Ilir Ikonomi
Trupat e Esatit po sfiliteshin nga uria. Nga mesi i prillit, në Tarabosh, Bërdicë dhe Bardhajn e Vogël kishin nisur rebelimet e shqiptarëve. Në Bërdicë Esati nuk arriti të vendosë menjëherë qetësinë, prandaj dha urdhër të pushkatoheshin 50 nga të pabindurit. Ai mendonte se kalaja mund të mbahej. As vetë malazezët nuk besonin se Shkodra mund të merrej me forcë. Gazetari Guelfo Civinini, i cili më 20 prill arriti në kampin malazez të Muriqanit, e përshkruante kështu atmosferën në shtab: “Ishte përhapur bindja se pushtimi i Shkodrës nga Mali i Zi qe bërë thuajse i pamundur. Prandaj, mbreti Nikollë kishte vendosur që me një përpjekje të fundit ta merrte me çdo kusht Taraboshin dhe t’i detyronte Fuqitë që t’i jepnin Malit të Zi krejt bregun e djathtë të Bunës, duke përfshirë Taraboshin. Si përgatitje për sulmin, artileria malazeze, me këshillën e majorit italian Cattagani, shkatërroi urën mbi Bunë, duke i izoluar pozicionet turke të asaj ane”.
Një mbrëmje, Seadin beu, oficer i lartë turk dhe mik i Esatit, i shkoi në shtëpi pashait për të biseduar. Esati, i mërzitur në kulm, ecte me çape të mëdha nëpër sallon. I tha Seadinit:
– Unë po bëj çfarë mundem për çështjen shqiptare, por janë ushtarët shqiptarë që më dalin kundër. Janë ata që më presin krahët. Kështu si po shkojnë punët nuk besoj se do t’ia dalim dot.
Esati vazhdonte të ecte, duke u menduar dhe duke shprishur me gishta flokët e kuqërremtë. Një çast u qetësua dhe u përpoq të ndreqë atë që sapo kishte nxjerrë goje:
– Nuk duhet harruar, – tha, – se këta fshatarë të ngratë, trima e bujarë kanë dhënë gjithçka që mund të jepnin. Kanë shtatë muaj që flenë nëpër llogore, janë vrarë e sakatuar në luftë, kanë hequr shumë nga uria, nga të ftohtët e nga shiu dhe nuk kanë bëzajtur. Kaq shumë vuajtje njerëzore asnjë ushtri tjetër nuk do ta kishte përballuar dot. Fajtorët janë tjetërkund dhe unë e di se cilët janë. Kur këtu bëhet gjithë kjo sakrificë, janë ca të tjerë që nuk e kanë mendjen të na ndihmojnë, por duan si e si të përvetësojnë frytin e sakrificës sonë.
– Seadin, – vazhdoi Esati. – Nuk mund t’i quajmë vëllezër ata që e presin lirinë t’u vijë si lëmoshë, ata që kurdisin plane për të patur një princ francez, austriak, anglez apo italian të zgjedhur shpejt e shpejt, sikur të kërkonin një padron. Fatet e Shqipërisë janë më të larta. Unë e shkatërroj Shqipërinë nëse ajo e ul veten aq poshtë. Hiç nuk do të ngurroja.
Pashai bëri një pushim të shkurtër dhe tha:
– Seadin, e kam marrë vendimin. Nuk kthehem më prapa.
Rebelimet nuk po ndaleshin. Duke u gdhirë e shtuna, 19 prill, qindra vullnetarë braktisën llogoret dhe hynë në qytet. Shqiptarëve të rebeluar u ishin bashkuar tani edhe trupat e rregullta turke. Një batalion i Taraboshit kishte hedhur armët në llogore, pasi ishte marrë vesh se mishi që u ishte shpërndarë kishte qenë kërmë.
