Kosova, mes ideales dhe të mundshmes

0
363

Ditmir Bushati , ish- Ministër i Jashtëm

Negociatat e 27 shkurtit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel përfunduan me arritjen e një marrëveshjeje të propozuar nga BE-ja, për rrugën drejt normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Opinioni publik, megjithatë, ka nevojë për më shumë qartësi në lidhje me çfarë konkretisht është rënë dakord në këtë marrëveshje, e cila ende nuk ka nënshkrimet e palëve. Qëndrimet e Kryeministrit të Kosovës dhe Presidentit të Serbisë, vijojnë të jenë të ndryshme, përsa i përket përmbajtjes dhe radhës së zbatimit të angazhimeve.

Në mungesë të aneksit dhe mekanizmit të zbatimit të kësaj marrëveshje, ajo që dihet për momentin është se Kryeministri Kurti dhe Presidenti Vuçiç janë pajtuar që bisedimet e mëtejshme për propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve nuk janë të nevojshme. Por, ato do të përqendrohen tek mënyra dhe mekanizmi garantues i zbatimit të marrëveshjes së pranuar. Fillimisht përmes “diplomacisë fluturuese” të emisarëve special, dhe më pas në takimin e radhës të Ohrit, që pritet të zhvillohet më 18 Mars.

Përmbajtja e Marrëveshjes
Egon Bahr, hartues i Ostpolitik së promovuar nga kancelari i Gjermanisë Perëndimore Ëilly Brandt, për të cilin ai shërbeu si Sekretar Shteti në Kancelari, dhe një figurë kyçe në seancat e negociatave të shumta midis Gjermanisë Perëndimore dhe Lindore, por edhe mes Gjermanisë Perëndimore dhe Bashkimit Sovjetik, thoshte se “nuk ka marrëveshje që i jep diçka veç njërës palë”.

Në këtë kuptim, marrëveshja e 27 shkurtit duhet lexuar si diçka mes ideales dhe të mundshmes, si një hap drejt normalizimit të mëtejshëm të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Menjëherë pas përfundimit të negociatave, teksti i marrëveshjes u publikua në faqen zyrtare të BE-së. Në themel të marrëveshjes qëndron simetria dhe ndërsjellësia në ndërtimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, të cilat duhet të jenë të mira e të bazuara në të drejta të barabarta. Të dyja palët angazhonen të respektojnë integritetin territorial të njëra-tjetrës, të njohin dokumentet dhe simbolet shtetërore, duke përfshirë pasaportat, diplomat, targat dhe vulat doganore.

Referimi i marrëveshjes në Kartën e OKB-së është sinjifikativ, për shkak të dhunimit të rendit ndërkombëtar nga Rusia në Ukrainë. Më posaçërisht, palët angazhohen të udhëhiqen nga qëllimet dhe parimet e Kartës së OKB-së, që kanë lidhje me barazinë sovrane të shteteve, respektimin e pavarësisë, integritetit territorial të tyre dhe të drejtën për vetëvendosje.

Sipas marrëveshjes, palët janë pajtuar për të këmbyer misionet diplomatike, respektivisht në Prishtinë dhe Beograd. Asnjëra nga palët nuk mund të përfaqësojë tjetrën në sferën ndërkombëtare, apo të veprojë në emër të saj. Gjithashtu, Serbia angazhohet se nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare. Asnjëra palë nuk do të bllokojë apo inkurajojë aktorët e tjerë që të bllokojnë përparimin e palës tjetër gjatë rrugës për në BE.

Angazhimi i mësipërm do të testohet në praktikë këtë pranverë. Kosova po kërkon të anëtarësohet në Këshillin e Europës. Gjithashtu, ajo ka paraqitur aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Europian. Shtetet anëtare të BE-së duhet të gjejnë mirëkuptim në mënyrë që të fillojë procedura për shqyrtimin e aplikimit të Kosovës. Në të dyja rastet, Serbia ka punuar në rrugë diplomatike për të penguar çdo përparim në këtë drejtim.

Marrëveshja e 27 shkurtit synon normalizimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e jo përmbylljen e konfliktit. Të dyja palët do të vazhdojnë procesin e dialogut të udhëhequr nga BE, i cili do të çojë në një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve të tyre.

