Disa këshilla për “Këshillimin Kombëtar”

0
212

Marash Gilaj

Disa këshilla për “Këshillimin Kombëtar”

Pas, gati 9 vjet qeverisje skandaloze, kryeqeveriu na gëzoi me nismëm e tij, të ashtuquajtërën “Këshillim kombëtar.” Hareja u shtua, kur e morëm vesh se çdo gjë po shkon bukur, se vetëm në pak ditë kemi 95.950 përgjigje, por që duket si tallje, cinizëm, simulim apo “dhuratë” që do t’ia bëjë popullit mbarë, qofshin këta edhe “armiq të brëndshëm”. Kjo mund të quhet edhe si amnisti që ia bën vetes, për skandalet qeveritare apo pajtim kombëtar me të nënshtruarit dhe shumë të duruarit. Merreni si të doni. Në fillim, mos gabohem, e quajti referendum, por ndërroi mendje dhe tha me vete se ky emeri “këshillim” tingëllon më bukur. Kjo pat ndodhur edhe me “Minishengenin” e shndërruar në “Open Balkan”. Kjo metodë mutacioni të shfajson, të lehtëson dhe të ndihmon të fshehësh diçka. Sikur ka lidhje edhe me Covid-19. Mutacioni e bën më të lehtë ose më të rrezikshëm. Vaksina e katërtë duhet edhe s’duhet, siçpo na dëgjojnë veshët.

Qeverisë nuk i mungojnë dyzinat e këshilltarëve, që paguhen nga taksat e popullit, që mendohet se janë ekspertë të fushave të caktuara, në mos qofshin tiofozë partiakë ose patronazhistë, por kush dreqi i pyet ata. Sepse Ai që di gjithçka, nuk ka nevojë të pyesë askënd. Aq më tepër, “… kur mendon se vetëm ti ke gjithmonë të drejtë, gati asnjëherë nuk ke të drejtë”, siç na mëson L. Ariosta. Ka një ngjashmëri të madhe me qëndrimin që mban një i dehur edhe pasi është rrëzuar në tokë, kur e dëgjon të thotë se nuk e ka nga pija, se nuk është bërë tapë. Demek, do të pyesë popullin për t’i shfaqur, mender, respektin e madh. Kjo që po ndodh nuk ka kuptimin e këshillimit, por të talljes. Këshillim anonim, me postë, me zarf apo on-line. Fjala “anonim” e çvlerëson krejtësisht, sepse i bie që këtë ta kryejnë patronazhistët pa problem. Pastaj, kush na qënkan ata që do t’i numrojnë dhe i ndajnë në pro e kundër apo cili është mendimi i tyre i vërtetë.? Cili është ai idiot që mund ta besojë rezaultatin? Do të na thoni se pasi populli na votën përjetësisht, d.m.th. se janë tepër të kënaqur me punën tonë. Dhe këtu mbaron historia si mesele e vjetër. Por mos harroni se ato votime ishin pa zgjedhje dhe fitorja, me plot gojën mund të quhet triumf i turpshëm, pas qindra skandaleve.