Atë ditë, Esati thirri në kala shefin e shtabit Abdurrahman Nafiz dhe të dy shëtitën pranë vendit ku sot është kapitaneria. Esati i tha:
– Bukë nuk kemi më dhe uria sa vjen e po rëndohet. Shkodra do të bjerë, por nëse ajo bie, kjo do të ishte fatkeqësia më e madhe për mua dhe për ty personalisht. Armiqtë e mi politikë do të përfitojnë, populli do të ngrihet kundër meje dhe vuajtja ime nuk do të ketë fund. Ç’mendon?
Nafizi u përgjigj:
– Nuk e përfytyroj dot se si mund ta dorëzojmë Shkodrën. Por e vërteta është se ushqim nuk kemi dhe populli po vuan. Nëse ky është fundi, atëherë le ta mbyllim me nder. Të çajmë rrethimin dhe kush të shpëtojë të shpëtojë, kush të vdesë të vdesë.
Esati nuk foli, por një ditë më vonë thirri komandantët. Mbledhja u bë në kala, në sallën e armëve, dhe u shqyrtua ajo pjesë e rregullores ushtarake, ku flitej se në ç’kushte mund të jepeshin fortesat. Pas një diskutimi të gjatë, u vendos dorëzimi për shkak të urisë. Shtatmadhoria paraqiti një justifikim me shkrim ku renditeshin arsyet: mungesa e ushqimit, rebelimet mes rezervistëve shqiptarë, pamundësia për të çarë frontin armik dhe rreziku i asgjësimit të ushtrisë, në qoftë se përpjekja dështonte. Komandantët nënshkruan me radhë.
Esati vendosi të dërgojë oficerët e shtabit, Nafizin dhe Qeramudinin në Mal të Zi me një letër për Princin Danillo. Në fillim Nafizi nuk pranoi, sepse nuk donte që në letër të përmendej fjala dorëzim. Pas diskutimeve me Esatin ai u bind dhe ndërkaq fjala poshtëruese u hoq nga teksti.
Ishte 20 prill, e diel pasdite, kur dy oficerët u nisën me anijen e blinduar Mesudije që ndodhej e ankoruar përpara doganës. Anija mbante flamurin e Turqisë dhe një tjetër të bardhë. Kur oficerët arritën në Zogaj, një kapiten malazez shtatmadh u lidhi sytë të ardhurve dhe i përcolli për në shtabin e gjeneralit Janko Vukotiç. Me t’u njoftuar me telegraf, princi Danillo u nis nga Cetina dhe rreth orës 10 të mbrëmjes erdhi në Zogaj me një anije të vogël. Pastaj kërkoi që dy oficerët turq ta takonin në bord.
Letra që këta kishin sjellë ishte në turqisht dhe pak a shumë në të thuhej: “Nisur nga gjendja e tanishme, gjykoj se vazhdimi i mbrojtjes së kalasë është një gjakderdhje e kotë nga të dyja anët. Meqenëse edhe ju mendoni njëlloj, ju lutem të dërgoni në Shkodër njerëzit tuaj për të negociuar së bashku kushtet e nevojshme. Pranoni nderimet e mia. Valiu dhe komandanti i korpusit të Shkodrës, Esat”.
Princi tha se me shprehjen “kushtet e nevojshme” ai kuptonte dorëzimin, por dy oficerët u përgjigjën se nuk kishin ardhur të bisedonin për këtë dhe se nuk mund të bënin interpretimin e asaj që ishte shkruar në letër. Siç shihet nga këto veprime të oficerëve, ndonëse thelbi i vizitës ishte dorëzimi i Shkodrës, në librin e tyre ata përpiqen të tregojnë se në këtë pikë nuk mbajnë asnjë përgjegjësi.