Një element i rëndësishëm i marrëveshjes ka lidhje me të drejtat dhe vetadministrimin e komunitetit serb në Kosovë, ku parashihet mundësia për financim nga Serbia dhe krijimi i një linjë komunikimi direkt mes komunitetit serb dhe qeverisë së Kosovës. Në të njejtën kohë, palët konfirmojnë detyrimin për të zbatuar të gjitha marrëveshjet e mëparshme të arritura në 2013-ën dhe 2015-ën, ku është rënë dakord për formimin e Bashkësisë të Komunave me shumicë Serbe në Kosovë.

Sikurse dihet, Gjykata Kushtetuese e Kosovës në rrëzimin, që i ka bërë marrëveshjes së mëparëshme në lidhje me Bashkësinë e Komunave me shumicë Serbe ka përcaktuar edhe “linjat e kuqe” apo “perimetrin e sigurisë”, që duhet respektuar në këtë drejtim. Kosova mund ta projektojë vizionin e saj për Bashkësinë e Komunave me shumicë Serbe, në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi, duke iu referuar shembujve të mirë ndërkombëtar, që nuk bazohen tek “territorializimi i të drejtave”.

Këshilli i Përbashkët i Bashkive në Kroaci është një model për t’u ndjekur, duke qenë se i ka siguruar pakicës serbe përfshirje dhe integrim në jetën politike. Në dallim nga modeli i “Republikës Srpska” në Bosnje Hercegovinë, i cili pengon funksionimin normal të shtetit. Për më tepër, modeli i “territorializimit të të drejtave”, i sanksionuar në Marrëveshjen e Daytonit që i dha fund gjakderdhjes në Bosnje Hercegovinë, është kundërshtuar nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, si një model diskriminues që vjen në kundërshtim me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut.

Sipas marrëveshjes Kosova dhe Serbia bien dakord të thellojnë bashkëpunimin në fushat e ekonomisë, shkencës dhe teknologjisë, transportit dhe ndërlidhjes, bashkëpunimit gjyqësor dhe shtrëngimit të ligjit, postave dhe telekomunikacionit, shëndetësisë, kulturës, fesë, sportit, mbrojtjes së mjedisit, personave të zhdukur dhe atyre të zhvendosur, nëpërmjet lidhjes së marrëveshjeve specifike.

Marrëveshja, për të cilën palët nuk do të negociojnë më, fuqizon shtetësinë e Kosovës dhe mund të konsiderohet edhe si një njohje implicite e Kosovës nga ana e Serbisë. Shumë elementë të marrëveshjes mbështesin këtë vlerësim. Për shembull, zhvillimi i marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, respektimi i integritetit territorial dhe mosndryshimi i kufijve, njohja e simboleve shtetërore, e dokumenteve të tilla si pasaportat, targat, diplomat dhe vulat doganore. Gjithashtu, hapja e misioneve diplomatike, respektivisht në Prishtinë dhe Beograd, e përforcon idenë e njohjes në heshtje.

Marrëveshja parashikon se palët do t’i zgjidhin të gjitha mosmarrëveshjet e tyre vetëm me mjete paqësore, në respekt të zbatimit të parimeve të së drejtës ndërkombëtare që e ndalon kërcënimin apo përdorimin e forcës. Serbia ndërkombëtarisht heq dorë nga Kosova si pjesë e saj duke u pajtuar se janë dy subjekte të ndara në përfaqësim ndërkombëtar dhe angazhohet për të mos e penguar anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Moskundërshtimi i Kosovës nga Serbia në ushtrimin e aktivitetit të saj si subjekt i së drejtës ndërkombëtare nënkupton njohjen e shtetësisë së saj në heshtje, që në të drejtën ndërkombëtare njihet si acquiescence.

Ndonëse shumëçka do të varet nga aneksi dhe mekanizmi i zbatimit të marrëveshjes, 27 shkurti shënon një hap cilësor, duke qenë se nga vera e kaluar situata ka qenë shpesh konfliktuale.

Çështje e sigurisë europiane
Pushtimi i Ukrainës nga ana e Rusisë ka hedhur dritë mbi çështjet e pazgjidhura politike dhe krisjet edhe në Ballkanin Perëndimor. Rajoni nuk është në rrezik të një sulmi të drejtpërdrejt nga Rusia. Por mbetet shqetësues kapaciteti i Moskës për të shfrytëzuar konfliktet e papërfunduara dhe për të ndezur fitilat e destabilitetit. Sikundër nuk duhen nënvlerësuar efektet ekonomike të luftës.

Epiqendra e ndikimit rus dhe kinez në rajon është Serbia. BE-ja dhe SHBA-të kanë ndjekur tri objektiva në marrëdhëniet e tyre me Serbinë: (i) të kufizojnë ndikimin e Rusisë dhe Kinës; (ii) të normalizojnë marrëdhëniet Serbi-Kosovë; (iii) të mbrojnë integritetin territorial të Bosnje-Hercegovinës.

