AKTIVITET PËR PREZANTIMIN E HISTORISË TË KISHËS RRETH 400 VJEÇARE TË SHËN ELISË NË REÇ (ME RASTIN E RESTAURIMIT).

0
373

Siç ishte paralajmruar me datën 14 mars (2023) në qëndren e trajnimit, (sallen) Kardinal “Mikel Koliqi” të Arqipeshkvisë Metropolitane Shkoder-Pult, u zhvillua aktiviteti i prezantimin historik i kishes rreth 400 vjeçare të Shën Elisë në Reç me rastin e restaurimit të saj. Aktiviteti u zhvillua nën kujdesin e Arqipeshkvit të  kesaj Arqipeshkvie, Imzot Anxhelo Masafra, si dhe me prezantimin e aktivitetit nga drejtoresha e kësaj qendre, znj.Loreta Toma. Në këtë aktivitet muaren pjesë perveç klerikëve e  murgeshave të Arqipeshkvisë edhe autoritet më të larta të pushtetit lokal të Qarkut Shkodër, (kryetari i bashkisë Shkodër z.Bardh Spahia, kryetari i bashkisë Malësi e Madhe z.Tonin Marinaj, Prefektja e qarkut Shkodër znj.Majlinda Angoni dhe kryetari i Këshillit të Qarkut Hilmi Lakti), si edhe studiues e intelektual të ndryshëm.  Aktivitetin e prezantoi znj.Loreta Toma, e cila më pas ia dha fjalën Imzot Anxhelo Masafres i cili foli për restaurimin e kishës si monument me vlera besimi e qytetrimi, që falë  këtij restaurimi Kisha sot është një vlerë e shtuar e historisë të besimit Kristian dhe historisë të objekteve të ketij besimi. Imzot Anxhelo Masafra në fjalën e tij (me monografinë në dorë) bëri prezent rëndësinë dhe vlerat e monografisë me titullin domethënës: 15 Shekuj Kristianizëm në mes dy kryeqyteteve të Ilirisë (Shkodër-Medun) me autor publicistin e studiuesin Ndue  Bacaj,..të cilit iu dha fjala për prezantimin e historisë së Kishës rreth 400 vjeçare të Shën Elisë në Reç. Pas këtij prezantimi të mirpritur nga auditori, u shfaqë një dokumentar që i kushtohej gjendjes të ndërtesës së Kishës para restaurimit dhe pas restaurimit të saj. Gjithashtu në këtë aktivitet u bë edhe prezantimi i librit me titull: Kryeipeshkvi që ngjalli besimin, kushtuar Imzot Frano Ilia, (përmbledhje e akteve  të konferencës studimore, mbajtur me 22 qershor 2022). Pas këtij aktiviteti prezantues në ditët e ardhëshme do të bëhet edhe Bekimi i Kishës dhe Mesha e Shenjtë.

