Gjekë Gjonaj botoi librin e ri “ Ana e Malit sipas një trieshjani”

0
247

Ismet Kallaba

Doli në qarkullim libri më i ri i gazetarit  dhe publicistit  Gjekë Gjonaj, “Ana e Malit sipas një trieshiani – Kronikë e jetës së përditshme të anamalasve”të cilin ai ia kushton trevës së Anës së Malit, siç thotë në dedikim, me rastin e 30-vjetorit të  njohjes së tij me këtë krahinë gjeografike-etnografike shqiptare.  Sipas autorit, arsyeja e vetme dhe kryesore për ta shkruar këtë libër publicistik për Anën e Malit është respekti që ka për këtë krahinë me traditë të pasur dhe për banorët e tij.

“Kjo vepër publicistike nuk është një monografi, as dokument faktik, por vetëm pjesë e një letërnjoftimi të vogël me fjalë shumë të kësaj treve. Ajo është një mozaik prozaik me copëza veçantie nga jeta e zakonshme e pabujë e anamalasve, realiteti i tyre jetësor, një pjesë e së shkuarës dhe të sotmes së tyre në këtë lokalitet, ashtu siç i njoha unë”, shprehet autori në fjalën paraprijëse.

Libri është i ndarë në shtatë kapituj. Në kapitullin e parë “Rrugëtim i shkurtër nëpër kohë” flitet për aspekte të përgjithshme të Anës së Malit, kapitulli i dytë merret me traditën bujqësore e blegtorale, kapitulli i tretë me trashëgiminë kulturore materiale, kapitulli i katërt me trashëgiminë kulturore shpirtërore, kapitulli i pestë me disa figura të shquara fetare, kapitulli i gjashtë me portretet e disa personaliteteve të Anës së Malit, kurse kapitulli i shtatë përfshin disa reportazhe nga kjo trevë.

Në vështrimin e tij redaktori Dr. Nexhad Avdiu shprehet ndër të tjera se “libri pa dyshim është edhe një arritje në aspektin shkencor, sepse përbën një botim të mirëfilltë për zonën e Anës së Malit, aq më tepër kur trajtohet nga një trieshian, mik i kësaj zone” dhe se mendon që libri do të shërbejë edhe si bazë për studime të mëtejshme në fusha të ndryshme për këtë trevë shqiptare.

Ndërsa recensentja Dr. Sabina Osmanoviq shprehet se “Libri në fjalë është i larmishëm në përmbajtje, herë ngjan me udhëpërshkrim, herë si një rrëfim historik. Teksa lexoni librin, në çdo fjali mund të ndjeni tonin dashamirës për njerëzit e kësaj zone dhe një lloj afrimiteti krejtësisht të natyrshëm.”

Libri “Ana e Malit sipas një trieshiani (Kronikë e jetës së përditshme të anamalasve)” është botuar nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, me mbështetjen e Fondit për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave, ndërsa është shtypur në shtypshkronjën IVPE – Cetinë. Redaktor teknik i librit është Gazmend Çitaku, kurse kopertina është punuar nga Rajmond Gjonaj.

Gjekë Gjonaj është autor i librave “Prekë Cali, piramidë e kufijve të Shqipërisë” (monografi), “Njëmendësi shqiptare”, “Gjurmëve të kohës”, “Shqipet e maleve”, “Identiteti etnolinguistik dhe kulturor i shqiptarëve”, “Bijtë e shqipes”, “Deputetët shqiptarë në Malin e Zi në periudhën e komunizmit 1946-1990”, “Zgjedhjet parlamentare dhe deputetët shqiptarë në Malin e Zi në periudhën e pluralizmit 1990-2016”, “E meritojnë nderimin (Figura shqiptare të shekullit XX)”. Ky është libri i tij i dhjetë.