryesore dhe roli organizator i tij nuk ndihet sa duhet”[30]. Nëpërmjet organizimit kolektiv që duhej të realizonte shtypi, radioja dhe televizioni, ata duhej të ndihmonin në formimin e kuadrove të reja të partisë, që do të thotë me pak fjalë se materialet që publikoheshin aty kishin brendi të theksuar politike. E për këtë faji shpesh u vihej gazetarëve, të cilët deri sa nuk e realizonin mirë detyrën e tyre, kjo përkthehej se nuk kishin formim të mirë ideologjik, ndaj duheshin korrigjuar…

Në mediat shqiptare të asaj periudhe mund të pasqyroheshin vetëm ngjarje, fenomene apo modele pozitive. Më qëllimin e deklaruar (justifikimin) “që të mos u japim material mediave të huaja”, dhe në fakt për të mos pranuar të metat e dobësitë e vetë sistemit, në shtypin shqiptar të kohës nuk flitet për realizimet e mosrealizimet në tregëtinë e jashtme, “papunësi” apo “inflacion”, por as nuk raportohej “nga salla e gjyqit”. Ndaj dhe kur flet për faktet mediatike, Fuga thotë: “se ato ishin në përputhje me ideologjinë, politikën dhe propagandën në fuqi. Të gjitha faktet e tjera, sado reale të jenë, sado interesante, nuk mund të transformohen nga fakte realiteti në fakte mediatike”[31].  Ndrësa Boriçi që për shumë vite ka drejtuar gazetën “Bashkimi” në pozicionin e kryeredaktorit, thotë se: “Për gazetën, radion dhe televizionin nuk është fakt çdo ngjarje, ndodhi, çdo proces jetësor a veprimtari shoqërore. Këto në vetvete përfaqësojnë fakte jetësore, por jo për t’u pasqyruar në shtyp, për t’ua servirur lexuesve, ato përbëjnë fakte nëse kanë vlerë shoqërore, në qoftë se u shërbejnë zhvillimit dhe përparimit shoqëror”[32]

Siç thotë edhe akademiku Fuga: “Gazetari shqiptar i kohës nuk mund të dalë kurrsesi jashtë alternativave, opinioneve dhe direktivave zyrtare. Çdo mendim jashtë këtyre të fundit do ta fuste atë në një zonë të rrezikshme për sa i përket ruajtjes së vendit të tij të punës, sidomos lirisë së tij qytetare. Ndëshkimi që ai mund të marrë është në përputhje me faktin se sa larg ka shkuar ai përtej normave zyrtare të shprehjes në media. Sigurisht pushteti ka vendosur kufij dhe asnjë gazetar nuk mund t’i kapërcejë ata për t’u shprehur në media.”[33] Përballë të gjitha trysnive dhe “formatimeve” të figurës së gazetarit, sipas kërkesave të asaj kohe, sërish Boriçi gjatë bisedave personale thotë se në atë periudhë ushtrohej mirëfilli gazetari, edhe pse jo në gjitha shkrimet, dhe çfarë është më e rëndësishme, gazetaria dhe publicistika ushtroheshin duke përkitur në shumë, për të mos thënë në të gjtha zhanret. Në lidhje me pretendimin se në atëkohë kishte gazetari të mirëfilltë, shumë studiues të tjerë nuk bien dakort, duke pretenduar se gazetaria shqiptare e asaj periudhe, vetëm informim publik nuk ishte (dhe ky duhet të jetë kriteri i parë dallues i gazetarisë), por vetëm propagandim në shërbim të shtetit.


[1]  Grup autorësh (2000): Gazetaria 1 – Njohuri të përgjithshme, ShBLU, Tr., fq. 127.

[2]  Schudson M.,(2003): The Sociology of News, New York, Norton&Company, New York, L., p. 166.

[3]  Weber, Max (2004): Studime sociologjike, botimet Plejad, Tiranë, fq. 166.

[4]  Weber, Max (2004): Studime sociologjike, botimet Plejad, Tiranë, fq. 166.