Le ta nisim me ndonjë këshillë për ekonominë. Meqënëse jemi vendi më i varfër në Evropë e më tej, më i korruptuari, me rrogat dhe pensionet më të ulëta, bëni diçka për këta fakira. Gjeni ndonjë marifet, por duke mos marr borxh për luksin dhe pasurimin tuaj. Evitoni sa të jetë e mundur tenderat sekret, tenderat pa tender,  check-up-et që nuk kryhen. Gjeni një zgjidhje për incerenatorët? Korrigjojeni gabimin me 430 milion eurot e shkuara dëm. Bëni ndonjë gjë që të kemi ujë 24 orë dhe drita pa nderprerje pas 8-9 viteve qeverisje? Shtyni për më vonë aeroportet që thoni se do të ndertoni e satelitët që doni të lëshoni. Lereni këto dhe disa të tjera për të bërë më të domosdoshmet para tyre. Lereni propagandën boshe dhe protagonizmin banal se u ka dalë boja. Është mërzitur ky popull, sepse e di që ky vend ka shumë pasuri e mund të jetojnë normalisht këtu dy-tre herë më shumë njerëz se sa jetojnë sot. Gjejeni shkakun dhe ndryshoni qasjen. Boll menduat për vete. Është turp të jetosh si sheik para një populli të varfër, këshillon një i ditur. Ndryshoni ose nderhyni që çmimet të mos rriten pa kriter as taksat gjithashtu. Tani që digjitalizimi ka përparuar, pse i keni dyfishuar të punësuarit? A Ka ligj që e ndalon dhe pse nuk e zbatoni? Ju duhen për votime? E lejon ligji këtë? Dhe na thua me “përulje”: “Le të dëgjojmë njëri-tjetrin.” Po çfarë të dëgjojmë ne? Çfarë mund të bëhej me 400 milion USD që humbim nga nafta e Shpiragut? Mos e lejoni, nëse vërtetë, doni këshilla. Po me milonat që humbëm kur mbyllët televisionin “Agon”? Sa e dëmtojnë ekonomonë? Mos e burgosni fjalën e lirë. Mos i dhunoni gazetarët, kur ju kritikojnë. Ai që ju kritikon, ju do, por ju do të përmirësuar. Humbjet në arbitrazhe janë miliona, por gjithnjë duke shkelur ligjet. Evitojeni kënaqësinë e të shkelurit të ligjeve. Ju mund të ndiheni mirë, mund të pasuroheni, por populli paguan një çmim të madh e tepër shkatrrues. Ah! Kujdes me ligjet! Me të ashtuquajtërën “Reformë në Drejtësi”. Ajo nuk po jep shënja jete. Nuk është e pavarur as e plotësuar. Ajo duket më e vjetër se e vjetra, se e kohës hoxhiste.

Kur ju furnizoni edhe burgjet me drogë, kjo kalon çdo lloj legalizimi. Është dhe mbetet një biznes mafioz, prandaj nuk duhet lejuar, por luftuar me rreptësi. Të droguarit nuk e luftojnë drogën. Hajduti nuk e lufton hajdutërinë as i korruptuari korrupsionin. Ata mund të kenë rivalitet, por prapë bashkëpunojnë dhe secili do të jetë kapo brënda grupit. Një kriminel e do dhe e ndihmon të ngjashmin e vet. Këtë e ka vënë re kushdo që ka aftësinë e të menduarit. Një shprehje e urtë latine thotë se çdokush kënaqet me të ngjashmin e vet.

Mjaft e shkatrruat demokracinë, pluralizmin, opozitën. Boll u krenove me patronazhistët, me skandalet, dështimet, me shkelje ligjesh e Kushtetute. Ndrysho kushtet që të mos na ik rinia, që të mos vdesin më shumë se lindin. Po ndryshove drejtimin, shumë emigrantë do të ktheheshin te shtëpia.

Thuajse, çdo gjë e keqe që ka ndodhur tek ne, i referohet shkeljes së ligjeve. Kapja e institucioneve, gjëja më e shëmtuar dhe e rrezikshme. Ju kishte mbetur edhe presidenca apo FSHF-ja pa kapur, Këshillojmë që të mos kemi më zgjedhje moniste as të mos detyrohemi t’i kemi të pjesshme, sepse kandidatët për kryetarë bashkie na dolën të inkriminuar. Lind pyetja krejt natyrshëm: “ Pse nuk u zbatua ligji i dekriminalizimit në zgjedhjet e fundit lokale?”

Për integrimin nuk na e ka fajin Maqedonia e Veriut as Evropa. Plotësoni kushtet që të dalim nga gropa. Justifikimet janë tinzare dhe hileqare. Dhe përsëri jeni krenarë, se keni edhe mbështetjen nderkombëtare e sorosjane.

Deri kur do të dëgjojmë e shohim talljet tua, shpërfilljet, poshtrimin e njeriut të ndershëm, të drejtë e të urtë? Përpiqu të zgjosh shpresëm në vend të indiferentizmit, krijo kushte që njerëzia në këtë vend të mos thotë se vetëm nështrimi ose largimi e zgjidh problemin, se njeriun e ndershëm e të ditur nuk e qas qeveria dhe se gjërat nuk ka shpresë të ndryshojnë për mirë. S’ka krim më të madh se të vësh një popull në një dilemë të tillë. Dhe për ta mbyllur, po pëdor një thënje të urtë nga Aristoteli: “ Ai që nuk e dallon të keqen, është e keqja vetë.”

8 Shkurt 2022