FJALA E PLOTË E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË HAPJEN E FUSHATËS ELEKTORALE PËR ZGJEDHJET E 14 MAJIT

0
206

FJALA E PLOTË
Të dashur demokrate e demokratë, anëtare dhe anëtarë të Partisë së Lirisë, Partisë së Bashkimit të të Drejtave të Njeriut, Partisë Demokristiane, të pranishëm në këtë miting madhështor.
Të dashur qytetare dhe qytetarë shqiptarë kudo që jeni sot.
I nderuar z. Ilir Meta, drejtues i Partisë së Lirisë. Të dashur drejtues të partive aleate.
Të dashur, deputete e deputetë, drejtuese dhe drejtuesë të partive të koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’.

Të dashur kandidate dhe kandidatë të lirisë, për qytetarë të parë në 61 bashki të vendit. Është nder i madh, të flas sot para jush, por fjalën time do ta filloj me një falënderim shumë të veçantë, për ju përfaqësuesit e votës së lirë, të qytetarëve shqiptarëve, kandidatë për qytetar të parë të bashkive të vendit.
Fjalët tuaja në këtë platformë ishin simfonia më e bukur politike që unë kam ndjekur ndonjëherë dhe kjo për faktin e vetëm se të ardhur të gjithë nga qytetarët, ato ishin himne për qytetarin, ishin zotime para qytetarëve, ishin projekte për interesat e tyre.
Ky start i madh, i paparë në 32 vite është një garanci e madhe e suksesit tonë. Ky start ka tmerruar Edi Ramën dhe lolon e tij Erion Velinë dhe lolot e tjera, kudo në bashkitë e vendit.
Tek ndiqja fjalimet tuaja dhe u kërkoj ndjesë të gjithë atyre që për arsye të kuptueshme nuk patën mundësi të mbajnë fjalë në këtë platformë, në mendje më vinin, meqenëse jemi në stadium, ata kampionë që kisha parë dhe duartrokitur në shkallët e këtij stadiumi.
Më vinte Franc Bekenbauer, Panoja i pavdekshëm, edhe ju sot jeni kampionët e lirisë, jeni kampionët e fitores. Kjo është arsyeja që Edi Rama është tmerruar, Erion Veliaj është tmerruar. Një dyshe famëzezë, që ditën lëpihen njëri me tjetrin kurse natën me lopata i bëjnë gropën njëri tjetrit.
Ne do të fitojmë!
Miq të mi, Edi Rama siç konstatoni ndjehet tmerrësisht i tmerruar. Është i tmerruar nga ju, sepse ai e din që ju jeni misionarët e ndryshimit. Është i tmerruar nga 14 maji, sepse ai e din se do të humbasë në mënyrë të turpshme. Është i tmerruar nga përgjegjësia që do të mbajë për çdo fatkeqësi që u ka sjellë familjeve dhe qytetarëve shqiptarë në 10 vite. Është i tmerruar sepse e ka të sigurtë, sepse atë e pret në mënyrë të pashmangshme, fati i mikut të tij të nderuar, tradhtarit të kombit amerikan, Charles McGonigal, pasi ai e di mirë se nuk ka gjykatës në botë që të dënojë, ryshfetmarrësin dhe të mos dënojë ryshfetdhënësin.
Nuk shpëton as se i vodhe Partisë Ddemokratike vulën, nuk të shpëton as Xhorxh Soros, ky armik i egër i demokracisë shqiptare. Nuk të shpëton dot asnjë manovër. Je krejtësisht i pashpresë.
Edi Ramës dhe rilindjes do ti them këtu para jush dhe shqiptarëve, vetëm dy fjalë: jemi shqiptarë, ne o budallenj. Besën e prerë dhe votën e vjedhur nuk ta falim kurrë.
Ndryshimi është në duart tuaja. Bashkë do fitojmë! Të dashur miq!