Danilloja ngarkoi gjeneralin Vukotiç për të biseduar me Esatin dhe oficerët turq u kthyen në Shkodër po atë mbrëmje. Mali i Zi bllokoi menjëherë shërbimin postar. Mbreti Nikollë dha urdhër që asnjë letër apo telegram të mos dilte nga Mali i Zi pa përfunduar bisedimet. Askush jashtë mbretërisë së vogël nuk duhej të dinte se Esati kishte ndërmend të dorëzohej. Të hënën, më 21 prill, në orën 9 të mëngjesit, Vukotiçi arriti në doganën e Shkodrës në shoqërinë e Pllamenacit dhe një adjutanti të princit. Të ardhurit u pritën nga Esat pasha, Nafizi dhe Qeramudini dhe u ftuan në një dhomë të rregulluar për miq në katin e dytë të ndërtesës.
Pa u ulur mirë, Vukotiçi, ky malazez trupmadh e përherë i vrenjtur, iu drejtua Esatit:
– Shkëlqesë, ja ku kemi ardhur me kërkesën tuaj. Jemi ushtarë dhe ndodhemi ende në luftë. Le të hyjmë drejt e në temë, nuk kemi përse zgjatemi.
Esat pasha zbërtheu dy kopsa të xhaketës, pastaj nxori ngadalë nga xhepi një copë letër të palosur dhe e vuri mbi tryezë.
– Shkëlqesë, – tha ai, – mbrojtja e mëtejshme e kalasë nuk është e mundur. Prandaj, pardje në mëngjes thirra gjithë komandantët për të biseduar dhe vendosëm ta dorëzojmë. Shikoni! – tha Esati dhe tregoi tekstin e letrës me nënshkrimet. – Ky është vendimi ynë. Dhe këto janë firmat e të gjithë komandantëve që kanë të drejtën e votës për çdo vendim. Mbi bazën e kësaj zgjidhjeje, i dërgova edhe princit Danillo letrën për mbretin. Por, në kohën që njerëzit e mi ndodheshin te ju, gjërat morën një kthesë të papritur, sepse në pozicionet tona në Bërdicë erdhën disa përfaqësues serbë me flamur të bardhë. Njerëzit e mi i pritën, por serbët filluan të bërtasin me sa kishin në kokë: Lufta mbaroi! Tani jemi në paqe! Jemi miq! Atje na dhanë edhe këtë, – tha Esati dhe i dorëzoi Vukotiçit një letër, të cilën ky ia kaloi Pllamenacit.
– Serbët, – vazhdoi Esati, – na kërkuan leje për të hyrë në qytet. Pasi u informova me telefon për gjithçka, i lejova të hyjnë. Ata shëtitën gjatë në Shkodër. Blenë bizhuteri dhe biseduan me njerëzit në rrugë, të cilëve u thanë hapur se lufta kishte mbaruar, se ushtria e tyre do të largohej nga Shkodra, se flota europiane ndodhej në ujërat malazeze dhe se e kishte bllokuar Malin e Zi. Fjalët e tyre u përhapën si rrufe kudo në Shkodër dhe në të gjitha pozicionet. Njerëzit tani ishin të gëzuar se nuk do t’u dorëzoheshin malazezëve, duke shpresuar se ushtritë europiane do të vinin t’i shpëtonin. Komandantët nga të gjitha pozicionet në Shkodër më uruan me telegram që e mbajta kalanë. Ja, shikoni, – tha Esati dhe i tregoi gjeneralit malazez një vandak me telegrame. – Pas kësaj i trajtova përfaqësuesit serbë si miq dhe i lashë të shkonin për të parë robërit e tyre e për të biseduar me ta. Për të gjitha këto, Shkëlqesë, konsideroj se lufta ka mbaruar dhe me këtë ka marrë fund edhe çështja e Shkodrës.
Vukotiçi u kthye nga Pllamenaci dhe e pyeti:
– Petre, ç’është ajo letër?
– Çudi, – u përgjigj Pllamenaci. – Komandanti i një farë garnizoni serb, paska sjellë një telegram nga Veziri i Madh i Turqisë drejtuar komandantit të Shkodrës. E pabesueshme.