Edhe pse BE-ja dhe SHBA-të nuk e kanë shterruar ndikimin e tyre në Serbi, suksesi në arritjen e objektivave të mësipërm ka qenë i kufizuar. Deri më tani Serbia ka refuzuar t’i bashkohet sanksioneve të BE-së kundër Rusisë. Madje, ka bërë hapa pas përsa i përket linjëzimit me pozicionet e politikës së jashtme të BE-së. Ndikimi i Kinës në Serbi është rritur në vend që të zvogëlohej. Kjo vihet re qoftë në investime, në infrastrukturën që lidhet me sigurinë, apo lidhjet politike dhe kulturore. Serbia vazhdon të mbështesë politikanë që me veprimet dhe retorikën e tyre kërcënojnë integritetin territorial të Bosnje-Hercegovinës.

As BE-së dhe as SHBA-së nuk i mungon ndikimi në Serbi, pasi kjo e fundit është e mirëintegruar në strukturat ekonomike perëndimore. Ajo kryen pjesën më të madhe të tregtisë së saj me BE-në. Merr investime të konsiderueshme të huaja direkte nga ajo. Thënë ndryshe, pa Perëndimin, Serbia nuk do të mbijetonte ekonomikisht.

Mirëpo, refuzimi i Serbisë për t’u bashkuar me sanksionet e BE-së kundër Rusisë nuk ka sjellë pasoja serioze për marrëdhëniet e Serbisë as me BE-në dhe as me SHBA-në. Në rrethanat që imponon mjedisi i ri i sigurisë në Europë, për SHBA-në duket se merr përparësi trajtimi me kujdes i Serbisë, për të evituar një ngjizje edhe me të fortë të saj me Rusinë, dhe nga ana tjetër, njohja e realitetit faktik, të Kosovës, nga ana e Serbisë, për të kuruar pikat e dobëta të sigurisë në rajon që mund të shfrytëzohen nga Rusia.

Edhe në rast të njohjes së ndërsjellë mes Serbisë dhe Kosovës, një anëtarësim i kësaj të fundit në OKB, në kushtet e pushtimit të Ukrainës nga Rusia, e cila kërkon gjithnjë e më shumë të rishkruajë rregullat e rendit ndërkombëtar përmes imponimit, duket i pamundur.

Ndërkohë që europianët do të duhet të kuptojnë se përmbyllja e konfliktit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës nuk është një çështje e sigurisë rajonale, por e sigurisë europiane. Sidomos pas pushtimit te Ukrainës nga ana e Rusisë. Përderisa BE-ja mbetet e ndarë për Kosovën dhe parimet që e çuan atë drejt pavarësisë, është e vështirë të flasësh për një rend europian të themeluar mbi parime të dakorduara që do të arrijë t’i bëjë ballë për një kohë të gjatë agresionit rus.

Ndaj, shtetet anëtare të BE-së dhe NATO-s, që deri tani nuk e kanë njohur Kosovën, duhet të lëvizin drejt njohjes së saj. Kjo do ta ndihmonte edhe vetë Serbinë duke i hequr çdo alibi. Sikundër do ta privonte Rusinë nga një levë kryesore ndikimi në Serbi dhe rajon. Rendi europian duhet të mbështetet në bashkëjetesën demokratike, të simbolizuar në anëtarësimin vullnetar të shteteve me të të drejta të barabarta në NATO dhe BE.

Nëse BE-ja nuk gjen gjuhën e përbashkët për përmbylljen e plotë të procesit të shtetësisë së Kosovës, dhe përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të gjashtë vendeve të rajonit në BE, brenda një afati kohor të arsyeshëm, atëhere do të jetë e pamundur të flitet për rend të sigurisë europiane.

Me siguri, Rusia do të vazhdojë ta konsiderojë njëkohësisht Kosovën si “precedent ligjor” në raport me pushtimin e Ukrainës, dhe si një “akt të paligjshëm” që dëmton rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla. Po kështu, Serbia do të vazhdoj të vendos shenja barazimi me Ukrainën, si “viktimë” e cënimit të integritetit territorial të saj për shkak të ndërhyes së NATO-s në 1999, duke mos shfaqur asnjë pendesë për të kaluarën e saj gjenocidiale, e duke mos prerë as kordonin umbelikal me Rusinë.