Shkodër 14 mars 2023

KUMTESA E PLOTË QË MBAJTI NË KËTË AKTIVITET PUBLICISTI DHE STUDIUESI NDUE BACAJ

KISHA E SHËN ELISË  NË REÇ, MONUMENT BESIMI E QYTETRIMI… NGA  NDUE  BACAJ   

Kristianizmi si besim e civilizim është dëshmuar ndër mote e shekuj edhe me ndërtimin e objekteve (të saja) si kisha, qela, famulli, abaci, manastire, katedrale e deri shkolla si dhe veprave të tjera civilizuese në sherbim të binomit jetdhënës FE e ATDHE… Këto ndërtime, veçnarisht pas Ediktit  të Milanit të vitit 313,1.  të lëshuar nga Perandori i Romës , Iliro-shqiptari nga Nasiusi i Dardanisë (Nishi i Kosovës), Flavio Valerio Kostandini (Kostandini i Madh),2, dëshmonin e dëshmojnë, besim, civilizim, identitet Europerendimor, por edhe autoktoni Iliro-Arbënore-Shqiptare në trojet tona etnike, në hapsiren ballkanike… Sot, në Malësi të Madhe e më gjërë, edhe pse një pjesë e kësaj trashigimie shumshekullore është toponomastikë, trashigimi gojore apo deri “rrënojë”, ajo është në këmbë si vlerë e patjetërsueshme e rrënjëve tona etnike e historike Iliro-Arbënore-Shqiptare-Europerendimore.   Një nga këto trashigimi në Malësi të Madhe është pa dyshim edhe Kisha rreth 400 vjeçare e Shën Elisë në Reç, e cila është e ndërtuar në një kodër të dukshme që mban homonimin e fisit  Prelnikaj dhe ka funksionuar deri në çmendurinë ateiste të komunizmit të vitit 1967.   Kisha e Shën  Elisë, qendron këtu edhe sot  në “këmbë”  (ndonse jo funksionale) me përmasat të plota (16m x 7 m) dhe me lartesinë e një ndertese  dykateshe, të cilën banorët e Reçit e më gjërë e njohin  me “emrin” Kisha e Reçit apo Kisha e Shëmllisë. (Me këtë rast vlen të cilësohet se ndër shekuj në Malësi të Madhe e më gjërë LL me dy L-ha dhe DH  me D dhe H nuk dallohej as “zyrtarisht”  deri  në gjysmen e dytë të shekullit XX , ku  gjatë shkrimeve të kohes duke i shkruar L-hat me I-jat  filluan të lexohen si LL dhe Shën Ilia u  trashigua  Shën-Dhia).  Kisha nuk ka qënë thjeshtë një objekt kulti, por një monument  kristian  me vlera të mëdha besimi e qytetrimi për vite e shekuj.  Kisha sipas banorëve vendas e më gjërë mendohet se ka një moshë  rreth 400 vjeçare… Albanologu e historiani Milan Shuflaj shkruan se në  Shkodër, përmendet kisha e manastirit  të Shën Elisë që në vitin 1444. 3.  Ndërsa Reçi si emër fshati në Malësi të Madhe  del për herë të parë në vitin 1485, 4. Por si  mbiemër  gjindet që në  vitet 1416 -1417…5, gjë për të cilen shkruan edhe Albanologu dhe studiuesi  Xhuzepe Valentini, nga i cili ndër të tjera citoj: “Reçi si mbiemër duket i frekuentueshëm që në vitet 1416-1417 nën format Reçi e Rezi  (e pastaj Arecci) në mes refugjatëve shqiptar  në Ancona me 1492…”.6.  Të dhëna më të detajuara për Reçin e popullsinë e tij gjinden veçanarisht në Defterin e Sanxhakut të Shkodrës (të vitit 1485), të përpiluar kryesisht për vjeljen e taksave nga pushtuesi turko-osman. Në defter shënohen  emrat “e mbiemrat” e  8 kryefamiljareve  dhe 2 beqarëve që janë njëkohesisht po kaq shtëpia, gjithashtu në këtë defter gjinden edhe  emrat  e 15 familjeve të një fshati tjetër me toponimin e Reçit, por këto janë në zonën e Nënshkodrës…7.  Në vitin 1582 mësojmë se në Reç  kishte  filluar Islamizimi i popullsisë, ku  shënohen  9 shtëpia dhe një beqarë të besimit Islam (që kishin edhe prona), si dhe 43 shtëpia e 10 beqarë të besimit Katolik.8.  Reçi si fshat me  Kishë  shënohet më vonë,  në hartat e  dy hartografeve të shekullit XVII, Cantellit (Kantelit) dhe Coronellit (Koronelit) të cilat përmbledhen në librin e studiuesit dhe diplomatit të njohur  Ermanno  Armao, ku ndër të tjera citoj:  “..Në  Prelnikaj gjendet Kisha e sotme e Sh’Illisë (Shën Elisë N.B.)  me shtepinë e Famulltarit, dhe “homonimi” Ulnikaj kur përmendet “Ricci “  me 25 shtëpi e 163 frymë katolike.  Kaq janë ende sot katolikët e Reçit.9.  (Studiuesi e bënë krahasimin me  vitet e para të shekullit XX ,N.B.). Sipas  një gojdhëne të shkruar nga studiuesi e diplomati francez Hekuard (Hecquard), Reçi…është themeluar në shekullin e XVI…10.  Me sa duket kjo është koha kur mendohet se kanë ardhur të parët e banorëve të sotëm të Reçit që  ripopulluan këtë trevë me shqiptarë të ardhuar nga treva të tjera etnike shqiptare.  Në dekumentet  Arkivore të  Dioqezes së Shkodrës të shekullit  XVIII , e gjejmë  Reçin  të përfshirë në famullin e Shkrelit. Po në këto dekumente ndër të tjera  mesojmë se Kisha e Reçit  ndodhej nën  juridiksionin e Famullisë Shkrelit…..dhe se Reçi numronte 16 shtëpi katolike me 186 frymë…11. Dorshkrimet  e Dioqezes së Shkodrës  janë të bazuara  në viziten Baritore të vitit 1745 të Ipeshkevit  të Shkodres  imzot  Pal Pema Kampesi.  