Lexo edhe : DOSSIER/ Kështu foli i vjetri
Telegrami ishte në frëngjisht dhe aty thuhej: “Komandantit të Shkodrës. Nën trysninë e forcave europiane, ushtria serbe do të largohet nga Shqipëria. Mos i ndiqni. Veziri i Madh”.
Vukotiçi iu drejtua Esatit:
– Shkëlqesë, nuk është e vërtetë që është vendosur paqja. Para se ne ta marrim Shkodrën nuk do të ketë paqe. Sepse ne malazezët, nga mbreti e deri tek ushtari i fundit, do të vdesim në kala nëse nuk e marrim qytetin. Sidoqoftë, na lejoni të ikim nga erdhëm. Dhe kur të kthehem te garnizoni im, ju dhe shkodranët do të shihni nëse është vendosur apo jo paqja.
Ishte e qartë se Esati po përpiqej t’i hiqte zvarrë bisedimet, pasi tani ai kishte mësuar diçka të re: se ushtria serbe ishte tërhequr, se flota ndërkombëtare kishte bllokuar bregdetin e Malit të Zi dhe se Fuqitë kishin marrë një vendim për Shkodrën.
Me t’u kthyer Vukotiçi në shtabin e tij, mbi Shkodrën dhe mbi pozicionet rreth saj u hap zjarr me të gjitha armët. Predhat binin si breshër. Bombardohej sidomos Bërdica, e cila kishte qenë objekt i topave të ushtrisë serbe. I gjithë ky zjarr, që dukej sikur do t’i çante më dysh tokën dhe ujërat e Shkodrës, kishte një qëllim të vetëm: t’u tregonte mbrojtësve se nuk bëhej fjalë për paqe dhe se ushtria malazeze nuk ishte dobësuar si pasojë e tërheqjes së serbëve. Ferri i natës zgjati deri në orën 9 të mëngjesit, kur në horizont u dukën të dërguarit e Esatit, Nafiz dhe Qeramudin, të cilët u pritën nga Princi Danillo në anijen e tij. Të ardhurit i dorëzuan princit një tjetër letër nga Esati, i cili shkruante se do të largohej nga kalaja, por me dinjitet, pra kërkonte që ushtarët të lejoheshin të iknin bashkë me armët, duke përfshirë çdo gjë: topat, anijet dhe armatimet e tjera.
Kjo nuk i pëlqeu Danillos. Në letrën e parë topat nuk përmendeshin, ndërsa tani Esati kërkonte t’i merrte me vete dhe këtë princi nuk mund ta lejonte, sepse kishte dobësi për topat e shpejtë të turqve. Vukotiçi u përpoq t’i mbushte mendjen. I tha se kur Esat pasha shkroi letrën e parë, ai nuk e dinte se ushtria serbe po ikte dhe se forcat europiane po e shtrëngonin Malin e Zi të hiqte rrethimin e Shkodrës. Tani gjërat kishin ndryshuar. Prandaj le t’i merrte topat Esati.
U vendos që Vukotiçi të shkonte prapë për të biseduar me pashain. Gjenerali malazez dhe shoqëruesit arritën në doganën e Shkodrës në orën 11 paradite. Bisedimet u hapën me çështjen e topave. Pllamenaci nguli këmbë që e gjithë artileria turke t’i mbetej Malit të Zi dhe menjëherë pas kësaj filloi grindja. Atëherë foli Vukotiçi, i cili propozoi që Pllamenaci dhe Qeramudini të hidhnin në letër pikat kryesore të ujdisë, pra që ushtria e Esatit të tërhiqej dhe të merrte me vete pajisjet dhe armatimet.
Ishte e martë pasdite. Esati urdhëroi që konsujve në Shkodër t’u shpërndahej një komunikatë, në të cilën thuhej se ushtria kishte rezistuar gjashtë muaj pa asnjë ndihmë, duke përballuar të gjitha shkatërrimet dhe privimet. U bë e qartë se dorëzimi ishte punë e kryer.