Në takimet më të para që kam pasur mes jush se thirrjen që unë pata kur u riktheva në politikë, nuk e kam ndjerë vetëm unë.
Thirrjen e keni ndjerë secili prej jush për veten tuaj. Ajo qëndronte e ngulitur në idealet tuaja të lirisë, në dashurinë tuaj për Shqipërinë. Ju sot jeni pishtarë shprese që ndriçoni të ardhmen e Shqipërisë. Ju tregoni se shqiptarët besojnë në liri, duke u mbledhur më shumë veta më shumë se kurrë më parë, në një kohë që ne nuk kemi asnjë pushtet, përveç pushtetit të vetit, absolut moral të këtij vendi, të cilin dëshmuam se e meritojmë plotësisht.
Zoti e bekoftë opozitën shqiptare, Zoti i bekoftë shqiptarët kudo që janë.
Idealet tuaja të lirisë, ju sot tregoni se shqiptarët nuk shiten, sepse nuk vini me ne se jeni të blerë me narkoeuro siç bën Edi Rama. Ju tregoni se shqiptarët nuk gënjehen pasi nuk vini me ne se u premtojmë privilegje apo se u kemi dhënë ndonjë vend pune, siç mashtron rilindja.
Ju sot i tregoni çdo shqiptari se dinjiteti është dinjitet dhe se ne nuk jemi një popull që mund të mashtrohemi, që mund të shkelmohemi me këmbë. Ju nuk pranoni të thoni me vete, çmë duhet mua dhe duke u ngritur mbi çdo shantazh i dolët zot vendit, kombit tuaja, në një kohë të vështirë.
Idealet tuaja të lirisë, janë për ju, burimi i dritës që ndryshon mendjet dhe shpirtrat tuaja dhe të shqiptarëve.
Sot sollëm shpresën, me 14 maj do të sjellim ndryshimin. Shqipërinë do e shpëtojmë dhe nuk ka forcë në botë që të na pengojë ne, pa ringritjen e saj.
Rroftë opozita shqiptare, ndryshimi është në duart tuaja!
Bashkë fitojmë!
Por ka ende shqiptarë që thonë ç’më duhet mua. Kjo sepse propaganda banale qeveritare dhe autoparlantët e tyre qarkullojnë një sofizëm, sipas të cilës; këta janë të gjithë njësoj.
Por kjo është absolutisht e pavërtetë.
Kishim dhe kemi të metat, dobësitë dhe gabimet tona për ti përmirësuar, por kurrë, kurrë nuk krahasohemi me këta. As përafërsisht.
Ti shohim faktet!
Ne prisnim Presidentin Xhorxh W. Bush, Edi Rama krenohej me mikun e ‘nderuar’ McGonigal, që e pret me padurim në sallën e gjyqit, në të njëjtën qeli do të shkojë.
Ne anëtarësuam Shqipërinë në NATO, këta duan ta nxjerrin Shqipërinë nga Arbitrazhi vetëm e vetëm se arbitrazhi ndërkombëtar i gjobit për vjedhjet që kanë bërë, i gjobit për shkeljet e ligjit.

Këta pra, janë të gatshëm të aplikojnë praktikat e izolimit të Enver Hoxhës, por ne kurrë nuk do i lejojmë.
Ne dorëzuam pushtetin në kohën kur nga viti 2008-2014, numri i shqiptarëve në Shqipëri rritej çdo vit. Kurse në 8 vite të pushtetit të tyre u larguan nga vendi mbi 1 milionë shqiptarë. Ne nuk jemi njëlloj. Këta në 8 vite, pra, vetëm të rinj kanë larguar 800 mijë shqiptarë. Kurse ne në 8 vite rikthyem në Shqipëri, qindra e mijëra të rinj.
Për ne, mbështetja e të rinjve, shkollimi, punësimi dhe ndihmesa e tyre janë dhe do të jenë kushti i të gjitha kushteve, për të ardhmen e kombit dhe vendit tonë.
Ne morëm pushtetin me rrogat më të ulëta në rajon, dyfishuam rrogat dhe pensionet dhe i e dorëzuam atë duke i lënë në nivelet më të larta të rajonit. Kurse këta, morën pushtetin me rrogat më të larta në rajon dhe pas 10 vitesh në nivelet më të ulëta të rajonit.
Ne kishim gabime, por ishim në grabitje. Me këta, njerëzit dhe shoqëria bien poshtë e më poshtë.
Përpara me Edi Ramën do të thotë, poshtë e më poshtë, kurrë më me të.
Ndryshimi është në duart tuaja, bashkë fitojmë!
Zonja e zotërinj!
Ne nuk jemi njëlloj, por pa shkuar shumë larg, le të ndalem edhe njëherë te këto zgjedhje lokale.
Kandidatët tanë janë shëmbëlltyra e moralit, virtytit të qytetarëve. Nuk ka si të jetë ndryshe, sepse ata dolën nga ju, i zgjodhët ju me votën e lirë, në procesin më demokratik që njihet në botë, i zgjodhët me primare. Ata sikurse e thashë edhe më parë, janë kandidatët e lirisë, kandidatët e vullnetit tuaj, të dinjitetit tuaj.
Po kandidatët e bodrumeve të Edi Ramës, i cili përzuri votën nga partia e tij, çfarë janë? Ata meritojnë shumë etiketa, por unë po ju rikujtoj unë këtu ju, se historikisht në të gjitha kulturat thuhet se djalli ka shumë emra, po ashtu janë edhe kandidatët e Edi Ramës. Njerëz me shumë emra, sepse fshehin krime, sepse mbulojnë të shkuarën e zezë. Sepse nuk munden të nxjerrin krimet që kanë bërë.
A mundet atëherë që qytetarët shqiptarë të kenë për qytetarë të parë, djajtë me shumë emra të Edi Ramës? Jo kurrë. Ndaj dhe me kurrë mbrapa, Edi Rama mendon se mund të arkivojë të shkuarën e tyre, apo dhe të shkuarën e tij, vjedhjen, krimin, drogën. Nuk kanë ngelur shqiptarë të përfaqësohen nga vrasës, grabitës, përdhunues, trafikantë.