[5]  Weber, Max (2004): Studime sociologjike, botimet Plejad, Tiranë, fq. 166.

[6]  Sparks, Colin (2001): Komunizmi, kapitalizmi dhe mass-media, ISHM, Tiranë, fq. 81.

[7]  Sparks, Colin (2001): Komunizmi, kapitalizmi dhe mass-media, ISHM, Tiranë, fq. 81

[8]  Sparks, Colin (2001): Komunizmi, kapitalizmi dhe mass-media, ISHM, Tiranë, fq. 81

[9]   Bertrand, Claude-Jean (2007): Deontologjia e mediave, ISHM, Tiranë, fq. 7..

[10]  Bertrand, Claude-Jean (2007): Deontologjia e mediave, ISHM, Tiranë, fq. 7.

[11] Boriçi,H.; Marku,M.(2010):Historia e shtypit shqiptar, nga fillimet deri në ditët tona, SHBLU,T.,fq. 232.

[12]Partia e Punës e Shqipërisë për shtypin, Shtëpia botuese “8 Nëntori”, Tiranë, 1980, fq fq. 72.

[13]  Balle, Francis (2011): Mediat dhe shoqëritë, Botimet Papirus, Tiranë. Fq. 254.

[14]  Balle, Francis (2011): Mediat dhe shoqëritë, Botimet Papirus, Tiranë. Fq. 254.

[15]  Fuga, Artan (2010): Monolog, Dudaj, Tiranë, fq.

[16]  Shënim: PKSH fshihej pas Frontit Demokratik deri më 1948.

[17]  Partia e Punës e Shqipërisë për shtypin, Shtëpia botuese “8 Nëntori”, Tiranë, 1980, fq. 47.

[18]  Enver Hoxha – Vepra, vëll. 26-të, f. 313-314

[19]  Mark Marku, Leksion mbi Komunikimin Bindës, në Departamentin e Gazetarisë dhe Komunikimit, Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë, Universiteti i Tiranës, viti akademik 2014-2015.

[20] Boriçi, Hamit, (1986): Redaksia dhe puna e gazetarit, Teoria dhe praktika e shtypit popullor,Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Shkencave Politike dhe Juridike, T.,  fq.7.

[21]  Fuga, Artan (2010): Monolog, Botimet Dudaj, Tiranë, fq. 175.

[22]  Fuga, Artan (2010): Monolog, Botimet Dudaj, Tiranë, fq. 175.

[23]  Boriçi, Hamit (1986): Redaksia dhe puna e gazetarit, Teoria dhe praktika e shtypit popullor, Universiteti i Tiranës, fq. 63.

[24]  Godole, Jonila (2014): Gazetaria shqiptare në tranzicion, Papirus, Tiranë, fq. 61.

[25]  Arendt, Hannah (2002): Origjinat e totalitarizmit, Dija, Prishtinë, fq. 465.

[26]  Partos, Gabriel  (1994): Bota që erdhi prej të ftohtit, Çabej, Tiranë, fq. 97.

[27]  “Tribuna e Gazetarit”,  nr. 1 (42) 1971, Tiranë, fq. 19.

[28]   Fuga, Artan (2010): Monolog, Botimet Dudaj, Tiranë, fq. 127.

[29]  Partia e Punës e Shqipërisë për shtypin, Shtëpia botuese “8 Nëntori”, Tiranë, 1980, fq. 123.

[30]  Partia e Punës e Shqipërisë për shtypin, Shtëpia botuese “8 Nëntori”, Tiranë, 1980, fq. 144.

[31]  Fuga, Artan (2010): Monolog, Botimet Dudaj, Tiranë, fq. 151.

[32]  Boriçi, Hamit;  artikull në “Tribuna e Gazetarit”, nr. 1, 1977 me titull: “Fakti, tema problemi”.

[33]  Fuga, Artan (2010): Monolog, Botimet Dudaj, Tiranë, fq. 171.

BURIMI :https://exlibris.al/