Disa rreshta dërguar zotit Gabriel Escobar

0
469

GJERGJI KRISTO FRASHËRI
I nderuar zoti Gabriel Escobar, Intervista juaj sa më poshtë më ka lënë pa gjumë për humorin që shkaktoi në një rreth miqësor në Tiranë (mund të them dashamirës amerikan), për këtë “non grata”, “pro grata”, “grata-grata”, “super grata”, “dobët grata” …

Pjesën e humorit, jua them sinqerisht, ma solli pa dashje kujtimi i një shoqes sime maturante të vitit 1967, e cila asokohe sapo kishte filluar të mësonte latinisht, por njëkohësisht kishte rënë në dashuri edhe me një shokun tim të ngushtë, pak më i madh se unë në moshë, asokohe student në UNI Tirana për Mjekësi. Prej saj kam dëgjuar për herë të parë fjalën “molto grata”. I kishte zgjedhur ato për të më treguar me kujdes në koenfidencë si shok rinie, se kishte rënë në dashuri të plotë me shokun tim të ngushtë.

Doja të thosha, i nderuar politikan, mos u lodh shumë nga Uashingtoni, duke klasifikuar shqiptarët “super grata” apo “non grata”. Vërtet mos u lodh, i nderuar! Po ta dërgoj këtë këshillë sepse shqiptari nuk është amerikan, domethënë se nuk është komb i ri konglomerat si amerikanët, i porsadalë nga barku i lopës dyshekullore.

Ne shqiptarët në viset tona historike nuk bëhemi dot amerikanë. Unë vetë jam njeri prej tyre dhe nuk dua të bëhem as amerikan dhe asgjë tjetër në botë. Dua të jem shqiptar dhe të shfaq mundësisht tërë karakteristikat e tyre, sado primitive t’u duken ato amerikanëve dhe juve personalisht. Shqiptarët jetojnë në trojet e tyre më të lashta historike të botës. Edhe zoti Berisha ka këtë prejardhje. Ai është në vendin e vet dhe nuk i ka marrë Amerikës, as Uashingtonit dhe as dhe juve personalisht asgjë.

Nëse do filloni përsëri të mos silleni mirë me Shqipërinë dhe shqiptarët siç keni bërë mjerisht edhe jo në pak raste edhe më parë, do ta humbni miqësinë e njerëzve të këtij vendi dhe do mblidhni trajsat si 70 e kusur vjet më parë. Via Egnatia që i duhet aq shumë SHBA-së, nuk mund të bëhet e USA, pa dëshirën e shqiptarëve. (Shqiptarët nuk janë miqtë tuaj, miqtë tuaj janë udhëheqësit provizorë që bëjnë dezhurnin një herë në katër vjet dhe u lëpihen të huajve pa skrupull, midis tyre edhe administratës së Uashingtonit…). Më duket se historia e Kohës së Re është dëshmitare për këtë.

Diçka të fundit për sot. Unë ndoshta nuk kam qenë dhe nuk jam mbështetës politik i zotit Berisha, por jam me siguri kundërshtar politik i zotit amerikan ambasador Arvizu, që përkrahu Berishën në ngjarjen kriminale të 21 janarit 2011 në Tiranë, duke e cilësuar atë burrë shteti. (Lexoni shkrimin tim të vitit 2015, “Republika e një krimineli dhe e tre milionë engjëjve”). Atë që ju keni në dorë dhe ju takon ta bëni dhe duhet ta bëni është të shpallni “non grata” zotin Arvizu brenda kufijve të së drejtës amerikane, si nënshtetas amerikan që ai është.