Shqiptarët nga 14 maji do përfaqësohen nga njerëz të ndershëm, punëtorë. Do të përfaqësohen nga specialistë dhe ekspertë, nga mjekë, inxhinierë, agronomë, familjarë të ndershëm, patriotë të devotshëm që i zgjodhën vetë ata.
Ne nuk jemi njëlloj, dallojmë shumë nga njëri-tjetri. Për ne, familja është e shenjtë, është themeli i shoqërisë dhe ne do të bëjmë gjithçka për mbështetjen e gjithanshme, konsolidimin dhe suksesin e saj. Kurse për këta, familja është prindi me numra, prindi numër 1, prindi numër 2 dhe asgjësimi i saj.
Ne nuk jemi kurrë njëlloj.
Ne besojmë te qytetari ndaj dhe ne vendosim të parin qytetarin, barazinë para ligjit, të drejtat, interesat, vlerat e tij morale, dinjitetin e tij. Kurse për këta sot, të drejtat, vota, dinjiteti i qytetarëve nuk kanë asnjë vlerë.
Ne besojmë tek iniciativa e lirë e individit, ndaj dhe taksat e ulët, konkurrenca e ndershme, klima miqësore ndaj biznesit, janë deviza jonë. Kurse këta bazohen te taksat e larta, klientelizmin, gjobat masive ndaj bizneseve dhe qytetarëve. Shteti gjobëvënës dhe plaçkitës do të zëvendësohet me shtetin ligjor, ky është zotimi ynë.
Ndryshimi është në duart tuaja, bashkë fitojmë!
Ne nuk jemi njëlloj. Interesi kombëtar është interesi ynë i parë. Kurse këta me zbrazjen e Shqipërisë dhe ‘Ballkanin e Hapur’ kanë si interes të parë, interesin serbo-rus në Shqipëri dhe rajon. Ne nuk jemi njëlloj. Siguria e jetës së qytetarëve, lufta me zero tolerancë ndaj krimit të organizuar është përkushtimi ynë.
Kurse këta kanë si motiv, për vrasësit, kokën ti hanë njëri tjetrit, lidhjet me drogën dhe krimin janë lidhjet e tyre skllavëruese. Ne nuk jemi njëlloj se ne nesër në qeveri, lufta kundër korrupsionit dhe transparenca janë zotimi ynë. Ne hoqëm imunitetin, ne do të heqim parashkrimin, për të gjithë zyrtarët që përdorin pushtetin për të vjedhur qytetarët.
Gara e hapur është ligji ynë.
Miqtë e mi!
Ne nuk jemi njëlloj, familjarët e tyre, duke filluar nga ata të Edi Ramës, i cili do të denoncohej në vitin 2014 nga OSBE se kishte fshehur 200 milionë euro offshore, janë vërsulur si lukuni mbi tendera.
Kanë fituar në kundërshtim flagrant me ligjin, qindra e mijëra tendera nga paratë tuaja. Ndërsa familjarët e Sali Berishës, pas kontrolleve të agjencive më të fuqishme për shkak të vendimit korruptiv të marrë ndaj tij, gjetën se kishin zero, zero, zero përfitime! Këtu i them Edi Ramës, se të gjitha ato tendera dhe prokurime të familjes tënde dhe familjeve të ministrave të tu, do u