***
Ishte data 23 prill, pak pas mesnate. Marrëveshja kishte 15 pika, kryesisht të natyrës ushtarake dhe ishte shkruar në turqisht e frëngjisht. Aty thuhej se e gjithë ushtria, duke përfshirë vullnetarët dhe rezervistët, do të largohej lirisht nga qyteti bashkë me armatimet, se shtetasve turq nuk do t’u cenoheshin të drejtat, se popullatës myslimane e të krishtere i garantohej në mënyrë absolute paprekshmëria e riteve fetare dhe e zakoneve kombëtare. Marrëveshja lejonte ushtrinë të merrte me vete topat e shpejtë dhe fushorë, ndërkaq kërkonte që kalaja të dorëzohej e paprekur. Zbrazja e llogoreve do të fillonte atë ditë, në orën 8 të mëngjesit dhe, për marshimin e ushtrisë së Esatit, Mali i Zi do të jepte ushqime, nëse e lypte nevoja. Ushtria lejohej të merrte me vete përveç teshave, edhe sende të tilla si kazanë, kaldaja, çadra e qilima, që mund të duheshin për udhëtimin. Në marrëveshje, ndonëse flitej për zbrazje llogoresh, dorëzim komande e deri për hollësi të tilla si kazanë e qilima, nuk thuhej asnjë fjalë se kujt do t’i takonte politikisht qyteti tani e tutje. Esati ishte treguar i kujdesshëm për të mos firmosur shkëputjen e Shkodrës nga trungu shqiptar, që formalisht do t’i ngjante një akti poshtërues.
Pas nënshkrimit nga Esat pasha, Qeramudini shkoi në anën malazeze me marrëveshjen në dorë për t’ia dorëzuar për firmë princit Danillo, i cili priste me ankth në anijen Neptun në Liqenin e Shkodrës. Cetina ishte në gjumë. Edhe mbreti kishte rënë të flinte, por kishte porositur ta zgjonin nëse vinte ndonjë lajm. Në orën 1 e 20 minuta ra telefoni dhe nga ana tjetër u dëgjua zëri gazmor i princit trashëgimtar, Danillos, që lajmëronte: “Në këtë çast është duke u nënshkruar protokolli i dorëzimit. Urimet e mia mbretit për Shkodrën malazeze!”.
Më 25 prill, në orën 11 paradite, nga kalaja u dëgjuan 21 të shtëna topi, me të cilat lajmërohej se princi i kurorës Danillo ishte nisur nga Shiroka për të ardhur në Shkodër. Brenda mureve, në oborrin e parë të kështjellës, Esat pasha priste bashkë me oficerët e tij arritjen e kortezhit. Nën gjethin e harlisur, gjenerali rrinte i ulur qetësisht mes dy topave të vjetër prej bronzi. Me t’u shfaqur princi, Esati u ngrit në këmbë, por lëvizi vetëm kur Danilloja i erdhi fare pranë. Pastaj tha: “Ndiej dhimbje të madhe që po shkëputem nga qyteti, të cilin e mbrojta për gjashtë muaj me dashurinë e një biri dhe me përkushtimin e një ushtari. Dhimbjen ma lehtëson vetëm mendimi se po ia dorëzoj qytetin ushtrisë më të paepur që kam njohur ndonjëherë”. Princi u përgjigj se ishte i gëzuar që merrte në dorëzim Shkodrën nga duart e njeriut, të cilit i takoi lavdia të ishte i fundit në Europë, që ulte flamurin e gjysmëhënës.