Për shkak sepse nëse ju pretendoni se keni të drejtë në gjykimin tuaj mbi veprimet e zotit Berisha, rezulton se ambasadori amerikan, zoti Arvizu në Tiranë, na paska gënjyer, gjë e cila nuk i nderon aspak përfaqësuesit zyrtarë të SHBA-së në vendin tonë. Më e keqja është se jeni duke harxhuar edhe kohën, edhe penën, edhe bojën, duke shpallur një qytetar shqiptar “non grata”. Bëheni qesharak si shtetas me nacionalitet amerikan që shpallni të padëshirueshëm çfarëdo qytetari që jeton diku në Republikën e Shqipërisë. Rezultoni joserioz edhe si njeri i administratës politike amerikane.

Veprimi juaj na vë në dyshim ne qytetarët e tjerë të Republikës së Shqipërisë, në lidhje me simpatinë dhe mirënjohjen e padiskutueshme që kemi për SHBA-në. Edhe unë jam si Berisha, në pension. Tani e gjeti administrata amerikane të drejtën të merret me Berishën, pra, me një pensionist, pas më se dekadash që ai ka kontribuar për demokratizimin e R. Shqipërisë nën këshillat e përditshme të Uashingtonit?

Sipas konstatimit tim, Uashingtoni ka të paktën 20 vjet që dërgon në Tiranë ambasadorë të shëmtuar dhe të pahonepsur për nga shkalla e civilizimit (përfshirë edhe këtë zonjën qe është dërguar së fundmi), të cilën, po të kisha qenë me kompetencë detyre, do t’i kisha këshilluar në rrugë të urta, të largohej një orë e më parë nga Shqipëria. Me veprimet që po bëni dhe më kësi intervistash që botoni, i nderuar diplomat amerikan, do ta humbni jo shumë larg R. e Shqipërisë, siç e humbët në periudhën 1946-1990.

Shqipëria është e vendosur në Mesin e Dheut qëkurse është krijuar njerëzimi mbi tokë. Inteligjenca e shqiptarëve patriotë e këtij vendi brenda dhe jashtë Shqipërisë e di këtë. I di edhe vlerat strategjike të saj. Historia botërore është historia “në luftë kush ta sundojë Via Egnatian (Durrës-Stamboll)”.

Udhëheqësi shqiptar i fundit para se të vinit ju, bashkë me gjyshërit dhe baballarët tanë, e luajtën atë lojë në ruajtje të pavarësisë së Republikës së Shqipërisë, që t’u kujtonit ju superfuqive mbas 1944, fillimisht Rusisë (BS), më tej Europës Perëndimore njëkohësisht dhe Bllokut Lindor komunist, se Via Egnatia mund të komandohet edhe nga vetë shqiptarët.

Apo jo? Ka shumë shqiptarë si puna ime që e dinë këtë vlerë dhe janë njohës të ndërgjegjshëm të kësaj strategjie. Si historianë, këto 31 vitet e fundit kemi bërë edhe ne analiza sesa “përpara” ka shkuar vendi ynë. E kam fjalën, mos lozni duke e prekur çdo shqiptar aty ku nuk e gëlltit tradita e këtij vendi kokëfortë në të vetën, se do të na humbi. Do t’ju heqim vizën.

Veprimet tuaja të pamatura duke na fyer në shtëpinë dhe vatrën tonë familjare, po na detyrojnë të bashkohemi me Berishën, për hir të prepotencës tuaj. Kam frikë, atë që nuk do ta desha kurrë – do fillojmë dalëngadalë t’ju urrejmë dhe siç e thotë tradita jonë, do përfundojmë të flemë me mullixhiun. Mos e dëmtoni mirënjohjen tonë të thellë dhe të freskët për USA. Ne kemi zgjedhur me ju Perandorinë e radhës.

Por ka edhe perandori të tjera në ofertë në zhvillimet aktuale botërore për të zgjedhur. Kujdes vëllezër! Nuk duam kurrsesi dhe nuk kemi të drejtë t’ju humbim! Por edhe ju mos na fyeni! Berisha është njëri prej nesh, ju do të jeni përherë një i huaj. Nuk gjeta fjalë më të sinqerta për të thënë hapur atë që mendoj.