kthehen dhe do u bien mbi kokë. Janë para që u vidhni qytetarëve shqiptarë, lukuni e pangopur. Ndaj dhe fundi më 14 maj është i tmerrshëm për ju.
Ne nuk jemi njëlloj.
Se për Edi Ramën, Shqipëria rurale, fshati shqiptar nuk ekziston, kurse për ne nuk ka Shqipëri të zhvilluar pa zhvillim rural, pa fshat të zhvilluar. Subvencioni i fermerëve për sipërfaqe dhe njësi prodhimi në nivel mesatar të rajonit, taksimi stimulues dhe mbrojtja e prodhimit bujqësor dhe blegtoral është zotimi ynë.
Ndryshimi është në duart tuaja, bashkë fitojmë!
Zonja e zotërinj!
Ne nuk jemi njëlloj, sepse kemi ndërtuar dhe do të ndërtojmë çdo punë publike, jo kurrë me 24 milionë euro kilometrin e autostradës në fushë, apo 6 milionë euro shkollat, për të vjedhur, 70- 90% fondeve. Por ne kemi ndërtuar dhe do ndërtojmë rrugë dhe shkolla me çmime reale, pra, 6 dhe 8 herë më të ulëta. Me paratë që teprojnë do rrisim rrogat dhe pensionet.
Në nuk jemi njëlloj, sepse ne besojmë se shqiptarët në Shqipëri, emigracion, diasporë, duhet të gëzojnë të drejta të njëjtat në vendin e tyre. Të votojnë aty ku janë dhe të zgjedhin përfaqësues të tyre me votën e tyre të lirë. Prandaj të gjithë ata që thonë se janë të gjithë njësoj, i ftoj të shohin faktet. Nuk po mohoj aspak gabimet, por përsëri lexoni faktet.
Pra më 14 maj, ashtu si në vitin 1992, jemi në mision. Të mos themi ç’më duhet mua.
Të ftojmë miqtë, të afërmit tanë, të mos thonë ç’më duhet mua, të çojmë përpara misionin, misionin për të sjellë ndryshimin, ndryshimin për veten tonë në radhë të parë, për tu çliruar nga diktatura e varfërisë, dhimbjet e saj që ndjejmë çdo ditë.
Ndaj dhe ju ftoj ju, mos çoni përpara vjedhjen dhe varfërinë tuaj.
Ndryshimi është në duart tuaja, bashkë fitojmë!
Mos çoni përpara monizmin, të gjithë pushtetet në duart e një njeriu. Votoni ndryshimin për të shpëtuar pluralizmin!
Ndryshimi është në duart tuaja, bashkë fitojmë!
Votoni ndryshimin për fëmijët tanë! Për të ju shpëtuar të ardhmen atyre. Mos çoni përpara humbjen e fëmijëve dhe të rinjve shqiptarë.
Ndryshimi është në duart tona, bashkë fitojmë!

