‘Embargoja britanike’: A mund të jetë masë kundër Berishës një tekst që kopjon gjuhën e tij anti-qeveri?!

0
281

Alfred Lela

Një editorial në gazetën “Panorama” i Sir Stuart Peach, i dërguari special i Britanisë së Madhe për Ballkanin, është spinuar duke u kthyer kokëposhtë nga mediat pranë qeverisë.Lexuesit/klikuesit janë bombarduar me idenë se rreshtat e shkrimit ishin një përsëritje e non gratas amerikane ndaj Sali Berishës, kryetarit të Partisë Demokratike.

Pandehma, duket qartë, është mbështetur te paragrafi i Peach-it: “Mbështetur mbi regjimin tonë të Sanksioneve Globale Antikorrupsion ne kemi listuar 27 individë të përfshirë në korrupsion serioz në mbarë botën”.

Ama, nëse nuk e lexon tekstin të ndarë në paragrafë, por merr parasysh të gjithë njësinë e tij, të gjitha tezat e artikuluara aty janë pikë për pikë të njëjta me ato që Sali Berisha shpall publikisht, të paktën që pas ardhjes në krye të PD.

Duke fillluar me të parën, shpopullimin, apo zbrazjen e vendit nga të rinjtë dhe shtresa e mesme.

Shkruan i dërgari britanik:”… kam marrë një mesazh të fortë e të qartë nga qytetarët e të gjithë shtresave; të rinjtë po largohen. Të nxitur nga mungesa e mundësive dhe të zhgënjyer nga korrupsioni i rrënjosur, ata ndiejnë se nuk mund të arrijnë sukses nëse nuk kanë lidhje politike.

Edhe një pikë tjetër, trajtuar gjerësisht nga Berisha, selektiviteti i goditjeve nga SPAK-u, apo goditja e degëve dhe jo e trungut të korrupsionit, merr trajtë të shquar në rreshtat e zyrtarit britanik.

Thekson ai: “Disa njerëz, të cilët më parë ndiheshin të paprekshëm, sot ndodhen në burg. Por ka të tjerë që vijojnë të veprojnë sikur të ishin të pandëshkueshëm për shkeljet e tyre dhe ndihen sikur ligji të mos zbatohet në mënyrë të barabartë për këdo”.

Oligarkët dhe lidhjet e qeverisë me ta, por edhe me botën e krimit, është po aq një shqetësim i retorikës politike të kryetarit demokrat.

Po kështu, Sir Stuart Peach heq paralele të ngjashme, si më poshtë:

“Ne si Mbretëri e Bashkuar po intensifikojmë përpjekjet tona për t’i shkëputur lidhjet mes politikës, biznesit dhe aktiviteteve të paligjshme si në botë, ashtu edhe në Ballkanin Perëndimor.”

Ai që duket se ka qenë pika nevralgjike e të gjitha tensioneve dhe prodhues i një vale të madhe mosbesimi mes palëve, manipulimi i zgjedhjeve, shfaqet edhe në artikullin e të dërguarit të kryeministrit britanik për Ballkanin. Duke iu referuar raportit të OSBE për monitorimin ndërkombëtar të zgjedhjeve të vitit të kaluar: “…blerja e votës dhe keqpërdorimi i fondeve publike vazhdon të jetë një problem madhor në politikën shqiptare. Për aq kohë sa politikanët janë në gjendje të bashkëpunojnë me kriminelët për të blerë, shantazhuar dhe kanosur votuesit, demokracia shqiptare do të mbetet e brishtë dhe e paplotë”.

Ka qenë pikërisht vota e lirë dhe manipulimi i saj që e ka shtyrë Sali Berishën, sipas fjalëve të tij, ta shpallë ‘armik’ Edi Ramën në protestën e 7 korrikut.

“Raporti’ britanik cek edhe krimin e organizuar dhe korrupsionin, gjithashtu dy tema shumë të trajtuara në ligjërimin publik të kryedemokratit.

“Krimi i organizuar dhe korrupsioni në Shqipëri dhe më gjerë në rajon nënkuptojnë se pjesa më e madhe e fondeve publike, të mbledhura nga taksapaguesit e thjeshtë, nuk arrin kurrë te shkollat, spitalet dhe rrugët që u nevojiten qytetarëve, të cilët të mund të krijojnë një shoqëri të shëndetshme dhe të begatë”.

Nëse gjuha e editorialit të Sir Stuart Peach, hiq ngjyrimet e forta politike të Berishës, është e ngjashme dhe sintetizon të njëjtat simptoma politike dhe shoqërore të Shqipërisë nën Rilindjen e Edi Ramës, duket, të paktën paradoksale, që të targetuarit të mos jenë ata që kanë pushtetin, por dikush që është larg tij prej 9 vitesh.

Në këtë rast teksti do të komplotonte kundër aktit.

Por, është më e thjeshtë se kaq: bëhet fjalë për përpjekjen e zakonshme diabolike të qeverisë dhe medias pranë saj, që lajmin e keq që shënjestron ata vetë, ta kthejnë përmbys ose ta sfumojnë. Dy raste krejt të freskëta janë rrjedhja e të dhënave, pas të cilave kryeminsitri, në vend që të kërkonte falje shkoi në absdurd duke thënë se, do t’i bënte publike në vazhdim rrogat e të gjithë shqiptarëve.

Apo, kur doli një prej bishtave të shumtë të skandalit të inceneratorëve, rasti i vjedhjes së llogarive bankare të plakave azilante dhe mbushja e tyre me dhjetra miliona euro, të cilat KM u mundua t’i mbulonte me ‘mrekullinë e shtatë të puseve naftës’ që kishte zbuluar kompania SHELL në Shpirag.