Disa fjalë për 7 Marsin dhe një urim

0
521

Marash Gilaj
Plot 135 vjet më parë, më 7 Mars 1887, në Korçë u hap e para shkollë shqipe, në kushtet e pushtimit otoman dhe për ta nderuar këtë ngjarje e për të mos e harruar, qe vendosur të festohet si Dita e Mësuesit. Duke filluar nga viti 1960 e këtej, kjo festë kujtohet e kremtohet çdo vit. Dita e Mësuesit, në vende të ndryshme përkujtohet në muaj e data të tjera. Për ata që nuk e dinë, ka edhe një Ditë botërore të Mësuesit, e cila festohet më 5 Tetor, duke filluar nga viti 1994 e këtej. Gjithashtu, ekziston edhe një tekst për “Betimin e Mësuesit”, i cili zbatohet që nga viti 1966, i ngjashëm me “Betimin e Hipokratit”, i cili u përket mjekëve e doktorëve. Në vendin tonë, një tekst i ngjashëm është formuluar që në vitin 2012 dhe besoj se është më i miri. Në mënyrë të përmbledhur, aty flitet për misionin e dijes që ka mësuesi, në shërbim të demokracisë, humanizmit, për rolin e tij si pishtar i kulturës dhe përparimit kombëtar, si edukator i brezit të ri. Në këtë betim solemn thuhet se mësuesi duhet të garantojë të drejtat e nxënësve që rrjedhin nga Kushtetuta, ligjet, etika zyrtare dhe parimet morale. Në fund të këtij betimi thuhet se mësuesi duhet të respektojë e të zhvillojë traditat dhe zakonet më të mira profesionale në zhvillimin e arsimit kombëtar dhe të shkencave pedagogjike.
Është nder, përgjegjësi e lavdi të mbash titullin mësues, të marrësh rolin e një prindi të dytë për fëmijën e dikujt, që të ka besuar edukimin i tij. Të mësosh brezin e ri, që do të jetë e ardhmja e Shqipërisë apo e çdo vendi tjetër, është mision i lartë. Uroj që çdo mësimdhënës të ndihet mësues dhe nxënës njëkohësisht!
Secili mësues apo prind është i shqetësuar për rënien e interest për mësim nga ana e nxënësve, për braktisjen e shkollës apo kushtet e pafavorshme për mësim në disa raste, emigrimin dhe lindjet e pakta, e megjithatë, edhe në këto kushte, mësuesi duhet të bëjë më të mirën.
Dihet se arsimimi nuk i shërben vetëm vetvetes, por edhe familjes e shoqërisë, i lehtëson jetesën moshës së tretë. Influenca e mësimit dhe edukimit shtrihet në breza. Me të drejtë, një i ditur ka thënë se “pesha e mësuesit dhe e qiellit nuk mund të maten”. Në këtë ditë, mësues dhe nxënës festojnë së bashku. Lulet shumëmngjyrëshe dhe buzëqeshjet e nxënësve janë dhuratat më të bukura që mund të jepen, në mënyrë simbolike duke mos përjashtuar edhe ndonjë libër, por dhurata më me vlerë për çdo mësues, në fund të ditës, është arritja e nxënësit në mësime dhe edukim të përgjithshëm, ku duket e matet puna e mësuesit dhe e prindërve, përkushtimi dhe pasioni i tyre, vjelja e të korrave që kanë prodhuar së bashku, në kuptimin figurativ.
Nisur nga eksperienca ime prej 59 vitesh që kur fillova detyrën si mësues dhe 25 vitesh që jam largur nga ky profesion dhe nga vendi për një jetë ndryshe në SHBA, e kuptoj mirë se sa vlerë ka puna jonë, kur takon nxënës që të respektojnë, të flasin me respekt dhe tregojnë mirënjohje për gjithçka që kanë mësuar prej nesh, që, edhe pse tani i kanë kaluar të gjashtëdhjetat, nuk të thërrasin me emër, duke u ndjerë ende si nxënësit e tu. Le të kemi parasysh se ata nuk i harrojnë fjalët tona, sjelljen, mësimet që u kemi dhënë, shembullin, kulturën, mënyrën e komunikimit dhe se nxënësi është pasqyra, ku ne shohim veten. Që kjo të ndodh, uroj mësuesit e rinj, që sapo kanë nisur këtë rrugëtim, pa përjashtuar edhe të tjerët, të jenë të aftë të tërheqin vëmendjen e nxënësve të tyre në mësime, t’i emocionojnë, t’i bindin me komunikimin e tyre të lirshëm e të kuptueshëm. Qofshin model për ta, në zgjedhjen e fjalëve, siç zgjedh bujku farën që do të mbjellin dhe të arrijnë t’i mësojnë të mendojnë në mënyrë të pavarur e kritike, Kjo do të ishte fitore e dyanshme. Uroj të kuptojnë prirjet e nxënësve, hallet dhe problemet që i shqetësojnë ata! Gabimet e tyre i kalofshi me sportivitet e humor, pa u nervozuar e pa e ngritur zërin! Le t’ua bëni të qartë dhe t’ua ngulisni mirë në tru se pasi të mbarojnë shkollën, të marrin diplomën, qofshin edhe tituj shkencorë, mësimet nuk kanë mbaruar. Ato nuk mbarojnë asnjëherë, për sa kohë njeriu jeton. Fuqia e fjalës tuaj qoftë e tillë sa t’i prek e shembulli juaj i mirë i nxittë për ta ndjekur! Uroj t’i bëni kureshtarë me fjalët shpjeguese, me domonstrimin dhe, në veçanti, t’i frymëzoni për arritje spektakolare në jetët e tyre!
Gëzuar festën koleg i dashur! Shëndet e mbarësi!
Shkoder, 6 Mars 2022
I neruar Rush Dragu! Po ju dërgoj këtë shkrim me rastin e 7 Marsit, Ditës së Mësuesit. Uroj t’ju pëlqejë! Nëse ia vlen, publikoje, të lutem. Falemnderit dhe kalofshi bukur!
Me respekt,
Marash Gilaj