Ndryshimi është ndalimi i shpopullimit të Shqipërisë, mos çoni përpara shkretimin dhe shuarjen e kombit.
Ndryshimi është në duart tona, bashkë fitojmë!
Të dashur, burra, gra, djem e vajza!
Unë besoj se vitet e ardhshme ne do arrijmë gjëra të mëdha për veten tonë, për Shqipërinë.
E besoj vërtetë. Liria, begatia, ndryshimi nisin, së pari këtu nga mendja, çdo gjë nis nga mendja jonë. Duhet së pari ëndërrojmë dhe pastaj të konkretizojmë.
Në 10 vite realiteti juaj ka qenë vetëm mashtrim, ka qenë vetëm vjedhur. Në 10 vite realiteti juaj ka qenë dëbim. Ky realitet është i dhimbshëm dhe e bën të vështirë njeriun të ëndërrojë dhe besojë.
Ky realitet të shuan shpresat dhe ëndrrën ta thërrmon, por ne jemi burrat dhe gratë, djemtë dhe vajzat e lirisë. Ne do të ja dalim. Në besimin tek liria, qëndron forca jonë vitale, arritjet e mëdha nuk vijnë nga kryetari, arritjet e mëdha nuk vijnë nga programet e partive, arritjet e mëdha arrihen vetëm nga fryma dhe unë besoj se do të arrijmë gjëra të mëdha, pasi fryma që ndjej në çdo takim me ju, është fryma e ndryshimit, është fryma e shpresës, është fryma e fitores është e njëjta frymë e cila në vitin 1992, solli ndryshimet epokale në Shqipëri.
Kjo frymë tregon se shqiptarët kanë kapërcyer dimrin e gjatë, kjo frymë tregon se shqiptarët po ngrihen, kjo frymë tregon se shqiptarët kanë ëndrra, dhe se do ti realizojnë ato.
Çdo shqiptar që sot ndjehet i dëshpëruar, i drobitur, ndjehet i pafuqishëm, e ftoj të bashkohet me ne, ti bashkohet kësaj fryme, të cilën ekranet nuk e përcjellin, por e përcjellin me zemrat e tyre qytetarët, qindra e mijëra qytetarë, kandidatët tanë në të 4 anët e Shqipërisë. Prandaj le të vijnë me ne, të ndjejnë vetë ndryshimin që ka ardhur.
Fryma e kësaj pranvere po shkrin anë e kënd, ngricat dhjetëvjeçare që lamë pas.
Me të drejtë mund të shtroni pyetjen, çfarë do të arrijmë ne bashkë, çfarë do të arrijnë shqiptarët me ndryshimin. Për të gjithë ju që më njihni, e dini se Sali Berisha kur vihet në shërbim të shqiptarëve, me gjithë dobësitë dhe të metat e tij, lë pas arritje të mëdha dhe kjo sepse ai beson dhe punon fort për qëllimet që shpall. Ai beson se pika e ujit e shpon gurin. Le të thonë çfarë të duan, për ju sot, por e vërteta është se fitoret më të mëdha të Shqipërisë moderne, demokracia, NATO-ja, TAP-i, Rruga e Kombit, autostrada Tiranë-Elbasan, Shqipëria dixhitale, kaskada e Devollit, e Matit, rrogat gjer në vitin 2013 më të larta në rajon i ka sjellë partneriteti i Partisë Demokratike, aleatëve të saj, i Sali Berishës me qytetarët shqiptarët.
Ndaj dhe sot ju bëj thirrje, votoni ndryshimin.
Ndryshimi është në duart tuaja, bashkë fitojmë!

Qëllimi ynë më madhor pa asnjë ndryshimin do të jetë, anëtarësimi i padiskutueshëm i Shqipërisë në Bashkimin Europian. Prandaj kjo betejë që bëjmë së bashku për Shqipërinë, është beteja më e rëndësishme e jetës tonë. Qëllimi më kryesor sot është një Shqipëri evropiane, vend i zhvilluar, aleat i denjë i SHBA-së, më së pari kjo për rininë shqiptare.
Kur njeriu ka fatin e madh të bëhet gjysh, të gjithë të rinjtë i sheh si nipërit dhe mbesat e tij, ndjehet pafundësisht i detyruar ndaj tyre. Prandaj Shqipëria si e gjithë Europa, përveç se një detyrim që i ka ardhur koha të përmbushet është një thirrje e brendshme e imja për të ardhmen e rinisë shqiptare.
Problemi kryesor numër 1, ai që do të zgjidhet urgjentisht, që do të marrë masat që javët e para të qeverisjes është lufta totale kundër varfërisë, sepse varfëria sot është burim i të gjithë të këqijave, duke u nisur nga krimi dhe shpopullimi i Shqipërisë.
Misioni jonë sot nuk do të jetë, shqiptarët nuk vdesin për buk, siç thotë Edi Rama. Misioni ynë duhet të jetë, shqiptarët të jetojnë si europianët. Politikat tona ekonomike nuk do të kenë fokus që shqiptarët të mbijetojnë, por të kenë fokus që shqiptarët të jetojnë. Kjo do të thotë se pagat e shqiptarëve dhe pensionet e tyre të jenë trefishi i atyre që janë sot. Të jenë më të lartat në rajon.
Si do arrihet kjo?
Së pari do të arrihet duke zhdukur faturat e vjedhjeve të rilindjes. Mos harroni pra, para janë, para ka shumë, por ato janë të vjedhura nga sekti i rilindjes.
Së dyti duke rikthyer pasuritë kombëtare të shqiptarëve nga mallkim në bekim për ata, ashtu siç i kishte projektuar perëndia për shqiptarët.
Shqipëria është vendi më i pasur në rajon, asnjë komb tjetër, për pasuritë e veta, nuk duhet dhe nuk mund të ketë rroga dhe të ardhura më shumë se shqiptarët.
Shqiptarëve u takon, ashtu siç e patën 10 vite më parë, të kenë dhe sot rrogën më të lartë. Vetëm kjo e vë në shina ekonominë, ndërton themelet për të shpëtuar Shqipërinë.
Zero tolerancë ndaj krimit të organizuar. Ky objektiv do të ulë ndjeshmërisht kriminalitetin. Këto objektiva do të jenë gjilpëra për të qepur plagët e hapura të shpopullimit.
Miqtë e mi!
Ne ja dalim së bashku të bëjmë këtë vend.
Unë besoj se Shqipërinë e bëjnë vetëm shqiptarët që e duan dhe e besojnë atë.