Është interesant të theksohet se shpesh në kapercyejt e shekujve shkruhet se Kisha e Reçit është nën juridiksionin e famullisë së  Rrjollit, që  kishte si Kishë famullie atë të  SHELBUEMIT, ku ndonjëherë edhe kishën e Reçit e citojnë kështu… Në një tjetër relacion  të vitit 1756  që tregon viziten baritore  të ipeshkëvit  të Shkodrës, të imzot Pal Pema Kampesi  shkruhet se Reçi kishte 35 shtëpi  me 215 banorë të rritur  dhe 72 fëmijë. Kisha i kushtohet Shën Elisë dhe famulltar është  Filip Kalamashi.12.  Studiuesi dhe konsulli francez në Shkodër Hyacinthe Hecquard rreth vitit1850 do të shkruante edhe për harmoninë e mirkuptimin e mrekullueshëm  që ekzistonte në mes kishës katolike të Reçit dhe banorëve musliman të këtij fashati, që kanë ruajtur disa “trashigimi” të besimit të tyre të vjetër dhe, ndonse nuk marrin pjesë në sherbimet kishtare ata festojnë tok me të krishterët festën e Krishtlindjeve, të Pashkëve, të Shën Kollit e të Shën Gjergjit. Ata kurr nuk harrojnë, madje as në raste sëmundjesh e as në raste fatkeqësish, të thërrasin një prift katolik, të cilit i kërkojnë lutje që i përsërisin pas tij, në mënyrë që ai të vendos paqen në mes tyre e Zotit dhe ti shpëtojnë nga të këqijat që u kanosen.13.  Nga një pershkrim tjetër i shekullit XIX , nga misionari i madh katolik, At Domeniko Pazzi, mësojmë se kisha e Reçit ishte famulli e administruar nga Famullia e Rrjollit … dhe  në kishen (e Reçit) kryenin ritet fetare edhe Lohjanët katolik…Vendodhja e kishës  ishte në të vertet  magjepëse…14.  Për këtë shkruan edhe studiuesja e njohur angleze Edith Durham kur do të vizitonte Reçin (në vitin 1908), nga ku ndër të tjera citoj: “Kur mbërritëm në Reç…Kisha dhe shtëpia e priftit, të dyja të reja, ngrihen lart në një kurriz nga ku shihet një pamje madhështore e gjithë fushës dhe liqenit të shkodrës. Prifti i Reçit (Ernesto Cozzi), një studiues i hollë i zakoneve shqiptare, na dha plot të dhëna për Reçin dhe Pulatin (Pultin), ku kishte kaluar shumë vjet.15.  Ndërsa historiani aanglez Noel Malkom duke iu referuar edhe Edith Durham-it do të shkruante: 1905, Ernesto Cozzi do të ishte prifti i parë i një famullie të re e cila përfshinte fshatrat e Reçit dhe Lohes. Në fillim të vitit 1909 ai qe  transferuar përbri qarkut të Rjollit. Në të dy këto famulli, njohuritë e Cozzit për jetën fshatare , duhet të jenë shtuar, meqense katolikët ishin minoritet. Më 1920, statestikat për famullinë e Reçit e Lohes tregojnë se ishin 490 katolikë dhe 1200 muslimanë…nderkohë shton se të gjitha dëshmitë sugjerojnë se E. Cozzi ishte prift famulltar puntor dhe i zellshëm. Edith Durham e cila vizitoi atë në Reç në fillimverën e vitit 1908, nënvizon: “Të dielen, të sëmurët dhe nevojtarët u grumbulluan në orët e hershme. Pifti kishte disa vite trajnim mjekësor dhe kujdeset për trupat dhe shpirtrat e njerëzve të vet. Kisha e tij është kurdoherë e mbushur plot”.16.  Kisha e Reçit ku ndodhet sot ndërtesa (në Kodrën e Prelnikajve)  është një dëshmi e heshtur e jetës dhe besimit të këtyre banorëve, ku ndër shekuj ka pësuar ndërtime, rindërtime, riparime dhe transformime  të cilat  shpesh historianë e studiues të huaj i kanë  kosideruar  si ndërtime të  reja. Në këtë kumtese nuk po mundem pa   cilësua se  nga fundi i vitit 1930 , do të transferohej nga Mali i Kolajve në famullinë e  Reçit të Malësisë Madhe, Dom Luigj Pici nga ku nuk levizi derisa ishte gjallë… Gjatë gjithë sherbimit të tij Dom Luigj Pici u dallua , jo vetëm si meshtar i mirë i fjalës së Zotit për komunitetin katolik, por edhe si njeri me kulturë e patriotizëm pa dallime fetare, për banorët e Reçit e më gjërë. Për këtë vlenë të cilësohet se Dom Luigji do të ishte edhe një mësues i mrekullueshëm, ku (pranë famullisë së tij) do t’u mësonte vullnetarisht shkrim e këndim, pa dallime fetare djemëve të Reçit e rrethinave. Gjatë mësimit shkrim e këndim e në biseda të lira, Dom Luigji bënte thirrje për bashkim e jo ndarje, pasi siç thoshte ai , si katolik si musliman një Zot kemi, ashtu siç kemi një gjuhë, një gjak e një Atdhe…17. Kisha e re në Reç është ndertuar pas vitit 1991 , kur  sistemi ateist–komunist  u rrezua, por tashma ky  institucion besimi u ndertua në Ulnikaj , afër shtepiave të besimtareve , e jo më në Kodër , ku qendron Kisha  me muriet e saj, me themele rreth 400 vjeçare, si monument  besimi e qytetrimi…