Të dy u ulën një copë herë pranë një tryeze katërkëndëshe prej druri, të zbukuruar me një mbulesë festive, dhe biseduan. Kur gjithçka mbaroi, dy burrat shtrënguan duart te porta e kalasë. Kortezhi u rreshtua në formë kolone dhe ushtarë e oficerë përshëndetën Esatin, i cili ua ktheu nderin duke përkulur kokën dhe duke hequr kallpakun. Në çastet e ikjes u shkrehën 11 topa dhe princi urdhëroi gjeneralin Vukotiç ta shoqëronte pashain deri tek ushtari i fundit i kolonës malazeze. Esati, shtabi dhe trupat do ta kalonin natën nëpër shatorre, rrotull kodrave të Bërdicës.
Ushtria që largohej nga Shkodra po linte aty kujtime trimërie dhe trishtimi njëkohësisht. Pas, në xhaminë e Parrucës, mbetej varri i komandantit turk, Hasan Rizait, që ishte ashtu siç qe lënë ditën e mortit, një pirg dheu me lule të thara sipër, ku ende mungonte guri me vargjet e Kuranit te koka. Edhe pse ajo histori misterioze e vrasjes dukej si e harruar për shkak të tmerreve që pasuan, në burgun e qytetit ende rrinin kyçur dy djemtë katolikë të akuzuar për krimin dhe askush nuk merrej me ta. Ushtria që largohej me ngut linte pas sidomos kujtimet rrëqethëse të luftës. Nëpër llogoret e Bardhajt të gërmuara në shkëmb e gur, kufomat ishin ende të pakallura, të shtrira pranë e pranë, ose të hedhura njëra mbi tjetrën si amanozot. Mbrojtësit nuk kishin patur kohë t’i varrosnin dhe askush nuk shpresonte që këtë punë ta bënin malazezët. Diku, tre koka të prera qëndronin sipër një trupi pa jetë; një tjetër kufomë i kishte nofullat të hapura, si për të treguar se ç’kishte hequr në çastin e fundit dhe dikush, për ironi apo për trill, i kishte rrasur në gojë një gur sa grushti; më tej, një i vdekur, që rrinte brenda llogores në pozicion ulur me armën në dorë, dukej sikur po bënte roje dhe kishte kushedi sa ditë ashtu.
Tani që ushtarët po iknin, vdekja ishte thjesht një fakt i jetës dhe mendimi i të gjithëve ishte te mbijetesa, te familja, te kujdesi për të plagosurit. Pyetjet nëse sakrifica kishte patur ose jo kuptim mund të liheshin për më vonë, kur njerëzit të kishin më shumë kohë për të menduar.
Esati kishte qëndruar në Shkodër plot gjashtë muaj e njëzetegjashtë ditë. Mjaftonte ky fakt që t’i jepte atij meritën e sakrificës në kushte ekstreme. Disa njerëz do ta quanin më vonë dorëzimin e qytetit një tradhti, por ata që flisnin nuk mbanin parasysh mjerimet e jetës në një rrethim aq të zgjatur e të pamëshirshëm, ku Esati kërcënohej vazhdimisht nga rebelimi i ushtrisë. Sepse ushtarët turq nuk donin të linin kockat për një qytet thjesht shqiptar, kur Shqipëria ishte shkëputur nga kontrolli osman. Ishte Esati që i bindi ata se Shkodra duhej mbrojtur. Ndërkaq, askush nuk e mori mundimin ta ndihmonte pashain me trupa nga jashtë Shkodrës dhe ai u detyrua ta përballojë sakrificën i vetëm. Kur erdhi fundi, gjeneral Toptani u tregua një negociator i aftë dhe tani po dilte nga Shkodra me një ushtri të pacenuar, bashkë me gjithë armatimin që mund të merrte. Vërtet malazezët kishin hyrë në qytet me marshe dhe fanfarë, por Mbreti Nikollë e ndiente se kjo ishte një fitore që shpejt do t’i kthehej në dështim, sepse fuqitë me kohë kishin vendosur që Shkodra t’i mbetej Shqipërisë.
Fitorja ishte, në fakt, e Esatit.