Unë besoj se Shqipërinë e shpëtojmë duke dhënë secili nga pak dashuri.
Një vend dhe një komb që 10 vite që keqtrajtohet, shërohet vetëm me dashuri.
Kë të dashuri ne mund të ja japim. Nuk mund të presim më nga ndërkombëtarët, sepse nuk është detyrë e tyre, nuk duhet të presim nga një lider apo një parti politike.
Dashurinë më të sinqertë, nënës mund t’ia japin vetëm bijtë dhe bijat e saj.
Unë besoj në një Shqipëri me rroga evropiane, çmime të përballueshme dhe një jetë me dinjitet.
Unë besoj në një Shqipëri që drejtohet nga njerëz të ndershëm, të rinj, model, për Shqipërinë. Unë besoj në një Shqipëri me qytetarë të barabartë përpara ligjit.
Unë besoj në një Shqipëri që krijon kushtet për t’i rikthyer qytetarët në atdheun e tyre dhe jo ti dëbojë ata, një Shqipëri që u mundëson kushtet shqiptarëve kudo që janë të votojnë për përfaqësuesit e tyre.
Unë besoj në një Shqipëri që vit pas viti shtohet në popullsinë e vetë. Unë besoj në një Shqipëri me familje të gëzuara dhe dinjitet njerëzor.
Unë besoj në një qeveri të vogël dhe të përulur përpara qytetarëve, që i trajton ata me dashuri dhe jo arrogancë.
Unë besoj në një administratë eficente, ku vlerat janë ndershmëria, transparenca dhe atdhedashuria, e jo vjedhja, luksi i shfrenuar dhe imoraliteti.
Unë besoj!
Unë besoj se ka ardhur koha për këtë Shqipëri, të dalim nga e keqja. Të lëmë mbrapa Shqipërinë e krimit, drogës dhe vjedhjes.
Ky besim nuk lind nga unë, kjo është një aspiratë që e shoh në zemrat e secilit prej jush që sot i keni dalë zot vetes dhe Shqipërisë për të larguar të keqen.
Të sigurt të jeni ju, se po realizuam këto, Europa do na hapë dyert njësoj siç bëri NATO, pasi ne bëmë detyrat tona.
Europa nuk do propagandë, Europa nuk do mashtrime, Europa nuk do ti hedhi fajet tona, Europa do vepra dhe ne demokratët e kemi provuar se kemi vepra dhe dimë të flasim me vepra, gjuhën e saj të bukur.

Prandaj 14 maji është ditë historike, ku në njërin krah qëndron e vjetra, droga, krimi dhe diktatura e varfërisë, ndërsa në krahun tjetër qëndron pluralizmi, liria, begatimi dhe e ardhmja.
Ndryshimi është në duart tuaja, bashkë fitojmë!
Ti japim një shans Shqipërisë, është thirrja e saj.
Për ta mbyllur edhe unë kam një thirrje për 83 përqind e shqiptarëve, kam një thirrje për të gjithë emigracionin dhe diasporën. Thirrja pra për 83% që duan të largohen nga Shqipëria, është çfarëdo qofshi ju, demokratë, socialistë, e të paparti: jepini një shans Shqipërisë, jepini një shans!
Votoni më 14 maj, votoni ndryshimin.
Thirrja ime është për të gjithë emigracionin e diasporën; Edi Rama është një armik i votës tuaj. Vërshoni nga të 4 anët e dheut, urdhëroni në Shqipëri, të votoni ndryshimin, të votoni të ardhmen.
Ju garantoj se do të vendosim me ligj dhe kushtetutë, të gjitha të drejtat që u mohon ky regjim. Zoti ju bekoftë ju, Zoti i bekoftë shqiptarët kudo që janë, Zoti e bekoftë Shqipërinë!

Fitore, fitore, fitore!