REFERENCAT:

1..Michel Lamonnier O.P., HISTORI E KISHËS- Zhvillimi i jetës së kishës  nga Rrëshajat deri në ditët tona, fq.88, Enti botues “Gjergj Fishta”e-mail: ebpfishta@yahoo.com.

2.Simon   Cox , Sekretet e kodit Da Vinçit (guidë mbi faktet, personazhet dhe misteret e kodit …), fq.97, sh.b. Bota Shqiptare, Tiranë 2005, + Edwin  Jacques ,“SHQIPTARET” ,historia e popullit shqiptarë nga lashtesia deri në ditet e sotme ,fq.152,- Fondacioni Abraham Linkoln 1995. 

3.Milan  Shyflaj; Situata  të Kishës  në Shqiperinë paraturke ,fq.155-156 , botime franceskane ,Shkodër 2013, perkthyer dhe perg. Per botim Dr.phil. MA Edmond Malaj. 

4.Akademia e shkencave të Shqipërisë, Instituti i Historisë; Defteri i regjistrimit të Sanxhakut Shkodres  perpiluar nga Pushtuesi Otoman, faqe 381, Tiranë 1974.

  1. Akademia e shkencave të Shqipërisë, Instituti i Historisë, Regjistri i kadastres dhe koncensioneve…, perpilua nga pushtuesi venedikas , fleta 104/b… Tiranë 1977.

6.Giuseppe Valentini; Il Diritto Delle Comunita (Nella tradicione giuridica Albanese), fq.341, printed in Italy, Firence 1956.

7.Defteri i Sanxhakut të Shkodres të vitit 1485 , faqe 365 dhe 381.

8.Perparime Huta ; “FSHATI  NË SANXHAKUN E SHKODRES“në shek.XV-XVI, fq. 140, Tiranë 1990.  

9.Ermanno  Armao ; Vende , Kisha, Lumenj ,Male e Toponime të ndryshme të një harte të lashtë të Shqiperisë Veriore “, faqet 107–108,botime Korbi 2006.

10.Hyacinthe  Hecquard ; Historia dhe pershkrimi i Shqiperisë së Eperme , ose i Gegërisë , fq.152-154, Plejad 2008.

11.Nevila  Nika ,Dioqeza e Shkodres gjate shek.XVIII , sipas Dorshkrimeve Arkivore, fq. 21 dhe 155, PHOENIX, Shkodra 2006.

12.Italo  Sarro, Kontribut për historinë kishtare të Shqiperisë së Eperme  shek.XVII-XIX ,fq.59, botime Franceskane ,Shkodër, 2015.

  1. Hyacinthe Hecquard, po aty, fq.154.

14.Fulvio  Kordinjano, SHQIPERIA , Permes  vepres  dhe shkrimeve te misionarit te madh italian At Domeniko Pazzi -1847-1914 ,fq.86-87 ,Vll.II, botime “Almera”, Tiranë 2008.

15.Edith  Durham, Shqipëria e Epërme-një udhëtim në Shqipërinë e veriut të vitit 1908, fq.115, Botime IDK, Tiranë, e-mail:idk@idk-al.org .

16.Noel  Malcom, Rebelët, besimtarët, të mbijetuarit-studime mbi historinë e Shqipërisë, fq.588-589, Prishtinë 2020.

17.Caf  Jonuz  Culaj, Krushqit e Lirisë, fq.13-14, Shkodër 2001.

SHKODËR ME 14 MARS 2023