Dvorani, historia pa lavdi e një “kalorësi” komunist

0
381

Nga Boldnews.al

Kryetari i Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla, i kërkoi deputetëve opozitarë që “të lajnë gojën mirë, para se të përmendin emrin e Ardian Dvoranit”, i cili është kandatura potenciale e socialistëve në pushtet për të plotësuar një vend vakant në Gjykatën Kushtetuese.

Gjyqtari Dvorani u shpall “Kalorës i Anti-Korrupsionit” nga Departamenti Amerikan i Shtetit, një dekoratë që habiti pa masë shumicën absolute të opinionit publik në Shqipëri.

Ardian Dvorani është një prej prokurorëve të fundit të kohës së komunizmit, i cili jo vetëm po vijon funksionet në sistemit e drejtësisë, por edhe po ri-katapultohet në majën e piramidës së Gjyqësorit.

Ai u emërua prokuror në Shkodër në vitin 1988 dhe, dy vjet më pas, ka lënë një prej gjurmëve më të errëta të drejtësisë në kapërcyell të dy sistemeve.

Në mars të vitit 1990, disa të rinj dhe mëso-burra shkodranë, të lodhur dhe goditur ashpër nga regjimi komunist, vendosën të marrin një akt ekstrem për kohën-një protestë për lirinë e fjalës dhe rrëzimin e bustit të Stalinit, liderit shqiptëror të sistemit komunist në vendin tonë për më shumë se 45 vjet.

Organet e Sigurimit të Shtetit famëkeq dhe Policia arritën të zbulonin autorët e këtij “krimi shtetëror” dhe i dërguan para prokurorit Ardian Dvorani.

Natyrisht, një personazh i brumosur me ideale komuniste si Dvorani, as nuk mund të mendohej që të tregohej tolerantë me grupin shkodran që guxoi të kërkonte lirinë e shprehjes dhe të prekte pa dashuri bustin e bronztë të Josif Visiarnoviç Stalinit.

Në përfundim të një procesi të shpejtë gjyqësor, ku Dvorani kishte rol të dorës së parë, 9 persona u dënuan për “agjitacionë dhe propagandë”.

Ata nuk qëndruan shumë gjatë në burg, pasi, për fat të tyre, vetëm pak muaj më vonë, Shqipëria u përfshi nga ndryshimet pluraliste, të shoqëruara me lirimin e të gjithë të dënuarve politikë dhe të ndërgjegjes.

Dvorani, pas këtyre zhvillimeve, u tërhoq për shumë vite nga sistemi i drejtësisë, duke qarkulluar si i punësuar në kompani të ndryshme private.

Në 17 shkurt të vitin 2005, kur ish-kryeministrit socialist, Fatos Nano, i kishin mbetur edhe pak muaj në detyrë, Ardian Dvorani arrin t’i fitojë besimin dhe, nëpërmjet një dekreti të Presidentit Alfred Moisiu, emërohet anëtar i Gjykatës së Lartë.

Pra, ai Dvoran, i cili ishte shkëputur nga sistemi i drejtësisë pasi dënoi për agjitacion grupin e shkodranëve në vitin 1990, rikthehet më i fuqishëm, në çatinë e drejtësisë shqiptare.

Mandati i Ardian Dvoranit ishte 9 vjet, deri në vitin 2014. Por ai, si askush tjetër më parë, qëndroi në detyrë edhe 5 vjet të tjera përtej mandatit, deri në vitin 2020.

“Babai i Reformës në Drejtësi”, ish-hetuesi tjetër i komunizmit, Fatmir Xhafaj, i siguroi mandat thuajse të përjetshëm Ardian Dvoranit, me disa lëvizje makiaveliste, që përfshinin në “lojëra” Parlamentin, Gjykatën Kushtuese dhe strukturat e reja të Vetingut.

Ardian Dvorani, me mandat të tejkaluar në kohë, ishte i vetmi anëtar i Gjykatës së Lartë që kaloi me sukses procesin e Vetingut, megjithëse “kishte harruar të deklaronte 100 mijë dollarë amerikanë”.

Trupa e Vetingut, e përbërë nga njerëz të “përzgjedhur me dorë” nga Fatmir Xhafaj, ia konsideroi “lapsus” dhe “harresë jo të qëllimshme” faktin që Dvorani nuk kishte deklaruar 100 milionë lekë, duke rrëzuar në këtë mënyrë edhe konstatimin e Inspektoratit të Deklarimit të Pasurive për “fshehje pasurie”.

Trupa e Vetingut gjithashtu nuk e konsideroi penalizuese dhe as në konflikt interesi faktin që Dvorani kishte marrë pjesë në disa dyzina çështjes, ku palë ishte kompania publike e telefonisë, “Albtelekom”, e cila i kishte dhënë më herët një hua me interesa minimale gjyqtarit për blerje pasurish të paluajtshme.

Ardian Dvorani nuk duhej shkarkuar, pasi partia në pushtet kishte plane të mëdha për të.

Si gjyqtari i vetëm i lartë, ai u përzgjodh edhe kreu i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED), një strukturë e Reformës në Drejtësi që është përzgjedhëse për kualifikimin e kandidatëve për në Gjykatën Kushtuese.

Në cilësinë e kreut të KED-së, Dvorani e vendosi veten në një kurs përplasjeje me Presidentin Ilir Meta, duke tentuar me manovra tërësisht anti-ligjore që t’i hiqte kreut të Shtetit të drejtën për emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Tentativat e Dvoranit, të mbështetura fuqishëm nga maxhoranca socialiste, u rrëzuan plotësisht nga Komisioni i Venecias.

Presidenti Meta dorëzoi kallëzim penal ndaj Dvoranit në Strukturën e Posaçme Anti-Korrupsion, e cila, për ironi, në atë kohë drejtohej nga një tjetër ish-hetues i kohës së komunizmit, Arben Kraja.

Natyrisht, hetimi ndaj Dvoranit u pushua. Këtë fakt e mësoi shumë herët Ambasada Amerikane në Tiranë, e cila i sugjeroi Departamentit të Shtetit që të shpallte Ardian Dvoranin një prej “kalorësve anti-korrupsion” të vitit 2020, megjithëse nuk rezulton asnjë rekord konkret që ai të ketë dhënë kontribut të vyer në këtë drejtim.

Në vitin 2020, vaji i kandilit të Dvoranit po mbaronte dalëngadalë, kështu që ai dhe qeveria që e mbështet fuqishëm, kaluan në planin rezervë-fillimisht Ardian Dvorani u tërhoq butësisht, duke u emëruar gjyqtar në Apelin Administrativ, në pritje për t’u pjekur disa kushte të favorshme.

Tanimë, ai rikthehet si një prej kandidaturave kryesore për anëtar dhe, pse jo, edhe për kryetar të Gjykatës Kushtetuese.

Komunisti i 40 viteve më parë, që dënoi shkodranët përse kërkonin lirinë e fjalës, sot kërkon kolltuk në Gjykatën Kushtetuese, e cila është garante e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut.