Agim Vuniqi
Është e pashembëllt që në raportet Kosovë-Shqipëri, nuk përmendet fakti se Kosova konsiderohet si pjesë e Serbisë, si pjesë e Kushtetutës serbe. Pra, Kosova konsiderohet si krahinë jugore e saj, që do të thotë inkorporimi i Kosovës në projektin serbomadhe “Open Balkan”-Ballkani i hapur, është njëra ndër huqjet më të mëdha të politikës shqiptare, të pranuar dhe promovuar nga kryeministri shqiptar, Edi Rama. Duhet gjithashtu të kihet parasysh se nënshkrimi i një dokumenti ligjërisht obligativ me Kosovën nënkupton ndryshimin e Kushtetutës së Serbisë. Përkundër kësaj, në Qeverinë serbe, në Zyrën për Kosovën, as në Kuvendin e Serbisë nuk ka informacion se dikush po merret me këtë.
Ministria e Drejtësisë së Serbisë, po merret me ndryshimet kushtetuese që kanë të bëjnë ekskluzivisht me gjyqësorin, ndërsa as që përmendet Kosova. Qeveria e Serbisë tregon haptas se askush nuk merret me ndryshimin e Kushtetutës, sa i përket Kosovës, ndërsa Zyra për Kosovën nuk e ka përmendur ndonjëherë. Në këtë drejtim nuk ka asnjë fjalë nga publiku shqiptarë, as nga mediat në Kosovë dhe në Shqipëri.
“Krahina jugore serbe” e Kosovës është ende në fjalorin zyrtar të zyrtarëve serbë, ndonëse, në fakt, nuk ka pasur asnjë ndryshim në retorikën e liderëve serb dhe presidentit Vuçiq, qe njëzet e dy vjet, edhepse inciativa për “ Ballkanin e hapur” ndodhi nga ai.
Sipas Kushtetutës aktuale, Kosova është pjesë e Serbisë, kurse kufijtë pas vitit 1999, edhepse që nga atëherë institucionet e shtetit të Serbisë nuk kanë qenë të pranishme në territorin e Kosovës, quhen kufij administrative. Çdo ndryshim kërkon ndryshim të Kushtetutës së Serbisë. Andaj pranimi krahëhapur I projektit hegjemonist serb i kryeministrit Rama është minim i pavarësisë së Kosovës dhe degradim i dialogut të deritanishëm Kosovë -Serbi.
Është e habitshme pse kjo nuk është temë në publikun tonë vendas, as në atë të Shqipërisë, as në publikun evropian, as në vendet partnere ku merren vendime, si Moska apo Uashingtoni. Kushtetuta dhe preambula nuk janë askund dhe askush nuk e shtron si temë.