“Fjalë të Malësisë Madhe”,visar që s’duhet harrue

0
706

Nga Zija VUKAJ

Veprimtaria shkrimore e autorit Lulash Palushaj shtrihet në disa vepra. Llojet e teksteve variojnë sipas gjinive dhe zhanreve. Gjejmë në opusin e tij krijues edhe poezinë, edhe prozën, edhe letërsinë dokumentare, edhe atë eseistike, siç gjejmë edhe novelën dhe romanin. Pavarësisht kësaj larmie, një gjë e përbashkët i përshkon të gjitha shkrimet e tij- përdorimi i së folmes së gegnishtes veri- perëndimore. Këtë përdorim gjuhësor me sa duket autorit ia ka diktuar tematika e veprave dhe fokusi i tyre, pasi temat dhe motivet janë të gjitha ato që lidhen me Malësinë, me fiset e saj, me traditat, doket e zakonet, por edhe me gëzimet e brengat që janë luajtur në skenat idilike të bjeshkëve e të vrrinit të një zone me histori të lashtë sa bota. Kësisoj regjistrat gjuhësorë që ka përdorur autori harmonizohen dhe shkrihen natyrshëm me gjithë çfarë ai kumton tek lexuesi. Për shkak të origjinës së vetë autorit- nga Trieshi; edhe vatra kryesore leksikore, fonetike dhe morfo- sintaksore e fokusit të autorit është ajo e së folmes së Kelmendit. Kjo e fundit ka afërsi edhe me të folmen e Hotit, Grudës, Kastratit e deri në pjesët lindore të Malësisë së Madhe. Por secila nga të folmet që përmendëm, krahas ngjashmërive kanë edhe variacione mes veti, gjë që përbën një larmi dhe mundësi potenciale jo vetëm për ruajtjen e relikteve të çmuara gjuhësore, por sidomos në pasurimin e mbarë leksikut të gjuhës shqipe. Përvoja tashmë e gjatë e autorit Palushaj në lëvrimin e këtyre varianteve nëndialektore i ka zgjuar interesin për t’u thelluar gjithnjë e më shumë në dukuritë gjuhësore të këtij areali. Këtë interes e ka kurorëzuar në fushën e leksikografisë, duke mbledhur vepër pas vepre e vit pas viti një fond prej rreth 3000 fjalësh dhe shprehjesh. Gjithë këtë fond autori e ka sistemuar dhe çdo fjalë e ka shpjeguar me po atë regjistër gjuhësor që ka përdorur në veprat e tij, pra në të folmen e tij të dashur të Malësisë së Madhe. Në mjaft raste, sidomos për idiomat, emërtimet e dokeve, të ritualeve, të zakoneve të dasmave, lindjeve apo vdekjeve, të besëtytnive apo të elementeve mitologjke, autori ka bërë shjegime dhe shpesh edhe përshkrime të detajuara. Fjalët janë të ekuivalentuara me standardin dhe janë dhënë pothuajse për të gjitha edhe shembujt e përdorimit, duke evidentuar krahas kuptimit të parë edhe kuptimet e figurshme. Përgjatë renditjes, shkrimit dhe shpjegimit të fjalëve vihen re dukuri fonetike krejt origjinale, siç janë përdorimet e bashkëtingëlloreve nistore, jo sipas rregullave të drejtshkrimit të gjuhës së sotme standarde, përdorimi i ll- së për dh dhe anasjelltas, asimilime, disimilime, metateza, metafoni etj. Në paraqitjen e hundorësisë, gjatësisë, shkurtësisë së zanoreve, theksit e të tjera dukurive fonetike janë përdorur shenjat përkatëse diakritike. Mendojmë se ky punim leksikografik është kontributi më i çmuar i autorit Lulash Palushaj, pasi kjo vepër i shtohet çdo kontributi të studiuesve të mëparshëm, duke i bërë pritë përroit të rrëmbyer të harresës sonë historike që ka çrrënjosur kushedi sa rrënjë të vjetra fjalësh, të cilat janë shlyer përgjithmonë nga inventari leksikor i shqipes së vjetër, pasi siç shprehet diku Çabej: “Fakti që gjuha jonë është ndër më të vjetrat e kontinentit dhe fatkeqësia që u shkrua më vonë se të tjerat, është një sëmundje nga e cila ka për të vuajtur gjatë gjuha shqipe.”

Nga ana tjetër, ky fjalës do të jetë një ndihmës i vyer sidomos për studiuesit e dialektologjisë dhe të çfarëdo disipline linguistike, por edhe për shqipëruesit, poetët, mësuesit e së fundi edhe për përdoruesit tradicionalë të këtyre fjalëve, banorët e këtyre trevave.

Në rast të një rimarrjeje të ardhshme nga vetë autori apo nga ndonjë studiues tjetër, ky fjalor do të bëhej çelësi për të zbuluar dhe interpretuar reaksione fonetike në dobi të studimeve etimologjike. Në dorën e një studiuesi të poezisë mund të përdorej për të ndërtuar një rimar modest, por shumë të vlefshëm; në dorën e një poeti mund të ishte një mjet i vyer në transmetime kumtesh poetike dhe procedime stilematike.