Fjalët e ish-presidentit Ibrahim Rugova për Adem Demaçin në vitin 1990

0
327

Profesori univeritar, Milazim Krasniqi, ka shpërndarë një fjalim të ish-presidentit Ibrahim Rugova për veprimtarin Adem Demaçi, gjatë viteve të 90-ta.

Sipas Krasniqit, në maj të vitit 1990, në një atmosferë të përzemërt, mysafir i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës ishte Adem Demaçi, njëri nga ata që krijoi bërthamën e saj dhe njëri nga pionierët e letërsisë shqiptare që krijohet në Jugosllavi.

Në këtë pritje të shkrimtarit, fjalën e rastit e mbajti Ibrahim Rugova, kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve.

Rugova, kishte nisur fjalimin duke lavdëruar romanin e Demaçit të titulluar “Gjarprinjtë e gjakut”.

Më pas, ish-presdienti kishte folur për burgimin e Demaçit nga regjimi jugosllav, duke e quajtur “qëndresë njerëzore dhe intelektuale, që dinë dhe mund ta mbajnë vetëm shkrimtarët e vërtetë, të cilët pos veprës, i mbajnë edhe bindjet politike dhe njerëzore”.

Fjalimi i Rugovës

I dashuri dhe i nderuari Adem Demaçi, ju dëshiroj mirëseardhje të ngrohtë në Shoqatën e Shkrimtarëve të Kosovës. Më lejoni që këtë fjalë rasti ta filloj me moton e romanit tuaj të njohur “Gjarpinjtë e gjakut”, njërit nga romanet më të njohura shqiptare: ”Jo atyne që janë trima me ngreh gishtin e krimit, po atyne që janë trima me shtri dorën e pajtimit”.

Po e filloj me këtë moto, sepse është një formulë universale, e dalë nga shpirti i shkrimtarit, për paqe e mirëkuptim midis njerëzve. Pra, Demaçi është shkrimtar i harmonisë shqiptare dhe njerëzore, humanist i madh. Themi kështu, sepse shkrimtari deshi me veprën e tij të heq e të zhdukë një të keqe të popullit të tij – gjakmarrjen. Po ashtu, vizionin e ndritur të romanit po e përjetojmë sot, kur, si në antikën greke dhe ilire, shqiptarët po i falin gjaqet, po i shuajnë gjarpinjtë e gjakut dhe po bëhen pajtimet.

Sot, thuaja të gjithë, jemi bërë personazhe të mesazhit të romanit tuaj – të pajtimit dhe të harmonisë. Kjo ngjet vetëm te popujt e moçëm, që dinë të falin, që dinë të mos harrojnë, e po ashtu, që nuk dinë të hakmerren. Sot në këtë ditë gëzimi për gjithë shkrimtarët shqiptarë, nuk do të flas për burgjet tuaja 30-vjeçare. Të gjithë këtë po e quaj qëndresë njerëzore dhe intelektuale, që dinë dhe mund ta mbajnë vetëm shkrimtarët e vërtetë, të cilët pos veprës, i mbajnë edhe bindjet politike dhe njerëzore.

Fati juaj është fati i një pjesë të shkrimtarëve shqiptarë dhe i letërsisë shqiptare. Ju nuk pësuat vetëm për bindjet politike, që bolshevizmi i shpalli armiqësore, po edhe pse ishit ndër të parët dhe më të rinjtë që shkruanin në shqipe, pse ishit shkrimtar i mirë dhe me aftësi të rrallë letrare dhe me bindje të thella humaniste për popullin Tuaj dhe për të tjerët. Pushteti totalitar gjithmonë u frikësohet shkrimtarëve të mirë dhe të aftë.

Më lejoni, i nderuari Adem, ta mbyll këtë fjalë me dëshirën tonë të madhe që t’ju mbajë shëndeti dhe të na dhuroni edhe ndonjë kryevepër, sepse ende jeni në moshën e burrërisë, ende jeni me Diellin, siç i klasifikonte moshat shkrimtari ynë i vjetër Pjetër Bogdani.

Ju faleminderit që gjetët kohë të jeni me ne – me trup e me shpirt, sepse me shpirt dhe me vepër gjithmonë keni qenë me ne. (“Rilindja”, Prishtinë, 19.V.1990)

Nga libri i Ibrahim Rugoves “Pavarësia dhe demokracia”, 1991, përgatitur nga Faruk Tasholli./Telegrafi/