E vërteta lakuriq dhe gënjeshtra hajdute

0
133

Nga Marash Gilaj

E vërteta ka qënë dhe mbetet nder gjërat më me vlerë për njerëzit e ditur. Ajo është e dëshiruar dhe e kërkuar nga çdo njeri normal. Vlera e saj është e pamatshme. Që të jetë e besueshme, ajo duhet të vijë nga një burim i njohur, që s’mund të mohohet, që përputhet me realitetin, me faktet, e provuar nga praktika dhe shkencat e ndryshme. Karakterizohet nga pastërtia, drejtësia dhe saktësia. Me kalimin e viteve, ata që janë në kërkim të saj, e bëjnë më të saktë e më të plotë. Edhe pse, nganjëherë, ajo është e hidhur, nuk duhet të fshehin asgjë. E nëse ajo nuk mund të dëshmohet e të verifikohet, nuk mund të pranohet.

Krejt e kundëta ndodh me gënjeshtrën. Ajo e shtrëmbëron të vërtetën me qellim, e fsheh, nuk është e çiltër, do të duket si e vërtetë, por na bën të gabojmë, nëse e besojmë. Ajo përpiqet të na joshë me premtime boshe, me anë të hileve, duke na prerë në besë me një mijë marifete të pandershme. Njeriu i mirë, i ndershëm dhe i drejtë, karakterizohet nga mirëbesimi dhe mendon se edhe të tjerët i kanë këto cilësi, por i ndodh të zhgënjehet keq nga një mashtrues i pacipë. Kjo mund të ndodh një here, por do të ishte budallallëk e naivitet po të përsëritej.

Që të mbrosh të vërtetën duhet të jesh fisnik, i ndershëm e guximtar deri në sakrifikim. Në ditët tona, e vërteta është errësuar e dëbuar, ndersa gënjeshtra ka zënë kreun e vendit. Po qe se nuk të intereson e vërteta, zor se e njeh dhe vështirë ta gjesh. Të luash me të vërtetën është si të luash me jetën. Fatkeqësisht, në shumicën e rasteve, ne zotërojmë vetëm një pjesë të së vërtetës. Nga eksperienca shekullore, nga pasojat që kanë pasur njerëzit e ditur dhe të guximshëm për të thënë të vërtetën ose për ta shkruar, del se ky është arti më i rëndë për ta ushtruar. Ajo ka qënë dhe mbetet si armikja më e madhe e pushtetit dhe e shtetit. Me të drejtë, latinët ngulnin këmbë që të lejohej liria e fjalës, nëse dikush do të dëgjojë të vërtetën. Kjo liri, siç duket, gjithmonë ka qënë e kufizuar dhe kush ka guxuar, e ka pësuar deri me jetën e tij. Pra, nuk mund të thuhet e vërteta atje ku mungon liria e fjalës nga shumica e njerëzve. Është pak të thuash se ai që guxon të thotë të vërtetën, urrehet nga një mori njerëzish. Ata që kanë pushtet të madh e shtrëmbërojnë të vërtetën. E vërteta e shtrëmbëruar quhet gënjeshtër dhe për fat të keq, tek ne ësbhtë kthyer në institucion. Dihet, gjithashtu se për të mbrojtur gënjeshtrat duhet të shpikësh të reja gjithnjë e më të sofistikuara. Gënjeshtra është shumë pjellore. “Vetëm stomakun nuk mund ta gënjesh”, pat thënë dikur Sokrati, një filozof i madh grek. Një popull i gënjyer voton vetëm gënjeshtarë. Kur dikush do të dijë se nga kush sundohet, le të zbulojë se është pikërisht ai që nuk ju lejon ta kritikoni. Këtë e kemi parë, kur ndonjë gazetar apo gazetare e guximshme ka bërë ndonjë pyetje dhe i është thënë se ka nevojë për riedukim tremujor etj.

Mënyra më e lehtë për të thënë të vërtetën është humori. Ndaj, shumë njerëz zgjedhin këtë rrugë, sepse ajo nuk lëndon.

Ndryshe ndodh me të vërtetat e mëdha, Kur ato janë zbuluar e thënë nga njerëzit e ditur, janë konsideruar si blasfemi. Disa të vërteta nuk duhet t’u thuhen njerëzve të rendomtë dhe nuk vlejnë për të gjitha kohërat. Të vërtetat janë të kushtëzuara nga rrethanat, koha dhe arsyet. Duhet ditur se pse dhe si është thënë që ta kuptojmë më mirë. Duke iu larguar së vërtetës, ne i urrejmë ata që flasin për të. Nganjëherë duhet të presim ca kohë për të thënë një të vërtetë të madhe, sepse e thënë në çastin e gabuar, ajo është më e keqe se gënjeshtra. Ka edhe prej atyre që nuk e meritojnë t’ua thuash.

Njeriu që thotë gënjeshtra i bie rreth e rrotull. Ai nuk ka moral, ndershmëri as karakter. Që në titull, gënjeshtrën e quajtëm hajdute, sepse ajo të vjedh të drejtën për të mësuar të vërtetën. Ndersa të vërtetën e paskan parë dikur lakuriq dhe përsëri duam ta shohim, në mënyrë metafofrike. Ajo që ka ndodhur me të vërtetën dhe gënjeshtrën tregohet bukur sipas një legjende më poshtë.

Kjo gojëdhënë e treguar në shekullin e 19 – të, na thotë se e vërteta dhe gënjeshtra takohen një ditë të bukur me diell, kur moti ishte ngrohur. Gjatë rrugës kalojnë pranë një pusi dhe gënjeshtra i propozon të lahen në pus, pasi uji ishte i ngrohtë. E vërteta e pranon. Ato zhvishen dhe fillojnë të lahen. Papritmas, gënjeshtra del nga pusi, vesh rrobat e së vërtetës dhe ikën pa thënë asnjë fjalë. Pastaj del edhe e vërteta, por nuk gjen rrobat e veta. Vrapon që ta gjejë e t’i marrë rrobat, por nuk e gjen dot. Njerëzit e shohin të vërtetën ashtu lakuriq, por kthejnë kokën në anën tjetër, duke e përçmuar e përbuzur me inat. E vërteta kthehet në pus e turpëruar dhe zhduket përgjithmonë, duke fshehur turpin e saj. Që nga ajo kohë, gënjeshtra udhëton me rrobat e së vërtetës dhe njerëzia e pranojnë pa kundërshtim, sepse e kanê të vështirë të pranojnë të vërtetën lakuriq.

Sidoqoftë, në biseda me njëri – tjetrin, shpesh themi se kjo është e vërteta lakuriq. Pra, duket sikur na ka marrë malli për të ashtu siç u shfaq herën e fundit, kur nuk u pa më. Kuptohet, që gënjeshtra na paraqitet si e vërtetë, pasi ka veshjur rrobat e saj dhe bërtet fort se kjo na qënka e vërteta. Le ta kërkojmë përsëri të vërtetën ashtu siç ishte. Turpin t’ia lëmë gënjeshtrës që ka vjedhur rrobat e së vërtetës dhe e detyroi atë të zhduket.

6 dhjetor 2022